Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raportimet te CIA, ja pse Partia Komuniste refuzoi të bëhej pjesë e Federatës Jugosllave, roli i Rusisë dhe fuqive të huaja në politikën shqiptare

Postuar: 10/11/2019 - 07:37

(Vijon nga numri i kaluar)

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Sot tregohet rrëfimi i tij për masat e regjimit komunist ndaj fesë. Aty jepen detaje se përse kleri katolik ishte në qendër të ciklonit.

 

 

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

 

-A është e mundur që Shqipëria në situatën e sotme të mbajë një pozitë të ndërmjetme mes dy blloqeve, pra të jetë krejt e pavarur si shtet?

 

Dihet se Shqipëria që kur u krijua si shtet i pavarur në kufijtë e sotëm, nuk ka qenë kurrë i pavarur nga fuqitë e huaja. Historia e saj ndahet në tre periudha. Periudha e parë, ajo e republikës zgjati shumë pak, ishte më tepër një periudhë përgatitore që i hapi rrugë regjimit monarkist të Ahmet Zogut. Gjatë kësaj periudhe që merr fund me triumfin e Legalitetit, Shqipëria megjithëse teorikisht e pavarur është tërësisht e varur nga Italia, Anglia e Jugosllavia. Italia ka privilegjet më të mëdha. Në periudhën e monarkisë me mbretin Zog, gradualisht dhe sistematikisht Italia eliminoi Anglinë dhe Jugosllavinë duke realizuar dominimin ekonomik. Kjo është dhe periudha e forcimit të pozitave të Italisë në Shqipëri në dëm të fuqive të tjera të huaja. Në këtë kohë Shqipëria kthehet në një koloni italiane sado që formalisht është shtet i pavarur. Periudha e tretë është ajo e pushtimit ushtarak italian, rruga e të cilit ishte hapur më parë nga dominimi ekonomik i saj. Shqipëria u bë pjesë e perandorisë italiane me mbretin Viktor Emanuel III. Në periudhën e nisjes së regjimit komunist në Shqipëri dominon influenca absolute e Jugosllavisë së Titos dhe pas prishjes së Beogradit me bllokun sovjetik vjen lidhja e Shqipërisë me Kominform. Sikurse shihet, pra Shqipëria vazhdimisht ka qenë në varësi absolute të një shteti tjetër, fillimisht Italia, pastaj Jugosllavia e më në fund Rusia. Ky fakt nuk është një koincidencë, por në varësi në pozicionit të saj strategjik gjeografik si dhe nga ana ekonomike që nuk mund të mbahet si shtet plotësisht i pavarur. Interesat e huaja te ajo janë të mëdha dhe nuk ka rëndësi nëse vendo do apo s’do të bjerë në varësinë e huaj, Shqipëria duhet ta bëjë pasi mundësitë e saj ekonomike janë të pamjaftueshme, ashtu si dhe mundësitë e mbrojtjes ushtarake. Baza e dobët ekonomiko-politike mbi të cilën ajo mbështetet si shtet e detyron patjetër të kërkojë mbështetjen e një fuqie të huaj, përkrahje kjo që rrjedhimisht në vonë kthehet në varësi të plotë. Opinioni im është se në kushtet e sotme Shqipëria mund të jetojë si një shtet jo tërësisht i varur, por me vartësi të kufizuar. Natyrisht një gjë e tillë nuk varet nga ajo vetë pasi sot bota është e ndarë në dy blloqe. Deri tani Rusia ka ushtruar presion të fortë mbi satelitët e saj që ka bërë që jo vetëm Shqipëria e vogël, por dhe Çekosllovakia të jetë në vartësinë absolute të Moskës. I vetmi shtet që bëri përjashtim nga kjo në bllokun lindor ishte Jugosllavia. Beogradi i rezistoi me sukses një fushate të ashpër dhe presioni të tmerrshëm ekonomiko-politik, së cilës Shqipëria nuk do të mund t’i rezistonte kurrë. Për sa kohë që aty sondojnë komunistët, mundësia që Shqipëria t’i rezistojë presionit rus përjashtohet. Shqipëria nuk mund të kalojë as në Bllokun e Perëndimit, i cili ka marrëdhënie shumë të lira me shtetet e tjera. Konkluzioni im pra në situatën e sotme mes dy blloqeve ndërkombëtare, është se Shqipëria nuk mund të ndjekë shembullin e Jugosllavisë pasi nuk mund të përballojë me sukses presionin e jashtëm. Ajo është e destinuar t’i nënshtrohet presionit të Moskës sepse në sajë të këtij nënshtrimi varet ekzistenca e Partisë Komuniste në kufijtë e sotëm. Pushteti komunist trembet nga shumë gjëra prej Perëndimit siç është çështja e Vorio Epirit (të cilët e kanë pasur deri aktualisht nga Rusia) apo mbështetjen për qeverinë komuniste (Perëndimi nuk mund të pajtohej kurrë me një regjim si ai i Tiranës ku ligjin e bën vetëm një parti, e cila ka vendosur një diktaturë të egër ushtarako-policore) përkrahje e cila është garantuar deri tani nga Moska. Pra situata e brendshme e vendit, e lidhur me atë të jashtmen, e destinojnë Shqipërinë ashtu si dhe në të kaluarën të jetë kurdoherë e varur nga një fuqi e huaj. Kjo është e vërtetë jo vetëm me kufijtë e sotëm të Shqipërisë, por dhe me një Shqipëri të cunguar, domethënë pa Vorio Epirin. Qeveria e Tiranës nuk do të pranojë në asnjë mënyrë shkëputjen e Vorio Epirit pasi e di se kërthiza e Shqipërisë është Korça e Gjirokastra që janë mjaft të pasura ekonomikisht dhe me një popullsi që ka ndihmuar shumë në ardhjen në pushtet të komunistëve. Kjo zonë ka popullsi të dendur dhe janë krahinat më të përparuara.

Ndikimi rus

Opinioni im është se Rusia nuk do të përkrahë Greqinë në pretendimet e saj territoriale. Shqipëria i siguron asaj një bazë të rëndësishme në Adriatik dhe pa Korçën e Gjirokastrën Shqipëria nuk do të vlente asnjë dysh edhe për Rusinë. Tani që Rusia po bën çmos për të siguruar një dalje në Mesdhe, bregdeti shqiptar në Adriatik po merr një rëndësi më të madhe. Rusia mund të vendoste për një Shqipëri si pjesë e Jugosllavisë, por nuk do të toleronte një Shqipëri të cunguar. Sidoqoftë ky eventualitet mund të ndodhë vetëm në një të ardhme të largët.

Në lidhje me qëndrimin e vetë popullit, unë personalisht kam qëndruar në Jugosllavi dhe mendoj se as Jugosllavia nuk pranon në asnjë mënyrë shkëputjen e Vorio Epirit nga Shqipëria. Politika jugosllave synon aneksimin e Shqipërisë me anë të përfshirjes së saj në federatë. Oreksi jugosllav është i madh edhe sot. Unë mendoj se Jugosllavia nuk do të pranonte ndarjen e Shqipërisë më dysh. Pra sikurse thuhet, Shqipëria e pavarur si shtet është e mundur të ekzistojë, por vetëm me kushtin që të jetë në vartësinë qoftë të Rusisë ose të Jugosllavisë. Ndërsa shkëputja e Vorio Epirit do të sillte menjëherë kalimin e veriut të Shqipërisë te Federata Jugosllave si republikë. Qeveria komuniste nuk do të pranonte asnjë nga këto opsione. Ata kërkojnë që Shqipëria të jetë një shtet komunist i pavarur nga Rusia, por besnik dhe aleat i ngushtë i Moskës, me marrëdhënie të barabarta me Jugosllavinë. Prandaj Tirana, sado që kundër vullnetit të saj, do t’i bindej Moskës për të rinisur marrëdhëniet me Beogradin, sepse nuk mund të veprojë ndryshe.

 

-A ka pretendime shqiptare sa i përket tokave greke ose jugosllave?

Që të shpjegohem më mirë, pyetjes do t’i përgjigjem me periudha. Në periudhën 1945-1955 Shqipëria komuniste nuk ka pasur kurrë pretendime ndaj tokës greke. Disa pretendime janë bërë gjatë kohës së pushtimit italian (që nuk i përkasin kësaj periudhe) në lidhje me Çamërinë, por kurrë nuk ka pasur ide të qarta në Shqipëri për pretendime tokësore ndaj Greqisë. Çamëria ka qenë gjithmonë një fjalë abstrakte dhe jo diçka me kufij të caktuar. Për shembull herë herë ajo shtrihej deri në Janinë, herë të tjera shumë më afër kufirit shqiptar, herë përfshinte Prevezën.

Ndryshe është puna me Jugosllavinë. Në periudhën e parë (1945-1948) Partia Komuniste jo vetëm që nuk mund të pretendonte toka shqiptare në Jugosllavi (sepse të tilla ishin atëherë marrëdhëniet), por trupat partizane shqiptare shkuan në Kosovë për të shuar lëvizjen anti-jugosllave kosovare, që synonte bashkimin me Shqipërinë. Veç kësaj trupat shqiptare të Divizionit V hynë të parat në qytetet kosovare nga ku gjermanët ishin larguar dhe ua dorëzuan ato trupave të Titos, të cilat priteshin kudo në Kosovë me pushkë. Gjithashtu trupat e Divizionit V shqiptar kanë qenë ato që çarmatosën popullsinë kosovare në Jugosllavi, me flamurin shqiptar përpara. Në periudhën e viteve 1948-1949 marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave acarohen edhe më shumë, por Tirana ende nuk kishte përmendur pretendime për Kosovën ndoshta sepse mendonin se Tito do të humbiste pushtetin. Gjatë viteve 1950-1952, nën shembullin e Bullgarisë, e cila nisi pretendimet për krahinën Pirimit në Maqedoni, edhe Shqipëria nis të pretendojë krahinën e Kosovës në disa fjalime të mbajtura nga zyrtarë shtetërorë, madje nisën të përmendin dokumente ku flitet për masakra e terror të Titos mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Vdekja e Stalinit i dha fund kësaj propagande që do të thotë se orientimi ishte dhënë nga Moska. Tirana i dha fund jo vetëm fushatës së pretendimeve, por dhe propagandës në shtyp kundër Jugosllavisë. Pra të gjitha shenjat tregonin se kishte një ndryshim në politikën e Moskës për afrimin e Jugosllavisë në bllokun socialist.

 

-A ekziston në Shqipëri një rrymë pro bashkimit me Jugosllavinë si republikë e federuar?

Në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë një rrymë e tillë politike. Ka pasur vetëm disa anëtarë të Komitetit Qendror me pikëpamje të tilla si Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Pëllumb Dishnica, Kristo Themelko e ndonjë tjetër (biografitë e të cilëve i kam dhënë në pyetjet e mëparshme). As partia e as masa e opinionit publik nuk kanë dashur futjen e Shqipërisë në federatën jugosllave. Madje nga fundi i vitit 1946 Komiteti Qendror i Partisë Jugosllave i propozoi partisë shqiptare të lejonte hyrjen e disa divizioneve jugosllave në tokën shqiptare me pretekstin e “rrezikut monarko-fashist grek”. Komiteti Qendror shqiptar u mblodh disa herë dhe shumica ishin kundër hyrjes së divizioneve jugosllave pasi kjo do të thoshte automatikisht shndërrim të Shqipërisë në një republikë të Jugosllavisë. Megjithëse në Shqipëri nuk ekzistonte një rrymë për futjen e vendit në federatën e Jugosllavisë, një projekt i tillë ka ekzistuar në Jugosllavi. Kur qëndroja atje jam takuar me njerëz të partisë, që e konsideronin bashkimin me Shqipërinë si event të pashmangshëm dhe shumë të afërt, si ngjarje kishte mbetur e parealizuar vetëm prej raporteve politike në fushën ndërkombëtare dhe jo nga raportet mes dy vendeve. Jam takuar dhe me personalitete të propagandës jugosllave që në mënyrë më të fshehur shprehnin të njëjtën tendencë dhe refuzonin çdo cungim të mundshëm të Shqipërisë në favor të Greqisë. Duke folur me ambasadorin aktual jugosllav në Uashington, ose me ish-ministrin e Jashtëm Koshin, drejtorin e gazetës Borba, kreun e rinisë jugosllave Rato Dugoniç, kam parë se ata preferonin më mirë që Shqipëria të ishte shtet borgjez sesa një gjysmë Shqipëri në Jugosllavi e gjysma tjetër në Greqi. Mendimi i tyre ishte se dalja e Greqisë në Adriatik dëmtonte shumë interesat e Jugosllavisë, duke shtuar një armik tjetër përveç Italisë. Pas prishjes me Titon Komiteti Qendror shqiptar ka bërë një deklaratë, ndoshta demagogjie, sipas të cilës Mosha Pijade ka biseduar në OKB me përfaqësuesin grek për copëtimin e Shqipërisë, por sa e vërtetë është kjo nuk e di. Nëse ky fakt është i vërtetë do të ishte në kundërshtim me sa kam biseduar unë në Jugosllavi, por nuk mund të di prapaskenën e politikës jugosllave. Këtë mund ta dijë më mirë Greqia. Unë jap opinionin tim të nxjerrë nga ato që kam parë e dëgjuar me veshët e mi. Nuk di ç’të them më tepër në lidhje me këtë pyetje.

 

-Në cilat qytete të Shqipërisë ka radio-stacione? Kush i drejton ato, përshkruaj eksponentët.

Në Shqipëri ka vetëm një radio-stacion në kuptimin e plotë të fjalës, të tjerët janë të parëndësishëm dhe quhen radiostacione lokale. Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur disa herë më parë në hetime dhe sot mund të mos mbaj mend aq gjatë. I vetmi radiostacion i rëndësishëm në Shqipëri është Radio-Tirana, që ka emisione dhe programe në shkallë kombëtare dhe në gjuhë të huaja. Vetëm ky ka programe dhe propagandë për botën e jashtme dhe dëgjohet në të gjithë Shqipërinë. Enti është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe Arsimit. Drejtor është Petro Kita, lindur në Gjirokastër, rreth 40 vjeç. Ka qenë anëtar i qarkorit të Elbasanit kur partia ishte në ilegalitet, person me kulturë të kufizuar, nuk ka kryer as gjimnazin. E vetmja meritë është se është shumë punëtor. Ai nuk drejton, por vetëm kontrollon, në një kontroll prej xhandari. Merret me presjet, sado që nuk e di as vetë se ku vihen dhe sidomos kujdeset që në emisionet të mos thuhet asgjë e re, qoftë edhe brenda vijës së partisë, i heq i vë vetë duke thënë: “Pse ta themi ne të parët? Le ta thotë Zëri i Popullit ose ndonjë organ tjetër i partisë”. Frikësohet se mos shkelin vijën e partisë, se mos bëjë gabime. E përsëris ky drejtor është një kalë barre që punon sa pëlcet, merret me gjëra të vogla, prish çdo frazë që nuk e ka dëgjuar vetë më parë, por as është i zoti të drejtojë e as drejton. Vetëshkruan shumë rrallë dhe shkrimet e tij janë të këqija. Zaten edhe shkrimet e tij nuk janë nga ai vetë, por fraza të vjedhura andej-këtej nga gazetarët e tjerë, të cilat përsërisin idetë e të tjerëve me një stil të rëndë halldup, akoma më të keq. Pas drejtorit vjen nëndrejtori Alqi Kristo, lindur në Përmet, duhet të jetë 37 vjeç. Është me kulturë, por është autodidakt. Flet anglishten, frëngjishten e italishten. Është organizator i mirë, por gazetar i keq. Njeri që merret shumë me vogëlsira. Shkruan rrallë, me cilësi të mesme. Merret më shumë me kulturë sesa politikë. Si nëndrejtor ka në varësi personelin, administratën dhe anën teknike. Anëtar partie prej vitit 1941. Është marrë që në fillim me punë të agjitacionit, si në drejtorinë e shtypit në Ministrinë e Jashtme dhe në Komitetin Qendror për propagandën. Ka konsiderata të mira nga partia sepse është punëtor, nuk vjen nga familje e pasur dhe anëtar i vjetër partie. Si nëndrejtor ka në përgjegjësi gjithashtu zyrën ndërkombëtare të Radio-Tiranës, zyrën teknike, zyrën administrative. Redaksia e Radio-Tiranës përbëhet nga seksionet i brendshëm, i jashtëm, i kulturës, i programacionit. Seksioni i brendshëm drejtohet nga Dhori Nini dhe ndihmës Masar Bekteshi. Drejtori përgatit të gjitha emisionet, përveç atyre muzikale e kulturore. Dhori Nini është një intrigant e ambicioz. Me servilizmin ndaj më të mëdhenjve dhe arrogancën ndaj vartësve ka fituar mbështetjen e Vandush Vinçani, drejtori i agjitacion-propagandës në Komitetin Qendror. Nini është organizator i mirë, por gazetar i keq. Urrehet nga të gjitha vartësit e tij për sjelljen arrogante me ta. Është fanatik i verbër komunist vetëm për të përfituar personalisht, për rritje në karrierë është gati të shesë nënën e babën. Ka mundësi të jetë element i Sigurimit brenda drejtorisë së Radio-Tiranës. Shihet me sy të mirë nga partia. Ka ecur shpejt në karrierë sidomos nga viti 1950 e këtej. Më parë ka qenë gazetar i Zërit të Popullit për Korçën, por Fadil Paçrami që ishte kryeredaktor nuk e shihte më sy të mirë sepse nuk bënte asnjë kritikë për sektorët e punës në Korçë. Hysen Pojani është korrespondent special, një Dhori Nini në miniaturë, por shkruan më mirë se Dhori. Por shumica e shkrimeve të tij janë të vjedhura nga shtypi sovjetik, sepse merr fraza të tëra nga përkthimet e Pravdës. Po të mos ketë pasur më parë dhjetë komente të shtypit sovjetik mbi një problem, ai nuk e merr guximin të shkruajë për asgjë. Nga shkrimet sovjetike vjedh frazat teorike ose parimore që përshtaten me situatën në Shqipëri dhe i kthen në artikuj. Të njëjtën gjë bën dhe kur është puna te problemet ndërkombëtare, madje në këtë rast vetëm sa i shkurton artikujt sovjetikë dhe i nxjerr si të tijat.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2019 - 07:05

Ndërkombëtarët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon zhvillimeve gjatë regjimit komunist.

Postuar: 08/12/2019 - 07:45

Mediat ndërkombëtare kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist në Shqipëri

Postuar: 07/12/2019 - 07:26

Ndërkombëtarët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë Shqipërisë komuniste.

Postuar: 06/12/2019 - 07:06

Ndërkombëtarët zbardhin detaje nga zhvillimet e zgjedhjeve në Shqipëri më 1945.

Postuar: 03/12/2019 - 07:08

Ndërkombëtarët e kanë paralajmëruar se në Shqipëri po lindte një diktator i frikshëm.

Postuar: 01/12/2019 - 07:36

Amerikanët kanë dhënë detaje për marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik.