BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Po e mori pushtetin Luli, Shqipërinë e mori lumi

Po e mori pushtetin Luli, Shqipërinë e mori lumi

Një miku im biznesmen me bindje të djathta që ka votuar vazhdimisht në zgjedhjet parlamentare Partinë Demokratike, në një bisedë mbi situatën politike që kalon vendi dhe perspektivën që do i çelet nga zgjedhjet e 25 prillit, ishte tepër i deziluzionuar nga udhëheqja e të djathtës me këtë ekip që nuk e ka karrizmën për ta çuar në fitore. Shqiptarët janë përpara dilemës se kush do ta qeverisë vendin pas 25 prillit. Titulli i shkrimit është produkt i mikut tim biznesmen, që më tha se: “Po erdhi Luli në pushtet, Shqipërinë e mori lumi”. Kjo situatë që ka pllakosur vendin më kujton një episod, që ka ndodhur në një fshat në malësinë e Vlorës. Një familje kishte vetëm një djalë, që e quanin Malo, por ai, fatkeqësisht ishte me të meta mendore. Vazhdimisht i kërkonte lekë të atit dhe ai, i ndodhur në pozita të vështira, nuk ia refuzonte dot kërkesën duke ditur gjendjen e tij shëndetësore dhe ia plotësonte dëshirën. Një ditë i thotë se nuk kam lekë të të jap. Djali insistonte duke bërtitur me të madhe se dua lekë. Kur e pa që i ati nuk iu përgjigj kërkesës së tij, hipi në një pemë të lartë që kishin në oborrin e shtëpisë dhe bërtiste me të madhe nga maja e pemës “më jep lekë, më jep lekë”, se do hidhem nga pema. I ati duke e ditur gjendjen e tij mendore pas shumë thirrjesh i tha: “Zbrit nga pema se do të jap lekë, se s’kam çfarë të bëj, se kam vetëm një Malo, se po të kisha dhe një Malo tjetër, dija unë si të veproja”. Kjo filozofi e popullit flet qartë, që Shqipëria mes alternativës së të majtës dhe të djathtës, do zgjedhë të keqen më të vogël, se s’doli një forcë hibride apo një mutacion politik, që t’i ngjalli shpresën për një ndryshim apokaliptik. Tashmë, të dy kampet e mëdhenj të politikës shqiptare dhe satelitët e tyre, i kanë kapur ethet elektorale dhe përpëliten për të hedhur në tregun mediatik resurse të “pazbuluara deri më sot”. Është luajtur me plot sofizma të konsumuara e të dëgjuara në zgjedhjet e kaluara, që si kanë sjellë asnjë dobi apo ndryshim cilësor politikës, se në këto zgjedhje do ketë prurje të reja, me njerëz të shquar nga shoqëria civile, bota akademike, biznesmenë të suksesshëm etj. E djathta duke paraqitur dhe programin e saj me një det premtimesh, që dëgjuesit plot patos thonë: “lum kush të rrojë, që t’i shijojë”. Ajo, po bën një zhurrmnajë erozive që kur ka dalë në horizont dhe në vazhdimësi, për emisarët e së ardhmes që ka zgjedhur për t’i prurë në parlament. Ata, që quhen “emrat e shpresës”, liderët e kthesës, pra “shenjtorët” që po zbresin nga një planet i shenjtë dhe do mëkojnë politikën shqiptare, janë po ata nokër, palokër, e të tjerë mediokër, që po t’i marrish kokërr për kokërr kanë kaluar disa herë në mokërr. Tullumbace e fishekzjarre të tilla publiku shqiptar i ka parë vazhdimisht në fushatat elektorale. Megjithatë loja politike i pranon të gjitha manovrat Shou me divizën: “Kush t’i hajë, ju bëfshin mirë”. Në horizontin e politikës shqiptare para disa ditësh shkreptiu në qiellin elektoral një rrufe nga lidershipi i djathtë dhe lëshoi dritë që “i verboi” të gjithë protagonistët e të majtës. Prezantoi publikisht listën e drejtuesve të fushatës zgjedhore në qarqe, si një risi në politikë, që përfaqësojnë një kapacitet vlerash e dijesh që mbartin një eksperiencë të vyer, që do e derdhin si një “parfum ekstra” mbi programin elektoral. Këtë risi të vonuar po e prezanton edhe e majta.

