Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Themelimi i PKSH, CIA zbardh të tjera detaje: Ja si u eliminuan emrat që dolën kundër, vrasjet e arrestimet nisën që më 1948

Postuar: 04/09/2018 - 07:00

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera informacione mbi ndodhitë në ditët e para të krijimit të Partisë Komuniste. Në numrin e kaluar gazeta tregoi detaje nga roli i Miladin Popoviç dhe Dushan Mugoshës, ndërsa në numrin e sotëm tregohet se si nisën përplasjet. Shumë emra që dolën kundër u eliminuan.

Tetor 1948

Eliminimi i opozicionit në PPSH

(Vijon nga numri i kaluar)

Përballë kritikave të vazhdueshme dhe humbjes së terrenit, klika burokratike vendosi ta distanconte veten nga pozita e pafavorshme dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte që ajo të mbyste që në filiz opozicionin revolucionar. Ata vendosën të eliminonin duke vrarë kundërshtarët e tyre dhe kjo solli në vrasjen e marksistit më të njohur në Shqipëri, Anastas Lulës. Aktivisti komunist Difi, sapo dëgjoi për vrasjen e Anastasit, shkoi për ta diskutuar me Xhepin dhe për atë që ata duhet të bënin. Difi ishte komisar politik i batalionit të Mallakastrës asokohe, një nga njësitë më të mëdha partizane. Difi informoi Xhepin se Komiteti Qendror i kishte dënuar atë, Xhepin ashtu si dhe Anastasin me vdekje. Ai përshkroi vrasjen e Anastasit dhe paralajmëroi se edhe Xhepi do të vritej fshehtësish si ai natën, por do të varrosej me nderime ditën, prej mbështetjes që kishte në luftëtarët dhe popullit e Vlorës. Duke pranuar që po shkelte disiplinën e partisë Difi tha se duhej gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund fushatave kundër individëve. Ai shprehu besim te Xhepi dhe akuzoi Komitetin Qendror se ishte një klikë që kishte si qëllim vetëm monopolizimin e partisë. Për këtë arsye, tha ai, ata kërkojnë të eliminojnë të gjithë revolucionarët me vlerë. Difi i kërkoi Xhepit ta këshillonte si një komunist i vjetër që ishte, sesi mund t’i jepnin fund aktiviteteve të klikës së partisë. Xhepi mendoi se mënyra më e mirë komuniste ishte thirrja e një kongresi ku të ishin prezentë të paktën dy anëtarë të secilit grup komunist, së bashku me të gjithë anëtarët e komiteteve rajonale të Vlorës dhe disa anëtarë të komitetit qendror (Meqenëse Vlora ishte nga qendrat më revolucionare besohej se aplikimet e teorive leniniste të centralizimit demokratik duhet të kryheshin atje. Më vonë të gjitha qendrat e tjera do të ndiqnin shembullin e saj). Qëllimi i kongresit do të ishte ekzaminimi i gabimeve që ishin kryer dhe dënimi i fajtorëve. Nëse gjatë diskutimeve kuptohej se komiteti i Vlorës nuk kishte më mbështetjen e shumicës së shokëve, atëherë një komitet i ri do të zgjidhej në mënyrë demokratike.

Përplasjet

Me gjithë faktin se 80 për qind e luftëtarëve dëshironin mbledhjen e kongresit të partisë, Komiteti i Vlorës dhe Komiteti Qendror ishin kategorikisht kundër idesë. Fillimisht ata pretenduan se do ta pranonin idenë, por kjo ishte sa për të fituar kohë për të përgatitur planin e eliminimit të shokëve më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm. Sapo ata kishin përgatitur planin e tyre të terrorizmit, fshehtësish u arrestua komisari politik i komunës së Dukatit. Një tentativë për vrasjen e Xhepit u krye, por ai i shpëtoi vdekjes, pasi disa shokë e lajmëruan në kohë. Komiteti qendror dinakërisht arrestoi dhe komisarin politik Xhemil Cakerri dhe major Vangjon e batalionit të Vlorës, të cilët u çuan më pas për t’u ekzekutuar. Komisari politik u ekzekutua ndërsa majori shpëtoi me një plagë në dorë dhe u strehua në një fshat ku u ndihmua nga vendasit. Mehmet Shehu (sot krimineli më i madh në Shqipëri dhe gjeneral stalinist i ushtrisë) shkoi personalisht në këtë fshat dhe arriti të arrestonte Vangjon, duke u justifikuar me fshatarët se vrasjet ishin kryer aksidentalisht dhe sa tani Vangjo do të gjykohej në gjyqin e partisë. Por Vangjo u shoqërua në një shtëpi në pyll dhe u detyrua të nënshkruante një letër ku i jepte komandën e batalionit Mehmet Shehut. Vangjo u mbajt i burgosur për 3 muaj derisa arriti të arratisej dhe të bashkohej me shokët e opozicionit. Ndërkohë vrasjet e komunistëve revolucionarë vazhdonin në të gjitha degët e partisë. Me anë të gazetave e propagandës drejtuesit bënin të dukej sikur thirrja për mbledhjen e kongresit kishte si qëllim shkatërrimin e partisë në formën e konspiracioni të drejtuar nga Xhepi. Sikur opozita revolucionare të kishte qëllim komplotin kundër klikës staliniste, siç pretendonin këta të fundit, kjo do të kishte qenë e thjeshtë pasi ata ishin në minorancë në Vlorë. Por opozitarët revolucionarë refuzonin të përdornin metoda terroriste ndaj stalinistëve dhe dëshironin të vepronin sipas mënyrave të ligjshme të partisë. Ata nuk ishin armiq të partisë edhe se klika në pushtet kishte vendosur t’i eliminonte me çdo kusht. Është e qartë se opozita komuniste shqiptare ishte viktimë e sistemit të partisë dhe grupi drejtues kërkonte të eliminonte të gjithë ata që ishin në favor të thirrjes së kongresit. Klika në pushtet refuzonte kongresin pasi nuk mund të justifikonte veprimet e saj dhe devijimet nga linja komuniste, prandaj ishte më e lehtë të fitonte kohë me anë të terrorizmit.

Situata fillestare

Komunistët që kishin sakrifikuar kaq shumë për partinë nuk mund të tentonin ta shkatërronin atë me duart e tyre dhe stalinistët e dinin mirë këtë. Një tjetër arsye për makinacionet e stalinistëve ishte frika e humbjes së kontrollit të partisë. Por edhe sikur ata të kishin dëshiruar të pranonin propozimet e opozitës revolucionare nuk mund ta bënin këtë sepse dikush tjetër komandonte partinë shqiptare, kjo ishte klika jugosllave dhe mbi to ishte vetë Stalini. Kjo situatë tragjike demonstron se tashmë stalinizmi kishte zëvendësuar fashizmin dhe po tejkalonte metodat e tij të terrorit në praktikë. Rrjedhimisht nuk mund të pritej shumë nga Partia Komuniste Shqiptare kur edhe parti të tjera komuniste si ajo e Francës kishin qenë prej kohësh vegla të burokracisë së Kremlinit. Lëvizja komuniste shqiptare ishte ende në fillesat e saj kur u kontaminua nga stalinizmi, dhe shumë pak njerëz i kishin idenë e marksizëm-leninizmit. Shumica e anëtarëve ishin vetëm simpatizantë sentimentalë për sensin e drejtësisë së komunizmit dhe jo luftëtarë revolucionarë. Komunizmi ishte një rezultat i kushteve të veçanta sociale e ekonomike, të cilët ende nuk kishin arritur një pjekuri në Shqipëri. Partia Komuniste ishte krijuar vetëm prej një viti dhe anëtarët e saj shqiptarë nuk ishin indoktrinuar apo zhvilluar në mësimet e saj. Në Shqipëri nuk ekzistonte proletariati industrial dhe rrjedhimisht as lufta klasore. Ajo që është e admirueshme te shqiptarët është se megjithë përpjekjen e vështirë për mbijetesë dhe kundër shtypjes nga fuqitë e huaja, ata kanë treguar frymë të pakrahasueshme revolucionare. Pas refuzimit për mbledhjen e kongresit dhe përdorimin e metodave terroriste, opozita e partisë botoi një shkrim të gjatë me titull “Përse u ndamë nga e ashtu-quajtura Partia Komuniste” ku informonte luftëtarët e partisë dhe të gjithë popullin për tradhtinë e kryer nga udhëheqja. Pas botimit të shkrimit, lëvizja revolucionare opozitare e Vlorës u ndoq nga lëvizje të ngjashme në zona të tjera të Shqipërisë, veçanërisht në Berat, ku opozicioni drejtohej nga luftëtarët revolucionarë resul, Namik e Fatbardh. Por për fat të keq këto lëvizje ishin vetëm lokale pasi nisën në një periudhë kur klika staliniste e kishte konsoliduar pozitën e saj drejtuese në parti me anë të metodave terroriste dhe demagoge.

Sulmet

Më tej stalinistët akuzuan grupet revolucionare se po favorizonin reaksionarët, por opozitarët reaguan duke provuar me fakte se stalinistët po gënjenin masat duke përdorur metoda terroriste kundër atyre që kishin qenë revolucionarë prej fillimit. Njerëzit nisën të distancoheshin nga partia kur panë vrasjet e revolucionarëve më të njohur si Anastas Lula, Neki Hoxha (Vangja), Xhemil Cakerri, LLazar Fundo, Resul Tozhari, Namik Neqemerja, Xhafer Dalami, Xhelal Hoxha, Nimet Mitea, Haki Xhelo, Duro Kanina, Idajet Bolena e dhjetra të tjerëve që kishin spikatur me aktivitetin revolucionar. (Llazar Fundo e Halim Xhelo ishin aktivistët e parë komunistë në SHqipëri. Fundo ishte gjithashtu anëtar i Komintern prej kohësh por u nda prej saj kur e pa se ishte transformuar në një instrument në urdhrat e burokratëve të Kremlinit. Për të ruajtur traditën komuniste ai nisi të përhapë ide trotskiste). Njerëzit po humbnin besimin te partia kur mësuan se një kolonel i ushtrisë italiane qëlloi në ajër nga gëzimi për lajmin e vrasjes së heronjve revolucionarë, të cilët i kishin hapur probleme fashistëve prej kohësh. Populli u tmerrua nga lajmi se armiqtë më të ashpër të fashizmit ishin vrarë nga vetë partia e tyre dhe se stalinistët po plotësonin dëshirat e rivalëve të tyre fashistë. Stalinistët shqiptarë në Partinë Komuniste zëvendësuan aktivizimin dhe respektin vullnetar me adhurimin e detyruar të personave pa vlerë apo disa borgjezëve si Enver Hoxha e të tjerë. Shumica e luftëtarëve të partisë dhe e popullit po e shihte qartë degjenerimin e komunizmit të komanduar nga sovjetikët. Të ashtuquajturat gjykata të popullit po e bënin të qartë se cili ishte qëllimi i vërtetë i mbështetësve të “Demokracive Popullore”. Vrasjet e pabesa të qindra revolucionarëve marksistë dhe dënimet me vdekje të shpallura për revolucionarin e njohur Hasan Reçi, burgosja e revolucionarit Kadri Hoxha dhe përjashtimi i Sejfulla Malishovës, ishin tiparet kryesore të tradhtisë së komunistëve shqiptarë. Hasan Reçi ishte dënuar me vdekje tre herë si komunist nga qeveria e mbretit Zog, më pas nga pushtuesit fashistë dhe për herë të fundit nga stalinistët shqiptarë. Kadri Hoxha ishte gjithashtu një luftëtar i devotshëm revolucionar dhe Sejfulla Malishova një nga pionierët e komunizmit shqiptar. Malishova ka qëndruar shumë kohë jashtë Shqipërisë duke u përpjekur të koordinonte lëvizjen shqiptare me atë të vendeve të tjera, dhe ishte profesor filozofie materialiste në universitetin e Moskës. Çështja tani është nëse populli shqiptar do të mbetet përjetësisht pasiv ndaj kësaj sëmundjeje të pashërueshme, ose do të veprojë për të ndaluar krimet e stalinistëve duke parë sesi u tradhtuan idealet. Pas shkrimit të këtij artikulli në Partinë Komuniste Shqiptare nisi një krizë si rezultat i çështjes jugosllave. Pesë anëtarë të Byrosë Politike janë përjashtuar duke përfshirë dhe Koçi Xoxe e Pandi Kristo të cilët tashmë i janë bashkuar opozicionit. Është e sigurt se ky artikull do t’i shërbejë revolucionarëve shqiptarë ta çlirojnë veten e tyre nga dominimi stalinist i cili siç u pa më lart i ka shkaktuar efekte katastrofike lëvizjes komuniste.

Roli i Mugoshës dhe Popoviç

Edhe një fëmijë mund ta kuptonte se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste shqiptare ishte vetëm një etiketë dhe se komiteti i vërtetë ishin vetëm Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Të gjithë e kishin kuptuar se anëtarët e tjerë të komitetit qendror ishin vetëm zbatues të urdhrave të Miladinit. Anastasi dhe Xhepi, gjithnjë me shpresën se gjërat do të përmirësoheshin, nuk mund të mbanin qëndrim armiqësor, por përkundrazi ata pranuan të ishin gjithmonë të gatshëm ndaj thirrjes së partisë. Më vonë, megjithëse kishin pranuar bashkëpunimin e ofruar nga Miladini, ata nisën të trembeshin se sulmet e tij sistematike nuk do të sillnin asgjë të mirë. Ata nisën të besonin se ai ishte një shovinist dinak serb, që nën maskën e komunizmit kërkonte të krijonte klikën që i shërben vendit të tij, duke marrë peng lëvizjen komuniste shqiptare. Por drejtuesit e grupit të “Të Rinjve” menduan se ishte më mirë që t’ia linin Komitetit Qendror përgjegjësinë për situatën, duke preferuar të tregoheshin tolerantë dhe jo të bëheshin shkaktarë të prishjeve brenda partisë. Megjithëse ishin përjashtuar nga partia, ata kryen me përkushtim detyrat që i ngarkoheshin. Por ndershmëria dhe përkushtimi revolucionar i irritonte burokratët e klikës, dhe megjithëse ata admiroheshin nga luftëtarët, duhet të eliminoheshin me çdo kusht. Për të arritur këtë drejtuesit urdhëruan që ata të mbaheshin nën vëzhgim të rreptë, dhe veçanërisht Anastasi dhe Xhepi. Këta të dy e kuptuan që po vazhdoheshin por nuk protestuan pasi e dinin se kontrolli dhe disiplina është e nevojshme në parti. Ajo që i habiti ata ishte përdorimi i njerëzve që nuk kishin minimumin e edukimit marksist dhe ishin të pakualifikuar për detyrën. Për më tepër Komiteti i kërkoi agjentëve të bënin raportime negative mbi kolegët e monitoruar. Koloegët e monitoruar mendonin se partia po i vëzhgonte për të dalluar dhe korrigjuar gabimet e tyre, por parimi i Leninit për kontrollin e partisë nga maja në detaje nuk funksionoi kurrë në partinë komuniste shqiptare. Nëse dikush kritikonte drejtimin e partisë, atij jo vetëm që i hiqej e drejta të bënte kritika por diskreditohej duke u quajtur Xhepist, Trotskist, sabotator etj. Kështu për të evituar që të binin pre e këtyre sjelljeve, shokët e partisë nuk guxonin më të kritikonin gabimet që vinin re.

Mbështetja, opozicioni i shqiptarëve në Jugosllavi ndaj Titos

Ka rreth 10 000 shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë arratisur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Mes tyre përfshihen dhe rreth 800, të cilët megjithëse punojnë në fabrika, dyqane apo miniera, janë ushtarë të gatshëm e të organizuar. Ata kanë armë dhe kryejnë stërvitje thuajse të rregullt ushtarake. Ndërsa rreth 2000 janë pleq, gra ose djem që nuk mund të rekrutohen. Shumica e refugjatëve të grupit aktiv gjenden në Prishtinë, provinca shqiptare e Jugosllavisë, Kosovë, ku gjendet dhe selia e tyre drejtuese e Komitetit të Refugjatëve Shqiptarë në Jugosllavi. Grupe të tjera me influencë gjenden në Gjakovë, Prizren, Diber dhe Shkup, të gjitha pranë kufirit me Shqipërinë. Presidenti i Komitetit Shqiptar është Apostol Tenefi nga Korica, shtetas shqiptar me origjinë bullgare, që do të thotë sllave. Por ai e konsideron veten shqiptar dhe para se të arratisej ka qenë mësues në Shqipëri. Feja e tij është ortodokse. Zëvendës-presidenti i komitetit është Lufti Spahiu, mysliman, i lindur në Shqipëri. Gjatë kohës së luftës ai ka mbështetur regjimin fashist italian dhe ka simpati federaliste. Më shumë se të tjerët ai mbështet idenë e federalizmit të Shqipërisë, për arsye se kështu mund të rrëzohet Enver Hoxha nga pushteti dhe sepse kështu provincat sllave të jugut të kalojnë nën mbrojtjen e Titos. Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit është Hajrullah Ishmi, ndërsa anëtarët e komitetit janë Mark Doda katolik, Mane Imsi ortodoks dhe Shaqir Lleshi mysliman. Ky komitet dhe në përgjithësi të gjithë shqiptarët në Jugosllavi marrin ndihmë materiale dhe morale nga qeveria e Titos. Anëtarët e komitetit të refugjatëve kanë rroga mujore ndërsa presidenti Tenefi që ka qenë mësues në Shqipëri, është bërë prej disa kohësh drejtor i liceut shqiptar në Prishtinë. Por në fakt ai merret shumë me problemin e refugjatëve shqiptarë. Qeveria komuniste jugosllave i ka ndihmuar punëtorët shqiptarë për të fituar besimin e tyre në kauzën komuniste. Refugjatët shqiptarë janë të gjithë pa përjashtim të punësuar në fabrika, ndërmarrje, miniera etj. Për të fituar ushqimin e tyre. Ndërsa fshatarët dhe disa intelektualë kanë mbetur nganjëherë pa punë. Të gjithë liderët shqiptarë të komitetit të refugjatëve kanë karaktere të forta por autoritetet e kanë kuptuar se asnjë prej tyre nuk mund të luajë një rol madhor në çlirimin e Shqipërisë nga Hoxha, si nga shqiptarët dhe nga jugosllavët. Dushan Mugosha është përfaqësuesi i qeverisë jugosllave në komitetin e refugjatëve. Ai është një 48 vjeçar inteligjent dhe energjik dhe në fakt është drejtuesi i vërtetë i Komitetit. Ka qenë ai që ka stërvitur Enver Hoxhës në rrugën komuniste gjatë luftës gjermane dhe italiane, duke jetuar në malet e Shqipërisë si përfaqësuesi i lartë i Titos. Ai ka organizuar gjithë kohës komunistët shqiptarë dhe flet gjuhën shqipe në mënyrë të përkryer. Në të gjitha takimet e shqiptarëve të Jugosllavisë ai nuk heziton të flasë në mbrojtje të politikave të Titos.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pjesë e saj. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se mund të kishte një bashkim Shqipëri-Jugosllavi.

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.