BREAKING NEWS

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu nxjerr për herë të parë EMRAT: Do ketë prurje të reja!

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu
x

Dossier

Pjesëmarrja e Ali Pashë Tepelenës në luftën osmano-ruse, plani i marrëveshjes me rusët dhe kapja rob e nipit

Pjesëmarrja e Ali Pashë Tepelenës në luftën

(Vijon nga numri i kaluar)

...Në librin e parë, “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, thuhet se “letra u drejtohej udhëheqësve shqiptarë dhe grekë të popullsisë bregdetare”, ndërsa në të dytin, “Ali Pasha midis historisë dhe legjendës” thuhet “drejtuar Aliut dhe grekëve”. Historiani rus thotë se letra u drejtohet krerëve kryesorë të fshatrave greke dhe shqiptare, pra jo Aliut. Gjithashtu, Aliu i premtoi Psaros se “do fusë luftë vëllavrasëse ndërmjet pashallarëve të tjerë”.

Këtu duhet bërë dhe një saktësim tjetër. Nuk bëhet fjalë që letra u shkrua në gjuhën greke dhe pastaj u përkthye rusisht etj. Letrat, ose më mirë thirrjet ose manifestet që u drejtoheshin popujve të ndryshëm nga rusët në atë kohë, shkruheshin në gjuhën e vendasve të cilëve u drejtoheshin dhe jo në gjuhën ruse, sepse nuk e kuptonin ata që do ta lexonin. Që në kohën e Pjetrit të Madh, në manifestin drejtuar popujve ballkanikë në vitet 1710 – 1711, ato u shkruan në gjuhët e popujve, të cilëve u bënin thirrje të ngriheshin në luftë kundër Perandorisë Osmane. Ali pasha ka qenë pjesëmarrës në luftën ruso – turke të viteve 1787 – 1791.

Në faqen 109 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, thuhet: “... Ali pasha mbërrin në Maçin hijerëndë dhe plot lavdi ... (etj. për fitore të mëdha). ... Theksimi i trimërisë së Aliut në këtë betejë është një nga ato rastet kur biografi kërkon t’i bëjë qejfin të zotit të vet, mbasi në literaturën turke do të trumbetohej si një fitore e madhe, kur në të vërtetë forcat osmane pësuan disfatë. Në këtë betejë u kap rob Mehmeti, nipi i Aliut. Me anë të një letre Aliu i kërkon moskovit të dorëzojë të nipin”. Referenca është marrë nga Alipashaida, fq. 153 – 156, pra janë vargjet e Haxhi Shehretit.

Nëse lexon kronikat osmane, që nga koha e Skënderbeut ato japin vetëm fitore për ushtritë e tyre. Edhe luftërat kundër Skënderbeut ata i shkruajnë si fitore të tyre. Kështu qëndron puna edhe me poemën e Haxhi Shehretit. Sulltanët dhe sundimtarët e tjerë si Ali Pasha, nuk lejonin që të shkruhej ndryshe dhe kjo ndodh me të gjithë sundimtarët që janë gjallë dhe kontrollojnë çdo gjë. Por nuk është gjithmonë kështu, sepse subjektivizmi në këto raste është shumë i madh. Ekziston një anekdotë, jo barsoletë, lidhur me subjektivizmin. Një perandor kinez, mblodhi dijetarët e tij dhe i urdhëroi që të shkruanin historinë e perandorisë. Pas disa kohësh, i mblodhi përsëri dhe i pyeti se çfarë kishin bërë. Ata iu përgjigjën se po vazhdonin të shkruanin historinë. Atëherë perandori u tha që t’ia sillnin t’i lexonte. “Ah, jo Madhëri! Ju ato nuk do t’i lexoni – u përgjigjën dijetarët. Ato do t’i lexojnë ata që do vinë pas jush”. Komentet janë të tepërta.

Në librin “Ali Pasha midis historisë dhe legjendës” janë bërë përpjekje për të saktësuar edhe datën e betejës së Maçinit, ku është kapur rob nipi i Ali Pashës. Po në faqen 109 të këtij libri jepet dokumenti turk BOA, HAT, dos. Nr 210, gomlek nr 11317, 21 rebiyulevvel 1205 (29. 11. 1790), pra që beteja e Maçinit është zhvilluar në vitin 1790. Në vazhdim, në faqen 110 vazhdon: “Ky dokument (pra dokumenti turk i mësipërm) korrigjon edhe literaturën turke dhe atë shqiptare. E para betejën e Maçinit e çon në vitin 1791 (Ali Pasha Islam Ensiklopedisi, fq. 344), kurse e dyta në vitin 1787 (Alipashaida, fq. 153 – 154).

