BREAKING NEWS

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të pasurive korruptive nis menjëherë ndjekja penale, 223 politikanë në lupën e SPAK

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të
x
BREAKING NEWS

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e Berishës është e humbur, akuzon ithtarët e ish-kryeministrit se u pasuruan kur ishin në pushtet

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e
x
BREAKING NEWS

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me reagimin e rëndësishëm: Të nisin negociatat pa vonesa!

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me
x

Dossier

Rusët dhe ndryshimi i historisë për Ali Pashë Tepelenën

Rusët dhe ndryshimi i historisë për Ali Pashë Tepelenën

(Vijon nga numri i kaluar)

Historiani rus G. Arsh i referohet edhe ai revistës “Hylli i Dritës” dhe gabimisht vendos edhe ai disa herë vitin 1930. Revista “Hylli i Dritës” ka botuar një artikull me titull “Kronikë mbi Mahmud Pashën, Brahim Pashën e Mustaf Pashën”, në numrat 1 dhe 2 të vitit 1931, dhe jo të vitit 1930 ose 1932 siç jepet në referenca. Faqja 26 që përmendet shpesh, është e ndarë vertikalisht ku në anën e majtë është teksti italisht dhe në anën e djathtë ai shqip, të cilat nuk përbëjnë as dhjetë rreshta. Që të jemi korrektë me lexuesin, po e sjellim të gjithë tekstin e faqes 26 të “Hyllit të Dritës”:

“1801 – Brahim Pasha u çue e shkoj n’Elbasan, por, pa krye të thuesh kurrfarë punët, kthej në Shkodër.

1802-1803. – Këto vjet së kjene per kurrgja në shej veç se për dekë të Mehmet Pashës.

Në muej të Kallnorit, Brahim Pasha Vezir i Shkodrës kje ba prej Zotnis së Madh vezir-madh i Rumelis a se veqil-regj i të gjith Grekis, e i kjenë lëshue në dorë punët e Bullgarisë. I kje lshue në dorë edhe me i dlir këto shtete prej cubash, perzisash e kryengritësash. Por sa i mori Brahim Pasha këto urdhna, çoj me të shpejtë n’Edrene Sulejman Pashë Peqinin si veqil të vetin a kajmekam, e në Monastir Sylejman Begun e vogël. Vetë mandej mlodh nji ushtri si lypej, e me madhni të madhe e qetësi mrrini, në ver, lumnisht n’Edrene. Prej këtej ...”, dhe pastaj vazhdon faqja 27.

Siç e shihni, në origjinal, në faqen 26 të revistës nuk flitet fare për Ali Pashë Tepelenën. Po kështu lënë për të dëshiruar edhe përkthimet. Më sipër folëm për përkthimin gabim, sikur Ushakovi i është drejtuar Kadir – beut dhe Mahmud efendiut. Por nuk është vetëm ky rast që përkthimet janë bërë gabim. Konkretisht, po japim edhe disa shembuj:

Në librin “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, në faqen 86 shkruhet: “Megjithë që në vitin 1804 Rusia nënshkroi marrëveshje paqe me Aliun, ajo nuk hoqi dorë nga veprimtaria armiqësore kundër tij. Në vitin 1805 korpusi shqiptar u shndërrua në divizion shqiptar. Ai u zmadhua nga rusët me emigrantë dhe të arratisur të ndryshëm të mbledhur nga të gjitha anët e kontinentit”. Referenca jepet se është marrë nga libri i historianes ruse A. Stanisllavskaja, fq. 309 – 311.

Dhe në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës”, në faqen 337 shkruhet pothuajse e njëjta gjë: “Ndonëse qeveria ruse një vit më parë kishte nënshkruar paqe me Ali pashë Tepelenën, vazhdoi të veprojë nën rrogoz kundër Aliut. Në këtë vit korpusin shqiptar e ktheu në një divizion shqiptar, duke përfshirë rusë dhe emigrantë të arratisur nga zotërimet e Aliut”. Jepet e njëjta referencë si më sipër. Në këta dy paragrafë ka një ndryshim. Nëse në librin e parë thuhet “Ai u zmadhua nga rusët me shqiptarë ...”, në të dytin shkruhet “... e ktheu në një divizion shqiptar, duke përfshirë rusë dhe emigrantë ...”. Ky paragraf është marrë nga libri i historianit rus G. Arsh, nga faqja 235 e librit të tij.

Në librin e Agustina Stanisllavskës, nga pretendohet se është marrë paragrafi, në këto dy faqe flitet për krijimin e forcave të rregullta, që numëronin 700 vetë dhe të milicisë, që ishin forca vullnetare, 4000 vetë. Në faqen 309 thuhet se përveç këtyre forcave nga banorët e ishujve të Jonit, “autoritetet ruse filluan gjithashtu krijimin e korpusit të veçantë nga refugjatët grekë dhe shqiptarë të ikur nga kontinenti (suliotë, majnotë). ... për këtë qëllim u dërgua Pano Biçili, himarjot. Këtu u tërhoqën dhe komunitete të tjera shqiptare dhe greke, e në radhë të parë himarjotët. Në tetor 1805 ishte krijuar korpusi i himarjotëve”.

Pra, nuk flitet fare për divizion shqiptar, por edhe fjala “korpus” nuk ka kuptimin ushtarak të një korpusi me divizione e brigada, por thjesht tregon një “trupë ushtarake”, sepse vetëm një divizion ka mbi 10 mijë vetë.

Gabime në përkthime ka edhe në paragrafë të tjera. Kështu, në faqen 130 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, thuhet: “ .... Aliu duhej të bashkohej me korpusin e 15 000 vetave që do të formohej nga pashallarët shqiptarë. Me pretekste të ndryshme ai kishte zvarritur ....”. Për këtë paragraf jepet si referencë libri i G. Arsh, fq. 163. Por përkthimi është bërë gabim, sepse ai përkthehet “ ... Ali Pasha ishte urdhëruar që me korpusin prej 15 mijë vetash t’i bashkohej pashallarëve të tjerë, pjesëmarrës të ekspeditës”.

Edhe në faqen 312 të librit të mësipërm, shkruhet: “Mocenigo në letrën e datës 19 qershor 1804 i shkruante Çartorijskit se qëllimet e perandorit për të bashkuar banorët e Epirit kundër Aliut ishin realizuar me sukses, se veprimet luftarake do të fillonin pas tri ditësh”. Referenca: G. Arsh, fq. 217.

Vërtet në këtë faqe ndodhet paragrafi i sipërm, por me një ndryshim, sepse nuk përkthehet “veprimet luftarake do të fillonin pas tri ditësh”, por “veprimet luftarake kanë filluar që prej tri ditësh”.

Gjithashtu, në faqen 139 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës” ndër të tjera shkruhet se “I bindur se një nga faktorët e qëndresës së suljotëve ishte edhe ndihma e Rusisë, Aliu në vjeshtë të vitit 1793 kaloi në një shantazh ndaj qeverisë ruse, për të pranuar projektin e tij. Ai i tregoi Vukoviçit mbi marrëdhëniet jo të mira me pushtetin qendror, se ai po përgatitej të dilte në konflikt të hapur me të, prandaj kërkonte ndihmën e Rusisë, në të kundërtën, ai do të ndihmonte pushtetin qendror që të forcohej perandoria osmane”. Përsëri referenca është historiani rus G. Arsh, fq. 167.

Ky paragraf, që nuk ndodhet në faqen 167, por në faqen 164 të librit të historianit rus, ka një ndryshim, se Aliu i ka thënë që “do të jetë i detyruar t’i drejtohet për ndihmë perandorit austriak”, dhe jo se do forcojë pushtetin qendror të Perandorisë Osmane. Lidhur me këtë paragraf, të bën përshtypje një fakt: historiani rus shkruan “Sipas dokumenteve që kemi, është e pamundur të zbulosh se cili ishte reagimi i palës ruse për këtë propozim”. Pra ai as “hamendëson” dhe as thotë që “duhet të ketë qenë kështu, ose ka qenë ashtu” etj., që vihen re në disa libra për Aliun.

Në faqen 313 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, ka përsëri një gabim, të cilin nuk mund ta vlerësojmë nëse është gabim në përkthim, apo për të mos e nxjerrë Aliun në një pozitë inferiore. Aty shkruhet: “Aliu protestoi kundër veprimeve të emisarëve rusë. Kur nuk pati rezultat me protestat, ai ndoqi një rrugë tjetër, duke dërguar emisarin e vet në Korfuz dhe njoftoi se ishte gati të pushtonte Maqedoninë, t’i jepte garant dy djemtë, mjafton që Rusia të hiqte dorë nga veprimtaria anti-Ali. Qeveria ruse nuk e pranoi, por i shprehu gatishmërinë për të ndërmjetësuar për vendosjen e paqes me Lidhjen e bejlerëve, mjaftonte që ai të hiqte trupat nga Preveza, nga Vonica dhe nga Butrinti. Këtu si referencë jepet AVPR, dok. 5011, fq. 28 – 31, Mocenigo dërguar Çartorijskit, 11 qershor 1804.

Ky dokument, që në fakt është marrë nga faqja 216 e librit të historianit rus Arsh, dhe nuk është lexuar dokumenti origjinal, konkretisht thotë: “Ali Pasha ndërmori gjithashtu përpjekje të fitojë simpatinë e Rusisë. Ai, nëpërmjet agjentit të dërguar në Korfuz, një farë Siropullo, propozoi që për Rusinë të pushtojë Morenë dhe pjesën tjetër të Greqisë, duke mbajtur për vete me cilësinë e feudit Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedonisë. Si provë të sinqeritetit të premtimeve të tij, pashai binte dakord që të jepte si peng djemtë e tij”. Por Mocenigo nuk kishte ndërmend aspak të ndalonte makinën e vënë në lëvizje. (Pra që veprimet luftarake kishin filluar). Përveç kësaj, propozimet e Ali Pashës ishin të papranueshme edhe në thelb, duke qenë se diplomacia cariste në atë periudhë synonte të ruante tërësinë territoriale të perandorisë osmane”.

Pra, siç shihet, Ali Pasha donte të pushtonte Morenë dhe një pjesë të Greqisë që t’i mbante Rusia, ndërsa për vete të mbante Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedonisë.

Një nga problemet që meriton më shumë vëmendje kur lexon librin “Aliu midis historisë dhe legjendës” është edhe fakti, nëse Aliu ka qenë despot, tiran, i egër, apo është rënduar shumë me këto epitete. Ai që e ka lexuar librin, me siguri kujton se aty përmenden autorë të huaj dhe shqiptarë që kanë shkruar për Aliun. Përmendet Pukëvili, i cili quhet “armik personal” i Ali Pashës, Remerandi, Bessieri, Hjuxhi, Liku etj. Ndër autorët shqiptarë (fq. 15) përmenden emra të shquar si Vaso Pasha, që për të dy pashallarët, atë të Shkodrës dhe të Janinës thotë se “... ata ishin bërë tiranë, qeverisnin vendin me një despotizëm të tepruar dhe populli i braktisi në dënimin që u dha sulltani”; përmendet Sami Frashëri, ku thuhet se “Të jepet përshtypja se autori është mbështetur tek autorët francezë dhe shpreh mllefin e familjes për ndjekjet e tij, duke e paraqitur atë si njeri analfabet e pashkollë, por shumë të zotin dhe të zgjuar ... Ai paska qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër dhe gjakpirës, intrigant, se në sytë e tij kryheshin tortura të tmerrshme, sa bënte që të vritej vëllai me vëllanë ... se ai zhduku familjet e mëdha me influencë dhe të denja, një prej të cilave ishte e tija ...”; si dhe Syrja bej Vlora dhe Mehdi Frashëri që nuk kanë shkruar mirë për Ali Pashën.

I vetmi që është përpjekur ta përmirësojë imazhin e Ali Pashës ka qenë francezi Bessier, e për këtë shkruhet në faqen 173: “Tabloja e dytë jepet nga Bessieri në një promemorie, ku përpiqet të justifikojë katastrofën e Prevezës dhe egërsinë ndaj ushtarëve të krishterë që mbronin fortesën. Ai kërkon të zbusë imazhin negativ të Ali Pashës përpara Bonapartit dhe kërkon të shfajësojë Aliun nga balta që ishte hedhur nga një artikull ...”. Më pas, në faqen 174: “Sipas Bessierit, Ali Pasha nuk është pra i tillë, ashtu sikundër e përshkruajnë ata etj...”.

Lidhur me faktin nëse Ali pasha ka qenë barbar, i egër, tiran etj., mund të themi që në fillim se nuk ka asnjë autor që të shkruajë se ka qenë i mirë, përveç faktit se ka qenë trim dhe i zgjuar. Pastaj i kanë vendosur të gjitha epitetet më të këqija, intrigant, kusar, grabitqar, hipokrit, vrasës, i pabesë etj. Më poshtë do të japim disa shembuj, autorët e të cilëve nuk janë ndikuar nga autorët francezë, sepse këto kanë ndodhur para se të botoheshin librat e Pukëvilit, Remerandit, Bessierit etj., por edhe nuk besoj se ata i kanë lexuar.

Oficeri rus që shkoi, më 29 tetor të vitit 1798, në Prevezë për t’u takuar me Ali pashën, tregon: “Rreth orës njëmbëdhjetë u ankoruam në Prevezë. Kur iu afruam shtëpisë së zënë nga Ali – Pashai dhe që më parë i përkiste konsullit francez de-Lasal me bashkatdhetarët e tjerë të tij të vrarë këtu, na u shfaq një pamje tjetër akoma më e tmerrshme se e para: në të dy anët e shkallëve të mëdha të kësaj shtëpie, si gjylet para arsenaleve, ishin vendosur në formë piramidale koka njerëzish, që shërbenin si trofe e fitimtarit mizor të Prevezës fatzezë. Ai që nuk ka parë kokën e prerë njerëzore të lyer me gjak dhe me sy të hapur, ai nuk mund të gjykojë për tmerrin që na kapi ne te shtëpia e Ali Pashës”.

Më poshtë, oficeri rus vazhdon: “Ali Pashait i kishin treguar gjithçka që kishte ndodhur me mua te shkallët. Sapo u futa në dhomë, ai më tha: “Ti nuk hëngre mirë në drekë, e di përse, di gjithçka, por unë këtu jam krejt i pafajshëm. Prevezakët vetë ngjallën zemërimin tim, duke vepruar bashkë me francezët”. Këtu bëhet fjalë për vitin 1798, pra nuk ka asnjë ndikim nga librat e botuar, të cilët ende nuk ishin shkruar.

Një fakt tjetër. Në janar të vitit 1807, në brigjet pranë Vlorës u mbyt një anije luftarake ruse. Marinarët që shpëtuan dolën në breg dhe oficeri rus tregon peripecitë që kaluan, por përfundimisht i dërgua tek Ibrahim pasha në Berat, pasi kishin dalë në zotërimet e tij. Vetë oficeri shkruan: “... Pashai doli në qoshen e ndërtuar në verandë, nga ku na vështroi, urdhëroi të na kthenin ato që na ishin grabitur, na çoi në dhoma në shtëpi të krishtera dhe të na mbanin në mënyrën më të mirë, por me urdhër të rreptë që secili prej tyre përgjigjej me kokë për ikjen e mysafirit. ...Më në fund, pashai na njoftoi se Rusia i shpalli luftë Portës dhe se ne ishim robër lufte, prandaj ai nuk mund të na lëshonte. Ne në fillim nuk e besuam këtë lajm, por pashai i butë urdhëroi këshilltarin e tij (francez me rroba turke) të na përkthente fermanin e marrë nga sulltani. Atëherë, me hidhërim në shpirt na u mbush mendja për këtë lajm të hidhur për ne, dhe i dhamë pashait kamat tona, të cilat ai i mori me lot në sy. Më 10 shkurt u nda me ne miqësisht në oborrin e jashtëm të tij; lotët demaskuan shpirtin e tij të mirë dhe të mëshirshëm. Ai urdhëroi again rreptësisht, komandanti i karvanit, që të na mbrojë nga fyerjet dhe persekutimet dhe urdhëroi që për ne të merrnin kuaj deri në kufi të Shqipërisë, që u plotësua menjëherë. Por, sapo u futëm në kufijtë e tokave që atëherë ndodheshin nën sundimin e përbindëshit Ali Pashë Janina, armiku më i madh i të krishterëve, e veçanërisht rusëve, që nga ajo kohë filluan dhe vuajtjet tona, që vazhduan deri në Kostandinopojë. Pothuajse në të gjitha qytetet që ndodheshin nën sundimin e Ali Pashës, shumë xhami ishin rrethuar me pahije sa një shtat njeriu, të cilat përqark ishin mbuluar me koka njerëzish. Për fat të mirë, Ali Pasha atëherë ishte në luftë kundër serbëve, që u ngritën kundër sulltanit nën udhëheqjen e Karagjergjit; ndryshe, ndoshta edhe kokat tona do të qëndronin në këto pahije”. Ja pra që paska edhe pashallarë të mirë, si ai i Beratit.

(Vijon në numrin e radhës)