Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raporti i CIA, ja si Shqipëria ngeli e vetme pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën e BRSS, Hoxha nisi spastrimet kulturore për të ndalur influencën perëndimore

Postuar: 13/07/2018 - 07:17

Amerikanët kanë nxjerrë në ditë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste. Në një raport kushtuar vitit 1975, CIA tregon situatën në vendin tonë, pasi Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Kinën dhe me Bashkimin Sovjetik. Po ashtu tregohet se ai filloi spastrimet kulturore për të ndalur influencën perëndimore.

Raport 1975

Që prej njohjes publike të mbylljes së ndihmës kineze në korrik, Shqipëria i është kthyer politikës së saj të vetëmjaftueshmërisë stoike, duke iu shmangur ideologjisë së armiqve të saj kryesorë Kina dhe Bashkimi Sovjetik. Por gjithsesi, asnjë prej vendeve nuk ka treguar shenja moderimi të armiqësisë ndaj SHBA. Shqipëria ndërkohë ka vazhduar përpjekjet për zgjerimin e lidhjeve me disa vende lindore dhe perëndimore siç ka bërë dhe vitin e kaluar. Deri tani Shqipëria nuk ka pasur sukses në gjetjen e një sponsori të ri ekonomik apo ushtarak që mund të japë avantazhet e dhëna më parë nga Kina. Si një vend i vogël dhe me pak burime SHqipëria është varur gjithmonë në ndihmën e huaj për zhvillimin e saj, ashtu siç ka bërë për më shumë se 15 vjet së fundmi me Kinën. Kreu i shtetit Enver Hoxha duket se nuk po përpiqet të hartojë një strategji të re asistence madhore, por duket se kërkon të vazhdojë, të paktën në terma afatshkurtër, me shtimin gradual të lidhjeve me botën e jashtme, pa Kinën. Kjo qasje padyshim që nuk mund të bëjë të mundur ardhjen e materialeve dhe pajisjeve të nevojshme industriale, që pritet të dëmtojnë prodhimin dhe të ngadalësojnë edhe më shumë ekonominë.

Por vështirësitë ekonomike nuk pritet të shkaktojnë trazira të brendshme pasi Hoxha ka një nga regjimet policore më shtypëse në botë. Megjithë dyshimet e shqiptarëve për politikën e vetmisë dhe izolimit, nuk ka pasur sfida serioze ndaj autoritetetit të liderit komunist. Hoxha ka justifikuar politikat e tij aktuale në një fjalim të fundit ku bëri diferencat mes atyre shteteve me “regjime shoqërore të ndryshme” që janë progresive dhe me dispozitë ndaj Shqipërisë, si dhe për ato që nuk përmbushin kriteret. Ai shprehu vullnetin e Shqipërisë për të ruajtur marrëdhënie miqësore me të parat, por tha se nuk do të mbyllte sytë ndaj diferencave politike dhe ideologjike me regjimet e tjera. Me gjithë refuzimin e Tiranës për të rivendosur lidhjet me BRSS, Moska dhe aleatët e saj të Evropës Lindore kanë vazhduar përpjekje të nivelit të ulët për joshjen e Shqipërisë. Në krye të kësaj iniciative është Bullgaria, e cila kohët e fundit ka publikuar disa artikuj me dritë pozitive ndaj Shqipërisë, dhe gjithashtu ka raportime se Bullgaria, Çekosllovakia dhe Polonia kanë ofruar të përfundojnë projekte të pambaruara nga kinezët, apo dhënien e kredive për projekte të reja. Sipas disa burimeve diplomatike, edhe Bukureshti ka bërë avancime për zgjerimin e lidhjeve ekonomike. Shqipëria në përgjithësi ka qenë indiferente ndaj këtyre hapjeve. Gjithsesi një zyrtar shqiptar ka spekuluar se Tirana mund të zgjerojë marrëdhëniet me Bullgarinë, nëse lind nevoja. Ndërsa sa i përket BRSS, i cili është përgjegjës për të gjitha tentativat e Paktit të Varshavës për joshjen e Shqipërisë, nuk ka iluzione për përmirësim të konsiderueshëm të marrëdhënieve sa kohë që Hoxha është në fuqi. Lideri shqiptar nuk ka dhënë sinjale për modelimin e qëndrimit me sovjetikët, por Moska mund të besojë se avancimet e saj të vogla mund të jenë baza e rikthimit të Shqipërisë në tufën e saj, ndoshta pas pushtetit të Hoxhës.

Shqipëria është përpjekur gjithashtu për zgjerimin e lidhjeve me Algjerinë, teksa dy venet kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje tregtare dy-vjeçare në prill. Shqipëria ngriti temën e shtimit të mëtejshëm të lidhjeve gjatë vizitës së një delegacioni tregtar në Algjer në shtator.

Megjithëse informacionet tona janë të fragmentuara, duket se janë edhe disa vende të Evropës perëndimore të gatshme për lidhje tregtare me Shqipërinë. Një delegacion i ministrisë shqiptare të tregtisë shkoi në Sokholm pas vizitës në Helsinki në fillim të nëntorit, ku raportohet se ka nënshkruar një marrëveshje tregtare pesë vjeçare me Suedinë. Gjithsesi asnjë nga akordet e sipërpërmendura nuk ka fuqinë për të stimuluar nivelet aktuale të zhvillimit industrial në vend. Burime japoneze kanë raportuar se zyrtarët shqiptarë janë interesuar për hapat dhe procedurat që duhet të merren në përfitimin e kredive nga jashtë. Kjo mund të sugjerojë se Tirana zyrtare, ose të paktën disa nga zyrtarët, mund të mendojnë për heqjen e barrierave kushtetuese të kreditimit nga jashtë. Por edhe sikur ata të merrni këtë hap, nuk do të arrinin të merrnin kreditin e nevojshëm në kohë për të parandaluar trazirat në programin e industrializimit.

Mars 1975

Editoriali shqiptar dënon ushtrinë sovjetike

Fushata shqiptare anti-sovjetike duhet se ka arritur lartësi të reja, teksa Tirana po akuzon Moskën se po transformon ushtrinë sovjetike në një forcë “agresive, puçiste, fashiste”. Editoriali u botua në të përditshmen e partisë dhe titullohej “Ushtria sovjetike, ushtri e pushtimit dhe shtypjes së popujve”. Citimet e mëposhtme janë toni tipik i artikullit: “Ushtria sovjetike është tashmë në duart e borgjezisë dhe i shërben konsolidimit dhe dominimit të qëllimeve imperialiste. Revizionistët e kanë transformuar atë nga ushtri revolucionare siç u krijua nga Lenin e Stalini 57 vjet më parë, në një ushtri të kundër-revolucionit dhe të diktaturës së borgjezisë ... ajo është bërë tashmë një ushtri agresive e pushtimit dhe e shtypjes së popujve”. Ky agresion barbar i ushtrisë sovjetike ndaj popullit çekosllovak, është demonstrimi i parë i politikës agresive, shoviniste dhe fashiste, si dhe një sinjal i nisjes së ofensivës kundër lirisë dhe pavarësisë së popujve. “Me qëllim skllavërimin e plotë të vendeve revizioniste të Evropës lindore si politikisht dhe ushtarakisht, udhëheqësit neo-caristë të Kremlinit dhe gjeneralët e tyre kanë kërkuar rritjen e manovrave ushtarake”, thuhej aty. Më tej deklarohej: “Ushtria sovjetike në heshtje po përforcon pushtimin ushtarak të Polonisë, Hungarisë, Gjermanisë Lindore, Bullgarisë dhe Mongolisë, ku ajo zotëron status të veçantë, të cilin mund të ketë vetëm një ushtri agresive pushtuese”. Tirana nuk ka nevojë për provokime të veçanta për shpërthime si këto, pasi për regjimin e Hoxhës këto gjëra lindin natyrshëm. Por shqiptarët sigurisht reagojnë ndaj çdo sinjali të rritjes së interesit sovjetik në Ballkan, veçanërisht në Jugosllavi, së cilës Hoxha kohët e fundit i ka premtuar ndihmë në sprapsjen e çdo sulmi të mundshëm sovjetik. Tani që Jugosllavia ka ngritur çështjen e dytë në gjashtë muaj ndaj vendeve satelite, Tirana mund të bëjë akuza edhe më të mprehta ndaj Kremlinit. Ndërkohë mes Beogradit e Tiranës po vazhdojnë diskutimet për ndërtimin e linjës hekurudhore, e cila do të ishte lidhja e parë e Shqipërisë me Evropën. Linja Beograd-Bari përfaqëson një ëndërr të vjetër të serbëve e malazezëve dhe po ndërtohet prej një dekade. Ajo pritet të përfundojë në 1976 por ka hasur vështirësi prej terrenit të vështirë. Zgjerimi i saj edhe kufirin shqiptar është relativisht i thjeshtë dhe shumica e problemeve janë vetëm politike, siç mund të jetë bindja e shqiptarëve ksenofobë për avantazhet ekonomike të lidhjes me botën e jashtme. Qeveria beson se kjo hapje mund ta ekspozojë vendin ndaj “influencave korruptuese” të botës së huaj. Kina, e cila kërkon të reduktojë influencën sovjetike në rajon, është e gatshme të financojë projektin, jo vetëm me ndërtimin e pjesës shqiptare të hekurudhës, por raportohet se ka ofruar një kredi 75 milionë dollarë Beogradit për të financuar dhe pjesën e tij. Kinezët mesa duket besojnë se kjo do të rrisë influencën e tyre në zonën e Adriatikut, ku ata mendojnë se sovjetikët kërkojnë vendosjen e bazave detare. Kina mund ta konsiderojë hapin si një mundësi të përmirësimit të transportit ushtarak jugosllav në zonë.