 Por koha jo e shkurtër postkomuniste, ka treguar se në ashensorin e politikës shqiptare në periudhën 30-vjeçare, kanë hipur e zbritur shumë personazhe me cilësi e vlera të fetishizuara nga lidershipët e partive. Mirëpo një pjesë e njerëzve që u quajtën “emrat e shpresës”, për fat të keq janë provuar në disa qeverisje të së djathtës në institucione qendrore dhe në administratën shtetërore dhe për ironinë e së djathtës, shkëlqimi i tyre është shuar e venitur sa herë që në poste drejtuese janë ngjitur. Ata nuk kanë qenë të zakonshëm, por me poste të larta si ministra, drejtorë drejtorish e deri drejtorë doganash, në pika nevralgjike qeverisëse dhe janë aq të konsumuar, një pjesë dhe të diskretituar, që për çështje etike s’kam për t’i nominuar e lënduar në këtë shkrim. Një prej liderëve që e ka shpallur veten Kryeministër të Shqipërisë, është Luli, biri i partisë, i provuar e i dështuar si Kryetar i Bashkisë Tiranës, si dhe drejtues në dy ministri që ka mbjellë korrupsion dhe zi. Luli sa herë që ka ardhur në pushtet ka premtuar, është zotuar, por asgjë nuk ka realizuar veç ka “lulëzuar” e vegjetuar si mis i kuruar, e me këtë portret askush s’ka për t’i besuar. E djathta ka pasur kapacitete intelektuale që i ka dëbuar dhe ka të tjerë brenda vetes, që i ka harruar. Një intelektual i suksesshëm i provuar në detyra të larta deri Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, është Dr. Bujar Leskaj, që e ka stofin e politikanit të zotë të organizojë e drejtojë në instancat më të larta të shtetit dhe që këtë cilësi po e shpalos dhe si drejtues politik në qarkun e Vlorës. Kryetarët e partive të dy fronteve kryesore të majta e të djathta, e kanë komoditetin që të paraqesin 140 kandidatë për deputetë, që ka aq shumë sa të dalin e të teprojnë për në Parlament, ku disa të flenë, disa të vegjetojnë e të tjerë të diskutojnë. Nuk mjafton të respektohet Kodi i Etikës për të cilin lëshoi mesazhin edhe Ambasadorja e SHBA-së, znj. Juri Kim, që në foltoren e Parlamentit të mos futen persona të inkriminuar, se kjo kategori s’duhet të kenë as statusin e qytetarit, e jo më të parlamentarit, por duhet të bëhet një hop i madh cilësor. Krahasuar me Parlamentin e parë pluralist, ku në përbërje të tij kishte personalitete të shquara të jetës akademike, profesor, shkrimtar, jurist e historian, Parlamenti i sotëm ka ardhur duke u degjeneruar e varfëruar me figura groteske. Në rast se edhe në këtë zgjedhje lista e kandidatëve për deputetë do jetë atribut i kryetarëve të partive, do përsëritet kjo situatë që përjetojmë më këtë Parlament. Për të pasur një Parlament sa më cilësor duhet të bëhen propozimet nga zonat elektorale dhe të marrin miratimin e degëve në rrethe, pastaj të konstituohen në Këshillin e Përgjithshëm Drejtues të Partive. Shqipëria nuk ka nevojë për 140 deputetë, por ky numër u shkon për shtat liderëve të partive për të bërë qokat në kurriz të një populli që e ka pllakosur varfëria. Edhe pse bien kambanat e opinionit shoqëror që numri i deputetëve të zbresë në 100, liderët e partive nuk dëgjojnë nga ai vesh dhe e kanë bërë Parlamentin përshesh.