Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportimet e amerikanëve, ja dyshimet për ndërhyrjet e Moskës në Ballkan dhe si perceptohej regjimi i Hoxhës nga jashtë kufijve

Postuar: 21/09/2019 - 07:14

Amerikanët kanë nxjerrë në pah të tjera zhvillime mbi periudhën komuniste në vendin tonë. Aty tregohet se si perceptohej regjimi i Hoxhës nga jashtë kufijve dhe dyshimet se Moska ishte ajo që nxiste përplasje në Ballkan. Gazeta “New Yprk Times” ka shkruar disa artikuj për vitin 1949.

15 shtator 1949

Shqipëria ka qenë ‘fëmija i tmerrshëm’ nga Ballkani në shumë mënyra. Ndryshe nga fëmijët e mbarë, ajo vetëm është dëgjuar dhe nuk është parë. Të gjithë kufijtë e saj janë të mbyllur nga zona të ndaluara prej 12 miljesh dhe nuk ka asnjë përfaqësi perëndimore në vend përveç Francës e Italisë. Kur sekretari amerikani shtetit Acheson dhe sekretari i Jashtëm Bevin diskutonin dje në Uashington për Shqipërinë e Greqinë ata nuk kishin informacione të plota apo fakte ku të mbështeteshin. Raportimet thonë se regjimi komunist i Hoxhës është i përçmuar në vend dhe po dobësohet ekonomikisht e politikisht. Ardhja e forcave greke pranë kufirit me Shqipërinë dhe suksesi i fushatës së tyre të fundit, i ka shtuar tensionet dhe në të njëjtën kohë i ka dhënë zë e kurajë shqiptarëve në emigracion për të përmbysur qeverinë komuniste. Kemi dy grupe kryesore të përfshira, njëri është në Jugosllavi ku rreth 3000 refugjatë politikë drejtohen nga Gani Bej Kryeziu të cilët kërkojnë të krijojnë një tip komunizmi kombëtar të stilit të Titos. Ata veprojnë në Romë, Paris e Londër dhe tashmë po dërgojnë përfaqësuesit në Nju Jork. Në Boston ka komunitete të mëdha shqiptarësh dhe në fakt SHBA është vendi nga ku lëvizje të tilla financohen. Nga të gjitha palët vijnë akuza dhe kërcënime. Rusët thonë se jugosllavët e grekët po përpiqen të copëtojnë Shqipërinë që prej vitit 1946 dhe Moska kërcënon se do ta ngrejë çështjen në Kombet e Bashkuara. Moshe Pijade i Byrosë Politike të Jugosllavisë i mohoi ashpër akuzat një ditë më parë. Sipas raportimeve nga Athina, grekët kërcënojnë të pushtojnë Shqipërinë nëse guerilasit komunistë kryejnë sulme të reja nga veriu. Komisioni i Veçantë i Kombeve të Bashkuara ka raportuar për 4 shkelje të sovranitetit të Greqisë gjatë luftimeve të fundit të guerilasve në Gramoz e Vitsi. Moska sigurisht po e trazon këtë çorbë me të gjithë fuqinë. Tani që Sovjetikët nuk kanë rrugë tokësore drejt Shqipërisë pas prishjes me Jugosllavinë, po përdorin Bullgarinë si pikën më të afërt për të tentuar fortifikime në portin e Vlorës në Adriatik. Të gjitha sinjalet tregojnë për të tjera telashe. Shqipëria ka rëndësi strategjike dhe është politikisht e rëndësishme pasi këtu në ruajtjen e regjimit të Enver Hoxhës do të kishim të bënim me prestigjin ndërkombëtar të BRSS. SHBA-të në këtë rast janë të përfshira prej përkushtimit të tyre ndaj Greqisë sipas doktrinës së presidentit Truman. Askush nuk mund të parashikojë çfarë do të ndodhë por bazuar në zhvillimet aktuale do të ishte e matur të parashikohej më e keqja.

17 shtator 1949

Rajin në Hungari pranon komplotin me SHBA dhe Titon

Ish ministri i jashtëm i Hungarisë Laslo Rajik ka pranuar në një fjalim të rrjedhshëm akuzat se ka komplotuar me amerikanët dhe të tjerë për të sabotuar qeverinë e Hungarisë gjatë një fushate anti-sovjetike të udhëhequr nga Marshall Tito. Ai dhe shtatë të tjerë janë në gjyq me akuza tradhtie. Beogradi komentoi se pamjet e gjyqit të Rajik kishin si qëllim ta kalonin konfliktin mes Titos dhe Kominform në një krizë madhore në Ballkan. Në një tjetër zhvillim, kryeministri Hoxha i Shqipërisë bëri një denoncim të ashpër të Titos dhe Greqisë. Gjatë fjalimit të tij afro 4-orësh në mikrofonin e Gjykatës së Popullit në Hungari, 40-vjecari Rajik e përshkroi komplotin si pjesë e një plani të gjerë të Marshall Titos për të organizuar dhe drejtuar një lëvizje anti-sovjetike në të gjitha vendet e demokracive popullore lindore (në satelitët sovjetikë). Ai deklaroi se Marshall Tito kishte në plan pushtimin ushtarak të Hungarisë dhe nxitjen e tensioneve kufitare me Bullgarinë, likuidimin e lëvizjes rebele komuniste në Greqi, dhe përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavi.

Dëshmi e zellshme

Rajik dëshmoi në mënyrë të zellshme për të hedhur të gjithë fajin te vetja për veprimet që nisnin nga ato që ai quante pazare të dyfishta me komunistët prej vitit 1931. Ai tha se kolonel Aleksandër Rankoviç i Jugosllavisë i kishte treguar për planin famëkeq të Titos. Rankoviç i kishte premtuar: Kur veprimi të nisë, SHBA-të do të arrijnë të paralizojnë Bashkimin Sovjetik në mënyrë që demokracitë popullore të mos kenë mundësi të veprojnë”. Rajik më tej përmendi një ish-ambasador amerikan në Hungari, Selden Chapin dhe dy amerikanë të tjerë si bashkëpunëtorë në plan. Ai akuzoi me emër zyrtarët jugosllavë si spiunë të francezëve dhe britanikëve. Rajik tha se i kishte treguar Chapin për bisedat me Rankoviç, duke përfshirë dhe premtimin për të ndaluar veprimin e Rusisë. “Chapin hezitoi fillimisht, por më vonë pranoi se në SHBA ekzistonin plane të tilla”, tha Rajik. Ndërkohë në Uashington, Chapin ka mohuar çdo bisedë me Rajik për përmbysjen e regjimit, ndërsa e quajti atë “të ashpër, të papëlqyeshëm dhe të padobishëm” në bisedat zyrtare që kishin patur. Chapin trashmë është emëruar ambasador i SHBA në Holandë. I akuzuari kryesor për tradhti, Rajik, tha se kishte marrë urdhrat e tij të para si spiun për SHBA në vitin 1945 nga kolonel lejtnant George Kovach, një anëtar i misionit ushtarak amerikan në Hungari që fliste gjuhën vendase, pas çlirimit të vendit nga Gjermania. “Sigurisht që pranova. Unë kisha qenë një zyrtar i lartë qeveritar dhe pranova të raportoj vetëm për çështjet e politikës së lartë te zyrtarët amerikanë në Budapest, për informacione që ata nuk mund të merrnin vetë”. Në Nju Jork deklarata e Rajik përsëri u mohua nga kolonel Kovaç, i cili është në pension tashmë dhe punon si menaxher hoteli. Rajik tha se në 1946 urdhrat i kishin ardhur nga Martin Himmler, anëtar i kundër-inteligjencës amerikane, i cili kishte rikthyer në Hungari disa kriminelë lufte të kërkuar në Budapest pasi ishin kapur në Gjermani. Rajik tha se Himmler i kishte thënë më vonë se do të merrte urdhrat e mëtejshëm direkt nga Jugosllavia. Rajik tha më tej se do kishte dëshiruar të bëhej vetë kryeministri titist i Hungarisë. Me pranimet e fajeve njëri pas tjetrit, Rajik tha se kishte shërbyer si informator i policisë anti-komuniste para luftës dhe në palën anti-komuniste të Luftës Civile në Spanjë. “Komunistët gjithmonë besonin se unë isha miku i tyre më i mirë”, tha ai. Mes rreth 300 spektatorëve në sallë ishte dhe Chris Tetroll si përfaqësues i ambasadës amerikane në Budapest.

17 shtator 1949

Beogradi i ndërgjegjshëm për provokimet shqiptare

Niveli i sinjaleve për stuhi nga Ballkani është rritur së fundmi sipas opinioneve nga Beogradi. Pranimi i akuzave nga Laslo Rajik në gjyqin e Budapestit dhe fjalimet provokuese të kryeministrit shqiptar Enver Hoxha kanë krijuar përshtypjen e formimit të një situate dashakeqe. Ekspertët thonë se objektivi i Shqipërisë dhe bllokut sovjetik është Jugosllavia, por nuk dihet se si do të luhet më tej kjo dramë prej tyre. Sipas pikëpamjes jugosllave, gjyqi i Budapestit është vetëm një vegël mbështetëse, ndërsa qeveria në Athinë është një katalist në dukje i paanshëm. Pranimi i fajit nga Rajik është diskredituar ende pa ndodhur nga Beogradi, i cili tha hapur se Rajik ka kryer rolin e caktuar për të nga autoritetet sovjetike në çdo detaj, dhe se nuk kishte rëndësi nëse ai varej si dhi apo si dele. Jugosllavët e konsiderojnë gjyqin në Budapest si një akt për të vendosur arsyet morale kundër regjimit të Titos duke e diskredituar atë si një agresor fashist. Sipas jugosllavëve fjalimi i Hoxhës në Tiranë ishte një gjuhë urrejtje që kërkonte të etiketonte veten si “viktimë” e agresorëve jugosllavë. Hoxha tha me zë të lartë se autoritetet greke dhe jugosllave po ziheshin se cili do të merrte pjesën më të madhe të Shqipërisë, ndërsa qeveria e SHBA sipas tij po bënte ç’ishte e mundur për të qetësuar qentë e egërsuar që donin të hanin ‘kufomën’ e Shqipërisë. Por sipas jugosllavëve rreziku më i madh ishte një program i qeverisë sovjetike për sulmet rebele mbi Greqinë nga bazat në Shqipëri. Jugosllavët besojnë se qeveria sovjetike ka fuqi për të provokuar veprime të tilla në çdo kohë, prandaj në rast të tillë do të lindte problemi i respektimit ose jo të marrëveshjeve të tyre me Shqipërinë. Çdo zgjedhje që do të bënte marshall Tito në rrethana të tilla mund të hapë totalisht konfliktin mes Beogradit dhe Moskës.

Shqipëria e vijon luftën ndaj Jugosllavisë

Shqipëria i ka qëndruar besnike parimit se nacionalizmi sovjetik dhe Byroja Komuniste e Informacionit janë udhëheqësit e Demokracive Popullore, edhe pse ajo vetë është vënë në funksion nga fondet dhe ndihma teknike e Jugosllavisë. Por megjithë këtë kryeministri Hoxha ishte i pari që kërceu për të mbështetur BRSS në konfliktin dhe rrjedhimisht ndarjen me Jugosllavinë, dhe prej atëherë konflikti i tyre vetëm po intensifikohet. Vitin e kaluar Shqipëria ishte një satelit i Jugosllavisë, teksa drejtohej nga Hoxha, i ndjekur nga Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo. Por dymbëdhjetë muaj më vonë Hoxha kishte ruajtur autoritetin e tij me ndihmën e dy ndihmesave të tij dhe arriti ta kthente vendin në një kukull të Bashkimit Sovjetik. Atëherë sekretari i Partisë Komuniste Xoxe, bashkë me Kriston dhe shumë komunistë të tjerë përfunduan në burg. Zyrtarët kryesorë të Hoxhës ishin tashmë Tuk Jakova ish-ambasadori në Beograd, dhe gjenerali i ushtrisë Mehmet Shehu. Kontrolli sovjetik është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme teksa teknikët e mëparshëm jugosllavë janë dëbuar nga vendi. Misioni fillestar rus prej rreth 300 zyrtarësh është zgjeruar tashmë në rreth 3000 oficerë dhe civilë, duke përfshirë dhe disa gjeneralë të ushtrisë. Shqipëria gjithashtu ka negociuar një marrëveshje të re tregtare me Bashkimin Sovjetik, duke deklaruar për të se i lejon kushte shumë më të favorshme nga ato që kishte më parë me Jugosllavinë. Hoxha është ankuar publikisht se Beogradi dëshironte që Shqipëria të prodhojë materiale bazë për Jugosllavinë ndërsa Shqipëria të kthehet në një treg për mallrat e prodhuara në Jugosllavi. Me sa duket marrëdhëniet mes Shqipërisë e Jugosllavisë nuk kishin qenë të mira që prej fillimit. Që në nëntor 1947 Jugosllavia kishte kritikuar privatisht tendencat anti-jugosllave të Shqipërisë dhe anësinë nga kultura perëndimore.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 07:37

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm.

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arra

Postuar: 18/10/2019 - 07:09

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtar

Postuar: 15/10/2019 - 07:19

CIA amerikane ka deklasifikuar një dokument tepër voluminoz, ku jepen detajet e të dhënave që rap

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë.