BREAKING NEWS

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu nxjerr për herë të parë EMRAT: Do ketë prurje të reja!

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu
x

Dossier

Të pathënat për Ali Pashë Tepelenën, emisarët rusë të dërguar në Ballkan dhe e vërteta për Stefano Pikolon

Të pathënat për Ali Pashë Tepelenën, emisarët

(Vijon nga numri i kaluar)

Po në faqen 47 të këtij libri shkruhet: “Ka mundësi dy vjet më vonë (1765) Aliu të ketë marrë urdhër që të inkuadrohej në ushtrinë e Mehmet pashës, mytesarif i Janinës, i cili në krye të 12 000 vetave të shkonte në Gjeorgji (Gjurxhistan). Një vit më vonë ka shkuar me 1 000 këmbësorë levendë, nën komandën e mytesarifit të Janinës, në ndihmë të valiut të Çëlldërit dhe seraskerit të Gjurxhistanit, vezir Hysein Pashës”. (Kjo është marrë nga dokumentet turke dhe jepen në referencat nr 19 dhe 20.).

Së pari, Aliu në moshën 13 vjeç nuk është e besueshme se ka shkuar të luftojë në Gjeorgji, por edhe një vit më vonë, pra që i bie në vitin 1766, pra që ka qenë 14 vjeç.

Së dyti, nuk mund të shkruhet “ka mundësi të ketë marrë urdhër”. Nëse ka marrë urdhër, duhet të ketë një dokument ose një shkrim, por me hamendje nuk mund të jepen si fakte.

Në Perandorinë Osmane ka pasur shumë vezirë, pashallarë dhe bejlerë me emrat Ali dhe Mehmet. Nëse në dokumente nuk përcaktohet se për cilin Ali bëhet fjalë, atëherë nuk mund ta marrim të sigurt që bëhet fjalë për Ali Pashë Tepelenën. Në luftën ruso-turke të viteve 1806 – 1812, në ushtrinë turke merrnin pjesë katër pashallarë me emrin Ali, e konkretisht:

Kuçuk Ali – pasha –një nga komandantët e jeniçerëve,

Ali – pasha i Nikopolit, komandant turk,

Ali – pasha i Janinës ose Tepelenës.

Ali – pasha, gjeneral turk, që komandoi forcat turke në Turtukaj.

Këto ndodhen në vëllimin III të Dokumenteve të Kutuzovit. Nëse nuk do të ishte treguesi i emrave në fund të librit, i cili jep për secilin nga këta pashallarë numrin e faqes ku përmendet, atëherë do të ishte e vështirë për t’i përcaktuar.

Duke u nisur nga mosha, pra vitlindja e Aliut, ndryshojnë edhe shumë fakte të tjera lidhur me jetën e Aliut. Viti kur është martuar Aliu nuk jepet njësoj nga autorët. Kështu në librin “Ali Pashë Tepelena”, botuar nga “Plejad”, në fq. 46 thuhet se “Aliu nuk vonoi të lidhet edhe më ngushtë me pashain e Delvinës dhe me ndërhyrjen e Hankos u martua me të bijën e Kapllan Pashait, Eminenë (1769). Dasma u bë me pompë të madhe në Gjirokastër, ku i lindi pas një viti djali i parë Muhtari dhe pas katër vjet dhe djali i dytë Veliu”. Në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës”, në faqet 60 – 61 shkruhet se “Dasma (e Aliut) u bë në Gjirokastër më 1768, me një pompozitet të madh. Mosha e martesës së Aliut në letërsinë historike vërtitet rreth viteve 18 – 28 vjeç”.

Në faqen 64 po të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, thuhet: “Më 1769 Emineja e gëzoi Aliun me Muhtarin. Në vitin 1773 Aliu u bë me një djalë të dytë, Veliun. Aliu u kujdes që ata të arsimoheshin dhe të edukoheshin, duke u vënë mësues privatë”.

Duke marrë për bazë vitlindjen e Aliut në vitin 1752, del se ai është martuar 18 vjeç, që i bie viti 1770 dhe Muhtari ka lindur në vitin 1771, ndërsa Veliu në vitin 1775. Këtë e mbështesim në librin e I. M. Qafëzezit, ku në faqen 467 shkruhet: “Bijtë dhe nipat e Ali Pashës që u preu krerët Sulltan Mahmudi II ishin këta: Bijtë e Ali Pashës: Myftar Pasha, ish-sundimtar i Beratit, 51 vjet, Veli Pasha, ish-sundimtar i Sheherit, 47 vjet”.

Nga vitit 1822 që atyre iu pre koka, nëse zbresim 51 për Myftarin, del se ka lindur në 1771 dhe 47 për Veliun, del viti 1775. Të dhëna të tjera më të sakta deri më sot nuk kemi.

Në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës” trajtohet problemi i emisarëve të huaj të dërguar në rajonin e Ballkanit, kryesisht ata rusë, ku në faqet 60 – 61 shkruhet: “... Qeveria ruse organizoi kryengritjen në Gjeorgji, dërgoi agjentët e vet në Shqipëri, Malin e Zi, në Vllahi dhe Transilvani. Në Mal të Zi u dërgua Stefano Pikolo. Në Greqi u dërgua një prift për të biseduar me banorët e Lakonisë, me malësorët e Sulit (Seleida) dhe me himariotët (Akrokeraunëve)...”. “... Caresha Ekaterina II dërgoi në Greqi një aventurier, Grigor Papadhopulli, i cili kishte miqësi me Orllovin, njeri i pushtetshëm, favorit i careshës, për të çuar më tej idenë e flakjes së zgjedhës osmane. Ndërkohë Rusia nxiti popullsinë e Moresë për kryengritje duke i furnizuar me armë dhe municione”. Për të dy këta paragrafë, nuk jepet asnjë referencë.

Nga dokumentet e arkivave ruse del se Rusia ka dërguar shumë emisarë në Ballkan, pothuajse në të gjitha shtetet, të cilët punonin për të krijuar lidhje sa më të ngushta me këta popuj dhe për t’i ngritur në luftë kundër Perandorisë Osmane. Emisarë të tillë kanë ardhur në Shqipëri, Himarë, More etj. Për sa i përket emisarit Stefano Pikolo, që shkoi në Malin e Zi, me siguri që ky fakt është marrë nga ndonjë botim në gjuhën italiane, por e vërteta nuk qëndron kështu. Stefano Pikolo, që rusët e quajnë Stepan Mallij dhe që ne e përkthejmë Stefani i Vogël, nuk ishte emisar i dërguar nga qeveria ruse. Ky ishte një aventurier dhe mashtrues, por që popullin malazez e ndihmoi shumë. Stefani e quante veten Pjetri i Tretë. Për këtë dhe për probleme të tjera, në vitin 1769 qeveria ruse dërgoi në Malin e Zi gjeneralin J. V. Dollgorukov, si tregtar me emër tjetër, si dhe disa oficerë të tjerë. Ata e kapën Stefanin dhe kur e morën në pyetje ai tregoi se ishte boshnjak, quhej Rajiç, që i vogël ishte endur nëpër shtete të ndryshme dhe në fund kishte përfunduar në Malin e Zi. Stefani u vra nga një grek në vitin 1771, i cili ishte dërguar nga pashai shkodran.

Lidhur me emisarët në More, Himarë etj, në dokumentet ruse thuhet: “Në vitin 1763,... gjenerali G. G. Orllov dërgoi në Greqi dy emisarë, tregtarin grek nga Peterburgu M. Saro dhe togerin e artilerisë G. Papazoli, që të testonin tendencat e manjotëve dhe grekëve të tjerë, në rast të luftës së mundshme me perandorinë osmane”. Shkuarja e tyre në More dhe Himarë ka qenë një aventurë e vërtetë.

Kseromero, rajoni në bregdetin perëndimor të Greqisë, ishte një nga vendet e para që vizituan emisarët rusë. Këtu pushtetin në masë të konsiderueshme e gëzonin, sipas shprehjes së M. Saros, “kapidanët e vjetër”: Stafa, Bukuvalo, Makripulo, Zhurdo. Emisarët rusë pa vështirësi gjetën gjuhën e përbashkët me këta komandantë kleftoarmatollë, siç i quajnë ata në historiografinë greke. “Ata – siç shkruan Saro – asnjëherë, si ortodoksë, nuk duan të jenë nënshtetas turq, dhe kundër tyre me gëzim të madh do të shkojnë dhe mund të sjellin një shumicë grekësh të tjerë që jetojnë atje”.

Papazoli dhe Saro gjithashtu sëbashku vizituan rajonin malor të Shqipërisë së Jugut, Himarën. Qëndrimi i himarjotëve me pushtetin turk ishte analog me atë të malësorëve grekë. “Turku ata kurrë nuk i nënshtroi – thuhej në shënimin e Saros –... dhe ata gjithashtu kundër turkut janë në gjendje të luftojnë me jo pak forca”.

Pra këta dy emisarë, shkuan për të testuar tendencat dhe jo për t’i ngritur në kryengritje, aq më pak për t’i furnizuar me armë. Shkuarja e tyre në More dhe Himarë është një aventurë e vërtetë, sepse me zor shpëtuan kokën, dhe jo të kishin me vete armë e municione. Edhe veprimtaria e këtyre dy emisarëve pasqyrohet në dokumentet ruse.

Një nga problemet që zë vend shumë në librat për Ali Pashën është edhe ai i marrëdhënieve me Rusinë.

Në librin “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, pasi flitet për marrëdhëniet e Benakit me Aliun në vitin 1789, në faqen 32 thuhet: “... Prandaj pashai e pa të arsyeshme t’i rifillonte vetë i pari bisedimet e ndërprera dy vjet më parë me Rusinë....Në fillim të vitit 1791... ai mori nga Porta e Lartë urdhrin kategorik që së bashku me 20 000 ushtarë të marshonte menjëherë pranë ushtrisë së Vezirit të Madh. Për të sabotuar këtë urdhër, në mirëkuptim me Psaron (rezidentin rus në Sicili) pashai hartoi një letër të rreme në emër të Psaros, i cili u bënte të ditur udhëheqësve shqiptarë e grekë të popullsisë bregdetare, se më 1 mars do të zbarkonte atje me një flotilje ruse duke kërcënuar që në rast rezistence, rusët do të shkaktonin bastisje midis popullsisë. Këtë letër Psaro ia dërgoi në gjuhën ruse Ali Pashës, i cili e nisi menjëherë në Stamboll, duke shtuar se gjoja e kishte marrë atë nga prijësat shqiptarë e grekë të bregdetit, së bashku me lutjen që i kërkonin ndihmë...” (Referenca është Arkivi Qendror Shtetëror i Flotës luftarako-detare, CGAVMF, Dok 60, fq. 343 – 344. Gibsi – Potjemkinit, 18 mars 1791). Në fakt, kjo referencë është marrë nga faqja 153 e librit të historianit rus G. Arsh.

Në librin “Ali Pasha midis historisë dhe legjendës”, në faqen 112 thuhet: “Marrëdhëniet me rusët i nisi me Psaron, rezidenti rus në Sicili. Aliu hartoi një letër të rremë në emër të rezidentit drejtuar Aliut dhe grekëve, ku u bëhej e ditur se më 1 mars do të zbarkonte një flotilje ruse. Letrën Aliu ia dërgoi Psaros, i cili ia ktheu Aliut në rusisht, kurse Aliu e nisi në Stamboll, duke shtuar se zonat e bregdetit i kishin kërkuar ndihmë, prandaj nuk mund ta zbatonte urdhrin. Në shkurt Aliu njoftoi rezidentin rus në Sicili se kishte vendosur të kalonte në anën e rusëve, po t’i sigurohej se pas mbarimit të luftës ruso – turke do të mbetej i pavarur”. Këtu nuk jepet asnjë referencë.

Po çfarë thotë historiani rus G. L. Arsh, nga ku janë marrë këto fragmente, pavarësisht se është shkruar se është marrë nga Arkivi i flotës luftarake ruse. Në faqen 152 të librit të tij, historiani rus shkruan se vërtet bisedimet rifilluan nga ana e Aliut, por konkretisht ai thotë: “Ai (Aliu) nëpërmjet Lasalit i transmetoi Benakit dhe rezidentit rus në Sicili, gjeneralit Psaro se “mendon të kalojë në anën e Rusisë....”. Përfaqësuesit rusë iu përgjigjën se këtë premtim, në emër të qeverisë mund ta japë vetëm princi Potjemkin. (CGAVMF, fondi 239, dosja 29, fleta 105. L. P. Benaki dërguar G. A. Potjemkinit më 27 shkurt 1791).

Në vazhdim, historiani rus shkruan: “Pasi mësoi në këtë kohë, se... Ali Pasha mori urdhër kategorik që të niset me 20 mijë veta në ushtrinë e vezirit të madh dhe se atij “nuk i pëlqeu shumë ky urdhër”, Psaro vendosi ta ndihmojë atë në sabotimin e urdhrit të Portës. U ra dakord dhe u realizua kjo ecuri. Gjeneral A. K. Psaro përpiloi “letrën” për krerët kryesorë të fshatrave shqiptare dhe greke, që ata më 1 mars 1791 të ndihmojnë flotën ruse, në rast të kundërt fshatrat e tyre “do të shkretohen”. Këtë “letër” ai ia dërgoi Ali Pashës, ndërsa ky e dërgoi te Porta, duke njoftuar se gjoja e mori atë nga kryepleqtë shqiptarë dhe grekë, bashkë me kërkesën për ndihmë. Duke dërguar “letrën” te Porta, Ali Pasha “kërkonte falje para saj” se nga ushtria e tij, ai pjesën më të madhe duhej ta linte për mbrojtjen e fshatrave bregdetare të përmendura dhe prandaj nuk ishte në gjendje të zbatonte fermanin për bashkimin me ushtrinë e vezirit të madh. Përveç kësaj, Ali Pasha i premtoi Psaros “të fusë luftë vëllavrasëse ndërmjet pashallarëve të tjerë dhe nëpërmjet kësaj t’i detyrojë ata të mos lenë vendet e tyre, ndërsa veten para Portës ta justifikojë se nuk ka vetëm ai arsye të qëndrojë në fshatrat e tij”. Këtu ka vend për saktësim në interpretimin e dokumenteve.

Vijon në numrin e radhës...