BREAKING NEWS

Nis operacioni për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga ferri i kampeve të Sirisë, Kryeministri Rama jep njoftimin e rëndësishëm, tregon çfarë pritet në fazën e dytë

Nis operacioni për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga ferri
x

Dossier

Raportet e CIA, ja plani i amerikanëve për të futur në sherr Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, propagandë për lidhje me rusët

Raportet e CIA, ja plani i amerikanëve për të futur në sherr

Shërbimi sekret amerikan ka bërë me qindra lëvizje gjatë regjimit komunist për të rrëzuar nga pushteti Enver Hoxhën. Pas një sërë tentativash të dështuar atë tyre, ata kanë bërë një tjetër lëvizje, duke futur në konflikt Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga CIA, thuhet se më 1953 ata nisën një propagandë duke hedhur ide sikur Mehmet Shehu ishte njeri i rusëve dhe ata e përdorin kundër Enver Hoxhës. Dhe në shumë raste ata ja arritën qëllimit, pasi po sipas dokumenteve, Hoxha dhe Shehu kanë pasur konflikte mes tyre. Në një tjetër dokument jepen detajet e tjera për rrëzimin e regjimit komunist, ku përshkruhet roli që do kishin italianët, grekët dhe jugosllavët. Madje aty tregohet dhe për një konflikt mes tyre sa u takon ndërhyrjeve në Shqipëri.

27 shkurt 1953

Shfrytëzim i mundshëm e propagandës në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri

Vërejmë se pas riorganizimit të kohëve të fundit të qeverisë shqiptare të njoftuar më 23 korrik, pushteti mbetet në duart e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, ku i pari mbetet kryeministër dhe lider i partisë kurse tjetri (edhe pse i liruar nga detyra e Sekretarit të Komitetit Qendror) mban detyrën e ministrit të Brendshëm dhe zëvendëskryeministrit. Nuk kam shumë informacione të besueshme mbi rivalitetin mes Hoxhës e Shehut dhe as mbështetjen apo lidhjet e Shehut me BRSS, por dua t’ju prezantoj trajtimin e mundshëm nga ana propagandistike të zhvillimit të fundit. Mendimi im është se mund të bëjmë propagandë negative apo gjysmë-negative mbi temën se Shehu është një njeri i sovjetikëve dhe prandaj ka pësuar sprapsjen e fundit, por pozita e tij mbetet aq e fortë sa për të mos u shkarkuar nga pushteti, ashtu siç tregon dhe fakti që mbetet në komandë të sigurisë së vendit edhe pse ndoshta në mënyrë të përkohshme. Sipas informacioneve të fundit të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë nga brenda Shqipërisë që deri tani kanë rezultuar të besueshme, duket se do të ketë të tjera lëvizje për të dëmtuar edhe më tej pozitën e Shehut. Nuk është e qartë sesa ka qenë vetë Shehu në dijeni të planit kundër tij, por sipas pozitës së tij besohet se e ka ditur për komplotin, prandaj me shumë gjasa do të jetë duke marrë masa vetëmbrojtjeje. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë përmendur përsëri Shqipërinë dhe sidomos pas paktit greko-turko-jugosllav është kërkuar “veprim”. Zoti Dulles e Jackson diskutuan dhe pranuan se po veprohej aq sa e lejojnë rrethanat dhe gjithsesi hapat e parë të veprimit do të ishin ato diplomatike, për krijimin e atmosferës së duhur.

15 qershor 1953

Përmbledhje e aktiviteteve për Shqipërinë

Kam bashkangjitur më poshtë disa dokumente mbi Shqipërinë, teksa më i rëndësishmi është ai me rekomandimet e zotit Armstrong se SHBA diplomatikisht është në favor të një Shqipërie të lirë e të pavarur, me një qeveri të zgjedhur nga populli i saj dhe ku asnjë nga fqinjët të mos ketë pretendime territoriale. Ju mbani mend se më 15 prill 1953 në një memorandum nga Departamenti i Shtetit shprehej në favor të rekomandimeve, kurse më 22 maj zoti Horsey u përgjigj se nuk ishte koha e duhur për propozimet dhe se çështja duhet të ngrihej përsëri në korrik. Logjika e tij ishte se veprimi duhet të shtyhej deri në përfundim të zgjedhjeve në Itali, ose deri në lindjen e rrethanave natyrale për prononcimin e Shteteve të Bashkuara apo Italisë për Shqipërinë. Ai tha se një veprim i tillë duhet të priste deri në bashkimin e Italisë me gjendjen aktuale të mirëkuptimit mes Greqisë, Turqisë e Jugosllavisë. Nuk desha që ta nxis më tej këtë çështje atëherë, por tani zgjedhjet italiane kanë mbaruar prandaj mund të rihapim problemin me zotin Horsey, të paktën në mënyrë informale. Unë besoj se agjenti ... ekzagjeron pozicionin e grekëve dhe mendoj se jugosllavët edhe pse natyrisht të shqetësuar për pretendimet italiane, nuk mërziten shumë për aktivitetet tona atje. Jam i sigurt se për shembull, jugosllavët janë të vetëdijshëm se Greqia dhe jo Italia, është baza e operacioneve tona në Shqipëri. Gjithashtu mendoj se konferenca jonë e fundit në Beograd ka lehtësuar dyshimet e jugosllavëve për qëllimet tona. Çështja kryesore mbetet nëse aktivitetet tona në Shqipëri ia vlejnë koston e efektit të mundshëm negativ në marrëdhëniet italo-jugosllave dhe pas llogaritjeve disa vjeçare përgjigja ka rezultuar pozitive. Zoti Wisner u interesuar më shumë për deklaratën se “parashutistët tanë kanë humbur rrugën dhe janë lëshuar mbi kufirin jugosllav të Maqedonisë”. Me sa di unë në asnjë rast nuk ka patur incidente të tilla, përveç një ose dy rasteve kur agjentët kanë arritur në Jugosllavi si refugjatë, prandaj ai mund të jetë i keqinformuar si në rastin e lajmeve për përdorimin e fushave ajrore italiane.

Letër e datës 1 qershor 1953

... Mund të shtoj se ambasadori francez në Beograd më tha se ishte përshtypja e tij se Tito ishte disi i zhgënjyer nga vizita në Londër, jo prej pritjes së tij atje, por pesë e kishin bërë të priste më shumë garanci britanike ma sa u dhanë. Sipas Titos, ky ndryshim kishte ardhur prej sjelljes më të afrueshme të Bashkimit Sovjetik drejt Perëndimit, prandaj arriti në përfundimin se Perëndimi nuk ia kishte shumë nevojën Jugosllavisë nëse arrinte vetë një marrëveshje me sovjetikët. Unë vetë nuk pashë shenja sikleti në bisedën me të, por mendoj se mendësia jonë drejt regjimeve të ardhshme në Shqipëri dhe vende të tjera satelite është diçka që duhet të parashtrohet në politikat tona dhe në direktivat e luftës psikologjike. Shpresoj që nëse lëshoni një deklaratë të përbashkët në konferencën e Bermudës, ajo të përmbajë deklaratën e thjeshtë se vendet e skllavëruara satelite sovjetike të mund të zgjedhin vetë formën e qeverisjes. Do ta përshkruaja këtë si liri dhe nacionalizëm dhe jo një program çlirimi, pasi kjo në Europën Lindore do të thotë luftë.

Shqipëria

Problemi shqiptar ende nuk ka hyrë në fuqi, por ai tashmë po ngjyron politikat e marrëdhënieve mes Italisë, Greqisë e Jugosllavisë dhe është gjithashtu një faktor në sjelljen e Jugosllavisë në çështjen e Triestes. I njohim të gjithë elementët e problemit të Triestes dhe pas zgjedhjeve italiane do të gjendet dhe kompromisi, nëse ushtrohet presion i mjaftueshëm në të njëjtën kohë mbi dy vendet, Italinë dhe Jugosllavinë. Kurse qëllimet e këtyre tre vendeve në lidhje me Shqipërinë nuk janë të qarta, pasi secila dyshon te të tjerat. Edhe objektivat e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri nuk janë të qarta dhe disa veprime kanë ngritur dyshime se ne jemi përkushtuar për programe që nuk pranohen as nga Athina e as nga Beogradi. Jugosllavia ka një popullatë të gjerë shqiptare dhe sponsorizon komitetin revolucionar Lidhja Shqiptare e Prizrenit në rajonin e Kosovës. Greqia ka pretendime territoriale për Epirin e Veriut edhe pse qeveria e Pagogos ka deklaruar qëllimet e saj nuk do të tentohen kurrë me anë të forcës.

Konfliktet mes fqinjëve

Përpara luftës Italia fashiste e aneksoi Shqipërinë ndërsa sot elementë nacionalistë italianë po ringrejnë pretendimet e vjetra për Fiume, Zara e Dalmatia dhe ka zëra edhe brenda qeverisë së Gasperit për rimarrje të influencës italiane në zonat e Lindjes së Afërt. Vizita e de Gasperit në Athinë për të ndaluar paktin e mbrojtjes mes Greqisë, Turqisë e Jugosllavisë nuk u pëlqye as nga Athina e as nga Beogradi, ashtu si dhe vizita e ministrit italian Paçardi në Egjipt. Në këto rrethana, fakti se disa aktivitete amerikane të Shqipërisë nisin nga Italia, po shihet me dyshim nga Greqia e Jugosllavia për arsye të aspiratave të mundshme të Italisë. Përdorimi i fushave ajrore italiane për lëshimet e propagandës dhe operacionet e inteligjencës po sjellim shqetësim kryesisht në Jugosllavi sepse ato janë propagandë krejtësisht anti-komuniste. Gjithashtu ka ndodhur që parashutistët tanë kanë humbur rrugën duke dalë në Maqedoninë jugosllave.

Por operacionet tona në Shqipëri nuk janë aq të rëndësishme sa të justifikojnë një përkeqësim të marrëdhënieve të Greqisë dhe Jugosllavisë me Italinë, apo dhe me vetë SHBA.

Rreziku i luftës

Sa për çështjen e regjimit të ardhshëm në Shqipëri, përmbysja e regjimit aktual të kontrolluar nga Moska, është gjithë kohën në mendjen e Titos. Nëse kjo qeveri do të ishte në fuqi gjatë nisjes së një lufte, Greqia dhe Jugosllavia do ta sulmonin menjëherë. Ato me shumë gjasa do të kishin sukses, por mes “çlirimtarëve” do të lindnin më shumë konflikteve nga sa ishte arritur me ndërmjetësimin e Aleatëve. Operacioni tre-palësh i mbrojtjes që u ndërmjetësua nga SHBA kërkon që planifikimet për këtë pikë të shtyhen. Por problemi mund të mos presë nëse ndodh një luftë e përgjithshme. Pushteti i Hoxhës mund të përmbyset nga brenda, me ose pa ndihmën nga jashtë. Komiteti i Prizrenit, i sponsorizuar nga Jugosllavia është i orientuar drejt një qeverie “nacionaliste komuniste” në Shqipëri. Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë që mbështetet nga SHBA, përfshin dhe mbështetës të ish-mbretit Zog, prandaj ka mundësi të qarta konfliktesh brenda fraksioneve shqiptare që mund të sjellin rezerva mes Jugosllavisë e SHBA dhe ndoshta edhe ndryshim të pozitës jugosllave për Triesten.

Lëvizjet e SHBA

Në këtë situatë Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë dy gjëra: Të kërkojnë largimin e dyshimeve jugosllave dhe greke për influencën e Italisë në Adriatik dhe tjetra, të kënaqin qeverinë jugosllave duke mos vendosur paraprakisht regjimin që do të vendoset në Shqipëri, duke ia lënë këtë zgjedhjeve të popullit shqiptar. Ne duhet të përkushtojmë të gjitha palët për një zgjedhje të lirë të qeverisjes pasardhëse. Sugjerohet që qeveria jonë të diskutojë me Romën mbi pretendimet italiane në Shqipëri. Përgjigja e qeverisë së De Gasterit do të jetë me siguri “jo”, çka më tej mund të publikohet duke i dhënë njëfarë garancie amerikane. Qeveria jugosllave ka thënë se do të respektojë pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë, ashtu si dhe Greqia që nuk do të përdorë forcën në lidhje me Shqipërinë, fakte këto që do të përsëriten në deklaratën e qeverisë sonë për Shqipërinë.

E ardhmja e vendeve satelite sovjetike

Për marshallin Tito, testi më i rëndësishëm i sinqeritetit sovjetik në çdo lëvizje miqësore drejt Perëndimit do të jetë mendësia sovjetike ndaj shteteve të pushtuara prej tyre. Sipas tij, objektivi i strategjisë sovjetike do të jetë izolimi i Jugosllavisë, me shpresën për ta sjellë përsëri mes vendeve të bllokut komunist. Ai mendon se asnjë marrëdhënie nuk mund të vendoset mes Jugosllavisë dhe BRSS për sa kohë ata shfrytëzojnë vendet satelite, teksa largimi nga ky dominim ishte dhe arsyeja e prishjes së Jugosllavisë me bllokun komunist. Ai nuk do të rrezikojë të bjerë përsëri në një influencë të tillë dhe kjo do të ishte e pashmangshme pasi sovjetikët i konsiderojnë të gjitha vendet komuniste si satelitët e tyre. Kur ky presion mbi Jugosllavinë të dështojë (siç beson Tito) sovjetikët do të tentojnë ta bëjnë Jugosllavinë të paguajë një pjesë të marrëveshjes së afrimit mes sovjetikëve dhe Perëndimit.