Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportimet e amerikanëve, ja çfarë deklaronte Nexhmije Hoxha pas rrëzimit të regjimit komunist, në sulm ndaj Ramiz Alisë dhe asnjë pendesë për internimet

Postuar: 09/07/2019 - 07:14

Zbardhen deklarata e Nexhmije Hoxhës, pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Gazeta amerikane “The New York Times” ka zhvilluar një bisedë me të, e cila është siguruar nga ne. Në atë bisedë gruaja e ish-diktatorit tregon qëndrimet e saj pasi kreu dhe burg. Hoxha nuk tregon pendesë për burgosjet e internimet, ndërsa shprehet se mund të kishte qenë më e kujdesshme. Sipas gazetës, ajo është gruaja e cila ka çuar drejt pushkatimit shumë zyrtarë

Vejusha staliniste në bunkerin e saj

Prej më shumë se 40 vjetësh, vendi më i vogël, më i varfër e më i izoluar i Evropës lindore ruante të pacenuar pushtetin e diktatorëve të tij. Ashtu si bashkëshortet e Maos apo Nicolae Ceausescu të Rumanisë, Nexhmije Hoxha ishte gruaja dhe bashkëpunëtorja e një lideri stalinist.

Ajo nuk njihet shumë jashtë pasi vjen nga Shqipëria e vogël, por tani i kalon ditët po aq e izoluar sa ç’ishte më parë vendi i saj. E strukur në disa dhomë në një ndërtesë të vjetër, e rrethuar nga pak zotërime të saj, kryesisht volume të ideologjisë komuniste dhe një statujë e Enver Hoxhë. Banesa e saj është ndoshta kulla e vetme komuniste e mbetur në vend. 77-vjeçarja Nexhmije Hoxha është tashmë me flokë të bardha dhe veshje të thjeshta shtëpiake, si ato që shumë njerëz mbanin në kampet e përqendrimit, në internimin e brendshëm, apo gjatë persekutimeve e ekzekutimeve. Për kushtet e tmerrshme ku jetuan tre milionë njerëzit e saj, zonja Hoxha nuk shpreh shumë pendesë. ''Ishte një shtet komunist – për të ruajtur respektin duheshin ruajtur standardet'', thotë ajo me zërin e hollë, duke u konsultuar herë pas here me përkthyesin, për t’u siguruar që ka përçuar korrektësisht fjalët e saj. Kur u pyet për një njeri që kishte kryer 17 vjet punë të rëndë, shpeshherë në izolim, ajo e përshkruajti atë si “mburravec.'' “Katër mijë në 50 vjet nuk janë shumë'' thotë ajo për të burgosurit politikë gjatë regjimit komunist. Ata që vuajtën në dorën e regjimit të Hoxhës thonë se numri është shumë më i lartë. Kreu i Shoqatës së të burgosurve politikë Kurt Kola, thotë se dokumentet flasin për 5,000 të burgosur politikë të ekzekutuar dhe më shumë se 25,000 të burgosur për periudha të gjata në 40-vitet e regjimit të Hoxhës. Një tjetër 70,000 janë dërguar në ekzil të brendshëm në zona të thella malore, thotë shoqata e të persekutuarve. Kur regjimi i fundit komunist në Evropë më në fund u shemb në 1991, zonja Hoxha nxitoi të burgoste veten, duke u dënuar me 11 vjet për përvetësim fondesh publike. ''Për 50 vjet isha ajo që isha. Nuk më kishte shkuar mendja se do të bëja 5 vjet burg”, thotë zonja Hoxha. Ajo përfitoi nga një amnisti në dhjetor dhe vitet e vështira të burgut duket se kanë lënë shenjën e tyre. Në një shënim të rrallë pendese për ato që kanë ndodhur gjatë komunizmit, ajo tha: ''Ndoshta e kam ekzagjeruar në disa nga fjalitë. Tani që kam bërë vetë burg e kuptoj më mirë”.

Pasojat e regjimit

Pasojat e regjimit të papërkulur komunist të Shqipërisë janë shumë të dukshme. Gjatë muajve të fundit vendi ka hasur në dhunë të rëndë dhe kaos politik. Sjellja ekstreme, mungesa e besimit mes njerëzve, mungesa e ushqimit prej dekadash dhe racionimit brutale, e kanë origjinën në frikën dhe paranojën e epokës së Hoxhës. Zonja Hoxha, bijë e një familjeje veriore fshatare muslimane, u njoh me të shoqin kur ai drejtonte një grup partizan që luftonte kundër italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një fotografi e martesës së saj në 1945 e tregon bashkë me të shoqin me uniformë, i cili sapo kishte triumfuar si udhëheqësi i Shqipërisë. Që prej viteve 1970 ajo ka qenë drejtuese e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë dhe ka ushqyer karrierën politike të dhjetra anëtarëve të partisë. Një nga nxënësit e preferuar të saj, Fatos Nano, është tani kryetar i Partisë Socialiste, e cila sapo fitoi zgjedhjet parlamentare. Por ka qenë më shumë pozita e saj prapa skene me diktatorin Hoxha kur dhe ajo ka qenë më e fuqishme, thonë ish-kolegët e saj. Ajo ishte banorja e dytë më prestigjioze e zonës ku jetonin udhëheqësit komunistë, në një stil krejt tjetër nga ai i popullit të zakonshëm, vendi i njohur si Blloku.

Ajo ka pasur dorë në burgosjen e anëtarëve më të lartë të partisë.Një prej tyre, Fadil Pacrami, i shkruante asaj se përse ishte bërë nga mik në armik i partisë. Zonja Hoxha i përgjigjej: ''Mbylle gojën dhe ha atë copë bukë që po të japim',' kujton Elsa Ballauri, tashmë drejtore e grupit shqiptar për të drejtat e njeriut, e cila ka njohuri për ato që ndodhnin në Bllok.

Rrëzimi

Momenti i realitetit për zonjën Hoxha erdhi në fund të vitit 1989, kur blloku komunist i Evropës Lindore u shemb. ''Ne në fakt menduam se këtu kjo nuk do të ndodhte kurrë, por pasi pamë atë që ndodhi në Rumani besuam se është e mundur”, thotë vejusha duke shtuar se ishte tmerruar kur kishte parë në televizion ekzekutimin e udhëheqësit rumun Ceausescu dhe gruas së tij. Diktatori vdiq në 1985 dhe me mbështetjen e saj, i brendshmi i partisë Ramiz Alia, pasoi Enverin duke u bërë President. Tani ajo duket se është penduar për mbështetjen e dhënë ndaj tij. ''Ai nuk është një Enver Hoxha. Nuk ka guximin për të marrë vendimet që duhet të kishte marrë. Ka nisur të zvarritet pas demokratëve'', thotë ajo, duke iu referuar partisë në pushtet pesë vitet e fundit.

Alia ishte ende President kur zonja Hoxha u arrestua, teksa shqiptarët revoltoheshin për demokraci dhe thyenin simbolet e të kaluarës. Edhe ai përfundoi në burg dhe qelitë i kishin në të njëjtin korridor. Zonja Hoxha thotë se është e huaj në vendin e saj. “Më trajtojnë me përçmim, nuk kam vizitorë dhe nganjëherë me hedhin lecka të lagura me vajguri në verandë”, thotë ajo.

Nano, i cili pritet të jetë kryeministri i ri, e ka distancuar veten prej saj. Ai thotë se partia e ka shkëputur veten nga e kaluara komuniste dhe po përpiqet ta modelojë veten sipas social-demokratëve evropianë. Ndërkohë ajo ka me çka të merret, teksa ndihmohet financiarisht nga dy djemtë dhe bija e saj, të cilët po rinovojnë banjën. Teksa më parë përçmonte tendencat borgjeze, të paktën në teori, tashmë duket se i interesojnë. “Ka të mira dhe kjo shoqëria e konsumit, është e shtrenjtë por të paktën gjen çdo gjë”, thotë ajo duke treguar pllakat italiane.

16 dhjetor 1990

Vijojnë protestat anti-parti në Shqipëri

Demonstruesit anti-komunistë dolën sot përsëri me të gjithë forcën në qytetet shqiptare për të katërtën ditë radhazi, njoftonin mediat dhe njerëzit me telefon nga Shqipëria. Por nuk ka pasur raportime për dhunë, tre ditë pasi protestuesit sulmuan selinë e Partisë Komuniste dhe monumentet në Elbasan e Shkodër si dhe shkaktuan dëme në dyqane e objekte të tjera në Kavajë e Durrës. Ka pasur gjithashtu raportime për demonstrata dhe në qytetin jugor të Sarandës, ku ka shumë banorë të minoritetit grek. Sot në mesditë, sipas një telefonuesi nga Elbasani, turma të mëdha njerëzish ishin mbledhur para selisë së partisë duke kërkuar lirimin e rreth 100 demonstruesve të arrestuar gjatë përplasjeve të së premtes, ku gjithashtu u plagosën gjashtë policë. Sipas raportimeve demonstruesit u sprapsën nga policia. Në fundjavë mijëra studentë të universitetit të Tiranës nisën demonstratat kundër regjimit komunist në kryeqytet dhe të martën fituan tolerime nga presidenti Ramiz Alia, i cili lejoi formimin e partive opozitare për herë të parë në vend, si dhe shkarkoi pesë anëtarë të Byrosë Politike.

Dhuna jashtë kryeqytetit

Këto dhe tolerime të tjera, duke përfshirë dhe publikimi e gazetës ë Partisë Demokratike, duket e i bindën 300,000 banorët e Tiranës të mbeteshin relativisht paqësorë. Por partia demokratike thirri një miting të mërkurën pasi nuk po mund të zgjeronte shtrirjen e saj përtej Tiranës.

Në kontrast me skenën në kryeqytet, demonstruesit në qytete të tjera kishin arritur shpejt te përdorimi i dhunës kundër instilacioneve dhe forcave të regjimit. Në qytetin industrial të Elbasanit me 70,000 banorë, punonjësit e kombinatit metalurgjik Enver Hoxha u bashkuan me rreth 30,000 qytetarë të tjerë duke goditur me gurë ndaj policisë dhe duke djegur makinat qeveritare natën e të premtes. Dy autobusë e dy zjarrfikëse u dogjën, sipas dëshmitarëve me telefon. Në Shqipëri nuk ka automjete private. Më vonë një tjetër dëshmitar raportonte se demonstruesit arritën të rrëzonin me dinamit statujën e diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili sundoi në Shqipëri nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në1985.

Rroftë Ramiz Alia

Turmat thërrisnin slogane që krahasonin Hoxhën me Hitlerin, denonconin ministrin e brendshëm Hekuran Isai, thërrisnin për liri e demokraci si dhe "Poshtë dinastia!" – duke iu referuar klasës komuniste dhe aleatëve të Hoxhës që ende mbanin pozita pushteti. Në Elbasan dëgjoheshin gjithashtu thirrjet "Rroftë Ramiz Alia", i cili është pasuesi i Hoxhës prej pesë vjetësh.

Demonstratat vazhduan në rrethin e Kavajës sot, qyteza industriale me rreth 20,000 banorë që kishte qenë e qetë prej marsit, pro që të mërkurën të rinjtë nisën një valë shkatërrimi e bastisjeje të dyqaneve, megjithë prezencën e policisë e të ushtrisë. Të premten kishte dhunë dhe në qytetin port të Durrësit, 10 milje në veri të Kavajës, përgjatë rrugës bregdetare, sipas dëshmitarëve.

Disa qytete si Elbasani kishin sisteme lidhjeje direkte telefonike që prej verës së shkuar, çka i lejonte shqiptarëve të bënin thirrje me vendet perëndimore. Por nuk ka pasur raportime nga zonat perëndimore si Shkodra, që nuk kishin instalime të tilla. Deri tani vetëm disa gazetarë të huaj janë lejuar në Shqipëri.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 08:08

Amerikanët kanë nxjerrë na pah të tjera zhvillime mbi periudhën komuniste në vendin tonë. Edhe pse ishin jugosllavët që e sollën Hoxhën në pushtet, pas aleancës me BRSS ai nisi një betejë të ashpër me ta.

Postuar: 17/07/2019 - 07:06

Amerikanët kanë nxjerrë në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 16/07/2019 - 07:07

Gazeta amerikane “The New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga zhvillimet në S

Postuar: 14/07/2019 - 07:31

Amerikanët nxjerrin në dritë të tjera detaje nga zhvillimet në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 11/07/2019 - 07:09

Enver Hoxha eliminoi dhe burgosi gjithë mbështetësit e Mehmet Shehut.