Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportimet e amerikanëve, ja pikëpyetjet e konfliktit të Enver Hoxhës me sovjetikët dhe si u rrit mbështetja financiare e Kinës

Postuar: 19/09/2019 - 07:09

Amerikanët kanë zbardhur detaje nga përplasja mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Pasi u prishën marrëdhëniet mes dy vendeve, nisi një valë sulmesh dhe akuzash mes Tiranës dhe Moskës. Sulmet ishin nga më të ndryshmet. Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga fjalimet e Enver Hoxhës.

8 nëntor 1961

Zbërthimi i konfliktit enigmatik Shqipëri-BRSS

As praktikuesi më i zellshëm i Kremlinologjisë apo i shkencave kulte nuk mund të flasë me siguri për konfliktin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, që janë respektivisht më e dobëta dhe më i forti mes vendeve komuniste. Ky nuk është një konflikt i ri megjithëse u vu në vëmendjen e publikut gjatë kongresit sovjetik në Moskë. Ai ka të bëjë me dyshimet e vjetra mes Kinës e Rusisë për aktivitetet e njëra-tjetrës në botën afro-aziatike, dhe është gjithashtu i lidhur me xhelozitë politike brenda BRSS. Kur Stalini u prish me Titon në 1948 ai u mbështet fuqimisht nga Shqipëria e cila kishte nisur debatet me Jugosllavinë, të cilës i trembeshin se kërkonte të merrte kontrollin e vendit. Me gjithë rëndësinë strategjike të Shqipërisë në Adriatik, Stalini dalloi dobësinë e vendit të vogël dhe refuzoi të nënshkruante me të marrëveshjet e asistencës reciproke që kishte bërë me vende të tjera satelite. Kjo u bë nga Hrushovi por vetëm për të ngushëlluar Shqipërinë për një miqësi të re me BRSS. Kur Hrushovi lëvizi për t’u riafruar me Titon në 1954, Shqipëria nisi të reklamonte se Moska në mënyrë heretike po ndryshonte dogmat politike. Ndërsa Kina e cila kishte një sherr të sajin me Titon dhe ndjente përçmim për Rusisë për arsye krejt të kundërta, i ofroi ndihmë Shqipërisë. Megjithëse Hrushovi nuk arriti të vendoste paqen e kërkuar me Jugosllavinë, debati tjetër me Shqipërinë vazhdoi. Në vitin 1960 agjentët e tij në Shqipëri u përpoqën të përmbysnin pushtetin e Hoxhës ndërsa pranverën e kaluar të gjitha nëndetëset sovjetike u larguan nga baza shqiptare e Vlorës. Kina gjatë gjithë kohës që mbështeti Shqipërinë detyroi të bënin të njëjtën gjë dhe satelitët e saj të vegjël aziatikë. Ata tashmë po konkurrojnë hapur me sovjetikët për kontrollin e lëvizjeve komuniste në Azi, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Në këtë debat Shqipëria ka marrë rëndësi të veçantë si mbështetësja e vetme evropiane apo dhe me shumicë myslimane e Kinës. Në argumentet për grupin anti-parti kohët e fundit në BRSS, përfshihen dhe disa komunistë individualë shqiptarë. Një prej tyre është Liri Belishova, e burgosur nga Hoxha për spiunazh me Greqinë, Jugosllavinë e SHBA, tashmë e mbrojtur nga ndihmesat e Hrushovit si një mbështetëse e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Debati interesant shqiptar përfshin dhe Berlinin teksa Hrushovi tërhoqi nëndetëset nga Shqipëria pak përpara se të ndizte krizën gjermane. Mos dëshironte ai të nxiste Perëndimin që në bashkëpunim me Titon të copëtonin Shqipërinë? Një lëvizje e tillë mund të shërbente si mësim për vende të tjera kukulla komuniste, për t’i treguar se mbijetesa e tyre varet nga miqësia me Rusinë. A mos besonte Hrushovi si fitorja me Shqipërinë do t’i lejonte dorë më të lirë në Berlin? A mos kishte llogaritur Hrushov se mund të tundonte me një këmbim kokë për kokë në dy zona të palidhura me njëra-tjetrën? Diçka për të pasur parasysh është se në këtë intrigë të komplikuar ka më shumë gjëra se sherret e zakonshme të Ballkanit. Shqipëria e vogël është domethënia e një krisjeje të madhe mes dy gjigantëve komunistë dhe ndoshta një përpjekje e Kinës për të bërë shantazh ndaj Hrushovit duke kërcënuar me përçarje të lëvizjes komuniste.

12 nëntor 1961

Tirana vazhdon denoncimet ndaj Moskës

Komunistët shqiptarë kanë vazhduar dje denoncimet e ashpra kundër kreut sovjetik Hrushov, të shoqëruara dhe shfaqje mbështetjeje ndaj regjimit të Enver Hoxhës. Burimet jugosllave thonë se nuk kanë prova për trazira në vendin e vogël ballkanik, por është tashmë vetë qeveria që po organizon manifestime të rreme mbështetjeje ndaj udhëheqjes së tyre në debatin me Bashkimin Sovjetik. Gjithsesi vëzhguesit flasin për njëfarë tensioni për mobilizim nga qeveria. Radio Tirana raportonte sot për një seri demonstrimesh në Shqipëri pro-regjimit dhe kundër Hrushovit, të shoqëruara me rezoluta nga organizata të ndryshme dhe grupe sindikatash. Burimet diplomatike nga Tirana flasin për mbështetje të sinqertë të popullatës shqiptare që përveç indoktrinimit komunist është gjithmonë skeptike ndaj të huajve. Por ata thonë se me gjithë frikërat e regjimit, Hrushovi nuk do të tentonte të largonte regjimin e Hoxhës pasi një dështim do të sillte dëmtim të rëndë të reputacionit të Moskës. Gjithashtu një lëvizje e tillë do të ishte e panevojshme nëse BRSS dhe Kina arrinin njëfarë riafrimi për debatin e tyre të gjerë, siç beson Beogradi se do të ndodhë. Presioni i dyfishtë i dy fuqive duhet të jetë i mjaftueshëm për të ndryshuar situatën në Tiranë pa qenë nevoja për veprim subversiv. Por burimet e Beogradit besojnë se raportimet për racionim të ushqimit në Shqipëri dhe të krizës ndërkombëtare në përgjithësi do të përdoren si justifikime për të tjera masa shtypjeje ndaj popullatës. Tregtia dhe ndihmat që më parë vinin në Shqipëri nga Bashkimi Sovjetik dhe Evropa Lindore kanë ndaluar që prej nisjes së konfliktit. Kështu që Kina megjithëse në krizë ushqimi, është detyruar të devijojë burimet e saj për të furnizuar Shqipërinë, e cila ka mungesa të theksuara ushqimesh në treg. Vendet e bllokut sovjetik raportohet se kanë thirrur ekspertët e tyre teknikë nga Shqipëria dhe kjo ka dëmtuar punën në projektet industriale dhe të minierave në ndërtim.

13 nëntor 1961

Kina thekson mbështetjen ndaj Shqipërisë

Kina komuniste nënkuptoi sot se nuk është e vetme në rezistencën e saj ndaj përpjekjeve sovjetike për të dënuar Shqipërinë. Gazetat e Pekinit raportonin se Partia Komuniste Kineze dhe nëntë parti të tjera “vëllazërore” i kishin dërguar mesazhe urimi Shqipërisë për 20-vjetorin e themelimit të Partisë së Punës. Agjencia shtetërore kineze Xinhua publikonte pjesë nga disa prej mesazheve. Mesazhet ishin dërguar nga tre vende me partitë komuniste në pushtet Kina, Vietnami i Veriut dhe Koreja e Veriut, si dhe nga partitë komuniste të Indonezisë, Australisë, Belgjikës, Burmës, Zelandës së Re, Tailandës e Malajzisë. Partia Komuniste e Malajzisë, e cila është nxjerrë jashtë ligjit në vend, tha se i gjithë populli shqiptar kishte besim dhe respekt për komitetin qendror dhe partinë e udhëhequr nga Enver Hoxha.

19 nëntor 1961

Hoxha thotë se partia i rezistoi Rusisë

Kryekomunisti shqiptar ka akuzuar sot se kryeministri sovjetik Hrushov e ka denoncuar Shqipërinë në Moskë muajin e kaluar sepse ai u mund dy herë gjatë vitit 1960 në përpjekjet e tij për të imponuar pikëpamjet e tij ndaj lëvizjes ndërkombëtare komuniste. Akuzat u bënë nga Hoxha në një fjalim për partinë në fillim të muajit, teksti i të cilit është shpërndarë së fundmi. Hoxha tha se dështimet e Hrushov ndodhën në takimet ndërkombëtare komuniste në qershor 1960 në Bukuresht dhe në Moskë në nëntor 1960. Ky fjalim i Hoxhës tregon se shqiptarët besojnë se kanë mbështetje të mjaftueshme mes partive komuniste botërore. Lideri shqiptar tha se tridhjetekatër nga 80 parti komuniste që ishin prezente në kongresin e 22-të të Partisë Sovjetike nuk iu bashkuan Hrushovit në dënimin e tij për Shqipërinë, dhe vetëm 18 folën hapur kundër Shqipërisë. Hoxha tha se BRSS po ushtronte presion me taktika të ndryshme për ta detyruar Shqipërinë t’i dorëzohej presionit dhe kërkesave të tij. “Në sferën ekonomike të gjitha kreditë e dhëna nga BRSS për vendin tonë kishin si qëllim sabotimin e planit ekonomik të vendit. Pa asnjë arsye specialistët sovjetikë që punonin në vendin tonë, për të cilët ekonomia jonë kishte shumë nevojë, u tërhoqën në mënyrë unilaterale edhe pse ne i kishim kërkuar zyrtarisht të qëndronin. Duke kërkuar pagesat e kredive që nisin këtë vit, edhe pse sipas dokumentacionit kjo duhet të niste në 1970, pala sovjetike i ka thyer të gjitha marrëdhëniet tregtare”, tha Hoxha. Ai vazhdoi më tej: “Të gjithë studentët, civilët dhe ushtarakët që po studionin në BRSS u janë hequr bursat e tyre dhe presioni ekonomik ndaj vendit tonë po shoqërohet me masa në sferën ushtarake”. Hoxha e përqendroi shumicën e vrerit të tij ndaj tentativave sovjetike për afrim me Jugosllavinë ‘revizioniste’. Ai akuzoi se kryeministri Hrushov i kishte afruar azil politik Panajot Plakës, të cilin Hoxha e ka cilësuar “tradhtar” dhe “agjent i vjetër i spiunazhit jugosllav”. Hoxha përfshiu gjithashtu Mikojan, Suslov e komunistë të tjerë sovjetikë në denoncimet e tij. Ai tha se në prill e maj 1956, Suslov ishte përpjekur të bindte shqiptarët të rehabilitonin figurën e Koçi Xoxe, të cilin Shqipëria e ka akuzuar një dekadë më parë si simpatizant të Titos. Hoxha tha se vetëm një Asamble Ndërkombëtare Komuniste mund të ketë kompetencë të gjykojë nëse shqiptarët kanë të drejtë apo jo, dhe jo vetëm kryetari sovjetik. “Por Hrushovi ka frikë të mbledhë një asamble të plotë pasi është i bindur se nuk do të arrinte qëllimet e tij, për të dënuar Partinë Shqiptare të Punës”, tha Hoxha. Për të mbështetur këtë kryekomunisti shqiptar bëri një përmbledhje të atyre që ndodhën në konferencat e Moskës e Bukureshtit. Ai tha: Metodat e përdorura nga kreu sovjetik për të sulmuar unilateralisht partinë tonë njihen nga e gjithë lëvizja komuniste. Kjo metodë ka shërbyer dhe në Konferencën e Bukureshtit, ku me anë të akuzave të rreme unilaterale ai ka detyruar partitë marksiste t’i hapin rrugë duke kompromentuar partitë e tyre. Por me gjithë përpjekjet e tij ai nuk i arriti dot qëllimet. Por përkundrazi, Hrushov u detyrua të pranonte rezultatet e takimit të Moskës në nëntor 1960, ku u zhvilluan debate korrekte dhe u bë e qartë se pikëpamjet e tij nuk gjenin mbështetje entuziaste mes pjesëmarrësve”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm.

Postuar: 18/10/2019 - 07:09

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtar

Postuar: 15/10/2019 - 07:19

CIA amerikane ka deklasifikuar një dokument tepër voluminoz, ku jepen detajet e të dhënave që rap

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë.

Postuar: 11/10/2019 - 07:24

CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste.