Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportimet e amerikanëve, ja si u refuzuan ngushëllimet e BRSS për vdekjen e Enver Hoxhës dhe përplasjet Shqipëri-Jugosllavi

Postuar: 10/07/2019 - 09:59

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri para dhe pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Sipas dokumenteve të “The New York Times”, përplasjet Shqipëri-Jugosllavi vijuan deri në vdekjen e Hoxhës. Ndërsa po ashtu tregohet se si u refuzuan ngushëllimet e Moskës për ndarjen nga jeta të diktatorit.

Shqipëria mbetet sfiduese

14 nëntor 1976

Ashtu siç e di mirë Presidenti Ford, janë dy vende në Evropën Lindore, që janë krejtësisht të pavarura nga influenca sovjetike. E para, Jugosllavia, është studiuar gjerësisht nga shumë ekspertë të Perëndimit që prej Luftës së Dytë Botërore dhe është vizituar gjatë dekadës së fundit nga miliona turistë perëndimorë, të cilët e kanë gjykuar si një nga vendet komuniste më të hapura. Vendi i dytë i pavarur evropiano-lindor është Shqipëria, e cila në kontrast me Jugosllavinë, është vendi i studiuar më pak dhe një nga shoqëritë më të mbyllura në Evropë. Shqipëria ka qenë gjatë gjithë historisë së saj nën presion ankesimi apo ndarjeje nga fqinjët e saj grekë, serbë e italianë, një presion i cili është mbështetur nga ndërhyrjet e fuqive të mëdha si Franca, Austro-Hungaria. Shqipëria ka qenë totalisht nën dominimin jugosllav në vitet pas Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nën dominimin sovjetik deri në 1961. Por megjithë prishjen me Moskën Shqipëria arriti të mbijetonte si e pavarur duke gjetur si mbështetëse Kinën e largët dhe duke ruajtur pavarësinë e saj pa shumë tolerime ndaj protektorëve të saj. Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk mori pjesë në Konfernecën e Sigurisë e Bashkëpunimit në Evropë, duke përfshirë dhe samitin e Helsinkit. Sesi ndodhi kjo dhe ku mund të çojë, duhet të ishte subjekti i një libri të mistershëm. Studime të mëtejshme nevojiten për të përcaktuar karakterin etnik Ilirian të shqiptarëve, pasojet e fesë islame te ta, të katolicizmit dhe ortodoksisë, veçanërisht ndarjen fisnore mes gegëve në veri dhe toskëve në jug (të cilët dominuan nën regjimin e Hoxhës). Me interes janë gjithashtu marrëdhëniet komplekse me komunistët jugosllavë nga viti 1941 deri në 1948, influencën reciproke të rreth 1 milionë shqiptarëve përtej kufirit në Jugosllavi, evolucionin e vërtetë të lidhjeve me Kinën, karakterin elitist të hierarkisë shqiptare dhe luftën e brendshme për pushtet brenda kësaj hierarkie; arritjet e vërteta të zhvillimit ekonomik shqiptar, atij kulturor dhe perspektivën e gjeneratës së re të rritur nën regjimin e Hoxhës. Një studim i tillë do të ishte i vështire edhe në rrethanat më të mira, jo vetëm prej pengesës gjuhësore por dhe për arsye të Sigurimit, policia sekrete e Hoxhës e cila e ka mbajtur atë vendin më të izoluar të Evropës. Shumë është mësuar nga dokumentet zyrtare (duke përfshirë ato jugosllave e sovjetike) të studiuara nga kërkues perëndimorë si R. V. Burks, Ëilliam Griffiths e Paul Lendvai, por parakushtet për një studim të mirfilltë—si liria e udhëtimit dhe e bisedës—nuk ekzistojnë. Gazetat dhe diplomatët e paktë perëndimorë që kanë tentuar të shikojnë apo të mësojnë pak më shumë nga sa e konsideron të lejueshme Sigurimi, janë zhgënjyer shpejt. Hoxha i jepte mësimet e tij në stil të bindur dogmatik marksist. Një libër i fundit mbi Shqipërinë bazohet në një vizitë të shkurtër në Shqipëri në shtator 1968 dhe një kapitull i shkurtër është shtyrë mbi një vizitë në 1974. Në asnjë nga vizitat autorët duket se kanë mundur të kalojnë prapa guidave turistike, drejtorëve të muzeumeve, kryetarëve të kooperativave apo të organizatave të të rinjve. Autoritetet shqiptare i kanë dhënë vizitorëve dokumente si fjalime e rezoluta që aprovohen nga Hoxha, por nuk ka pasur tentativa për të trajtuar dokumentet sovjetike e jugosllave, apo kujtimet e bollshme jugosllave për rezistencën gjatë Luftës II Botërore. Autori e përshkruan situatën me admirim— jo vetëm për ashpërsinë e popullit shqiptar, por dhe për socializmin e vërtetë që sipas udhëheqjes, Shqipëria përfaqësonte. Kritikat thonë se idealizimi i tyre ishte në fakt një fasadë për ruajtjen e pushtetit dhe shtypjen e opozicionit në popull. Në libër përmenden shpesh kritikat ndaj asaj që qeveria quan “revizionizëm” jugosllav e sovjetik, dhe “imperializëm” i SHBA. Autorët gjithashtu nuk duket e kuptojnë mirë esencën e eksperiencës shqiptare, megjithë afrinë e tyre me Marx ‐Lenin ‐Stalin ‐Mao ‐dhe mendimin e Enverit. Siç thotë një proverb e vjetër në Ballkan, “armiku i armikut tim është miku im,” dhe kjo ndoshta shpjegon ndryshimet e aleancave të udhëheqësve shqiptarë nga Jugosllavia te Rusia e më pas Kina. Ndërsa faktori kryesor është vetë udhëheqësi Enver Hoxha: “Feja e vetme e shqiptarit është shqiptaria”, thotë ai. Nëse kjo do të mbetet ideologjia në periudhën post‐Tito, post‐Hoxha që po duket në horizont, është çështja kryesore për të zbuluar në lidhje me këtë vend.

