BREAKING NEWS

Përplasje me armë zjarri në Vlorë/ Dalin emrat e të plagosurve, xhaxhai i 28-vjeçarit rrëfen si ndodhi ngjarja: Ishim duke pirë kafe, kur dëgjova...

x

Dossier

Situata në Shqipërinë komuniste, ja si SHBA tërhoqi misionin e saj nga Tirana dhe marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Titos

Mediat ndërkombëtare kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Sipas raportimeve të tyre, SHBA më 1946 tërhoqi misionin diplomatik, ndërsa u thelluan përplasjet me Britaninë e Madhe.

 

8 nëntor 1946

SHBA tërheq misionin e saj nga Shqipëria

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë fund përpjekjeve të tyre të kota për gjetjen e bazës së dhënies së njohjes për qeverinë në Shqipëri. Departamenti tha se regjimi i Enver Hoxhës ka refuzuar të pranojë traktatet e mëhershme mes dy vendeve të nënshkruara gjatë kohës së regjimit të mbretit Zog. Traktatet kishin të bënin me çështje të zakonshme si njohja e gjykatave të arbitrazhit, natyralizimit të qytetarëve, ekstradimet dhe trajtimin e kombit të preferuar. Departamenti tha se vendimi për tërheqjen iu kalua kryeministrit Hoxha nga George Henderson, përfaqësuesi amerikan në kryeqytetin shqiptar Tiranë, me një letër të datës 5 nëntor.

 15 nëntor 1946

Shqipëria proteston ndaj vendimit për spastrimin e minave detare

Shqipëria ka dërguar një letër proteste te Kombet e Bashkuara kundër vendimit të qeverisë britanike për spastrimin e minave detare nga kanali i Korfuzit. Presidenti shqiptar Enver Hoxha shkruante në një mesazh për Sekretarin e Përgjithshëm Trygve Lie se qeveria britanike ka njoftuar Shqipërinë të dielën për qëllimin e saj. Më 31 tetor Shqipëria ka pranuar spastrimin e minave jashtë ujërave territoriale shqiptare ndërsa ka thënë se hyrja e anijeve të huaja në ujërat shqiptare pa lejen përkatëse do të konsiderohet veprim jo-miqësor. Kohët e fundit luftanijet britanike Volage dhe Saumarez goditën mina detare, çka solli humbje të konsiderueshme jetësh. Letra britanike e dërguar të dielën përmes Beogradit thoshte se janë kompletuar marrëveshjet mes Britanisë, Francës, Rusisë e Amerikës, të cilat kanë ngritur bordin e kontrollit për spastrimin e minave si një proces i pas-luftës për të gjithë detin Mesdhe. Jugosllavia ka gjithashtu një përfaqësues në bord ndërsa Italia ka vëzhgues. Hoxha tha: “Qeveria britanike me letrën e saj të së dielës po përpiqet ta vërë Shqipërinë para një fakti të kryer prandaj ne duam të regjistrojmë protestën tonë kundër këtij akti diktatorial”.

12 dhjetor 1946

Opinion nga Douglas Wilkie

 

Dhe në politikë ashtu si në historinë e natyrës, pleshtat e mëdhenj kanë pleshta të vegjël dhe një prej tyre është kryeministri Enver Hoxha i Shqipërisë. Kritikët e tij thonë se marrëdhënia e Hoxhës me Titon është e njëjtë me atë mes Titos e Stalinit. Por 38-vjeçari Hoxha nuk e ka problem këtë. Lëkura e tij është trashur tashmë që kur ka nisur të ndjekë çdo të premte varjet në litar të armiqve të tij politikë në mes të Tiranës, që janë të njëjta me dënimet që jepte më parë dhe mbreti Zog. Hoxha ka drejtuar lëvizjen anti-zogiste nga një dyqan duhani në Tiranë deri në të premten e pushtimit në prill 1939, kur avionët e Mussolinit ndërprenë varjet në shesh të Zogut për të nisur diçka ndoshta akoma më të keqe. Gjashtë vjet luftë guerile nisën më pas ku Hoxha bëri një punë të mirë për të dëmtuar sa mundi fuqinë njerëzore të forcave të Aksit Nazist. Pas çlirimit shqiptarët e ndanë vendin në parcela, i vunë shkelmin njerëzve të Zogut dhe zgjodhën kursin e tyre politik, që ishte i gjithi komunist përveç emrit zyrtar. Britania dhe SHBA i dhanë njohjen Shqipërisë rreth një vit më parë, megjithë zemërimin e grekëve, të cilët pretendojnë se qeveria e Tiranës ka ndihmuar italianët gjatë luftës, por tashmë marrëdhëniet mes tyre janë qetësuar. Hoxha arriti të përzërë gradualisht nga vendi misionet anglo-amerikane dhe tashmë flitet se në Shqipëri po ndërtohen rrugë ushtarake nga Jugosllavia drejt Adriatikut, si dhe po bëhen fortifikime në ngushticën e Otrantos. Punimet në fjalë janë përtej aftësive teknologjike të Shqipërisë dhe kjo të bën të kuptosh se pleshti i madh Tito dhe pleshti akoma më i madh Stalini, dinë më shumë për minat detare të Adriatikut që dëmtuan luftanijet britanike sesa fshatarët shqiptarë të zonës.

 

13 dhjetor 1947

Britania dërgon paralajmërim për Hoxhën

 

Britania i ka dërguar një mesazh të ashpër mini-Titos së vogël të Shqipërisë, gjeneralit Enver Hoxha, i cili ka krijuar në vendin e tij një version të të gjitha gjërave negative të shtetit të Hitlerit. Hoxha është një komunist diktator, orator i mirë me karakter brutal dhe pëlqen uniformat e zbukuruara. Ai ka marrë arsimin e mesëm në Shqipëri dhe më pas ka studiuar në Francë. Nisi karrierën e luftës në 1941 duke u vënë në krye të rezistencës dhe më pas duke u bërë kryeministër sipas modeleve të Titos. Shqipëria e quan veten demokratike, por në të vërtetë është një vend komunist me tipare të theksuara diktatoriale. Ka mbështetje të fortë ruso-jugosllave.

Qeveria ka aktualisht mbështetjen e shumicës së popullit dhe ministrat kur janë jashtë detyre ulen duke biseduar me qytetarët që u rrahin shpinën. Ushtria e Shqipërisë ka rreth 60 000 njerëz, por vendi është një opera komike pa hekurudha e pa lidhje me botën e jashtme.

 

17 maj 1948

Shtypi italian raporton ekzekutimin e dy peshkopëve katolikë në Shqipëri

 

Dy peshkopë katolikë janë ekzekutuar nga autoritetet në Shqipëri dhe një tjetër është dënuar me 20 vjet burim sipas shtypit vendas. Peshkopët e ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës janë Françesk Gjini nga Lezha dhe Gjergj Volaj nga Sapa. Kryepeshkop Nikola Vinçenco Penushi nga Durrësi raportohet se është dënuar me 20 vjet burgim. Mediat vendase nuk japin më shumë detajet për rrethanat apo akuzat ndaj tyre. Metodat brutale që po përdoren nga regjimi komunist këtu kundër kishës katolike janë përshkruar dhe gushtin e kaluar në rrëfimin e një dëshmitari amerikan që sapo ishte kthyer nga vendi i vogël ballkanik. Ai ka treguar për mediat se priftërinjtë e murgeshat përziheshin nga shtëpitë e tyre, sesi konfiskoheshin rezidencat, shkollat dhe manastiret. Shumë priftërinj janë arrestuar me akuza absurde ndërsa të tjerë janë zhdukur dhe fati i tyre nuk dihet. Në maj 1946 shërbimet e lajmeve raportonin për ekzekutimin e kreut të priftërinjve jezuitë, reverend Giovani Fausti, si dhe të reverend Daniel Dajani rektori i seminarit të jezuitëve në Shkodër, pas një gjyqi që u përshkrua nga dëshmitarët si “farsë talljeje”. Në një raportim të Fides, agjencisë zyrtare katolike, thuhet se “situata është shumë e errët për Kishën në Shqipëri” dhe të gjithë misionarët italianë janë përzënë nga vendi. Të paktën 12 priftërinj janë vrarë gjatë tre viteve të pasluftës.

 

22 korrik 1948

Situata politike në Shqipëri

Këto janë disa nga lajmet kryesore për Shqipërinë të shpërndara nga mediat jugosllave: Kryeministri shqiptar Enver Hoxha është larguar nga vendi dhe tani ndodhet në bordin e një luftanijeje amerikane në brigjet e Shqipërisë. Por në fakt Hoxha ishte një nga pjesëmarrësit në konferencën e ministrave lindorë në Varshavë, disa javë pasi zhurmat të nisnin të qarkullonin.

25 shtator 1948

Shqipëria bashkohet me bllokun lindor dhe ndahet nga Tito

Një nga vendet më primitive të Ballkanit, Shqipëria, është përfshirë nga kriza ekonomike dhe politike tha sot një dëshmitar i sapokthyer prej andej. Populli vendas përballen me krizë urie në sezonin e dimrit. Shkaku i kësaj është ndarja e Shqipërisë me Jugosllavinë e marshall Titos, pasi ai u denoncua nga Byroja Ndërkombëtare Komuniste (Kominform). Udhëheqja shqiptare ka vendosur të mbajë linjën e Rusisë kundër Titos dhe kjo gjë i ndau ata tërësisht nga Evropa, përveç rrugëve detare. Fqinjët e saj të vetme tokësore janë Jugosllavia dhe Greqia armike. I gjithë vendi është i mbyllur brenda një velloje të padepërtueshme policore e ushtarake. Prej tre vitesh tashmë dhe lajmet që dalin nga vendi vijnë vetëm nga Agjencia Telegrafike Shqiptare që kontrollohet nga regjimi. Rrëfimet e dëshmitarëve okularë, emrat e të cilëve nuk mund të përmenden, përshtaten me dëshmitë jo zyrtare të ardhura nga Beogradi. Deri para ndarjes me Kominform në vend kishte teknikë dhe ushtarakë të shumtë jugosllavë. Veprimi i parë i Tiranës para ndarjes ishte pushkatimi i shtatë deputetëve të Parlamentit, të akuzuar si agjentë të Beogradit ndërsa më tej raportimet thonë se çdo punonjës i administratës ishte detyruar të betohej për besnikëri ndaj Kominform dhe kundër Jugosllavisë e Titos. Përveç disa komunistëve të zgjedhur nga vendet fqinje asnjë nuk lejohet të vijë në vend dhe më tej të dalë jashtë Tiranës. Pjesa tjetër e territorit malor të vendit është e mbushur me ushtri e siguri, duke e bërë vendin edhe më misterioz nga sa ka qenë në të kaluarën.

1 mars 1949

Shqiptarët jetojnë vetëm me fasule pas prishjes me Jugosllavinë

Raportimet thonë se populli i Shqipërisë ka mbetur me një dietë vetëm prej fasulesh, si rezultat i prishjes së marrëveshjeve tregtare me Jugosllavinë. Raportimet nga Beogradi thonë se ishin udhëheqësit shqiptarë që vendosën të parët sanksionet ekonomike kundër Jugosllavisë edhe pse kjo e fundit sipas tyre po zbatonte të gjitha marrëveshjet për të ushqyer popullin shqiptar sipas marrëveshjeve afatgjata tregtare. Kryeministri Enver Hoxha anuloi marrëveshjen 30-vjeçare me Jugosllavinë me sa duket sepse ishte i bindur se Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të Kominform do të ndihmojnë Shqipërinë me furnizime ushqimore duke zënë vendin që më parë mbante fqinji i tyre. Por raportimet nga Jugosllavia flasin për gjendje katastrofike ushqimi në Shqipëri. Produktet ushqimore janë zhdukur nga tregjet, çmimet e tyre janë shumëfishuar dhe njerëzit po mbijetojnë me një dietë krize urie. Gjatë tetë muajve të parë pas vendimit të Kominform, gazetat perëndimore raportonin se në Shqipëri çmimi i patateve ishte rritur me 150 për qind, marmelata me 330 për qind, qumështi me 220 për qind e kështu me radhë çmimet e frutave, karburanteve e drurit. Gazeta e Beogradit "Politika" tha se kadetët e shkollës ushtarake në Tiranë kishin nisur të rebeloheshin hapur sepse si ushqim kishte vetëm fasule në të gjitha vaktet. Gazeta shtonte se udhëheqja shqiptare kishte neglizhuar mbjelljen e drithërave sepse ishte mësuar me dërgesat e drithërave nga Jugosllavia.