Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shqipëria, 68 vjet votime me presione, vjedhje, manipulime, dhunë, pranga e krime

Shqipëria, 68 vjet votime me presione, vjedhje, manipulime, dhunë, pranga e krime

Postuar: 24/05/2013 - 12:06

Historia e zgjedhjeve të manipuluara e nën terro fizik e psikologjik për shqiptarët nuk ka ndalur tek pluralizmi dhe demokracia e dhunuar prej diktaturës së Enver Hoxhës. Mjafton të ndjekësh kronologjinë e zgjedhjeve pluraliste post komuniste në Shqiëpri në këto 22 vjet dhe konstaton se ligjet zgjedhore, fushatat zgjedhore dhe votime janë zhvilluar pa asnjë standard, si në “xhungël”, me reprezalje politike e shtetërore, fizike e hakmarrëse ndaj votuesve dhe opozitës. Kjo ka ndodhur dhe në votimet e 2 Dhjetorit 1945, natyrisht jo aq ekstremist, por si praktikë e model sundimi. Në 22 vitet e pluralizmit shqiptar, duket se “diktatura” e pushtetit ka qenë prezent dhe aktive me veprime kundër zgjedhjeve të lira. Kundër të drejtës për votën e lirë, kundër barazisë zgjedhore pozitë-opozitë, kundër të drejtës për t’u zgjedhur e për të zgjedhur në mënyrë të lirë. Kundër të drejtës për të votuar pa frikë, pa presion, deri me kërcënime për t’u larguar nga vendet e punës, pa dhunë fizike, pa prangosej për bindje politike, pa reprezalje fushatash të opozitës e të grupeve shoqërore, pa vjedhje e manipulim votash e votimesh. Po kujtojmë atë që ndodhi me opozitën pas zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945.

Dy muaj pas votimeve, 23 deputetët e opozitës u çuan në pranga e plumb

Në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, opozita antikomuniste fitoi 23 deputetë. Por pas zgjedhjeve, me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë e Titos dhe me Bashkimin Sovjetik të Stalinit, si dhe pas përzënies nga Shqipëria, të misioneve diplomatike të SHBA e të Britanisë së Madhe, në kushtet e mungesës së një pranie perëndimore ndërkombëtare, përveç diplomacisë sllavo-komuniste, Enver Hoxha, nën petkun e “Pushtetit Popullor”, me fuqinë që i jepte “Diktatura e Proletariatit”, filloi ndëshkimin fizik të kundërshtarëve politikë, duke futur ashpër në veprim, skemën e ekzekutimit të tyre prej të ashtuquajturave “bandave të kuqe terroriste”.Skema e hakmarrjes së diktaturës, kishte masa represive, si pushkatime, zhdukje fizike, burgime, internime, sekuestrime, plaçkitje, të cilat u zbatuan kryesisht mbi banorët e fshatrave të komunës Himarë e Derjan, që votuan totalisht kundër regjimit komunist. Si këto e pësuan edhe zonat e tjera që u rebeluan kundër pushtetit komunist, si Postriba e Kopliku në Shkodër, Zhapokika në Tepelenë etj. Pushteti i ri komunist, duke parë efektin e këtyre zgjedhjeve në sy të popullit, përveç dhunës nuk kishte rrugë tjetër, për të mbajtur pushtetin dhe për të sunduar. Aq më tepër, kur përpara kishte një projekt “kolektivizimi të ekonomisë”, i cili nuk mund të kalonte lehtë. Por nga ana tjetër, megjithëse Enver Hoxha u ngjit në majë të pushtetit, ai nuk mund të godiste menjëherë krerët e opozitës, pa forcuar së pari, pozitat e tij komanduese në parti, në pushtet e në shtet. Ndaj, “qetësia” dhe “paqja” komuniste me opozitën e sidomos me deputetët antikomunistë që kishin fituar 23 vende në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, zgjati deri në muajin Shkurt të vitit 1947, moment kur pushteti komunist nisi ofensivën e hapur të sulmit politik e fizik ndaj tyre. Në këtë kohë, në pamundësi publike e ligjore për t’u hequr imunitetet, madje edhe pa ua hequr ato më parë, nisën arrestimet e deputetëve të opozitës, të cilët më pas i pushkatuan nëpërmjet procesit gjyqësor, të emërtuar “Grupi i deputetëve” dhe të ndërtuar me akuza false. Anëtarët e organizatës gjatë muajve janar-shkurt 1946 u arrestuan një nga një dhe, në qershor të atij viti, u dënuan si “tradhtarë, armiq të popullit e të partisë”. Si të tillë u dënuan Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Hivzi Gole, Shaban Balla, Ali Kavaja, Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, etj. Të njëjtin fat pësuan më përpara anëtarët e organizatës opozitare ilegale “Bashkimi shqiptar” në përpjekje për të formuar grupe opozitare jashtë Frontit me qendër në Shkodër. Tjetër taktikë përdori Organizata Nacionaldemokratike” apo grupi i deputetëve. Ata mbështetën vijën politike dhe programin e Frontit Demokratik. Të mbështetur edhe nga udhëheqja e PKSH-së, ata vunë kandidaturën si deputetë për Asamblenë Kushtetuese, me synimin që pas zgjedhjeve të krijonin një grup parlamentar opozitar. Personalitete të tilla politike që vunë kandidaturën dhe fituan si përfaqësues të Frontit Demokratik qenë: Shefqet Beja, Riza Dani, Kolë Kuqali, Kostandin Boshnjaku, Enver Sazani, Irfan Majuni, Sheh Ibrahim Karbunara, Selaudin Toto, Andrea Sahatçi, Kol Prela, Zef Haxhia etjAta u akuzuan si “tradhtarë të interesave të vendit e të popullit, si armiq të rrezikshëm”. Me këtë akt tragjik, i mbylli pushteti komunist llogaritë e tij të vështira, me zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, për të sunduar për 45 vjet me rradhë, duke përdorur në vazhdim, zgjedhje formale me fitore 99.99%.

 Votuesit “rebelë”, nën dhunën e ushtrisë dhe policisë sekrete
 
Ja raporti i zgjedhjeve të Dhjetorit 1945: “Zgjedhjet, zyrtarisht janë zhvilluar në bazë të Ligjës Nr. 24, të 28 Tetorit të vitit 1945. Paragrafi i parë i këtij ligji, thotë: “Përfaqësuesit e popullit për në Asamblenë Kushtetuese, do të zgjidhen me anë zgjedhjesh të lira, me votë universale, direkte dhe të fshehtë”. Realiteti është se zgjedhjet shqiptare janë zhvilluar në kundërshtim të plotë me këto dispozita ligjore. Më kanë referuar në Tiranë, se shumë ditë përpara zgjedhjeve, agjentë qeveritarë hapnin fjalë me kuptimin se, “Seksioni i Mbrojtjes së Popullit” (Organizata e fuqishme e policisë shqiptare e drejtuar prej ish-teneqexhiut Koçi Xoxe), ishte në gjendje të dinte, se kush ishte e kush nuk ishte me regjimin. Thuhej se, mosmarrja pjesë në votime mund të kuptohej. Ushtarët që nuk kishin votuar në kazerma, qenë shoqëruar për të votuar nga oficerët, të cilët rrinin afër vendit të votimit, për të kontrolluar nëse ushtarët votonin për Frontin, apo jo. Përfundimet nuk duallën ashtu si i pritën kryetarët e Frontit, veçanërisht në Tiranë. Ata parashihnin një votim plebishitar të zgjedhësve. Enver Hoxha, kishte vënë kandidaturën e tij në kryeqytet, bashkë me Presidenteshën e Këshillit Antifashist të Grave Shqiptare, mësuesen Ollga Plumbi. Zgjedhësit e shkruar ishin 26.093 veta, duke përfshirë edhe Brigadën e Tretë Partizane. Janë paraqitur në zgjedhje 17.564 veta, ndër të cilët, 15.413 vetë kanë votuar për Enver Hoxhën, kurse të tjerët kanë abstenuar. Por në Tiranë dhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, shumë zgjedhës i kanë prurë në zgjedhje me agjentë të qeverisë, të cilët kanë shkuar e i kanë marrë nëpër shtëpia, kur kanë parë se ishin të paktë ata që po u paraqiteshin. Me gjithë këtë, Enver Hoxha, që i ka shtuar flamurit kuq e zi shqiptar yllin e kuq, nuk i ka lënë shqiptarët të çfaqin lirisht mendimin e tyre dhe kështu, shumë njerëz nuk e kanë pëlqyer këtë dhe janë ftohur prej tij”.

PKSH, hakmarrje politike: “Balli” dhe “Legaliteti” nuk u lejuan zgjedhje

Në kuadrin e propagandës për vendosjen e një sistemi politik, pluralist, demokratik, në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar në tetor 1944 në Berat, u hartua dhe u shpall deklarata për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve ku midis të tjerave u theksua se lejohej formimi i partive politike, me përjashtim të Ballit e të Legalitetit që konsideroheshin si parti fashiste dhe profashiste. Duke shfrytëzuar këtë hapësirë demokratike, disa përfaqësues të njohur të Frontit Nacionalçlirimtar, filluan punën për formimin e organizatave opozitare, me qëllim që në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, krahas kandidatëve komunistë të kishte dhe kandidatë jo komunist, figura të njohura politike, me mbështetje të gjerë popullore në ato vendbanime ku punonin dhe jetonin. Por për formimin e organizatave apo partive opozitare, elementët opozitarë brenda Frontit nuk ishin në një mendje. Për këtë çështje u ravijëzuan dy qëndrime apo grupime të kundërta.

2.151 vota kundër Enver Hoxhës

Enver Hoxha ishte personazhi kryesor i Shqipërisë, që më pas do të bëhej kreu i vendit deri në fund të jetës së tij në 11 prill 1995, ardhur në krye të vendit fill pas luftës në vitin 1944 dhe “legjitimuar” si tillë pasi mundi të rrëmbente pushtetin me zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945. Nga 106 kandidatë për deputetë që konkurruan në ato zgjedhje, në emër të Frontit Demokratik Enver Hoxha, mori numrin më të madh të votave kundër, pas Ollga Plumbit. Nga 17.564 zgjedhës të zonës në Tiranë, 2.151 votuan kundër tij

Opozita anti-komuniste

Në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, opozita anti-komuniste fitoi 23 deputetë, ndaj të cilëve, paqja dhe qetësia komuniste zgjati deri në muajin Shkurt të vitit 1947, kohë kur nisën arrestimet e tyre pa u hequr edhe mandatet, duke i torturuar e pushkatuar si “tradhtarë të interesave të vendit e të popullit, si armiq të rrezikshëm”

Sejfulla Malëshova, ish-Ministër i Shtypit

Dr. Sejfulla Malëshova, ish-Ministër i Shtypit dhe Propagandës, i ka shkruar shtypit amerikan: “Në vija të përgjithshme, qeveria e Enver Hoxhës nuk është kundër daljes së një opozite antikomuniste, por për hir të së vërtetës ne mendojmë, se një opozitë nga ana e partive dhe grupeve politike, do të degjeneronte në një reaksion fashist, ose pro fashist”

Agjencia Telegrafike Amerikane

Agjencia Telegrafike Amerikane, ka njoftuar: Përfundimet e zgjedhjeve nuk duallën ashtu si i pritën kryetarët e Frontit, veçanërisht në Tiranë, ku komunistët parashihnin një votim plebishitar të zgjedhësve dhe ku Enver Hoxha kishte vënë kandidaturën e tij, bashkë me Presidenteshën e Këshillit Antifashist të Grave Shqiptare, mësuesen Ollga Plumbi.
Nga: Përparim Halili

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 111

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2018 - 07:10

CIA punoi për vite e vite me radhë për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, pro në fund dështoi.

Postuar: 21/10/2018 - 08:35

CIA në shumicën e rasteve ishte e përqendruar te konfliktet e brendshme në Partinë Komuniste.

Postuar: 20/10/2018 - 07:20

Shërbimi i Inteligjent Amerikan ka zbardhur prapaskenat e prishjes së bashkëpunimit mes Shqipëris

Postuar: 19/10/2018 - 07:16

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe situatës ekonomike në Shqipëri.

Postuar: 18/10/2018 - 08:07

Amerikanët kanë publikuar detaje nga zhvillimet në Shqipëri gjatë viteve 1951-1952.

Postuar: 17/10/2018 - 13:11

Ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi, na ka shuar një kuriozitet në lidhje m

Postuar: 17/10/2018 - 07:16

Për shërbimin sekret amerikan, Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist.