Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportimet pranë CIA, ja detajet e luftës partizane ndaj italianëve, nga beteja e Pezës dhe Patosit, te ajo e Leskovikut dhe Vlorës

Postuar: 24/10/2019 - 07:08

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon detaje nga disa beteja të partizanëve me italianët në zona të ndryshme të vendit.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

Cilat janë luftimet kryesore mes Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe forcave gjermane?

Përgjigja ime rreth kësaj pyetjeje do të jetë e kufizuar. Që nga koha e luftimeve deri tani kanë kaluar 15 vjet. Veç kësaj njeriu mban mend ato luftime ku ka marrë pjesë vetë dhe jo atë që ka dëgjuar vite më parë. Unë do të shënoj ato që munden, por për njoftime më të plota mund të shihet kalendari ushtarak i “Luftëtarit”, botim i vjetër i ushtrisë popullore shqiptare. Përpjekjet mes forcave shqiptare kanëtre periudha; luftimet kundër forcave italiane vjeshtë 1942 deri në shtator 1943, luftime të trupave partizane kundër gjermanëve shtator 1943- nëntor 1944, dhe luftimet partizane në tokën jugosllave nëntor 1944-maj 1945.

Periudha e parë përfshin kohën prej vjeshtës 1942 deri në fund të shtatorit 1942 me kapitullimin e Italisë. Duhet të pranoj se përpjekje mes partizanëve e italianëve janë shënuar edhe përpara vjeshtës 1942, por kanë qenë të parëndësishme, si sulme ndaj ndonjë poste të izoluar xhandarmërie ose prita ndaj një automobili.

Operacioni italian kundër Pezës

Është kryer në shtator-tetor të vitit 1942 me qëllim spastrimin e zonës nga trupat partizane, të cilat vinin në rrezik linjat e transportit rrugor në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Lushnje. Efektivë të rregullt partizanë ishin rreth 200, ndërsa forca vullnetare fshatare që u bashkuan me partizanët ishin rreth 300. Terreni ishte jashtëzakonisht i vështirë për luftë të rregullt frontale sepse kishte kodra që pasonin e mbronin njëra-tjetrën. Në operacion italianët nuk kishin shumë njohuri në përdorimin e trupave të vogla të lëvizshme tip komando, dhe trembeshin të hynin në zonat e mbajtura nga partizanët, ndryshe nga gjermanët që nuk trembeshin. Italianët erdhën me një ushtri të tërë prej 30 000 vetë me armë të rënda (artileri, tanke, aviacion) sikur do të sulmonin Stalingradin. Ata sulmuan nga shumë drejtime në formë rrethi, pas bombardimit pa objektiv nga artileria. Duke ndjekur planin e tyre, partizanët refuzuan luftën frontale dhe i shpërndanë forcat. Të përkrahur nga terreni e natyra, zhvilluan një përpjekje të lëvizshme. Kur u duk se Peza u mbush me italianë, partizanët u shpërndanë në grup prej 5 vetësh dhe u fshehën në kënetat e kallamishtet, duke çarë pjesërisht rrethimin e duke kaluar në zona të tjera. Italianët shkelën të gjitha katundet e Pezës, por nuk u shkaktuan dëme të mëdha forcave partizane. Sapo italianët mbyllën operacionin dhe u tërhoqën, partizanët u kthyen përsëri.

Luftimet në Gjormë e Vajzë të Vlorës

Pas një sulmi partizan ndaj një autokolone italiane në një pritë, autoritetet e okupatorit në formë reprezaljeje dërguan në nëntor ose dhjetor 1942 një forcë prej 5000 ushtarësh. Rreth 100 efektivëve partizanë u erdhën në ndihmë rreth 100 forca vullnetare fshatare. Terreni ishte shumë i përshtatshëm për luftën partizane me gryka e pjerrësira të thepisura. Partizanët sulmuan pararojën italiane në një kanion të ngushtë, shumë përpara pritës ku qe bërë aksioni 2 ditë më parë. Italianët të zënë në befasi e humbën toruan dhe duke kujtuar se kishin të bënin me forca të mëdha nisën të tërhiqen pa rregull dhe u shpartalluan. U zunë më shumë se 150 robër italianë, të cilët u liruan të gjithë, ndërsa u vra një kolonel italian, emri i të cilit nuk më kujtohet. Partizanët patën vetëm disa të plagosur. Të gjithë robërit u liruan. Prej asaj kohe Voskopoja u bë qendra e aktivitetit partizan në qarkun e Korçës. Materialet e depove u mbajtën pjesërisht nga partizanët dhe pjesërisht ua shpërndanë fshatarëve.

Luftimi i Snosmit (qarku i Elbasanit)

Ashtu siç ishte Voskopoja bastion i garnizonit italian në Korçë, ishte dhe Snosmi në Elbasan, një garnizon me 300 italianë me depo rezervash dhe armatimesh. Kampi u sulmua nga rreth 200 forca partizane të ndihmuar nga rreth 1000 fshatarë vullnetarë, të joshur nga plaçkitja e depove të ushqimit. Forcave italiane të rrethuara në Snosm u erdhën në ndihmë rreth 3000 trupa të tjera me anë të së cilave mundën të çajnë rrethimin. Rreth 30 italianë u kapën rob, të cilët më pas u liruan. Materialet dhe ushqimet ishin shumë më të pakta se në Voskopojë. Humbjet në njerëz të partizanëve ishin të parëndësishme. Koha e zhvillimit ishte janar 1943.

Operacioni partizan për marrjen e Përmetit dhe Kuqarit

Të inkurajuar nga këto suksese të vogla, trupat partizane vendosën të japin një goditje të madhe, atë për çlirimin e Përmetit dhe Kuqarit, që ishin qendra të rëndësishme ushtarake italiane në Shqipërinë e Jugut. Garnizonet e tyre ishin shumë më të mëdha se ato të Voskopojës e Snosmit (rreth 10 herë më të fuqishme). Depot e tyre ishin shumë të rëndësishme dhe të pasura, prandaj dhe italianët kishin bërë fortifikime moderne me beton-arme, bunkerë, llogore etj. Efektivat e rregullta partizane që morën pjesë ishin 500, por ndoshta 1500 vetë apo më shumë ishin fshatarë vullnetarë. Për të penguar ardhjen e ndihmave për garnizonet italiane, forcat partizane krijuan një front të gjerë, duke vendosur prita në Barmash për ndalimin e ardhjes së ndihmave nga Korça, një pritë në Tre Urat për ndalimin e ndihmës nga Greqia, dhe në Mezhgoran për ndalimin e ndihmave nga Vlora; pra u izolua i tërë qarku i Gjirokastrës. Ata goditën fillimisht në Përmet si formë diversioni, me qëllim që trupat e garnizonit të Kuqarit të dilnin nga fortifikatat e tyre për t’i ardhur në ndihmë Përmetit. Pastaj kur trupat ndihmëse nga Kuqari të viheshin në lëvizje, do të sulmoheshin nga partizanët. Mirëpo Kuqari nuk nisi të lëvizë në ndihmë të Përmetit prandaj u sulmua në vend. Luftimet zgjatën dy ditë me sulme të përsëritura nga partizanët, por pa rezultat. Italianët ishin të mbrojtur mirë para fortifikimeve (italianët mbroheshin mirë kur ishin në pozicion, por sulmonin keq kur ishin në ofensivë). Atyre u erdhën forca ndihmëse nga Vlora, të cilat megjithëse me humbje, e kishin çarë pritën e Mezhgoranit për t’i ardhur në ndihmë Kuqarit e Përmetit. Por partizanët nuk bënë asgjë pasi nuk mundën të hynin në asnjë nga garnizonet. Ishte një aksioni madh për ta, por dështoi kryekëput. Koha e operacionit ishte mars 1943.

Luftimi i Leskovikut (qarku i Korçës)

Për të shpëtuar prestigjin e humbur në Kuqar e Përmet, forcat partizane sulmuan një garnizon italian prej maksimumi 500 vetash, i mbyllur gjithashtu në fortifikatë prej betoni. Italianët i rezistuan sulmit, por dolën më pas nga qyteti duke e konsideruar si bazë të pambajtshme. Ata u sulmuan gjatë tërheqjes dhe lanë prapa një pjesë të materialit dhe municioneve. U kapën 30 robër, u vranë disa të tjerë dhe një major. Kësaj here robërit italianë u pushkatuan në formë hakmarrjeje pasi trupat e tyre i kishin vënë zjarrin Leskovikut para se të largoheshin. Ushqimet e kapura u shpërndanë si zakonisht me vullnetarët fshatarë. Kjo ishte një taktikë që përdorej rregullisht nga partizanët me qëllim që t’u vinin në ndihmë sa më shumë vullnetarë kur kishin nevojë për aksione. Koha e aksionit të Leskovikut ishte prill ose maj 1943, nuk e mbaj mend mirë.

Sulmi partizan kundër Patosit (pranverë 1943, muaji nuk më kujtohet)

Ky nuk ishte një sulm në formë rrethimi, por ishte i befasishëm. Morën pjesë rreth 200 forca partizane. Nuk jam i sigurt sesa ishin italianët. Sulmi zgjati vetëm një natë. Italianëve iu la qëllimisht një rrugë për të shpëtuar që të mos rezistonin në fortifikatën e betonit. Italianët bien në këtë grackë dhe tërhiqen shpejt. Si rezultat u shkatërruan puset e naftës të asaj zone dhe u dogjën depot e vajgurit që kishin italianët. Autoritetet italiane e kuptuan gabimin e tërheqjes dhe u rikthyen me forca të mëdha e me aviacion, duke kujtuar se partizanët ishin të shumtë në numër. Kur u kthyen pas disa orësh, partizanët ishin tërhequr dhe depot digjeshin, ndërsa puset e naftës ishin rrëzuar me eksploziv.

Operacioni italian kundër Vithkuqit, gusht 1943

Në verën e vitit 1943, Vithkuqi në qarkun e Korçës ishte kthyer në një qendër të rëndësishme partizane, teksa aty ndodhej shtabi i përgjithshëm, misioni ndërlidhës britanik dhe do të krijohej Brigada e Parë partizane. Italianët vendosën t’i japin një goditje duke sjellë një ushtri të tërë me rreth 30 000 vetë, njësoj si një vit më parë në Pezë. Vithkuqi është vetëm 15 km larg Korçës. Para avancimit të këmbësorisë italiane u krye një bombardim i rëndë me artileri ku thuajse nuk mbeti në këmbë asnjë shtëpi e Vithkuqit. Të gjitha trupat partizane u tërhoqën pa rezistencë drejt Shtyllës dhe në malet e katundit. Këmbësoria italiane e shoqëruar nga aviacioni hynë pa luftime në Vithkuq dhe vijojnë deri në Shtyllë, ku u goditën nëpër prita. Italianët dogjën Shtyllën siç kishin shkatërruar Vithkuqin dhe më pas u tërhoqën. Partizanët u rikthyen aty pa humbje të mëdha, si në njerëz dhe në materiale, ashtu si dhe italianët. Dëmet ishin bërë në katundet e shkatërruara si Leshnje, Vithkuq, Shtyllë e Bellovodë.

Operacioni italian kundër Voskopojës (nuk e mbaj mend pak para apo prapa operacionit të Vithkuqit)

U krye në verën e 1943, kur italianët e bombarduan rëndë katundin dhe hynë më pas me këmbësori kur partizanët ishin larguar. Këtu morën pjesë rreth 15 000 forca italiane dhe kishte humbje nga të dyja palët. Voskopoja u shkatërrua e tëra.

Luftimet në krahinën e Maliqit

U zhvilluan në shtatorin 1943. Efektivat e rregullta partizane ishin rreth 1000 ndërsa në ndihmë erdhën dhe rreth 3000 vullnetarë. Forcat italiane ishin 30 000, ndoshta dhe më tepër. Ishte koha e kapitullimit të Italisë dhe të gjitha trupat e Korçës ishin grumbulluar në një autokolonë të vetme me drejtim nga Korça në Pogradec, për të kaluar më pas në Elbasan dhe të dorëzohen te gjermanët (Elbasani ishte më i sigurt se qyteti i Korçës). Ato u sulmuan dhe u rrethuan në rrugën automobilistike nga Maliqi në Zboqëri. Qëllimi i partizanëve ishte të merrnin armatimin e ushqimin që kishin me vete italianët. Vendi i pritës ishte shumë i favorshëm, luftimet zgjatën 4-5 ditë. Italianët ishin të rrethuar në fushë ndërsa partizanët në majat që dominojnë fushën. Humbjet e italianëve ishin të mëdha sepse ishin në terren të hapur. Përparimi i tyre drejt Pogradecit ishte i pamundur pasi mësuan se dhe garnizoni i Pogradecit është rrethuar nga forca partizane prandaj vendosën të kthehen përsëri në Korçë e të presin aty gjermanët. Gjatë kthimit pësojnë humbje të tjera sepse u goditën vazhdimisht nga krahët dhe kishin humbur moralin, por partizanët sidoqoftë nuk arritën të merrnin armatimet që dëshironin dhe italianët nuk iu dorëzuan atyre megjithë premtimet se do i linin të lirë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit