Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Priten zhvillime të reja! Kryeministri Rama paralajmëron valë shkarkimesh: Ja kush do largohet nga detyra

Priten zhvillime të reja! Kryeministri Rama paralajmëron valë
x

Dossier

Planet e CIA për të rrëzuar regjimin komunist, nga bashkëpunimi me Ahmet Zogun, te ndërhyrja ushtarake në Shqipëri

Planet e CIA për të rrëzuar regjimin komunist, nga

CIA vijon të nxjerrë detaje sa i takon politikës gjatë viteve 1949-1952. Gazeta “SOT” publikon dy dokumente të tjera të deklasifikura nga shërbimi amerikan, ku jepen detaje sa i takon lëvizjeve të ish-mbretit Zog, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Në dokumentin e datës 20 gusht 1951, thuhet se Zogu kishte zhvilluar një vizitë në SHBA për të futur në shkollë djalin e tij, ku aty ishte takuar dhe me një përfaqësues të CIA, ku kishin biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit për të rrëzuar regjimin komunist. Në letër agjenti tregon përshtypjet që i kishte lënë Zogu, teksa ka zbuluar se ai kishe 3 plane, një prej të cilëve ndërhyrja nga Greqia me një ushtri prej 10 mijë personash.

Takimi me ish-mbretin Zog

Më 20 gusht 1952 unë dhe ... shkuam në hotelin Mayflower për t’u takuar me ndihmësin e mbretit Zog, kolonel Selmani, i cili na shoqëroi më pas te suita e mbretit Zog. Zogu ishte shumë i sjellshëm por jo me tepricë, në takimin që zgjati rreth një orë e gjysmë, ku ishim prezentë vetëm ai, ... dhe unë. Zogu fliste një frëngjishte të mirë (për të cilën më raportonin se e ka mësuar vetëm vitet e fundit). Ai më pyeti nëse flisja gjermanisht, gjuhë në të cilën me sa dukej ndjehej më i lirshëm. Zogu nisi duke më treguar se ishte këtu vetëm për disa ditë, dhe se kishte ardhur vetëm për të futur në shkollë djalin e tij dymbëdhjetë vjeçar në Uashington ose në Nju Jork. Pasi të kishte mbaruar këtë, ai tha se do të kthehej në Aleksandri, ku dhe mund të gjendej nëse do të kishim nevojë për shërbimet e tij. Ai përmendi se mbretëresha Geraldinë ishte në Levant (zona mesdhetare e Lindjes së Mesme) dhe se kishte qenë në Baalbek. Më tej ai djalërinë e tij në Stamboll dhe udhëtimet që kishte bërë vetë në vendet e Levantit, duke përmendur disa prej rrënojave më të famshme. Pas bisedës shoqërore dhe pasi theksoi prej fillimit se i vinte keq që nuk mundi të takohej me ..., ne folëm për situatën shqiptare. Zogu tha se kishte katër gjëra të rëndësishme në lidhje me Shqipërinë dhe që duhet të transmetoheshin te .... Ai tha se shtatë fusha ajrore të para-luftës po rinovoheshin dhe dy të reja po ndërtoheshin, por komentoi se ky aktivitet nuk kishte lidhje me Jugosllavinë, më shumë sesa me pozicionet perëndimore të zonës, siç mund të ishte baza perëndimore në Tripoli, apo ndonjë objektiv tjetër në Lindjen e Mesme.

Ndërhyrja ushtarake në Shqipëri

 Ai mendonte se një forcë ushtarake prej 100.000 njerëzish në Shqipëri (50 000 nga forcat e armatosura shqiptare dhe 50 000 ndoshta sovjetike që mund të silleshin në vend) do të ishte një kërcënim për Jugosllavinë. Më tej ai vazhdoi të jepte shqetësime për kërcënimin shqiptar dhe sovjetik, duke përmendur gjirin e Vlorës dhe nëndetëset sovjetike, për të cilat tha se mund të ankoroheshin në bazën e Vlorës. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e ishullit të Sazanit.

Duke parë rëndësinë e këtyre fakteve Zogu propozoi tre zgjidhje të mundshme: Një pushtim i mundshëm i Shqipërisë nga trupat amerikane (çka do të konsiderohej si një provokim nga rusët). Një revolucion i brendshëm (i cili nuk mund të arrihej pa bashkëpunimin e ushtrisë); Një pushtim nga Greqia e një ushtrie prej 8000 deri në 10 000 shqiptarësh të emigracionit, të drejtuar nga mbreti Zog dhe në koordinim me rezistencën e brendshme (çka nuk do të arrihej pa u bërë e njohur nga bota e jashtme); Në lidhje me inteligjencën, Zogu pranoi se nuk kishte ndonjë organizatë brenda vendit, por vetën nganjëherë dërgonte një prej kontakteve të tij në Shqipëri për t’u takuar me persona të tjerë që i konsideronte besnikë ndaj tij. Këta persona ishin njerëz të nivelit të ulët, jo inxhinierë apo oficerë, dhe kontaktet e tyre ishin kryesisht ish-anëtarë të Trupave të Rezervave që Zogu kishte krijuar gjatë sundimit të tij në vitet 1924-1939, të cilët para luftës arrinin në numrin 2900. Prek këtij numri, sipas Zogut, rreth 700 ishin eliminuar nga regjimi aktual, të tjerë kishin vdekur dhe të tjerë kishin dezertuar. Por Zogu besonte se kishte ende rreth 2000 ish-oficerë rezervistë brenda Shqipërisë te të cilët mund të mbështetej për nga besnikëria.

Synimet e CIA për Zogun

Duke gjykuar mbi disa prej observimeve të bëra nga Zogu për situatën në Shqipëri, mua më dukej se ai nuk ishte shumë i informuar mbi situatën. Por gjithsesi ka mundësi që ne të shfrytëzojmë Zogun sipas linjave të mëposhtme:Pas kthimit të tij në Aleksandri ne duhet të kontaktojmë me të për të kërkuar informacione të ngjashme mbi kushtet në Shqipëri, me anë të korrierëve që ai dërgon në vend apo me anë të refugjatëve që vijnë nga Shqipëria;

I kërkojmë të na njoftojë për kohën kur do të dërgojë dikë në Shqipëri, dhe për zonën e caktuar ku do të qëndrojnë, për të na ndihmuar me terrenin dhe informacionet; Më pas të identifikojmë dhe të zbulojmë vendndodhjen e oficerëve rezervistë që Zogu konsideron besnikë, të kualifikuar dhe të padyshuar nga autoritetet komuniste, për t’i përdorur ata si agjentë apo ndihmësa me shtëpi të sigurta për agjentët apo korrierët. Në lidhje me sa më sipër, Zogu përmendi se kishte pasur vështirësi në dërgimin e njerëzve në Shqipëri pasi grekët nuk i pranonin dokumentet shqiptare të ish-mbretërisë, prandaj ishte i detyruar t’i dërgonte ata në Turqi, ku mund të merrnin vizë greke për infiltrime tokësore në Shqipëri (nëse ky do të ishte edhe qëllimi ynë, ne mund ta lehtësonim dërgimin e korrierëve të Zogut në Shqipëri nga Greqia, pa qenë nevoja që ata të kalonin nga Turqia). Në lidhje me komitetin shqiptar në jugosllavi, Zogu vërejti se megjithëse ai përbëhej nga të panjohur, ishte gjithsesi më me influencë se Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, sepse ishte krijuar nga qeveria jugosllave dhe kishte në dispozicion disa mijëra shqiptarë, në një zonë të afërt me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë ai theksoi se po bënte gjithçka ishte e mundur për të siguruar harmoni në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Në lidhje me zgjedhjen e formës institucionale ai tha se do t’u lihej shqiptarëve të vendosnin.

Gjatë gjithë takimit sjellja e Zogut ishte e hapur dhe dukej shumë i sinqertë. Opinionet e tij thuheshin me bindje dhe vetëm një pjesë e vogël ishin si rezultat i pyetjeve direkte mbi to. Unë nuk thashë asgjë që mund t tregonte për interesim për inteligjencë operacionale nga ana jonë. ... do të takohej përsëri me Zogun në 16 gusht, për eksplorim të mëtejshëm të ofertës së tij për drejtimin e një force të armatosur brenda në Shqipëri, si dhe për aftësinë e tij për mbledhjen e një force prej 8-10 mijë njerëzish, siç pretendoi se mund të bënte

Situata politike në Shqipëri (1952)

Duke gjykuar nga raportet e ardhura deri tani, situata politike në Shqipëri mbetet e pandryshuar. Armiqësia mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës është aty por nuk ka tregues se mund të ketë një përplasje më të madhe së afërmi. Kongresi i dytë i partisë, i mbajtur në mars 1952, zbuloi dështimet e regjimit komunist. Dy ministra u spastruan për inkompetencë dhe tre të tjerë u transferuan për t’i kushtuar më shumë kohë aktiviteteve të partisë, çka do të thotë një rritje e disiplinës partiake. Kongresi u ndoq më pas nga një spastrim i gjerë i anëtarëve të partisë si rezultat i disiplinës së butë, përvetësimit të fondeve dhe provave të korrupsionit.

Kushtet ekonomike. Situata ekonomike ka qenë e dëshpëruar prej muajsh dhe nuk është përmirësuar. Kostot e ushqimeve nuk përballohen nga punonjësit e zakonshëm dhe shumë produkte janë të paarritshme. Në fund të dimrit BRSS u detyrua të ndihmonte me grurë për popullatën. Ata kanë ndihmuar gjithashtu me materiale dhe makineri për ndërtimin e kapaciteteve industriale, por zhvillimet kanë qenë të ngadalta. Por hidrocentrali Lenin dhe radiostacioni Tirana u kompletuan, bashkë me disa linja hekurudhore dhe zhvillime rrugore. Puna vazhdon për tharjen e liqenit të Maliqit. Ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali të madh mbi lumin Mat.

Synimet e Jugosllavëve

Raportet e fundit tregojnë se ka një ndryshim në opinionin e Jugosllavisë për Shqipërinë, edhe pse ka ndryshime në qëndrimet e ndryshme të zëdhënësve jugosllavë. Një vit më parë Tito kundërshtoi veprimin ndaj Shqipërisë nga frika e hakmarrjes prej BRSS, që do të akuzonte vendin e tij për konspiracion kundër Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, jugosllavët kanë kryer disa operacione agjenture në Shqipëri dhe Tito i është përgjigjur interesimit të ish-mbretit Zog duke thënë nuk ishte i interesuar të bashkëpunojë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës “për momentin” dhe nëse përmbysja ndodhte, ai dëshironte të shihte në Shqipëri një sistem të ngjashëm me atë të Jugosllavisë. Megjithëse raportimet e ndryshme ndryshojnë mes tyre, duket se jugosllavët po përshkallëzojnë politikën e tyre agresive ndaj Shqipërisë. Në maj 1952 Tito i tha emisarit të mbretit Zog se Jugosllavia nuk e vriste mendjen nëse Shqipëria bëhej republikë apo monarki, për sa kohë ishte miqësore ndaj Jugosllavisë dhe nga Jugosllavia nuk do të lejohej asnjë agresion mbi Shqipërinë prej frikës së një kundërpërgjigjeje të BRSS. Por Tito tregoi për gatishmëri për diskutimin e planeve të përmbysjes së regjimit të Hoxhës, duke programuar bisedime në Turqi mes përfaqësuesve të Zogut e Titos.