Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportimet e amerikanëve, ja si Hoxha eliminoi gjithë mbështetësit e Mehmet Shehut, Tito kërkonte futjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave

Postuar: 11/07/2019 - 07:09

Enver Hoxha eliminoi dhe burgosi gjithë mbështetësit e Mehmet Shehut. Gazeta amerikane “New York Times” i ka kushtuar një rëndësi sistemit komunist dhe në një artikull deklarohet se si u eliminuan ata që kishin marrëdhënie të ngushta me Shehun. Po ashtu jepen detaje dhe për përplasjet me Jugosllavinë.

Shqipëria mbetet sfiduese

14 nëntor 1976

Ashtu siç e di mirë Presidenti Ford, janë dy vende në Evropën Lindore, që janë krejtësisht të pavarura nga influenca sovjetike. E para, Jugosllavia, është studiuar gjerësisht nga shumë ekspertë të Perëndimit që prej Luftës së Dytë Botërore dhe është vizituar gjatë dekadës së fundit nga miliona turistë perëndimorë, të cilët e kanë gjykuar si një nga vendet komuniste më të hapura. Vendi i dytë i pavarur evropiano-lindor është Shqipëria, e cila në kontrast me Jugosllavinë, është vendi i studiuar më pak dhe një nga shoqëritë më të mbyllura në Evropë.

Shqipëria ka qenë gjatë gjithë historisë së saj nën presion aneksimi apo ndarjeje nga fqinjët e saj grekë, serbë e italianë, një presion i cili është mbështetur nga ndërhyrjet e fuqive të mëdha si Franca, Austro-Hungaria. Shqipëria ka qenë totalisht nën dominimin jugosllav në vitet pas Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nën dominimin sovjetik deri në 1961. Por megjithë prishjen me Moskën Shqipëria arriti të mbijetonte si e pavarur duke gjetur si mbështetëse Kinën e largët dhe duke ruajtur pavarësinë e saj pa shumë tolerime ndaj protektorëve të saj. Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk mori pjesë në Konferencën e Sigurisë e Bashkëpunimit në Evropë, duke përfshirë dhe samitin e Helsinkit. Sesi ndodhi kjo dhe ku mund të çojë, duhet të ishte subjekti i një libri të mistershëm. Studime të mëtejshme nevojiten për të përcaktuar karakterin etnik Ilirian të shqiptarëve, pasojat e fesë islame te ta, të katolicizmit dhe ortodoksisë, veçanërisht ndarjen fisnore mes gegëve në veri dhe toskëve në jug (të cilët dominuan nën regjimin e Hoxhës).

Me interes janë gjithashtu marrëdhëniet komplekse me komunistët jugosllavë nga viti 1941 deri në 1948, influencën reciproke të rreth 1 milionë shqiptarëve përtej kufirit në Jugosllavi, evolucionin e vërtetë të lidhjeve me Kinën, karakterin elitist të hierarkisë shqiptare dhe luftën e brendshme për pushtet brenda kësaj hierarkie; arritjet e vërteta të zhvillimit ekonomik shqiptar, atij kulturor dhe perspektivën e gjeneratës së re të rritur nën regjimin e Hoxhës. Një studim i tillë do të ishte i vështire edhe në rrethanat më të mira, jo vetëm prej pengesës gjuhësore por dhe për arsye të Sigurimit, policia sekrete e Hoxhës e cila e ka mbajtur atë vendin më të izoluar të Evropës. Shumë është mësuar nga dokumentet zyrtare (duke përfshirë ato jugosllave e sovjetike) të studiuara nga kërkues perëndimorë si R. V. Burks, Uilliam Griffiths e Paul Lendvai, por parakushtet për një studim të mirëfilltë, si liria e udhëtimit dhe e bisedës, nuk ekzistojnë. Gazetat dhe diplomatët e paktë perëndimorë që kanë tentuar të shikojnë apo të mësojnë pak më shumë nga sa e konsideron të lejueshme Sigurimi, janë zhgënjyer shpejt. Hoxha i jepte mësimet e tij në stil të bindur dogmatik marksist. Një libër i fundit mbi Shqipërinë bazohet në një vizitë të shkurtër në Shqipëri në shtator 1968 dhe një kapitull i shkurtër është shtyre mbi nj vizitë në 1974. Në asnjë nga vizitat autorët duket se kanë mundur të kalojnë prapa guidave turistike, drejtorëve të muzeumeve, kryetarëve të kooperativave apo të organizatave të të rinjve. Autoritetet shqiptare i kanë dhënë vizitorëve dokumente si fjalime e rezoluta që aprovohen nga Hoxha, por nuk ka pasur tentativa për të trajtuar dokumentet sovjetike e jugosllave, apo kujtimet e bollshme jugosllave për rezistencën gjatë Luftës II Botërore. Autori e përshkruan situatën me admirim— jo vetëm për ashpërsinë e popullit shqiptar, por dhe për socializmin e vërtetë që sipas udhëheqjes, Shqipëria përfaqësonte. Kritikat thonë se idealizimi i tyre ishte në fakt një fasadë për ruajtjen e pushtetit dhe shtypjen e opozicionit në popull. Në libër përmenden shpesh kritikat ndaj asaj që qeveria quan “revizionizëm” jugosllav e sovjetik, dhe “imperializëm” i SHBA.

Autorët gjithashtu nuk duket e kuptojnë mirë esencën e eksperiencës shqiptare, megjithë afërinë e tyre me Marx ‐Lenin ‐Stalin ‐Mao ‐dhe mendimin e Enverit. Siç thotë një proverbë e vjetër në Ballkan, “armiku i armikut tim është miku im,” dhe kjo ndoshta shpjegon ndryshimet e aleancave të udhëheqësve shqiptarë nga Jugosllavia te Rusia e më pas Kina. Ndërsa faktori kryesor është vetë udhëheqësi Enver Hoxha: “Feja e vetme e shqiptarit është shqiptaria”, thotë ai. Nëse kjo do të mbetet ideologjia në periudhën post‐Tito, post‐Hoxha që po duket në horizont, është çështja kryesore për të zbuluar në lidhje me këtë vend.

Shqipëria paralajmëron Jugosllavinë

2 nëntor 1981

Enver Hoxha, udhëheqësi komunist i Shqipërisë, raportohet se ka paralajmëruar sot se trazirat do të shtohen mes shumicës etnike shqiptare në rajonin e Kosovës në Jugosllavi nëse autoritetet ''do të mbajnë një popull guximtar si shqiptarët nën frikën e tankeve e bajonetave'.' Zoti Hoxha, duke folur në Kongresin e tetë të Partisë së Punës në Tiranë, nxiti përsëri Jugosllavinë të japë statusin e republikës kushtetuese për Kosovën dhe mohoi se Shqipëria ka pretendime territoriale për provincën e trazuar, njoftonte agjencia shqiptare e lajmeve. Rreth 80 për qind e popullsisë së Kosovës është etnike shqiptare. Ajo është një provincë autonome brenda republikës federale të Jugosllavisë. Shtypi shqiptar tha se Hoxha akuzon Jugosllavinë se ka tentuar disa herë të komplotojë për të përfshirë Shqipërinë në Federatën Jugosllave si republika e shtatë. Ai iu referua gjithashtu përplasjeve të dhunshme etnike në jug të Kosovës, për të cilat Jugosllavia ka thënë se nëntë njerëz u vranë, ndërsa pala shqiptare thotë se janë vrarë “me qindra”.

Udhëheqësi 73-vjeçar i tha se 120,000 anëtarëve të partisë në Kongresin e Tiranës se opozicioni shqiptar në Kosovë është bërë gjithnjë e më i ashpër prej kërcënimit jugosllav për më shumë gjakderdhje. Ai citohej të akuzonte Jugosllavia se ka krijuar një ''regjim terrori'' në Kosovë dhe se 'burgjet atje janë të mbushura me të rinj e të reja.'' Hoxha, partia e të cilit feston 40 vjetorin e krijimit, akuzoi udhëheqësin jugosllav, President Tito, se i ka premtuar të kthejë Shqipërisë Kosovën dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarët. Hoxha e quajti këtë premtim të supozuar të Titos “mashtrim.''

Shqipëria thotë se kryeministri është vrarë

5 mars 1985

Kryeministri i vjetër i Shqipërisë është ''likujduar'' si ''agjent sekret'' në 1981, sipas gazetës kryesore të udhëheqjes komuniste. Raportimii fundit bie në kontradiktë me shpjegimet e mëparshme zyrtare, sipas të cilave Mehmet Shehu, kreu vetëvrasje gjatë një takimi të Komitetit Qendror në dhjetor 1981. Ai ishte 68 vjeç. Versioni i ri i ngjarjeve u shfaq thuajse rastësisht të enjten në gazetën ‘Zëri i Popullit’, e përditshmja partiake, në një artikull të gjatë ku kritikohej Jugosllavia. Thuajse menjëherë pasi radio shqiptare njoftoi më 18 dhjetor 1981, se Shehu, kryeministri i vendit që prej 1954, kishte vrarë veten, kishte raportime nga kryeqytete të shumta evropiane se ai në fakt ishte vrarë. Versioni i vetëvrasjes u përsërit në nëntor 1982 në një fjalim nga udhëheqësi Enver Hoxha, dhe më tej pas një muaji prej tij. Në të dyja rastet Hoxha tha se Shehu kishte qenë një spiun i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Sovjetik dhe i Jugosllavisë. Edhe Zëri i Popullit i përsëriste këto akuza spiunazhi por tha se Shehu ''është likuiduar sepse hasi në unitetin e pathyeshëm të partisë me popullin: Një zyrtar amerikan i specializuar në çështjet e Ballkanit tha se ky përshkrim është pranimi i parë nga Shqipëria se zoti Shehu në fakt është vrarë. Në versionin e parë publik të vdekjes së Shehut, i cili ka qenë komandant i rëndësishëm i gruerilasve partizanë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe aleat i ngushtë i udhëheqësit Hoxha për katër dekada, thuhej: “Në agimin e datës 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të komitetit qendror dhe kryetar i këshillit të ministrave të republikës së Shqipërisë, vrau veten”. Por më pas erdhën raportimet nga Beogradi, Roma e Athina që thonin se Shehu kishte kundërshtuar drejtimin e politikës së jashtme të Shqipërisë që po bëhj nga Hoxha, duke dalë në mbrojtje të hapjes ndaj Evropës Perëndimore, Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik. Por Hoxha ishte gjithmonë në mbrojtje të izolimit. Raportimet e tyre thoshin se konflikti i tyre kulminoi në një zënkë në Komitetin Qendror, gjatë të cilit Shehu u qëllua për vdekje me pistoletë. Gjatë vitit 1982, ka pasur disa rotacione në kabinetin e qeverisë shqiptare, me të cilat supozohet se janë larguar aleatët e Shehut.

Dyshimet e SHBA

3 janar 1982

Zyrtarët e qeverisë së SHBA besojnë se kryeministri i Shqipërisë është vrarë muajin e kaluar dhe nuk ka kryer vetëvrasje, siç u deklarua në radion shqiptare për ngjarjen. Amerikanët thonin se nuk përjashtojnë raportimet jugosllave se kryeministri Mehmet Shehu është vrarë gjatë një takimi në komitetin qendror të partisë, por shtuan se për raportime të tilla ende nuk ka prova.Në edicionin e kësaj jave të revistës së Beogradit, Nin, flitej për dyshimet se Shehu, prej kohësh numri 2 i aparatit shtetëror shqiptar pas Enver Hoxhës, kishte rënë viktimë e intrigave të nivelit të lartë. Duke cituar burime të paspecifikuara perëndimore, Nin tha se Komiteti Qendror i Partisë shqiptare ishte mbledhur më 17 dhjetor dhe se gjatë sesionit aty kishte pasur një konflikt mes Hoxhës e Shehut. Revista thotë më tej se sesioni i komitetit kishte pasur si temë diskutimin e përfshirjes së Shqipërisë në tregtinë me Perëndimin. Shehu ishte në favor të lidhjeve më të ngushta me Perëndimin, ndërsa Hoxha besohet se ishte kundër. Revista tha se gjatë javës para vdekjes së tij Shehu është takuar me delegacionet tregtare greke e rumune, si deh me disa ambasadorë perëndimorë. Ajo arrin në konkluzionin se ai ose ishte detyruar të kryente vetëvrasje ose ishte vrarë. Zyrtarët amerikanë thanë se 68-vjeçari Shehu kishte qenë viktimë e një komploti, sipas asaj që ata interpretuan nga raportimi i distancuar i vdekjes në radio Tirana. Gazetat shqiptare raportonin se3 ngjarja ende nuk ka arritur në Perëndim. Mbrëmjen e 18 dhjetorit, radio Tirana transmetoi njoftimin e autoriteteve se natën duke u gdhirë 18 dhjetori, 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i byrosë politike të komitetit qendror të partisë së punës, vrau veten”. Njoftimi u ndoq nga një biografi e shkurtër. ''Dhe kaq ishte e gjitha”, tha një analist. Një tjetër tha se në kundërshtim me praktikat e zakonshme të vendeve komuniste në obituarin e Shehut nuk kishte asnjë fjalë lavdërimi. Njoftimi i radio Tiranës nuk dha asnjë lajm tjetër në lidhje me ngjarjen e rëndë dhe më pas vazhdoi si zakonisht me programet e tjera të folura ose me muzikë. Si jugosllavët e amerikanët thanë se nuk kishte pasur sinjalizime të mëparshme për konflikt mes Shehut e Hoxhës. Ata kujtonin një kongres të partisë në nëntor ku Shehu kishte mbajtur një fjalim të gjatë pas fjalës së hapjes nga Hoxha. Por amerikanët thanë se kishin vërejtur sinjale në shtypin shqiptar për tensione brenda udhëheqjes në lidhje me planin pesë-vjeçar, i cili ishte aprovuar me vonesë të konsiderueshme në kongresin e partisë në nëntor. Ata citonin gjithashtu një artikull në revistën partiake Rruga e Partisë në tetor, ku kritikohej izolimi i vendit. Por përsëri nuk kishte prova se Hoxha e Shehu kishin opinione të ndryshme mbi çështjen. Vdekja e Shehut hap gjithashtu çështjen e pasuesit të tij, si për postin e kryeministrit dhe atë të sekretarit të parë të partisë, në një kohë kur udhëheqësi 73 vjeçar Hoxha, ka pasur probleme shëndetësore. Zyrtarët amerikanë thonë se pasuesi logjik i Shehut në krye të qeverisë do të ishte Adil Carcani, zyrtari ekonomik që ka qenë zv. kryeministër i parë që prej vitit 1974. Gazeta Nin përmend gjithashtu Ramiz Alia, ministrin e të rinjve dhe ish-udhëheqësin e rinisë që ka qenë numri dy i sekretariatit të partisë. Parlamenti pritet të mblidhet më 14 janar kur dhe priten të njoftohen ndryshimet në qeveri.

Sovjetikët hapen sërish për lidhje me shqiptarët

Bashkimi Sovietik ka bërë sot hapjen më të ngrohtë ndaj Shqipërisë në disa vjet, në një artikull të gazetës komuniste Pravda, duke nxitur përmirësimin e lidhjeve dhe duke përshkruar marrëdhënien e ftohtë mes dy vendeve si anormale. Shqipëria, vendi i izoluar por i pavarur komunist,ka ndërprerë marrëdhëniet me Moskën në vitin 1961. Në artikullin e Pravda me rastin e 41-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, kujtohet ndihma sovjetike për dëbimin e forcave gjermane dhe bashkëpunimi i ngushtë mes vendeve gjatë viteve 1950. Kujtesa të tilla janë bërë dhe në të shkuarën nga sovjetikët, pro artikulli i sotëm ishte një shprehje më e ngrohtë se zakonisht e miqësisë. Një shpjegim për ndryshimin e kursit është vdekja prillin e kaluar të udhëheqësit komunist Enver Hoxha, i cili ndërpreu marrëdhëniet me Moskën në 1961. Por deri tani nuk ka pasur sinjalizime se pasuesi i Hoxhës, Ramiz Alia, dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën. Në vendin tonë, ne asnjëherë nuk e kemi konsideruar prishjen mes vendeve tona si diçka normale,'' shkruan Pravda. ''Në fjalë dhe në vepra, Bashkimi Sovjetik konfirmon pa rezerva gatishmërinë e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë”, thuhet më tej. Spastrime të gjerë raportohen në aparatin e Shqipërisë

Mars 1982

Udhëheqja shqiptare është vënë nën një fshesë të re spastrimet të drejtuar nga kreu i partisë Enver Hoxha, raportojnë specialistët e qeverisë së SHBA. Spastrimet kanë si qëllim eliminimin e të gjithë atyre që kishin dhe lidhjen më të vogël me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, i cili u vra ose vrau veten dhjetorin e kaluar. Hoxha tha në një fjalim javën e kaluar se Shehu kishte qenë një agjent i huaj që vrau veten kur u demaskua. Ky ishte komenti i parë i udhëheqësit shqiptar në lidhje me vdekjen e zotit Shehu, i cili kishte qeverisur bashkë me Hoxhën që prej fundit të luftës II Botërore, kur Shehu ishte drejtues ushtarak i guerilasve komunistë shqiptarë. Një specialist amerikan tha se një numër ministrash në kabinetin e Shehut ishin zhdukur, duke përfshirë dhe ministrin e mbrojtjes Kadri Hasbiu, 63 vjeç, i cili kishte marrë postin në prill 1980. Një tjetër specialist tha se Nesti Nase, 60 vjeç, i cili u bë ministër i Jashtëm në 1966, ishte arrestuar dhe së shpejti do të dalë në gjyq. “Ne besojmë se po ndodh një spastrim i gjerë, ndaj njerëzve që kishin lidhje me Shehun',' thotë një specialist i qeverisë, i cili shton se ka prova të rritje për një konflikt mes ndjekësve të Shehut dhe mbështetësve të Hoxhës. Spastrimet duket se shkojnë përtej aleatëve politikë të Shehut. Pas vdekjes së tij, të gjitha anëtarët e familjes së tij janë zhdukur nga skena publike, duke përfshirë gruan Fiqrete Shehu, e cila ka qenë drejtoreshë e shkollës së partisë në Tiranë. Sipas një tjetër specialisti vdekja e Shehut ishte kulminimi i një lufte të ashpër për kapjen e majës së pushtetit,si dhe mbi politikën e Hoxhës për ta mbajtur vendin të distancuar nga pjesa tjetër e botës. ''Shehu ishte kundër izolimit total,'' tha specialisti, duke shtuar pas prishjes me Kinën në vitin 1976, Shehu gradualisht kishte nisur të mbronte idenë e përmirësimit të lidhjeve fillimisht me Jugosllavinë e më pas me Moskën dhe Perëndimin.''

Në denoncimin e tij të javës së kaluar Hoxha e përshkruante Shehu si agjent amerikan, sovjetik dhe jugosllav. Një tjetër element konflikti mes të dyve ka qenë volumi i fundit i kujtimeve të Hoxhës, ku udhëheqësi kujtonte përpjekjen partizane kundër forcave gjermane e italiane në Luftën e Dytë Botërore. ''Në të Hoxha i merr për vete të gjitha meritat e sukseseve të lëvizjes çlirimtare dhe nuk e përmend asnjëherë Shehun,'' thotë specialisti, edhe pse në fakt Shehu ishte përgjegjës për të gjitha fitoret ushtarake. Unë e di sepse kam qenë me të', thotë specialisti amerikan, ish-pjesëmarrës në misionet Aleate të ndërlidhjes në Shqipëri. Spastrimi i fundit i nivelit të lartë në Shqipëri vjen pas një fshese të ngjashme të zyrtarëve që kishin ose supozohej se kishin lidhje me Jugosllavinë në vitet 1950-të; të atyre që simpatizonin Bashkimin Sovjetik në vitet 1960-të dhe atyre që simpatizonin Kinën dhe Perëndimin në mesin e viteve 1970.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 08:08

Amerikanët kanë nxjerrë na pah të tjera zhvillime mbi periudhën komuniste në vendin tonë. Edhe pse ishin jugosllavët që e sollën Hoxhën në pushtet, pas aleancës me BRSS ai nisi një betejë të ashpër me ta.

Postuar: 17/07/2019 - 07:06

Amerikanët kanë nxjerrë në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 16/07/2019 - 07:07

Gazeta amerikane “The New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga zhvillimet në S

Postuar: 14/07/2019 - 07:31

Amerikanët nxjerrin në dritë të tjera detaje nga zhvillimet në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 10/07/2019 - 09:59

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri para dhe pas vdekjes së diktatorit Enver