Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Si i krijonte armiqtë e klasave Sigurimi i Shtetit të Enver Hoxha

Si i krijonte armiqtë e klasave Sigurimi i Shtetit të Enver Hoxha

Postuar: 09/01/2013 - 10:49

Nga Skifter KËLLIÇI  Vijon... Më tutje, po në këtë kapitull të librit të tij “Jeta ime”, Ramiz Alia vazhdon: “Në luftën e Sigurimit ndaj kundërshtarëve të regjimit, ka ndodhur që ‘bashkë me të thatin të digjet dhe i njomi’. Viktima të represionit kanë qenë edhe njerëz të pafajshëm. Sipas mendimit tim, fakti që Sigurimi i Shtetit ishte organizëm ‘i mbyllur’ dhe i mbuluar nga sekreti, u ka dhënë drejtuesve të tij mundësinë që të abuzojnë me detyrën dhe të thyejnë ligjet e shtetit. (faqe 152).

Nuk dihet nëse Ramiz Alia këto opinione, plotësisht të vërteta rreth Sigurimit të Shtetit, që sollën pasoja aq tragjike për shqiptarët dhe vetë Shqipërinë, ka arritur t’i krijojë në ndërgjegjen e tij në vitin 2010, kur ka shkruar librin ‘Jeta ime’, ose të paktën pas vitit 1960, kur si shef i Propagandës dhe Kulturës në Komitetin Qendror u ndodh shumë pranë Enver Hoxhës sa, siç do të shohim më poshtë në këto kujtime, i ka rastisur të takohej me të edhe përditë në zyrën e tij.
Kam mendimin që ai i ka ditur që atëherë se ç’përfaqësonte Sigurimi i Shtetit, dhe ka heshtur. Pra, nuk ka pasur kurrë guximin qytetar që t’ia shprehte opinionet e tij Enver Hoxhës, ashtu siç shprehet në këtë libër. Arsyeja është shumë e thjeshtë: ai do ta kishte pësuar si armik i Partisë, siç do të shohim në pjesët e tjera të këtij artikulli, kur pas ngjarjeve të Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH, (1972), duhej të ishte cilësuar i tillë, sepse në këtë mënyrë do hidhte dyshime mbi sistemin komunist stalinist shqiptar, të bazuar në të ashtuquajturën diktaturë të proletariatit, garanci e së cilës ishte pikërisht ky Sigurim, që zbatonte me ashpërsi dhe fanatizëm udhëzimet e vetë Enver Hoxhës.
Dënimi i mësipërm ndaj Ramiz Alisë do të bëhej edhe më i rreptë, kur ai e cilëson Sigurimin si ‘organizëm të mbyllur’, ‘të mbuluar nga sekreti’, ose me fjalë të tjera ‘shtet brenda shtetit’, që u paska dhënë ‘disa drejtuesve të tij mundësinë që të abuzojnë me detyrën dhe të thyejnë ligjet e shtetit’.
Po të kishte qenë kështu, Enver Hoxhës do t’i ‘kishte kaluar miu nën mustaqe’, ose ai do të kishte qenë sylesh që vërtitej sipas qejfit të Sigurimit të Shtetit, pra drejtuesve të Ministrisë së Brendshme. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund t’i ndodhte diktatorit. Sepse ishte ai vetë, siç do të shohim më poshtë, që kur ia desh qejfi, jo vetëm shkarkoi, por edhe dënoi me pushkatim drejtues kryesorë të kësaj ministrie, duke i cilësuar armiq të partisë.

Lidhur me këtë problem, po jap këtë shembull: Miku im, intelektuali i njohur shqiptaro-amerikan, Preng Gruda, (1916-2000), me origjinë nga trojet shqiptare në Malin e Zi, u arratis nga Shqipëria në fillim të viteve ’50-të, sepse ndiqej nga Sigurimi i Shtetit për pikëpamjet e tij politike dhe emigroi në Amerikë. Kur u kthye në atdhe më 1992, midis të tjerëve, u takua me një shok të tij të vjetër, që pas çlirimit kishte punuar oficer në radhët e ushtrisë dhe pastaj ishte emëruar, kundër dëshirës së tij, të cilën natyrisht nuk e kishte shprehur, në organet e Sigurimi, madje edhe shef i degës së brendshme të një qyteti të vogël krahinor. ‘Kadri Hazbiu në takimet që organizonte jo rrallë me ne, shefat e degëve të brendshme,- i tregonte ai Preng Grudës,- jo rrallë na shprehte shqetësimin e partisë dhe shokut Enver për punonjësit e Sigurimit, të cilët duhej të ishin gjithnjë e më shumë vigjilentë, se armiku nuk flinte, se ai vepronte, se këta punonjës, në rastin më të parë, duhej të informonin udhëheqjen e lartë për gjithçka të dyshimtë, të identifikonin armiqtë e popullit që ishin edhe armiqtë e Partisë’. Edhe plaka ime të shkojë në dyqane të qumështit,- na thoshte Kadri Hazbiu, (dyqane ku qytetarët shkonin që në orët e para të mëngjesit për të blerë 2-3 shishe me qumësht),- do të dëgjojë njerëz që ankohen se ja... mungon bulmeti, mungon mishi ...’. Pra ju duhet t’i veçoni ata, t’i ndiqni, t’i mbani gjithnjë nën mbikqyrje dhe pastaj kur t’i mbushni dosjet e tyre, na njoftoni që t’ju japim miratimin dhe të arrestoni tipa të tillë që shprehin pakënaqësi ndaj pushtetit”.
Dhe unë, vazhdonte t’i tregonte ish-shefi i degës së brendshme Prengë Grudës, që jetonte prej katër dekadash në Amerikë dhe i kujtohej vetja e tij, kur ndiqej nga Sigurimi, isha i detyruar që këto porosi t’ua kumtoja vartësve të mi, të cilët, edhe nga frika se mos pushoheshin nga puna për paaftësi, i vinin syrin këtij ose atij qytetari, a fshatari, i ngjitnin nga pas bashkëpunëtorët tanë, që i detyronim ne të Sigurimit, sepse edhe ‘këta bashkëpunëtorë’ diku kishin shprehur pakënaqësi dhe, sa të hanin ca vjet burg, kandiseshin të bënin punën tonë, pra, shkurt të bëheshin spiunët tanë.

Sipas dëshmive të tyre ndaj personave që ne u kishim rekomanduar, sepse sigurimsave tanë askush, jo më që nuk guxonte t’u hapej, por edhe i largohej, ne mbushnim dosjet dhe më pas, pasi merrnim edhe miratimin e sekretarit të partisë dhe doemos edhe të ministrisë sonë, i arrestonim ata fatzinj, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal për agjitacion dhe propagandë. Atëherë na vinin përgëzime nga Ministria e Brendshme për vigjilencën që tregonim për të kapur armikun e klasës. Pra, sa më shumë armiq të kapur, aq më shumë përgëzime edhe nga Partia dhe shoku Enver…’.

Që Enver Hoxha, ndryshe nga kritikat e mësipërme që i bën Ramiz Alia, vlerësonte Sigurimin e Shtetit, kjo dëshmohet në veprat e tij dhe orientimet që ai jepte vazhdimisht për forcimin e kësaj arme që mbronte diktaturën e proletariatit dhe lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, ose më saktë, pushtetin e tij tiranik.
Por, për ta vërtetuar më mirë këtë fakt, po tregoj edhe një ngjarje që më ka rrëfyer A. M., ish-anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, ish-deputet i zgjedhur pas zgjedhjeve të Kuvendit Popullor të vitit 1974:
‘Në mbledhjen e parë pas këtyre zgjedhjeve u bë mbledhja e Kuvendit Popullor, ku mori pjesë edhe Enver Hoxha. Sigurisht u prit me duartrokitje të zjarrta, të shoqëruara me shprehjen tradicionale: “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!”
Pa mbaruar mirë këto duartrokitje, njëri nga deputetët që ishte në radhët e para, u ngrit e tha: ‘Fitore e shkëlqyer shoku Enver! Vetëm pak vetë votuan kundër Frontit Demokratik’. (Dhe dha një shifër që nuk kalonte gishtat e duarve). Atëherë përsëri sallën e Kuvendit Popullor e mbuluan duartrokitje, këtë radhë të stuhishme dhe përsëri u dëgjuan thirrjet: ‘Parti, Enver…’, që nuk dihet se kur do të sosnin, sikur Enver Hoxha, dora vetë, të mos na bënte shenjë të pushonin dhe të uleshim. Atëherë, duke i dhënë fytyrës një shprehje të rreptë, papritur, me zë të sertë shqiptoi ato fjalë që na bënë të stepeshim: ‘Shokë, vërtetë pandehni se kemi kaq pak armiq?’. Asnjë nuk pipëtiu. ‘Jo, or jo, -buçiti zëri i Enver Hoxhës,- armiq kemi me mijëra e mijëra, por ne kemi Partinë, kemi veçanërisht Sigurimin e Shtetit që ua bën atyre, naaa!... (dhe ai mblodhi dorën grusht, e ngriti lart dhe e lëshoi përpara si të godiste dikë).
(Ishte koha kur një vit më parë, pas Plenumit të 4-t të Komitetit Qendror Enver Hoxha, dhe vetëm ai dhe jo Partia, as Sigurimi, kishte shpartalluar Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, këta armiq të rrezikshëm në fushën e artit dhe kulturës dhe po fillonte spastrimet në ushtri, që nga Beqir Balluku, anëtar i Byrosë Politike zv. kryetar i K. M., dhe ministër i Mbrojtjes dhe ushtarakë të tjerë madhorë…).
Pa mbaruar këto fjalë, vazhdoi të më rrëfente A. M., ne përsëri u ngritëm dhe sa nuk u çorrëm duke britur përsëri: ‘Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!’.
Nga këta shembuj kuptohet se Sigurimi ishte gjithnjë nën kontrollin e vazhdueshëm të vetë Enver Hoxhës, si sekretar i parë i Partisë dhe Mehmet Shehut si kryeministër, mizor dhe me shpirt krimineli, aq më tepër ish-ministër i Brendshëm, (1948-1952), njeri shumë i besuar i diktatorit, i cili tërë përvojën e tij famëkeqe ia përcolli Kadri Hazbiut që e kishte pasur zëvendësministër. Vijon...  

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 121

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:06

Mit’hat Frashëri është një figurë që ka zënë hapësirë dhe më arkivat amerikane. Dje eshtrat e tij u varrosën në Kodrat e Liqenit Artificial, pranë vëllezërve Frashëri.

Postuar: 14/11/2018 - 07:02

 Amerikanët kanë dhënë detaje mbi kosto e operacioneve të CIA për rrëzimin e regjimit komuni

Postuar: 13/11/2018 - 07:08

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e

Postuar: 11/11/2018 - 07:35

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e

Postuar: 08/11/2018 - 07:12

CIA ka treguar detaje se si Shqipëria i shpalli armiq të gjithë shtetet që ishin krah Bashkimit S