BREAKING NEWS

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët zbarkojnë në Shqipëri dhe u tregojnë dhëmbët rusëve, brenda 2023 nisin fluturimet e para

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët
x

Dossier

Vrasja e Trockit, figura e tij dhe qëndrimi dashamirës ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë

Vrasja e Trockit, figura e tij dhe qëndrimi dashamirës ndaj

Vrasja e Trockit, sikurse ajo e Xhon Kenedit, apo Arqidukës Ferdinant në Sarajevë që ndikoi në fillimin e Luftës së Parë Botërore, kanë pasur një jehonë të madhe politike dhe shoqërore.

Por ndërsa për vrasjen e Kenedit ka një literaturë të pasur mjekësore dhe forensike, për Trockin ajo ka qenë e paktë. Trocki ka qenë shumë i njohur edhe në vendin tonë, por i urryer në kohën e regjimit komunist; në të vërtetë duhej të ndodhte e kundërta, sepse Trocki me qëndrimet dhe veprimet e tij ka qenë dashamirës i popullit shqiptar. Për këto arsye, mendoj se paraqitja e kësaj figure, motivet dhe aspektet mjekësore të vrasjes së tij do t’i shërbenin jo vetëm njohjes sa më të plotë të tyre nga publiku shqiptar, deri më tani jo shumë të ditura, por edhe për të vlerësuar nga pikëpamja historike, nivelin e shkencave të neurokirurgjisë dhe mjekësisë ligjore në atë kohë. Përveç kësaj do të analizohen edhe disa të dhëna historike të lidhjes së Trockit me shqiptarët dhe Shqipërinë.

Cili ka qenë Leon Trocki?

Leon Trocki, i lindur në vitin 1879 në Bereslavka të Ukrainës, është një nga themeluesit e Bashkimit Sovjetik dhe figura e dytë pas Leninit, në udhëheqjen e revolucionit rus, hero i tij, krijuesi dhe drejtuesi i Ushtrisë së Kuqe, autor i dokumenteve kryesore të Internacionales Komuniste dhe një bashkëbisedues i rëndësishëm në argumentet e shumta politike dhe kulturale të gjysmës së parë të shekullit XX. Por pas vdekjes së Leninit, në vend të Trockit, drejtimin e shtetit sovjetik e mori Stalini. Trocki e kuptoi rolin negativ të burokracisë të Stalinit, që shkaktoi vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve, duke penguar ndërtimin e një shteti të vërtetë në Rusi. Ky kundërshtim kundër regjimit diktatorial të Stalinit, i cili për këtë e dënoi me vdekje Trockin, e detyroi atë të mërgohet nga Rusia duke vajtur në fillim në Kazakistan, që andej në Turqi, më pas në Francë, për t’u vendosur përfundimisht në muajin janar të vitit 1937, në Meksikë.

Trocki ka qenë gjithashtu një shkrimtar dhe teoricien që ka botuar shumë libra dhe studime mbi marksizmin dhe idetë e tij, që janë përdorur si argumente kryesore që kundërshtonin stalinizmin si ideologji kryesore në B.S. pas vdekjes së Leninit. Ky aktivitet i shtuar, arriti kulmin gjatë qëndrimit në vitet e fundit të jetës së tij në Meksikë, ku pati edhe mbrojtjen nga presidenti liberal Meksikan, Lazaro Cardenas. Trocki, sipas nipit të tij Esteban Volher, u ka deklaruar në vitin 1938 mbështetësve të tij amerikanë se: “Nuk ka një qëllim më të madh në tokë, sesa yni, që na jep kënaqësinë më të madhe dhe ndërgjegjen për të marrë pjesë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, duke mbajtur në shpatullat tona një pjesëz të shpresave të njerëzimit”.

Përpjekjet titanike të Trockit, sikurse shprehet nipi i tij Esteban Volher, e bënin të dridhej diktatorin e Rusisë. Duhej vrarë Trocki, sepse ai përbënte një sfidë të përhershme dhe të padurueshme për burokracinë e Kremlinit. Për këtë, Stalini përdori të gjithë burimet ekonomike, njerëzore që kishte në dispozicion deri sa ja arriti qëllimit, duke e vrarë Trockin më 20 Gusht 1940 dhe bashkë me të eliminoi të gjithë pasuesit e Trockit në Rusi, madje dhe në vendet e tjera komuniste me anën e drejtuesve vasalë të tij në këto shtete, përfshirë edhe Shqipërinë.

Vrasja e Trockit

Në vitet e fundit të jetës, gjatë qëndrimit në Meksikë, Trocki ishte i lirë të shkruante dhe të shprehte teoritë e tij. Kështu ai themeloi atje internacionalen e katërt, një organizatë komuniste që kundërshtonte stalinizmin. Ai u bë atje një personalitet i shquar i shoqërisë meksikane dhe mbante lidhje me njerëz të njohur të Meksikës, si piktori Diego Rivera, Frida Kalho, Andre Bréton etj. Shtëpia e tij, e vendosur në rrethinat e qytetit të Meksikos frekuentohej nga vizitorë të shumtë që kishin dëshirë të njiheshin me Trockin dhe të dëgjonin idetë e tij. Por në këto rrethana, ai ishte më i ekspozuar ndaj agjentëve stalinistë që donin ta vrisnin atë. Sulmi i parë ndaj tij u krye më 24 maj 1940 nga një grup njerëzish të armatosur nën drejtimin e piktorit David Alfaro Siqueiros (piktor mural i shquar meksikan, përkrahës i realizmit socialist), të cilët qëlluan disa qindra fishekë në drejtim të shtëpisë së Trockit, por pa arritur ta dëmtojnë atë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Pas kësaj ngjarjeje u përforcua ruajtja e shtëpisë së tij me dyfishimin e policëve meksikanë si dhe me roje amerikane të financuar nga miqtë amerikanë të Trockit. Pavarësisht nga kjo, këtë masa nuk dhanë asnjë rezultat. Më datën 20 gusht 1940, rreth orës 5.20 pasdite, në shtëpinë e Trockit vjen një vizitor me emrin Frank Jackson me shtetësi kanadeze, emri i vërtetë i të cilit ishte Merkader. Ai që prej disa muajve ishte bërë i dashuri i njërës prej shoqërueseve të Trockit dhe duke përfituar nga kjo lidhje, ai vizitonte shpesh shtëpinë, për të treguar dhe diskutuar me Trockin dorëshkrimet e studimeve të tij.

Në të vërtetë Frank Jackson, që kishte edhe një pasaportë belge me emrin Jacques Mornard, rezultoi që ishte një komunist spanjoll me emrin Jaime Ramon Mercader del Rio Hernandez, që mbante lidhje me GPU-në (policia sekrete e Stalinit). Pas vrasje së Trockit, ai qëndroi 20 vite i burgosur në Meksikë. Pas lirimit nga burgu, ai u shpall në mënyrë të turpshme hero i Bashkimit Sovjetik. Vdiq në vitin 1978. Atë ditë, Merkaderi vjen i veshur me një pallto të trashë, megjithëse koha ishte shumë e ngrohtë. E shoqja e Trockit, Natalia Sedova e shoqëroi atë deri te dhoma e studimit të Trockit dhe mbylli derën pasi ai u fut brenda. Pas disa sekondave, ajo dëgjon një britmë të tmerrshme, futet menjëherë në studio, ku e gjen Trockin të mbështetur te muri i dhomës me kokën e mbuluar me gjak. Vrasësi kishte pasur me vete një kazmë alpinisti (ice pick) të fshehur brenda palltos që kishte veshur dhe kur Trocki u ul në tavolinën e punës, ai duke qëndruar më këmbë, nxjerr armën e ftohtë dhe e qëllon me forcë në kokë Trockin. Kazma e alpinistit është një mjet që përdoret jo vetëm si shkop në ecje, por edhe si mjet për t’u kapur në ngjitjet alpinistike. Pjesa metalike e saj ka njërin skaj të ngushtë dhe me majë dhe tjetrin të sheshtë dhe të gjerë për të thyer akullin, duke formuar shkallare që lehtësojnë ngjitjet alpinistike. Trocki u qëllua me skajin e gjerë të pjesës metalike të kazmës, duke u goditur në anën e djathtë të kokës. Nga kjo u thye kocka parietale e djathtë dhe arma depërtoi 7 cm brenda në tru. Trocki nuk e humbi menjëherë ndërgjegjen, madje ai foli duke i porositur rojet e tij, që e kishin kapur Merkaderin menjëherë pas ngjarjes, që të mos e vrisnin atë, që të tregonte arsyet për të cilat ai e kishte kryer këtë sulm kriminal. Por shpejt, frymëmarrja e Trockit bëhet sipërfaqësore, e ngjashme me një gjendje agonie. Mjeku i parë që u thirr, ishte Dr.Wenceslao Dutrem që banonte pranë shtëpisë së Trockit. Ai ishte një emigrant spanjoll i ardhur në Meksikë pas Luftës Civile; kishte punuar në Barcelonë, i njohur për zbulimin e medikamentit Erotil, një paraardhës i Viagrës. Ai konstatoi se Trocki kishte një paralizë të gjymtyrës së sipërme të majtë dhe lëvizje të pakontrolluara të dorës së djathtë. Gjatë qëndrimit në shtëpi të Trockit të plagosur, atij nuk ju aplikua ndonjë medikament. Me të arritur autoambulanca, Trocki dërgohet në spitalin Cruz Verde të Meksikos, ku arritën menjëherë një grup i madh mjekësh neurokirurgë më të mirë të Meksikës dhe shumë personalitete dhe politikanë të shquar meksikanë. Trocki u dërgua me shpejtësi në sallën e operacionit, ku pasi ju kryen një sërë ekzaminimesh radiologjike, tri orë pas sulmit kriminal, filloi ndërhyrja neurokirurgjikale nën drejtimin e Dr. Joaquin Mass Patino, një nga neurokirurgët kryesorë të Meksikës.

Në një artikull në vitin 1957, Dr.Mass përshkruan metodën e tij të mjekimit të plagëve depërtuese në kokë, sipas të cilës, hapi i parë ishte trajtimi i edemës; ndalimi i hemorragjisë do të ishte pa efekt, sepse ajo nuk mund të mbahej nën kontroll; nga ana tjetër një përparësi e ndërhyrjes së shpejtë neurokirurgjikale do të ishte nxjerrja e pjesëve kockore të gjetura në kanalin e plagës, që mund të bëheshin një burim infeksioni. Ndihmës të tij ishin Dr.Ruben Lenero Ruiz, një kirurg i ri i talentuar, drejtor i shërbimeve mjekësore të qytetit dhe themelues i shoqërisë meksikane të traumës (ai ka vdekur dy vjet pas vrasjes së Trockit nga sëmundja e tifos dhe në nderim të tij, një nga spitalet kryesore të qytetit të Meksikës, ka marrë emrin e tij), Dr.Gustavo Baz Prada, rektori i universitetit kombëtar autonom të Meksikos, që ishte njëkohësisht i dërguari i presidentit të Meksikës – Cardenas (më vonë ai bëhet guvernator i shtetit të Meksikos). Pjesëtarë të tjerë të ekipit kirurgjikal ishin Dr.Jacinto Segovia, profesor i patologjisë kirurgjikale të Universitetit të Madridit, i mërguar në Meksikë, kirurgu Everardo Garcia Espino dhe mjeku anesteziolog Salvador Mendez. Para fillimit të operacionit, u rruan flokët e kokës. Më pas u krye hapja e kafkës me anën e trepanacionit në një zonë me përmasa 5 x 5 cm (sipërfaqja 25 cm2). U zbulua një frakturë kominutive (me copa), me fragmente kockore brenda kafkës, grisje të cipave të trurit dhe dalje përjashta plagës të masës trunore nga enjtja (edema) e shprehur e trurit. U hoqën të gjitha fragmentet kockore të shpërndara në masën trunore dhe u pastruan me kujdes buzët e plagës. Operacioni zgjati një orë. Në orën 10.00 PM, Trocki u dërgua në një dhomë ngjitur me sallën e operacionit, ku ju vazhdua dhënia e oksigjenit nga hunda, por ju ndalua kryerja e shpimeve (punksioneve) të venave për marrje gjaku, sepse kjo sipas Dr. Leinero mund të rëndonte gjendjen e shokut traumatik që kishte pasur Trocki gjatë operacionit. Dr.Baz pas operacionit deklaroi në shtyp se mundësia që pacienti të shpëtonte ishte 10%. Ndërkohë, një avion ishte vënë në dispozicion të neurokirurgut më të famshëm të asaj kohe, Dr. Walter Dandy (që punonte në Johns Hopkins University të Baltimorës, ku kishte formuar ekipin e famshëm “Brain Team”), por nuk u bë e mundur ardhja e tij, sepse gjendja e Trockit u rëndua shumë shpejt. Në mëngjesin e ditës tjetër vazhdonte me humbje të ndërgjegjes. Në kohën e drekës ndodh një hemorragji masive trunore. Më pas rritet temperatura 38.1?C dhe pavarësisht mjekimit të aplikuar në orën 7:25 PM, ai ndërron jetë.

Ditën tjetër, më 22 gusht 1940, në orën 2:00 PM, bëhet autopsia. Kjo u krye nga Dr. Jose Rojo de la Vega (një kirurg i bërë i famshëm nga operacionet që ju bënte toreadorëve të Plaza Mexico, një nga arenat më të famshme në botë të ndeshjeve me dema), Dr. Jose Edmundo Sol dhe Dr.Erasmo Marin (drejtor i shërbimit mjekoligjor të qytetit) dhe dy specialistë balsamues. Në autopsi ishte i pranishëm edhe Dr.Mass. Autopsia filloi me prerjen e lëkurës me një bisturi kirurgjikale nga Dr.Vega, më pas me zhveshjen e kokës nga skalpi, ku u konstatua një dëmtim me diametër rreth 3 cm në kockën parietale të djathtë, i vendosur 4 cm nga vija e mesit dhe 12 cm nga syri i djathtë. Pas hapjes së kafkës u hoq truri ku u pa një grumbullim masiv gjaku nën cipën e fortë të trurit (hematomë subdurale) dhe një zonë e dëmtuar e hemisferës së djathtë trunore, me gjerësi 2 cm dhe thellësi 7 cm. Sipas raportit zyrtar, ky dëmtim ishte vendosur në gyrusin e dytë parietal, pranë brazdës rolandike, duke u dëmtuar kështu neuronet motore (qeliza nervore) të kores trunore, gjë që përputhej me simptomat që kishte pasur Trocki pas goditjes në kokë: paralizë e krahut dhe dorës së majtë. Por këto shenja mund të kenë qenë edhe si pasojë e shtypjes së trurit nga hemorragjia akute subdurale. Sipas mjekëve që kryen autopsinë, rruga që ka bërë arma vrastare në kokën e Trockit ka qenë nga sipër – poshtë, nga para – prapa dhe nga e djathta – në të majtë, gjë që provon se vrasësi në momentin që goditi Trockin, qëndronte drejt përballë tij. Kjo plagë depërtuese kishte dëmtuar lëndën e bardhë dhe gri trunore dhe arrinte në barkushen anësore të anës së djathtë, e cila ishte e mbushur me gjak. Truri i vogël dhe bulbi (medulla oblongata) ishin të zbehta, për shkak të humbjes së gjakut. Pesha e hemisferës së majtë trunore ishte 780 g, e asaj të djathtë – 779 g dhe e gjithë trurit – 1550 g. Pas autopsisë, u mbyllën hapësirat e trupit dhe kufoma u dërgua në shtëpinë funerale, ku për disa ditë, mijëra shtetas meksikanë marshuan atje për ta nderuar atë. Më pas, ajo u dogj në krematorium dhe hiri është vendosur në një monument të ngritur në kopshtin e shtëpisë ku jetoi Trocki, pak hapa larg vendit ku ai u vra.

Vijon në numrin e radhës...