1972

Mineralet

Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të metaleve por është prodhuese e rëndësishme e mineralit të kromit dhe prej vitit 1959 prodhon hekur-nikel në masë relativisht të madhe. Eksportet e kromit përbënin një të gjashtën e eksporteve totale të vendit në 1967. Shqipëria është një nga gjashtë prodhueset më të mëdha të mineralit të kromit në botë dhe llogaritet të ketë rezerva prej 4 milionë deri në 6 milionë ton. Prodhimi është zhvilluar shumë me ndihmën financiare dhe teknike çekosllovake, duke arritur në 420 000 ton në 1969. Kromi eksportohet kryesisht në vendet komuniste, prej koncentratit të ulët të mineralit. Me ndihmën kineze po ndërtohet në Bulqizë një fabrikë për pasurimin e kromit shqiptar nga 45 % në 50 %. Shfrytëzimi i burimeve shqiptare të hekur-nikelit nisi në 1958 me ndihmën e Çekosllovakisë. Thuajse i gjithë prodhimi shqiptar i nikelit eksportohet te uzina çekosllovake e nikelit Sered, e hapur së fundmi, madje dhe para hapjes së saj materialet depozitoheshin aty. E vetmja uzinë e përpunimit të çelikut u ndërtua në Elbasan me ndihmën e Kinës. Një uzinë me e vogël çeliku është ajo Enver Hoxha në Tiranë që prodhon rreth 5000 ton produkte të vogla çeliku në vit. Planet e qeverisë shqiptare për industrinë e çelikut janë ambicioze madje qesharake. Me ndihmën kineze vendi kërkon të zgjerojë uzinë e Elbasanit për përpunimin e hekurit dhe nikelit, dhe gjithashtu të zgjerojë kapacitetet nxjerrëse të minierave. Industria e bakrit është rritur disa herë nga viti 1960 deri në 1968 me ndihmën kineze, dhe disa fabrika përpunimi janë ndërtuar në Kukës, Rubik dhe Reç, dhe fabrika e telave në Shkodër. Me hapjen e fabrikave të përpunimit të bakrit, eksporti i mineraleve ka rënë ndjeshëm, nga 3700 ton në 1965, në 1900 ton në 1967. Planet pesë-vjeçare ekonomike të qeverisë shqiptare kanë pasur objektiva të ekzagjeruar dhe janë realizuar vetëm pjesërisht. Ndërsa plani pesë-vjeçar 1961-1965 la në pritje shumicën e projekteve prej anulimit të ndihmës sovjetike dhe të vendeve komuniste. Por me ardhjen relativisht të shpejtë të ndihmës kineze Shqipëria arriti një rritje prej 6.5 për qind të GDP-së. Ndërsa mbi planin e pestë pesë-vjeçar (1971-1975) Mehmet Shehu ka thënë në 1970: “Ndërtimi i socializmit me forcat tona nuk do të thotë se duhet të refuzojmë ndihmën e jashtme nga miq të vërtetë. Republika Popullore e Kinës, miku dhe aleati ynë i madh, e drejtuar nga shoku Mao Ce Dun kanë ndihmuar dhe do të vazhdojnë të na ndihmojnë me dashamirësi dhe frymë të madhe bashkëpunimi”. Pas një zhvillimi të industrive të lehta të ushqimit dhe cigareve, eksportet e kësaj kategorie arritën në 25 për qind të totalit në 1968. Shqipëria eksporton gjithashtu verë, pije e likerna, perime, reçelë dhe bërthama. Eksportet e cigareve përbëjnë rreth 80 për qind të kësaj kategorie. Kina është tregu i mallrave shqiptare të eksportit që më parë shkonin në BRSS. Ajo eksporton nga Shqipëria naftë bruto, asfalt, krom, duhan e cigare. Disa vende komuniste evropiano-lindore vazhdojnë të marrin importe shqiptare, siç janë mineralet drejt Çekosllovakisë. Shqipëria ka pasur deficit të madh tregtar prej shumë vjetësh. Nga viti 1948 deri në 1960 deficitet u financuan nga BRSS, dhe më vonë nga Kina. Industria e turizmit është e vdekur në Shqipëri prej politikave izolacioniste të qeverisë. Në prill 1957 BRSS anuloi të gjitha borxhet tregtare të Shqipërisë, ndërsa në periudhën e ndarjes në 1961 borxhi tregtar i Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik ishte 65 milionë dollarë. Përveç kësaj, n fund të vitit 1961 Shqipëria i detyrohej gjithashtu 40 milionë dollarë Çekosllovakisë, 24 milionë Polonisë, 22 milionë Rumanisë, 19 milionë Hungarisë, 14 milionë Bullgarisë dhe 12 milionë dollarë Gjermanisë Lindore. Pas ndërprerjes së lidhjeve me vendet komuniste në vitet 1962-69 Shqipëria pësoi teprica eksportesh prej rreth 20 milionë dollarë, me të cilat reduktoi masën e borxhit total.

