Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Takimi SHBA-Jugosllavi kundër regjimit komunist, zbardhen synimet e Greqisë, Italisë, Britanisë dhe BRSS, ja si Enver Hoxha blindoi kufijtë

Postuar: 10/06/2018 - 07:17

Dalin në dritë të tjera fakte nga takimi mes agjentëve jugosllavë dhe atyre të CIA më 1953 për rrëzimin e regjimit komunist. Gazeta publikon pjesën e radhës të bisedave të zhvilluara mes tyre dhe këtë herë ata kanë diskutuar mbi rolin e vendeve fqinje, por dhe të BRSS.

16-17 shkurt 1953

Takimi Kubark-PBERM në Beograd

Largimet e shumta nga Shqipëria pas prishjes me Jugosllavinë kanë detyruar autoritetet të marrin masa drastike për të mbyllur territorin. Arrestime masive, internime në kampe përqendrimi dhe forma të tjera dënimi janë përdorur për të ndaluar largimet, përfshi dhe grupe civile të armatosura të vigjilencës, në një fushatë të kontrolluar nga Mehmet Shehu. Kjo ka pasur efekt demoralizues te masat dhe ka çuar në njëfarë dobësimi të rezistencës. Konsolidimi i policisë komuniste në vend ka bërë që tashmë thuajse i gjithë aktiviteti anti-Hoxha të vijë nga jashtë vendit. Aktivitetet e emigracionit janë gjithashtu të lidhura me agjencitë e huaja të inteligjencës, ndaj të cilave Hoxha ka përfituar duke i përshkruar si mbështetëse të agresionit të huaj kundër integritetit territorial të Shqipërisë. Gjatë fazës së dytë të konsolidimit të agjencive të sigurisë që u krye vitin e kaluar, autoritetet shqiptare kanë liruar disa të burgosur e të internuar dhe u kanë dhënë atyre armë për të ndjekur grupet e huaja të infiltruara në Shqipëri. Fshatarët e mbështesin regjimin e Hoxhës dhe janë angazhuar si vullnetarë për mbrojtjen e zonave kufitare. Ne jemi në dijeni të të paktën 6000 fshatarëve të armatosur në zonat kufitare në Shqipëri dhe numri mund të jetë edhe më i madh. Kushte si këto me patrulla kufitare civilësh vullnetarë ka dhe në Hungari, Rumani e Bullgari. Është interesant fakti që regjimi ka besim të mjaftueshëm te ata sa për t’u dhënë armë. Në propagandën e tij Hoxha gjithmonë luan me rolin e tij për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe mbi këtë bazë ka mobilizuar vendin pas vetes. Këtë ka arritur ta bëjë pasi aktivitetet për përmbysjen e tij gjithmonë janë të lidhura me aktivitetin e huaj dhe kanë me vete kërcënimin e ndarjes së Shqipërisë mes fqinjëve dhe rikthimin e kushteve të para-Luftës së Dytë Botërore. Në lidhje me Kosovën, Hoxha thotë në propagandën e tij se Jugosllavia po përpiqet të shkatërrojë minoritetin shqiptar dhe bën pretendime sipas politikave sovjetike. Është e vështirë të kuptohet sesi kjo propagandë sovjetike ka gjetur terren pjellor mes disa liderëve në Perëndim. Kjo linjë përfaqësohet dhe në Komitetin e Shqipëria e Lirë nga Said Kryeziu, anëtar i komitetit ekzekutiv. Kjo linjë nuk kufizohet vetëm në propagandë, por dhe në grupet kosovare si ai Xhafer Devës që është infiltruar në Shqipëri duke promovuar këtë fushatë armiqësore. Kjo politikë mund të bëjë që shovinistët e “Shqipërisë së Madhe” të bashkohen me Hoxhën dhe duke llogaritur dhe mbështetjen e Bashkimit Sovjetik, të sulmojnë Kosovën. Natyrisht që kjo do të forconte regjimin e Hoxhës dhe gjithashtu tregon marrëdhënien mes problemeve të brendshme e të jashtme të Shqipërisë. Slogani “Vdekje Komunizmit” i referohet gjithashtu atyre që janë spastruar nga partia dhe nënkupton se të gjithë të përjashtuarit duhet të ekzekutohen. Por politika të tilla forcojnë kontrollin e Enver Hoxhës ndaj partisë. Në përputhje me politikat e zakonshme sovjetike ministri rus në Shqipëri, Chuvakin u zëvendësua së fundmi nga ambasadori Leviçkin, i cili pritet të nisë një linjë të re. Edhe autoritetet shqiptare e kanë korrektuar veten por disa gjëra si për shembull politikat e fshatit dhe zbutjen e masave të kolektivizimit të detyruar, të cilat pritet të jenë të përkohshme.

Përshtypjet e regjimit

Duke parë regjimin e Hoxhës në kontekstin historik, mund të themi se ai është më i ashpri që njihet në Shqipëri. Megjithëse regjime të mëparshme janë përballur me rebelime të shpeshta, që prej ndarjes me Jugosllavinë në vend nuk ka pasur asnjë rebelim, dhe pushteti ka treguar se me anë të ushtrisë, policisë dhe fshatarëve të armatosur ka shtypur çdo opozicion. Aktualisht Shqipëria po mban një ushtri tepër të madhe për përmasat dhe burimet e saj, e cila në krahasim me rezistencën gjatë Luftës së Dytë Botërore, është 4-5 herë më e madhe. Sipas llogaritjeve tona, policia shqiptare i kalon 6000 njerëz, pa llogaritur brigadat e Sigurimit. Më lidhje me këto të fundit, shumë nga drejtuesit e tyre janë shkolluar në Bashkimin Sovjetik. Edhe anëtarët e policisë janë besnikë të partisë së Hoxhës dhe ish-luftëtarë të luftës çlirimtare. Nëse do të llogarisim të gjitha forcat e armatosura shqiptare duke përfshirë dhe fshatarët e armatosur, mund të ketë një njeri të armatosur për çdo 7-8 individë. Ndërsa nëse ekzaminojmë kontingjentin e refugjatëve shqiptarë në perëndim ne gjejmë shumë pak elementë revolucionarë apo personel ushtarak. Përkundrazi, refugjatët që hyjnë në Jugosllavi nga Rumania e Hungaria janë thuajse të gjithë personel ushtarak. Në Shqipëri lidhjet ideologjike i mbajnë njerëzit të bashkuar. Në lidhje me forcat e brendshme të armatosura kundër regjimit të Hoxhës, disa njësi janë zhvilluar edhe pas prishjes me Jugosllavinë por gabimet në politikat e tyre kanë çuar në shkatërrimin e tyre. Aktualisht në Shqipëri nuk ka rezistencë të organizuar me gjithë faktin se ka opozicion në përgjithësi nga masat. E gjithë përpjekja kundër regjimit të Hoxhës po bëhet nga jashtë Shqipërisë. Prej mungesës së mbështetjes nga brenda vendit ne nuk kemi arritur sukses me lëvizjen. Një fakt negativ për ne është se rezistenca nuk vjen nga forcat brenda partisë dhe nga ana tjetër grupet e infiltruara në Shqipëri na kanë risjellë informacione të fabrikuara ose të ekzagjeruar, me shpresën se kështu mund të siguronin postet e tyre aktuale ose të ardhshme. Ne besojmë se forca bazë në Shqipëri aktualisht është vetë populli, i cili do të gjejë një mënyrë për përmbysjen e regjimit aktual, kur kushtet politike dhe ato të tjera të piqen. Prandaj në atë kohë duhet të jepet asistenca përkatëse ndaj forcave demokratike të pavarësisë.

Diskutimi i Kubark për pozitën e BRSS në Shqipëri

Shqipëria ka vlerë strategjike për BRSS, si një pikënisje për sulme të mundshme ndaj Greqisë ose Jugosllavisë, ose për të nisur ofensiva detare dhe për të dominuar hyrjen në Adriatik. Kjo e fundit konsiderohet gjithsesi një pikë e pambrojtshme nga BRSS në rast konflikti. Vlera politike dhe psikologjike e vazhdimit të mbajtjes së Shqipërisë si një satelit nuk është e leverdishme për BRSS. Shqipëria konsiderohet si një barrë ekonomike që duhet furnizuar me pajisje dhe materiale të shumta asistence, prandaj në konkluzion ne pretendojmë se mungesa e traktateve formale të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Moskës shpreh se BRSS nuk ka impenjim serioz në Shqipëri. Por gjithsesi ata mund të reagojnë në rast të përmbysjes së dhunshme të regjimit komunist, qoftë drejtpërdrejt qoftë me anë të presioni mbi Jugosllavinë ose Greqinë nga vende satelite si Bullgaria.

Qëndrimi i Greqisë në lidhje me Shqipërinë

Ne më pas diskutuam mbi pozicionin e Greqisë ndaj Shqipërisë nga pikëpamja ushtarake dhe ajo e refuzimit të ekspozimit ndaj një vendi satelit sovjetik në krahun e saj perëndimor. Greqia sapo kaloi eksperiencën e dhimbshme me guerrilët komunistë, bazat e të cilëve ishin në Shqipëri. Situata në Greqi do të përmirësohej shumë në rast të uljes së rreziqeve që vijnë nga Shqipëria, dhe në rast të zëvendësimit të një vendi armiqësor me një vend të paktën neutral. Çdo përmirësim në Greqi sipas këtyre linjave do të ndikonte në përshpejtimin e rindërtimit të Greqisë dhe kjo është në interes të të gjithë gadishullit të Ballkanit. Interesi i vjetër i Greqisë vazhdon për të ashtuquajturin Epiri i Veriut, që në fakt është Shqipëria Jugore, por ka sinjale se presioni për të bërë aventura të tilla në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm. Në lidhje me këtë, tërheqim vëmendjen te deklarata e kryeministrit Papagos më 17 dhjetor 1952, ku tha: “Në lidhje me Shqipërinë qeveria dëshiron të theksojë se në përputhje me politikat e Konferencës së Paqes në 1946, heqim dorë nga çdo shfaqje dhune dhe kërkojmë përdorimin e mjeteve ligjore ndërkombëtare për problemin e Epirit të Veriut. Ne dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të lirë të pavarur, demokratike dhe demokratike, e bashkëpunëtore miqësore me fqinjët”. Ne gjithashtu përmendëm se populli grek i trembet qëllimeve jugosllave në lidhje me Shqipërinë. Ne nuk jemi të sigurt për mënyrën e reagimit të Greqisë se në rast kryengritjeje apo anarkie në Shqipëri por besojmë se nuk ka shumë gjasa që Athina të kryejë veprime unilaterale apo të ndërhyjë në Shqipëri pa u konsultuar me fuqitë e tjera. Në konkluzion ne pyetën përfaqësuesit e PBERM nëse donin të komentonin mbi deklaratën tonë apo mbi marrëveshjen të mundshme mes Greqisë dhe Jugosllavisë në lidhje me Shqipërinë, si në rrethana normale apo në rast lufte.

Qëndrimi i Italisë

Në lidhje me Italinë ne përmendëm interesin e saj tradicional te Shqipëria për arsyet strategjike të vendndodhjes në grykën e Adriatikut, por gjithashtu për arsye ekonomike e kulturore. Aktualisht nuk ka prova për aktivitet të konsiderueshëm politik në lidhje me Shqipërinë por Italia ka thënë se dëshiron një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe miqësore me Italinë.

Qëndrimi i Britanisë së Madhe

 Britania ka interes në Shqipëri dhe kjo është parë nga qëndrimi i saj miqësor ndaj Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Pa hyrë më shumë në detaje ne sugjeruan se jugosllavët janë në pozitë më të mirë të komentojnë mbi qëndrimin britanik, duke marrë parasysh vizitat e kohëve të fundit të Randolph Churchill e Anthony Eden në Beograd.

Deklarata e përfaqësuesve të PBERM mbi qëndrimin e vendeve të tjera

BRSS

Zoti S. Deklaroi se agjencia e tij nuk ishte në gjendje të përcaktonte qëllimet e vërteta të BRSS në Shqipëri. Ai shtoi se nuk ka kompetenca të një strategu ushtarak, por e pranonte se Shqipëria ishte e pambrojtshme si një post sovjetik në rajoni e rrethuar nga vendet perëndimore. Shqipëria ka njëfarë interesi ekonomik për BRSS, por në përgjithësi mund të shërbejë si një pretekst agresioni ndaj Ballkanit në përgjithësi, dhe ndaj Jugosllavisë në veçanti, pasi çfarëdo që të ndodhë në Shqipëri, propaganda sovjetike do të thotë se është shkaktuar nga Jugosllavia. Nga ana politike BRSS e konsideron Shqipërinë si një vend i vogël socialist, i cili duhet të mbrohet, dhe ndoshta po i japin më shumë rëndësi pas disa problemeve që kanë hasur me vende të tjera të ngjashme. BRSS nuk ka përgjegjësi apo detyrime formale ndaj Shqipërisë dhe çështja mbetet nëse vendi është vërtet aq i veçantë sa që të ndërhynin për mbrojtjen e tij në rast agresioni. Me pretekstin e mbrojtjes së një vendi të vogël socialist, BRSS mund të sulmojë Jugosllavinë, por në nuk kemi informacione të sakta ku të bazojmë këtë analizë. Në lidhje me numrin dhe tipin e personelit sovjetik në Shqipëri, zoti S. Tha se një numër ushtarakësh bullgarë janë dërguar në Shqipëri në 1952, por numri i tyre në krahasim me personelin dhe këshilltarët sovjetikë është shumë i vogël. Deri tani nuk ka sinjalizime se personale sovjetik në Shqipëri do të zëvendësohet me bullgarë. Këta të fundit janë vendosur në poste civile, në aeroportin e Tiranës dhe në forcat e armatosura. Në lidhje me armiqësinë tradicionalë mes bullgarëve e shqiptarëve, zoti S. nuk komentoi, por tha se çdo njësi ushtarake shqiptare ka instruktorin e saj sovjetik. Ai shtoi se instruktorë të tillë ka në të gjitha ministritë dhe sistemin administrativ të vendit. Në hidrocentralin Lenin në Selitë punojnë rreth 50 instruktorë dhe teknikë sovjetikë, ashtu si dhe në kombinatin tekstil Stalin, në Uzinën Enver dhe 11 doktorë sovjetikë punojnë në spitalin e Tiranës. Trajnime të avancuara të personelit shqiptar të policisë dhe Sigurimit bëhen në Bashkimin Sovjetik. BRSS ka investuar në disa degë të industrisë shqiptare, veçanërisht në ato të lidhura me tregtinë e jashtme. Investimet e kapitalit normalisht shoqërohen dhe me investime në specialistë. Një fakt për përshtatjen e këtij sistemi është dhe futja e gjuhës ruse si e detyrueshme në shkollat e Shqipërisë.

Pozita e Italisë

Është e sigurt se Italia nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj ndaj Shqipërisë. Megjithëse ata aktualisht aktivë, Italia është në fakt qendra e një grupi të organizuar emigracioni pro-italian i cili po kryen aktivitete gjysmë klandestine si ndaj italianëve dhe vendeve të tjera. Italia nuk ka deklaruar as se ka hequr dorë nga pretendimet e saj ndaj Jugosllavisë prandaj mund të thuhet ne siguri se nuk e ka bërë as ndaj Shqipërisë. Deklaratat e Romës në lidhje me Shqipërinë i ngjajnë ende atyre të Kontit Ciano, i cili në mënyrë cinike bëri publike deklarata e pavarësisë së Shqipërisë kur në ditarin e tij shkruante se pavarësisë së Shqipërisë po i vinte fundi. I gjithë shtypi perëndimor ka shkruar për vizitën e kryeministrit italian De Gasperi në Greqi, ku u bënë diskutime dhe për Shqipërinë. Në takimet me zyrtarët jugosllavë italianët deklarojnë se aktivitetet e tyre mbi Shqipërinë bëhen nën drejtimin e SHBA. Në lidhje me Greqinë zoti S. tha se informacioni vetëm që ata kishin ishte ajo që kishte dalë në mediat greke para formimit të qeverisë së Plastiras. Ai pranoi që çështja e Epirit të veriut nuk ishte aq urgjente sa më parë. Ai shtoi se mund të supozohet se me përmirësimin e marrëdhënieve mes Greqisë e Jugosllavisë do të arrihet dhe një marrëveshje në lindje me Shqipërinë, por kjo çështje ishte në nivele më të larta se ato të agjencive të inteligjencës. Si konkluzion zoti S. tha se qëndrimi i Jugosllavisë është se Shqipëria nuk duhet të copëtohet.Pas kësaj ekspozeje të zotit S. sesioni u ndërpre në ora 00.17 të 17 shkurtit.

Vlerësimi i Kubark i grupeve shqiptare të emigracionit

Në ora 10.15 të 17 shkurtit konferenca rinisi me diskutimin e çështjes së emigracionit shqiptar. Përfaqësuesi ynë deklaroi se ka ende lidhje të forta mes liderëve të emigracionit jashtë Shqipërisë dhe njerëzve në vend, prandaj ata nuk janë të parëndësishëm. Më tej ia nisi përshkrimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, i formuar në Paris në 26 gusht 1949, nën drejtimin e Mit’hat Frashërit, udhëheqësit të Ballit Kombëtar, i cili vdiq më 3 tetor të të njëjtit vit. Ai u pasua nga Hasan Dosti dhe në krye të Ballit Kombëtar dhe të Komitetit Shqipëria e Lirë. Komiteti u krijua për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët në emigracion që kërkonin një qeveri të lirë në Shqipëri. Komiteti zotohet të inkurajojë popullin trim shqiptar në rezistencën e tyre kundër regjimit tiran të Enver Hoxhës dhe të organizojë shqiptarët jashtë vendit në këtë rezistencë. Komiteti ka njoftuar qëllimin e tij për të punuar për rivendosjen e pavarësisë, sovraniteti dhe integritetit territorial. Komiteti Shqipëria e Lirë ka selinë e tij në Nju Jork, ku punon ngushtë me Komitetin Kombëtar Evropa e Lirë. Selia kryesore e propagandës së komitetit është në Romë, ku publikohet gazeta “Shqipëria” dhe një buletin me lajme nga Shqipëria, të cilat shpërndahen me postë në të gjithë shqiptarët në botë. Që prej formimit të tij Komiteti Shqipëria e Lirë ka punuar për bashkimin e grupeve shqiptare të emigracionit, të interesuar në çlirimin e vendit të tyre nga regjimi i Enver Hoxhës. Me anë të Radios Evropa e lirë ata transmetojnë rregullisht në Shqipëri dhe kanë gjithashtu një stacion klandestin radio. Partitë kryesore që nuk përfaqësohen në Komitetin Shqipëria e Lirë janë: Blloku Kombëtar Indipendent, e cila konsiderohet e papranueshme prej bashkëpunimit të disa elementeve të saj me fashistët gjatë pushtimit italian, DHE Lidhja e Dytë e Prizrenit që është përjashtuar prej bashkëpunimit me gjermanët të kreut të saj Xhafer Deva dhe prej natyrës delikate të çështjes së Kosovës.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2018 - 07:10

Shumë shqiptarë që u arratisën drejt Jugosllavisë gjatë regjimit komunist u rekrutuan nga agjencia e inteligjencës Jugosllave.

Postuar: 14/08/2018 - 11:01

Historia e familjes së Abaz Kupi është një nga më të rrallat e persekutimit.

Postuar: 14/08/2018 - 07:05

CIA ka dhënë detaje mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Postuar: 12/08/2018 - 10:59

Zogu I, është ndoshta sundimtari më pak i njohur europian i shekullit XX, dhe pothuajse me siguri

Postuar: 11/08/2018 - 07:10

 Tensionimi i marrëdhënieve me Kinën më 1977 solli spastrime në radhët e PPSH.

Postuar: 10/08/2018 - 07:14

CIA ka treguar detaje nga prishja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës.