BREAKING NEWS

Dhunohet kryetari i bashkisë në Vlorë, dalin dyshimet e para, vihet në pranga një 57-vjeçar (DETAJE)

Dhunohet kryetari i bashkisë në Vlorë, dalin dyshimet e para,
x
BREAKING NEWS

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të pasurive korruptive nis menjëherë ndjekja penale, 223 politikanë në lupën e SPAK

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të
x
BREAKING NEWS

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e Berishës është e humbur, akuzon ithtarët e ish-kryeministrit se u pasuruan kur ishin në pushtet

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e
x
BREAKING NEWS

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me reagimin e rëndësishëm: Të nisin negociatat pa vonesa!

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me
x

Dossier

Takimi i Ali Pashë Tepelenës me Bajronin dhe e vërteta e letrës për të

Takimi i Ali Pashë Tepelenës me Bajronin dhe e vërteta e

(Vijon nga numri i kaluar)

Në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës” flitet edhe për vizitën e Bajronit tek Ali Pasha. Në faqen 432 shkruhet: “Mjafton të veçojmë njërën prej tyre, letrën e Bajronit dërguar nënës në Angli (e datës 12 nëntor 1809). Bajroni vlerëson ndershmërinë, trimërinë dhe besnikërinë e shoqëruesve, pa lënë mënjanë edhe disa cilësi negative, si mizoria por jo të pabesë dhe të poshtër”.

Në këtë rast, nga letra janë marrë vetëm anët pozitive, në mënyrë që figura e Ali Pashës të dalë sa më pozitive, por letra nuk sillet e plotë. Bajroni në letrën që i dërgon nënës së tij, ndërmjet të tjerave shkruan: “Shkëlqesia e tij (pra Ali Pasha) është gjashtëdhjetë vjeç, ai është i shëndoshë dhe me trup jo të lartë, por ai ka fytyrë të bukur, sy të kaltër dhe mjekër të bardhë; ai është shumë i sjellshëm dhe njëkohësisht plot dinjitet, të cilën unë e has pa përjashtim te të gjithë turqit. Pamja e tij e jashtme nuk përputhet me thelbin e tij, sepse ky është një tiran i pamëshirshëm, fajtor në barbarizma të përbindshme, trim, i famshëm me fitoret e tij, sa atë e quajnë Bonaparti mysliman. Napoleoni dy herë i propozoi ta bëjë mbret të Epirit, por ai është ithtar i Anglisë, ndërsa francezët nuk i duron, siç më tha vetë”.

Siç shihet nga letra, Bajroni e quan “tiran të pamëshirshëm dhe fajtor për krime të përbindshme”, por këtu del dhe hipokrizia e Aliut, që “është ithtar i Anglisë, ndërsa francezët nuk i duron”, gjë që nuk ka qenë e vërtetë pasi Aliu bëhej me më të fortin.

Për të mos e nxjerrë Aliun si mizor, nuk merren të gjitha fjalët nga referencat, por më e keqja është se ato ndryshohen. Kështu për shembull, në faqen 56 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, thuhet: “Qëndresës së Aliut ndaj derbendxhiut iu shtua dhe zgjuarsia për t’i shpëtuar pusisë. Ato rritën popullaritetin e tij. Me marrjen e Tepelenës, fshatrat që nuk i nënshtroheshin duhet të mendoheshin mirë”. Marrë nga libri i historianit rus G. Arsh, fq. 133.

Por historiani rus, në fq. 133 shkruan: “... Ali beu rivendosi pushtetin e familjes së tij në Tepelenë. Fshatrat që dikur ngritën krye kundër familjes së tij, iu nënshtruan ekzekutimeve”. Pra këtu nuk është fjala për “t’u menduar mirë”, por “iu nënshtruan ekzekutimeve”.

Si mund të justifikohen vrasja e kardhiqotëve, e banorëve të Hormovës, hedhja në greminë e grave të Sulit për të mos rënë në dorën e Aliut dhe jo të turqve, siç ka qenë e shkruar në histori? Komentet janë të tepërta.

Ka edhe raste të tjera kur bëhen përpjekje për të mos ulur figurën e Ali Pashës, e për këtë arsye nuk sillen të plota paragrafët ose fragmentet e marra nga burimet e tjera. Kështu, për ngushtimin e territoreve të Ali Pashës dhe djemve të tij nga ana e sulltanit, në faqen 635 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, shkruhet: “Aliu dhe Veliu e konsideruan atë si vepër e Halet efendiut, të cilit i ishte mbyllur rubineta e verdhushkave. Në vendin e Veliut u dërgua Sulejman pasha, i cili u prit nga disa çeta kundërshtare. Në shkurt të vitit 1820, Sulejman pasha mori me rezistencë Larisën dhe Tërhallën”. Referenca: G. Arsh, fq. 311.

Vërtet G. Arsh shkruan në faqen 311 për këtë problem, por ja se çfarë thotë: “... Përkundër frikës së Portës, Sulejman pasha pa rezistencë, në shkurt 1820 mundi të marrë Larisën dhe Trikallën”. Pra, nuk ka pasur asnjë rezistencë me armë. Kjo ndoshta bëhet për të treguar se edhe ithtarët e Aliut nuk dorëzoheshin lehtë, pa luftë. Fakt është se përveç kështjellës së Janinës, ku ishte mbyllur vetë Ali Pasha, të gjitha të tjerat kishin rënë brenda dy – tre muajsh.

Lidhur me një bisedë të Aliut me Paparigopullosin, në faqen 645 po të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, shkruhet: “Paparigopulli gjatë bisedës i kishte lënë të nënkuptonte se në rast të luftës me sulltanin, qeveria ruse do ta mbështeste atë. Paparigopulli nuk ishte njeri i besuar i qeverisë ruse. Ai me këtë mision në favor të heteristëve duhej ta shtynte Aliun në luftë me sulltanin që të lehtësonte kryengritjen greke. Veprimtaria e Paparigopullosit dhe e heteristëve që rrethonin Aliun luajtën rol në pozicionimin e Aliut ndaj sulltanit”. Fragmenti ka si referencë librin e G. Arsh, fq. 315 – 316.

Në librin e G. Arshit thuhet se qeveria angleze nuk interesohej më për Aliun, dhe se I. Paparigopulli ishte njeri i besuar i konsullit rus Vllasopullo dhe jo se nuk ishte i besuar. Por përveç këtyre, aty thuhet: “Ali Pasha i kërkoi Paparigopullit që të njoftojë qeverinë ruse se ai kërkon që Aleksandri I ta pranojë me çdo kusht atë në radhët e nënshtetasve të tij besnikë”.

Në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës” ka dhe shumë paragrafë ose fragmente që thuhet se janë marrë nga libri i akademikut rus, ose nga libri “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, por që në fakt nuk ndodhen në faqet që referohen prej tyre.

Kështu, në faqen 312 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, thuhet: “300 suliotë shkuan nga Korfuzi në Pargë. Në këtë komplot duket se vepruan edhe rusët e Korfuzit. Bashkë me suliotët shkoi edhe një nëpunës i qeverisë ruse për rrogat e luftëtarëve. Më 27 qershor të atij viti u bë e ditur se qeveria ruse gjatë veprimtarisë luftarake do ta furnizonte çdo muaj me 1000 fund barrot, 2000 fund plumb dhe 1000 moc. ...”. Këtu jepet si referencë faqja 217 e librit të historianit rus G. Arsh.

E vërteta nuk është kështu. 300 suliotët aty nuk përmenden dhe as nëpunësi i qeverisë ruse për rrogat e luftëtarëve. Për 300 suliotët flitet në librin e historianit rus, por në faqen 219 dhe është marrë nga libri i Aravantinos. Diçka tjetër, nuk shkruhet fund, por funt, njësi peshe, ku një funt është i barabartë me 409,5 gram. Nuk shkruhet as barrot, por barut.

Në faqen 375 po të atij libri, shkruhet: “Mehmet efendiu u kthye nga Tilsiti në Janinë me shpenzimet e veta, me dy letra: njëra e shkruar nga Napoleoni dhe tjetra nga Tajerlandi. Napoleoni me diplomaci i shkruante Aliut se i jepte rëndësi miqësisë me të, se ai kishte dhënë prova të dashamirësisë ndaj tij, se do t’u jepte urdhër gjeneralëve që të merreshin vesh me atë, se tashmë ishte vendosur paqja me carin rus, se ai duhej të ishte i bindur ndaj sulltanit”. Këtu jepen shumë burime në referencën 91, ndër të tjerë edhe libri “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, fq. 108 – 109, dhe ai i historianit G. Arsh, fq. 236.

Në fakt, te këta dy të fundit këto fjalë nuk janë fare. Tek libri i akademikut rus G. Arsh thuhet: “... Ali Pasha dërgoi në Tilsit përfaqësuesin e tij special Mehmet efendiun, të cilin e porositi që të arrinte të siguronte që atij t’i jepeshin ishujt e Jonit. Por Napoleoni, që dikur në mënyrë të sigurt i premtoi Ali Pashës t’i lëshojë Korfuzin, tashmë “nuk mbante mend” për premtimet e tij”. Ndërsa te libri “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës” shkruhet konkretisht: “Pa filluar mirë lufta ruso – turke e vitit 1806, Napoleon Bonaparti e la në baltë Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet në Tilzit për arritjen e një paqeje me Rusinë. Me anë të kësaj marrëveshjeje, që u nënshkrua më 9 korrik 1807, Rusisë jo vetëm i njihej pushtimi i krahinave osmane të Vllahisë dhe të Moldavisë, por i jepej edhe Bullgaria, ndërsa Francës i kalonin ishujt e detit Jon”.

Në faqen 660 po të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës” jepen disa të dhëna për luftimet, tradhtitë në ushtrinë e Aliut. Pastaj shkruhet: “Nga ushtria e Aliut filloi dezertimi. U përhap lajmi se Omer Vrioni dhe kapedani Odise Andruco filluan të mos i binden Ali Pashës. Njerëz nga Janina bënin të ditur se Aliu desh t’i vriste ata. Më pas Dalip Përmeti, i ngarkuar për të mbrojtur Artën, hyri në marrëveshje me turqit, prandaj Aliu nisi besimtarin e tij Elmaz aga Meçon me 3000 vetë”. Referenca: G. Arsh. Fq. 320.

Sa më sipër, Arshi shkruan se nga njoftimet e diplomatëve rusë filloi dezertimi në ushtrinë e Aliut, të vërteta dhe fjalët për Omer Vrionin dhe Odisenë, dhe që Aliu donte t’i vriste. Por fjalia e fundit, Më pas Dalip Përmeti, i ngarkuar për të mbrojtur Artën, hyri në marrëveshje me turqit, prandaj Aliu nisi besimtarin e tij Elmaz aga Meçon me 3000 vetë, nuk ndodhet te libri i Arshit. Gjithashtu, nuk thuhet besimtar, por i besuar, ose të besuarin e tij.

Më pas, në faqet 667 – 668, po të këtij libri shkruhet: “Shanishaja e mbyllur në kalanë e Libohovës pësoi një tronditje të madhe dhe u hidhërua shumë nga tradhtia e nipave. Ajo i shkroi Mahmutit se duhej t’i vinte turp nga qëndrimi ndaj Aliut, e nxiti për qëndresë dhe e mallkoi në rast se do ta tradhtonte gjyshin e tij, prandaj të mos hynte në bisedime me të dërguarin e Ismail Pashos. Ajo i dërgoi një shumë të madhe të hollash për t’i përdorur kur të paraqitej nevoja”. (Referenca jepet G. Remerand dhe G. Arsh. Fq. 323) Se çfarë ka në librin e Remerandit nuk mund të flasim, por në librin e historianit rus nuk është asnjë nga këto fjali.