Në fakt, beteja e Maçinit ku është kapur rob nipi i Aliut, është zhvilluar në muajin qershor 1791, pra e ka shumë të saktë “Ali Pasha Islam Ensiklopedisi”. Për këtë, princi Potjemkin më 12 korrik 1791, me informacionin e tij Nr 34 njofton se “... forcat e Madhërisë Tuaj perandorake, nën komandën e gjeneralit, princit Repnin, korrën një fitore absolute ndaj ushtrisë së armikut në Maçin, ku ndodhej edhe vetë veziri i madh Jusuf pasha ... ndër robërit ndodhej Mehmet pasha me dy tuje ...”.

Faktin që nipi i Aliut u kap rob në Maçin, e jep edhe vetë gjeneral Repnini në raportin e tij të datës 29 qershor 1791, me të cilin njofton Potjemkinin: “ ... gjithë kampi i armikut mbeti në duart tona, u kapën njëzet e nëntë topa dhe dy mortaja, ... robër u kapën një pasha me dy tuje, Mehmet Arnaut pasha dhe disa të tjerë ... po iu dërgoj relacionin për betejat në Maçin dhe numrin e forcave të armikut sipas deponimeve të Arnaut – pashës me dy tuje, të kapur rob ...”. Këto fakte ndodhen në dokumentet e Potjemkinit. Sipas historianit rus G. Arsh, në këtë kohë Ali pasha nuk ndodhej në Maçin, por ishte në Shumlje.

Për nipin e Aliut, Mehmet pashën që u kap rob nga rusët, në faqen 110 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës” thuhet: “Rënia rob e Mehmet pashës, nipi i Aliut dhe krahu i djathtë i tij, përmendet nga disa autorë, prandaj po e besojmë. Me këtë rast, Aliu pati një takim me Potjemkinin, kryekomandantin e frontit rus. U shkëmbyen dhurata dhe u zhvilluan bisedime. Aliu i shprehu Potjemkinit një respekt të veçantë ndaj rusëve ... Ai shpresonte se Rusia mund ta njihte sundimtar të Epirit në rast të shembjes së saj (Perandorisë Osmane] ...”. (Këtu jepen disa referenca: I. Koçollari, Alipashaida, A. Mufid, G. Remerand, W. Plomer, G. Vandocourt, I. Ushtelenca).

Për dijeni të lexuesit, sa kanë qenë gjallë në këtë botë, Potjemkini me Ali Pashën nuk janë takuar kurrë në jetën e tyre. Ndërsa lidhur me referencat për faktin e takimit, në librin “Diplomacia e Ali pashë Tepelenës” të I. Ushtelencës, në fq. 29 ai shkruan: “Meqenëse Ali Pasha ndodhej në Shumlje, ku luftonte kundër rusëve, shfrytëzoi rastin dhe hyri në letërkëmbim të drejtpërdrejtë me Potjemkinin ... Për t’i matur pulsin, pashai i kërkoi kryekomandantit rus për t’i liruar nipin e tij që ishte zënë rob nga trupat ruse ...”.

Edhe historiani rus G. Arsh, në librin e tij në faqen 157 shkruan: “Në kohën që të autorizuarit e Ali pashës zhvillonin bisedime me Tamarën, vetë ai (Aliu) ndodhej në kampin turk në Shumlje. Këtu ai hyri në letërkëmbim (pra nuk janë takuar) të drejtpërdrejtë me Potjemkinin, me pretekstin e lirimit të nipit të tij Mehmet pashës, që kishte rënë rob te rusët ...”.

Ky fakt i mësipërm, plotësohet edhe me faktin tjetër që Potjemkini u takua me të dërguarin e Aliut, Mehmet efendi Bulçin në gusht të vitit 1791. Në letrën që Potjemkini i dërgon Aliut më 24 gusht 1791, e siguron sundimtarin epirot për gatishmërinë e tij që të vazhdojë lidhjet me të, pasi lufta e Rusisë me Turqinë kishte marrë fund dhe ishte nënshkruar traktati i paqes. Konkretisht Potjemkini i shkruan: “... gjithçka që më njoftoi mua personi juaj i besuar, më solli kënaqësi të vërtetë dhe Ju do ta shihni në të ardhmen sesi unë vazhdimisht do të përpiqem t’iu provoj Juve ndjenjat e mia”. Ky fakt nuk është në librin e historianit rus, por në referatin që po ky historian ka mbajtur në Tiranë, në Kongresin IX për vendet e Europës Juglindore, nga 30.08. – deri 03.09. 2004.

Një nga çështjet më të rëndësishme që përmendet në literaturën për Ali Pashën, është projektmarrëveshja e tij për t’u lidhur me rusët. Duhet thënë se marrëveshjet, projektet, konventat, traktatet dhe të tjera dokumente që janë zyrtare, është e domosdoshme që të përkthehen sa më saktë, sepse ndryshe nuk del kuptimi i vërtetë i tyre dhe problemet ngatërrohen.

Kjo projektmarrëveshje është botuar për herë të parë nga historiani rus G. L. Arsh, në revistën “Shënime historike”, vëllimi 63, në vitin 1957 dhe është gjetur në Arkivin e flotës luftarako-detare ruse; për herë të dytë është botuar po nga ky autor në librin e tij në vitin 1963, ndërsa për herë të tretë, i plotësuar edhe me dokumente të tjera, është referuar në Kongresin IX që u mbajt në Tiranë, që e përmendëm më sipër.

Historiani rus, në faqen 153 të librit të tij shkruan se “Rusinë e vizituan delegacione të ndryshme, që paraqisnin planet e luftës kundër Turqisë. ... gjeneral Tamara gjeti në Trieste, në prill të vitit 1791 delegatët të cilët më parë kishin qenë te Potjemkini. Ata i propozuan Tamarës “të studiojë me ne një kryengritje të tillë në Greqi, duke filluar me Shqipërinë, e cila pastaj të mund të qëndrojë [pra marrëveshja] edhe në rast të pajtimit tonë me Portën”. Pra, bëhet fjalë para se nipi i Aliut të kapej rob nga rusët.

Aty del se delegatët propozuan që në verë të vitit 1791 të përfundonin bisedimet për përmasat e ndihmës, kryesisht me plumb dhe barut, e cila do t’u jepej prijësve shqiptarë nga Rusia dhe që në tetor flota ruse të afrohet në bregdetin ndërmjet Pargës dhe Prevezës dhe të zbarkonte 3 mijë desantë. (Marrë nga Arkivi Qendror shtetëror i flotës ushtarako - detare, f. “Kanceleria Potjemkin – Tavriçskij”, dosja. 32, fleta. 191. (??????. ?. “?????????? ????????? – ????????????”, ?. 32, ?. 191).

Në qershor 1791, delegacioni i Ali Pashës u takua me Tamarën në ishullin Kallamos. Një nga të ngarkuarit që kishte sjellë dhe projektmarrëveshjen ishte Ostaf Parusi, që mesa duket e mbante Ali Pashën në kurs të të gjitha planeve të prijësve shqiptarë të krishterë. Përfaqësues të tjerë ishin Vasil Menksi (kështu është në origjinal, ndoshta është Meksi) dhe Lasali. I pari shërbeu në flotën ruse në kohën që i parapriu luftës ruso – turke; i dyti ishte konsulli francez në Prevezë, njeri i besuar i Ali Pashës. Kjo marrëveshje, e shkruar në gjuhën frënge, kishte nëntë pika.

Në librin “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, në faqen 33, këto pika janë përmbledhur si më poshtë: “Për personin, për anëtarët e familjes së tij dhe për të gjithë vartësit e tij të sigurohej liria e besimit fetar mysliman. Të përcaktoheshin me bisedime hapësirat e zotërimeve që do t’i mbeteshin atij për qeverisje, rregullat e drejtësisë dhe të qeverisjes së vendit. Për të neutralizuar ndikimin rus ndër banorët grekë, Ali Pasha i angazhohej Rusisë se nuk do t’i rëndonte banorët grekë me taksa më të shumta se shqiptarët, se grekët njësoj si shqiptarët mund të gëzonin të gjitha postet në hallkat e administratës së tij civile dhe ushtarake dhe se pronat e tyre do të mbeteshin të paprekura ... Ali pasha merrte përsipër të mbante me shpenzimet e tij një trupë ushtarake të përbërë nga shqiptarë dhe grekë, e cila do të ishte vazhdimisht në gatishmëri. Në krye të saj do të emërohej një nga djemtë e tij, për të cilin propozonte ta dërgonte të arsimohej në Rusi. Kjo do të ishte si fillim marrëveshjeje dhe një garanci e pashait ndaj Rusisë ...”.

Në librin “Ali Pasha midis historisë dhe legjendës”, në faqen 112, pikat e marrëveshjes përmblidhen afërsisht si te libri “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës” dhe referenca është libri i historianit rus G. Arsh, fq. 154 – 156.

Ndërsa në librin “Ali Pashë Tepelena dhe fillesat e nacionalizmit shqiptar”, marrëveshja jepet në faqen 60 – 61, ku për pikën 2 shkruhet: “Ali Pasha zotohet t’i trajtojë njëlloj si myslimanët dhe të krishterët dhe t’i pranojë ata si në administratë edhe në ushtri ...”. Në pikën 3 thuhet se “Taksat do të unifikohen për të gjithë banorët, grekë apo shqiptarë, myslimanë apo të krishterë qofshin”. Kjo marrëveshje përsëritet dhe në faqen 169, ku shkruhet se “Historiani rus G. Arsh ... zbulon vizionin e Ali Pashës për të themeluar një shtet të pavarur me tolerancë fetare, me gjuhë të parë greqishten dhe të dytë shqipen”, e më poshtë jepet edhe pika 7 e saj, për të cilën thuhet: “Aliu gjithashtu pranon që ligjet dhe urdhrat të shkruhen në gjuhën greke, ndërsa shqipja do të jetë gjuha e dytë e shtetit”.

Vijon në numrin e radhës...