Jugosllavia thotë se Shqipëria kërcënon përdorimin e forcës

21 janar1983

Qeveria jugosllave ka akuzuar sot se Shqipëria ka kërcënuar hapur të përdorë forcën prandaj kërkon që të marrë fund ajo që quante politika armiqësore e Shqipërisë. Një notë proteste u dorëzua te ambasadori shqiptar Seit Lika, ku kreu komunist Enver Hoxha, akuzohej për ''fabrikacione monstruoze” mbi Jugosllavinë, me qëllim largimin e vëmendjes nga problemet e rënda ekonomike të vendit. Kjo ishte një referencë ndaj pohimeve të kohëve të fundit nga Hoxha se kryeministri i tij i 27 viteve, Mehmet Shehu, kishte qenë gjithë kohës një spiun i Jugosllavisë. Shqipëria njoftoi në dhjetor 1981 se Shehu kishte kryer vetëvrasje në gjendje depresioni, por shtypi jugosllav sugjeronte se ai u bë viktimë e luftës për pushtet kundër Hoxhës. Protesta jugosllave thoshte gjithashtu se udhëheqja shqiptare po ndërhynte në punët e brendshme të vendit në mënyrë ''flagrante'' duke i dhënë nxitje komunitetit etnik shqiptar në provincën e Kosovës dhe shtonte se kjo ishte e barabartë me “thirrje për përmbysjen e rendit kushtetues në Jugosllavi''.

Shqipëria refuzon ngushëllimet e Moskës

Shqipëria ka refuzuar sot ngushëllimet për vdekjen e udhëheqësit Enver Hoxha nga Bashkimi Sovjetik, dhe refuzon të lejojë të huajt të marrin pjesë në funeralin e tij. Një zëdhënës i ambasadës shqiptare në Vjenë tha në lidhje me telegramin sovjetik të ngushëllimeve: Mesazhi u dërgua prapa si i papranueshëm. Ne e konsiderojmë Bashkimin Sovjetik si një superfuqi që rrezikon lirinë e vendeve të tjera. Ne nuk kemi punë me ta. Dy vendet komuniste kanë bërë replika që prej vitit 1961. Shqipëria tha se nuk do të pranojë delegatë të huaj për funeralin e Hoxhës, udhëheqësit shqiptar i cili vdiq të enjten në moshën 76 vjeçare. Agjencia Telegrafike Shqiptare citonte komisionin e funeralit të udhëheqësit të thoshte se “prezenca e delegacioneve të huaja në një rast të tillë nuk i përshtatet praktikave të shtetit tonë”.

Stalinisti i fundit?

Gjatë 40-vjetëve të udhëheqjes së Enver Hoxhës, Shqipëria u shqua si cepi më i errët i botës komuniste në botë. Modeli i tij ishte Stalini, por në fakt Hoxha qeverisi 2.8 milionë banorët e tij si një bej mizor otoman. Një njeri i quajtur Kristo Belos refuzoi të ngrinte një dolli për shëndetin e tij dhe tani po vuan dënimin me 20 burg. Ai është vetëm një nga rreth 40.000 të burgosur politikë, një e treta e të cilëve raportohet se janë të etnisë greke. Me mbështetjen e Titos, Hoxha erdhi në pushtet me votë ''unanime'' pas zgjedhjeve të 1945, duke premtuar vendin e parë vërtet socialist në botë. Por asnjë lloj partie nuk rezultoi ‘e pastër’ sa duhet për të, pasi ai fillimisht u prish me Jugosllavinë, pastaj me Rusinë post-staliniste dhe më në fund edhe me Kinën post-Maoiste. Ai mbylli hermetikisht kufijtë e Shqipërisë ndërsa nga brenda fortesës spastronte vazhdimisht qeverinë e tij me fshesa të njëpasnjëshme. Asnjë nuk ishte i sigurt. Në 1982, Mehmet Shehu, kryeministri i vendit prej 28 vitesh, “kreu vetëvrasje” dhe më pas u denoncua nga Hoxha si agjent i K.G.B, C.I.A. dhe i policisë sekrete jugosllave. Feja islame u shpall ilegale dhe sistematikisht sulmohej. Në gënjeshtrat e tij që mohonin gjithçka, Hoxha i mbeti besnik vetëm origjinës së ideologjisë së tij Staliniste. Por megjithëse fjalët e teorisë së tij flisnin për liri, shpirti i tij thoshte ndryshe. Ashtu si dhe mësuesi i tij sovjetik, edhe Hoxha e ndërtoi monumentin e tij para se të vdiste, një ‘gulag’ me masën e vendi të tërë.