Në faqen 712 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës” shkruhet: “Aliu u prit në ishull ... Aliu u trajtua me respektin më të madh. Hurshiti nuk e priti në ishull sipas marrëveshjes me pretekstin se ishte i sëmurë. Kjo i la Aliut një shije të hidhur. Megjithatë ai i çonte atje peshqeshe dhe me të mira e mbulonte si, qingja qumështi të pjekur, kafe të zezë, ëmbëlsira. Kabatë ndiqnin njëra pas tjetrës. I këndonin këngë që kishte qejf ai. Fjalë të ëmbla i lëshonin, por gurë në torbë. Erdhi dita që osmanllinjtë ta vënë në lojë Aliun”. Referencat janë Alipashaida, Vaje dhe G. Arsh. Fq.335. Përveç faktit që Hurshid pasha nuk e takoi, se u hoq sikur ishte i sëmurë, fjalitë e tjera nuk ndodhen në librin e historianit rus.

Duket sikur referencat për librin e akademikut rus G. Arsh janë vënë për të shtuar numrin e burimeve, pasi ose nuk flitet aspak për ato që shkruhen në libër, ose merren të cunguara që të mos ulet figura e Ali pashës, ose janë shtrembëruar.

Në faqet 915 – 916 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës” shkruhet: “Ashtu siç e pamë në pjesën e parë, Aliu i propozoi pushtetit qendror për organizimin e rrjetit informativ në krejt Rumelinë. Ndonëse nuk dimë reagimin e pushtetit qendror, policia sekrete e drejtuar nga Tahir Abazi ishte shtrirë në krejt Turqinë Evropiane deri në Stamboll”. Këtu referenca është historiani rus G. Arsh, fq. 278, dhe V. Meksi, “Prejardhja e Ali pashë Tepelenës”, fq. 45, që është dorëshkrim në AIH.

Në faqen 278 të librit të historianit rus flitet për fortifikimet, udhëtimet brenda vendit që bëheshin me leje, rojat nëpër rrugët etj. Për policinë e fshehtë flet vetëm kaq: “Për luftën me kundërshtarët politikë Ali pasha kishte policinë e fshehtë. Agjentët e saj depërtonin nëpër shtëpi, ndiqnin veprimet dhe bisedat e banorëve ... etj”. Por nuk ka asgjë që Aliu t’i ketë propozuar pushtetit qendror për organizimin e rrjetit informativ në krejt Rumelinë. Nga ana tjetër, a do t’i interesonte Aliut që pushtetit qendror t’i jepte një armë të fuqishme me anë të së cilës ky pushtet ta luftonte vetë Aliun? Paragrafi fillon me fjalët “Ashtu siç e pamë në pjesën e parë ...”. Këtë pjesën e parë, nuk e kemi gjetur ende.

Në librat “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës” dhe “Aliu midis historisë dhe legjendës”, është edhe problemi i referencave. Në këta libra ka shumë fragmente ose paragrafë, por asnjëherë ato nuk janë vënë në thonjëza, kështu që nuk e kupton secila pjesë është marrë nga librat e konsultuar. Në shumë referenca jepen disa libra si burime. Kjo të lë të nënkuptosh se të gjithë këta autorë në librat e tyre kanë shkruar afërsisht të njwjtën gjë. Por nuk është kështu, sepse në shumë nga këto referenca, në të cilat jepet edhe libri i G. Arshit, fragmentet që jepen nuk janë aspak në librin e tij. Disa i përmenda më lart.

Referencat nga dokumentet turke, nga ato franceze, jepen në gjuhën përkatëse, ndërsa referencat ruse, si dokumentet edhe librat nuk jepen të shkruara në gjuhën ruse. Në të dy librat ka referenca dhe jepen dokumentet ruse, sikur ato janë shfletuar nga autorët përkatës. Në librin “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, megjithëse materialet janë marrë nga libri i G. Arshit, ai nuk përmendet asnjëherë si referencë, por jepen referencat e vet historianit rus. Arsyeja është ndoshta se në atë kohë marrëdhëniet diplomatike ndërmjet vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik ishin ndërprerë. Po kështu edhe në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës”, ku jepet si referencë libri i G. Arsh, ka shumë paragrafë sikur janë marrë drejtpërdrejt nga dokumentet ruse. Kjo nuk ka pasur mundësi të ketë ndodhur, sepse libri i G. Arshit është botuar në vitin 1963 dhe marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik ishin ndërprerë. E dyta, materialet arkivore nuk jepen asnjëherë pa paguar. Dhe së fundi, kur dikush u interesua që të merrte dokumente nga arkivat ruse për një punim të tij, përgjigja prej tyre ishte: “Kushtojnë shumë shtrenjtë. Ju nuk mund t’i blini”.

Të gjitha dokumentet ruse shënohen me germa shqipe. P. sh. po japim vetëm një për ilustrim, referencën nr 74 në faqen 111: CGAVMF, F. Kanc. PT, dok. 170, f. 173; AVPR, F.SRV, Dok. 342, Benaka-Kolegjit të PJ, 15 maj 1792. Germat e mëdha tregojnë Arkivin, pastaj jepet fondi përkatës, e më pas shkruhet dok. 170. fq. 173. Kjo vihet re në të dy librat e përmendur. Një gjë e tillë nuk është e saktë. Në dokumentet në gjuhën ruse, pas fondit vjen Nr i dosjes përkatëse dhe pastaj numri i fletëve dhe jo nr i dokumentit dhe ai i faqes. Ndryshe, nëse dikush i kërkon këto dokumente, nuk mund t’i gjejë në arkivin përkatës.

Në librat historikë të botuara në gjuhën ruse ka edhe shumë materiale të tjera për Ali Pashë Tepelenën, përveç atij të botuar nga akademiku rus G. Arsh. Në to vihet re ky fenomen: autorët rusë shumë rrallë përsërisin ndonjë material nga botimet e tyre të mëparshme ose të autorëve të tjerë, por gjithmonë japin dokumente të reja, të pabotuara më parë. Nëse do të përsëriten ato që janë botuar më parë, ose do të merren pjesë voluminoze nga botimet e autorëve të tjerë, atëherë çfarë vlere ka?

Të vjen keq kur lexuesi merr në dorë libra të tillë, me gabime historike, shtrembërime të fakteve dhe ngjarjeve, sajime të fakteve që nuk kanë ekzistuar, për të mos folur për gabimet ortografike. Historia nuk mund të shkruhet në këtë mënyrë, duke fshehur faktet dhe duke i shtrembëruar. Çfarë vlere ka kur sot ato që na serviren në gjuhën shqipe, mund të gjenden edhe në origjinal? Si do mendojnë lexuesit kur faktet që na serviren në gjuhën shqipe i kanë lexuar edhe në gjuhën e huaj? Përse ne përpiqemi t’i fshehim ose t’i ndryshojmë? Ali Pashë Tepelena po bën 200 vjet që ka vdekur dhe meritat që ka nuk ia heq askush, por të shkruhen edhe ato anë negative të tij. Kaq sekret të madh përbëjnë këto fakte sot për Aliun?

Më e drejtë është që ngjarjet dhe faktet të jepen ashtu siç kanë ndodhur, dokumentet të sillen në gjuhën shqipe ashtu siç janë shkruar, me atë kuptim që kanë pasur në atë kohë. Historinë të mos e shkruajmë siç na pëlqen neve, por ashtu siç ka ndodhur. Tjetër gjë është interpretimi që mund t’i bëhet ngjarjes, faktit apo dokumentit nga autorë të ndryshëm.