Nisja e spastrimeve

Por me gjithë spastrimet e vazhdueshme udhëheqja shqiptare nuk ka arritur të ndalojë tërësisht influencat perëndimore. Në disa raste të zbutjes së barrierave ndaj lidhjeve me jashtë vendi është përfshirë nga një valë tendencash liberale që ka detyruar tërheqjen përsëri në guaskë të regjimit. Kështu për shembull ndodhi në fillim të viteve 1970 kur një fushatë e qeverisë kundër zakoneve shoqërore të prapambetura solli klimën e ndryshimit dhe liberalizimit. Gjithashtu zbutja e armiqësisë së Kinës me Perëndimin dhe SHBA në vitin 1972 ndikoi në këtë. Ndërsa ardhja e televizionit në Shqipëri bëri që disa shqiptarë të evitonin censurën duke lidhur aparatet e tyre me rrjetet e vendeve fqinje si Greqia e Jugosllavia, që solli hapje ndaj kulturave të huaja. Por partia e ruajti kapjen e saj ndaj pushtetit dhe provoi se nuk ishte dobësuar nga pasojat e përkohshme të influencave të huaja. Faza e parë e spastrimeve në 1973 goditi përgjegjësit për politikat “e gabuara” kulturore, me largimet në radion e televizionin shtetëror, si dhe të stafit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Prej atëherë u ruajtën standarde të ashpra ideologjike kulturore.

Spastrimet ushtarake

Në vitin 1974 regjimi bëri spastrimin e stabilimentit ushtarak. Që prej prishjes me Bashkimin Sovjetik, kapacitet mbrojtëse ishin të varura nga furnizimet me pajisje nga Kina. Por rënia e masës së furnizimeve duket se shkaktoi pasiguri në stabilimentin ushtarak për aftësitë e tyre në përballimin e agresioneve të mundshme. BRSS kishte arritur të siguronte në 1974 ambiente të riparimit të anijeve në Jugosllavi, në zonën e Tivarit, rreth 80 km larg kufirit verior të Shqipërisë dhe kjo mund të ketë ngritur dyshime mbi kapacitet e strukturës së mbrojtjes së Shqipërisë. Arsyeja e vërtetë e spastrimit të ministrit t mbrojtjes Beqir Balluku dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt në 1974 është e paqartë. Akuzat ndaj tyre për tradhti e bashkëpunim me Moskën nuk ishin bindëse. Gjithashtu lidhjet e ngushta të Ballukut me zyrtarët kinezë të mbrojtjes e bënin më absurde akuzën, por ai dhe liderë të tjerë mund të ketë sugjeruar zgjerim të lidhjeve politike e ekonomike me Perëndimin, sipas linjës që asokohe po ndiqte dhe Pekini. Një propozim i tillë që vinte nga ushtria mund të jetë interpretuar nga kreu i partisë Hoxha, si një tentativë për të minuar kontrollin e partisë mbi ushtrinë.

Spastrimet ekonomike

Faza e tretë dhe më e gjerë e spastrimeve goditi stabilimentin ekonomik dhe duket se ka lidhje direkte me vështirësitë ekonomike që vendi po haste gjatë planit të pestë pesë vjeçar 1971-1975. Me gjithë kontributet kineze në fabrika dhe pajisje vendi nuk po shihte rritje ekonomike. Ne nuk njohim masën e saktë të rënies së ekonomisë, por ajo po shkaktohej nga një rritje e vonesave të dërgesave kineze. Mes projekteve më të mëdha kineze në vend ishin kombinati metalurgjik i Elbasanit, dy rafineri nafte, uzina e fertilizuesve të azotit në Fier, ajo e superfosfatit në Laç dhe një numër hidrocentralesh. Një vit më parë Shqipëria fajësoi publikisht vonesat e dërgesave të materialeve nga “burimet e jashtme” për punën e ndërtimit të kompleksit të Elbasanit dhe të rafinerisë në Ballsh. Impakti i plotë i reduktimit të asistencës së huaj ndoshta u bë i qartë për planifikuesit në Tiranë në fund të planit pesë-vjeçar dhe duket se nxiti marrjen e kundërmasave, siç ishte zbutja e izolimit ekonomik nga pjesa tjetër e Evropës. Të alarmuar nga pasojat politike të iniciativave udhëheqja e Hoxhës duket se nisi dhe spastrimet në ekonomi në 1975.

Hoxha dhe lideshipi i partisë

Spastrimet nisën fillimisht të forcojnë dorën e “gardës së vjetër” të lidhur ngushtë me liderin Hoxha. Tashmë 70 vjeçar, lideri Hoxha njihet si kreu i partisë që prej formimit të saj në 1941. 12 anëtarët e byrosë politike janë aleatë radikalë të tij. Por gjithsesi ka sinjalizime se ai ka hasur kundërshtime brenda udhëheqjes dhe se pozita e tij mund të jetë dobësuar. Debatet brenda partisë për politikat ekonomike dhe kurset alternative duket se vazhdojnë. Kushtetuta e re shqiptare e publikuar në shtator 1976, zbuloi diferenca mbi vlerën relative të asistencës kineze dhe vetë-mjaftueshmërisë së vendit. Një fraksion duket se ka përfshirë pikëpamjet e tij në kuadrin e fetë-mjaftueshmërisë, si forca kryesore e ndërtimit të socializmit, pa ndihmën e Kinës. Por Hoxha ka peshuar në mbrojtje të “ndihmës vetëmohuese të Kinës”, duke sinjalizuar mosmarrëveshje me ata që mbrojnë politikat e mjaftueshmërisë vetëm me burimet e varfra të vendit. Pikëpamjet ekonomike të Hoxhës, të cilat e tregojnë më shumë realist se kolegët e tij, vijnë në kontradiktë me imazhin e tij si sfidues i kinezëve për arsye ideologjike. Por gjithsesi debatet ngrenë pyetjen nëse lideri i plakur është ende në kontroll të plotë të regjimit. Garda e vjetër, megjithëse ende aktive, tashmë është thjesht e plakur. Megjithë ardhjen e njerëzve të rinj në nivelet e larta të partisë nuk ka ende progres të dukshëm në zgjidhjen e problemeve ekonomike të vendit. Përshkallëzimi i ndryshimeve me Kinën mund të ketë të tjera efekte në hierarkinë politike pasi ata që kanë nisur karrierat e tyre gjatë kohës së mbështetjes së plotë te Kina ata nuk dëshirojnë provokimet ndaj kinezëve. Ndryshe nga garda e vjetër ata nuk dëshirojnë të bëjnë sakrifica ekonomike për hir të ruajtjes së ideologjisë. Për sa kohë që Hoxha drejton zyrtarisht partinë, kursi politik i Shqipërisë ka gjasa të vazhdojë radikalizmin që e ka karakterizuar prej dy dekadash. Por nuk mund të përjashtojmë mundësinë që pas largimit të tij politikat të bëhen më pragmatiste.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 13

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe hapjes së kooperativave. Dihet që Hoxha pasi mori pushtetin nisi shtetëzimin e tokës dhe CIA ka treguar detaje nga problemet e pra që u hapën.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.

Postuar: 11/09/2018 - 06:59

Amerikanët pretendojnë se në krye të shtetit shqiptar pas viteve 1960 ishin servilët e diktatorit