Rrëfimet e 2 të burgosurve të liruar

26 mars 1991

Pas 46 vitesh qeverisjeje radiakle komuniste, Shqipëria po kërkon të trajtojë çështjen e ish-të burgosurve politikë, edhe pse në dukje vazhdon të burgosë njerëz për shkelje politike.

Dy njerëz nga 127 të burgosur politikë të liruar më 17 mars thanë se njihnin personalisht të paktën 91 të burgosur që ende mbahen prapa hekurave ku dhe ata kishin kaluar nëntë vitet e fundit. Dy vëllezërit Skënder e Bashkim Shehu, diskutuan burgosjen e tyre në një intervistë, ndërsa rreth 20 njerëz u arrestuan sot në portin e fortifikuar rëndë në Durrës. Arrestimet erdhën pasi rreth 1,000 shqiptarë hynë me forcë në zonat e brendshme të portit pas përhapjes së zhurmave se një anije amerikane kishte ardhur aty me furnizime ushqimore dhe që do të merrte me vete refugjatë. Por një mjet i tillë nuk ekzistonte. 20 njerëz u arrestuan dhe 2 u plagosën lehtë, ndërsa policët në detyrë qëlluan në ajër, por kur kjo nuk arriti të ndalonte vërshimin e njerëzve ata përdorën shkopat e gomës. Një dëshmitar tha se të paktën një shqiptar u vra dhe rreth 30 u plagosën.

Qeveria nuk ka raportuar për vdekje.

Në fillim të muajit rreth 20,000 u larguan nga Durrësi me anije drejt porteve të Italisë.

Ministri i jashtëm Muhamet Kapllani tha në një konferencë shtypi se nuk është nevoja për t’u arratisur kështu, pasi të gjitha shqiptarët janë të lirë të udhëtojnë me pasaportë pasi të marrin vizën. Vëllezërit Shehu, dy nga të burgosurit më të njohur që do të lirohen këto ditë, e përshkruajnë në një intervistë burgosjen e tyre pas vdekjes së të atit ish-kryeministrit të vendit Mehmet Shehu, i cili u vra ose kreu vetëvrasje në moshën 69 vjeçare në 17 dhjetor 1981.

Bashkim Shehu, i cili u arrestua pak pas ngjarjes bashkë me nën dhe dy vëllezërit e tij, thotë se nuk është e qartë sesi vdiq babai i tyre. "Të dyja versionet janë të mundshme. Opinioni i përgjithshëm është se ai është vrarë", thotë ai. Vëllezërit thonë se ka ende të burgosur politikë në Burrel, në Shqipërinë qendrore, ashti si deh në burgjet e Sarandës, Kosovës e Gjirokastrës. "Në Tiranë ka ndoshta pesë të burgosur politikë aktualisht", tha Skender Shehu, ish-inxhinier kimik 41 vjeçar. Ai shton se statusi i tyre është ende i pasigurtë si ish-të burgosur politikë. “Problemi ynë është i njëjtë me të tjerët. Ne jemi të papunë e pa shtëpi. Jetojmë në shtëpitë e të njohurve, të cilët ja japin rroba dhe para”, thotë Bashkim Shehu, 36 vjeç, ish-student letërsie. Skënder Shehu thotë se e gjithë familja e tij u bë viktimë e shtypjes së Enver Hoxhës. Babai i tyre Mehmet Shehu, ka qenë njeriu i dytë i pushtetit gjatë gjithë sundimit të Hoxhës, i cili më voën e akuzoi si spiun të C.I.A. dhe të Jugosllavisë. Vëllai i tretë Shehu, Vladimir, i arsimuar si inxhinier elektronik, kreu vetëvrasje në burg në maj 1982, në moshën 36 vjeç. Nëna e tyre, Fiqiret Shehu, vdiq nga një atak kardiak në burg në të njëjtëin vit në moshën 69 vjeçare. Ai tha se ishte arrestuar me pretekstin se e fejuara e tij u denoncua nga Hoxha si anëtare e një "familjeje reaksionare".

Megjithëse ata nuk u rrahën apo torturuan si të burgosurit e tjerë, vëllezërit Shehu thonë se janë jetuar në të njëjtat kushte të mjerueshme të burgjeve të ministrisë së brendshme. Ata flisnin për të burgosur të tjerë politikë, duke përfshirë dhe priftërinj, që kishin kaluar 30 prapa hekurave.

"Fantazma e Enver Hoxhës është ende rrotull", tha Bashim Shehu.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:12

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi.

Postuar: 22/10/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist.

Postuar: 20/10/2019 - 07:37

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arra

Postuar: 18/10/2019 - 07:09

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtar