Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhen bisedat e Enver Hoxhës me zyrtarët e Koresë së Veriut: Të luftojmë revizionistët jugosllavë, janë brutalë dhe armiq të socializmit

Postuar: 09/02/2018 - 08:48

Dalin në dritë të tjera detaje nga bisedat e Enver Hoxhës me vendet aleate të Shqipërisë komuniste. Qendra ndërkombëtare e arkivave “Wilson”, ka publikuar një bisedë të zhvilluar mes Enver Hoxhës dhe një grupi nga Koreja e Veriut që kanë vizituar Shqipërinë.

6 qershor 1959

Shënime të mbajtura gjatë takimit mes Enver Hoxhës dhe kreut të presidiumit të Republikës Popullore të Koresë, Çu Jong-Geon

Enver Hoxha dhe Çu Jong-Geon diskutojnë industrinë dhe zhvillimet socialiste në Korenë e Veriut, si dhe përçmojnë revizionizmin. Pala shqiptare: Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Liri Belishova, Spiro Koleka, Haki Toska.

Hoxha: Jemi shumë të lumtur që ju presim shokë koreanë, pasi populli juaj është një popull heroik dhe kemi admirim për partinë tuaj të punës dhe për mikun tonë të dashur shokun Kim Il Sun. Kur shoku Kim Il Sun erdhi në Shqipëri, populli shqiptar ishte shumë i lumtur dhe nuk do ta harrojë kurrë vizitën, ashtu si dhe shqiptarët që vizitojnë Korenë nuk e harrojnë kurrë pritjen e ngrohtë e të sinqertë. Si janë shokët Kim Il Sung dhe Pak Jong Ae?

Çu Jong-Geon: Ata janë shumë mirë. Shou Kim Il Sung më tha t’ju çoj të fala të sinqerta juve shoku Enver Hoxha, shokut Mehmet Shehu dhe shokëve të tjerë të partisë dhe të komitetit. Në përfitojmë nga kjo vizitë t’ju falënderojmë të gjithëve në emër të popullit korean dhe Partisë Punëtore koreane për ndihmën që na keni dhënë gjatë luftës dhe më pas.

Hoxha: Asistenca jonë ishte shumë e vogël, por më shumë rëndësi kishte që kishim në zemër popullin korean dhe kishim një dashuri për të që si e thotë shprehja shqiptare “as topi nuk e tund”. Tani populli shqiptar po punon mirë dhe mund të themi se kemi arritur disa rezultate të mira jo vetëm në industri dhe bujqësi, por dhe në fushat e arsimit e kulturës. Falë përpjekjes dhe punës së palodhur të popullit tonë, mbështetjes së Bashkimit Sovjetik e popujve të tjerë vëllezër të demokracive popullore si Koreja, kemi rritur nivelin e jetesës së shqiptarëve. Kemi ndërtuar pak a shumë industrinë tonë, teksa më parë ishte e pallogaritshme. Po zhvillojmë industrinë e minierave, veçanërisht atë të naftës dhe po bëjmë kolektivizimin e bujqësisë. Vitin që vjen pritet të përfundojë kolektivizimi në zonat fushore të ulëta. Kemi bërë shumë punë dhe vazhdojmë të punojmë në tharjen e tokave. Kjo do të sjellë fitim të madh për Shqipërinë pasi në të kaluarën shumë fusha ishin këneta, por ne po ndërtojmë kanalizime, siç po bëni edhe ju në Kore. Sigurisht që projektet tona janë më të vogla nga ato në vendin tuaj. Gjithsesi ne po ndërtojmë shumë prej tyre edhe njerëzit tanë janë të mobilizuar për përfundimin e tyre, pasi e shikojnë avantazhin dhe përmirësimin e jetës së tyre. Partia jonë është e fortë, si dhe e juaja.

Çu Jong-Geon: Kjo është më e rëndësishmja.

Hoxha:Partia jonë është e përkushtuar në rrugën e Marksizëm-Leninizmit, e bashkuar me popullin, me Bashkimin Sovjetik dhe partitë e tjera motra. Ajo është e patundur në përpjekjen e saj kundër revizionizmit dhe veçanërisht kundër revizionistëve jugosllavë dhe oportunistëve të ngjyrave të ndryshme. Partia jonë është veçanërisht vigjilente kundër revizionistëve që ka më pranë. Revizionistët jugosllavë janë armiq brutalë të komunizmit dhe të të gjithë kampit tonë socialist. Por partia dhe populli ynë qëndrojnë në një grusht të bashkuar. Ato i kanë duruar të gjitha tentativat e jugosllavëve dhe ato e kanë bërë më të fortë unitetin. Gjatë ditëve të fundit populli ynë festoi rastin e veçantë të vizitës së Hrushov në Shqipëri, që u prit me lumturi të papërshkrueshme. Populli ynë e shfrytëzoi rastin për të shprehur dashurinë për Bashkimin Sovjetik, për partinë e madhe të Leninit dhe për shokun Hrushov. Shoku Hrushov shkoi kudo në Shqipëri, u takua me punëtorë, fshatarë, intelektualë e të rinj. Ai pa arritjet ekonomike në industri e bujqësi dhe i vlerësoi ato. Ky ishte një inkurajim i madh për partinë tonë, por sigurisht që nuk do të na rritet mendja pasi e dimë se kemi shumë për të bërë, se kemi dobësi dhe gabime në punën tonë. Prandaj duhet të vazhdojmë përpjekjen. Por vizita e shokut Hrushov përshkallëzoi përpjekjet tona. Ai na tha se Shqipëria sado e vogël, është shumë e rëndësishme.

Çu Jong-Geon: Para se të nisesha për këtu u takova me shokun Hrushov në Budapest, i cili më tha se kur të shkoja në Shqipëri do të takohesha me njerëz shumë të veçantë. Teksa po flisnim me shokun Haxhi Lleshi gjatë pritjes me rastin e vizitës, ai më informoi për sukseset e arritura nga populli shqiptar në ndërtimin e socializmit. Pata shansin të vizitoj kombinatin tekstil, u takova me punëtorët dhe u njoha me sukseset e objektit. Pritja e ngrohtë e punëtorëve më la një përshtypje shumë të mirë. Vumë re se disiplina ishte shumë e mirë, megjithëse kombinati është ende i ri. Nisa të mendoj për dy popujt tanë, Shqipëria dhe Koreja. Kemi vuajtur shumë në të kaluarën, dhe ende përballemi me armiq të fuqishëm. Popujt tanë janë ata që duhet të udhëheqin përpjekjen kundër armiqve.

Hoxha: Jemi në krye të përpjekjes.

Çu Jong-Geon: Popujt tanë janë të fortë sepse janë të fortë ideologjikisht, sepse kanë një ideologji të përbashkët, Marksizëm-Leninizmin prandaj dhe ritmet e punës në Shqipëri dhe Kore janë të njëjta. Ashtu si dhe populli shqiptar, populli korean nuk trashëgoi asnjë industri nga e kaluara. Gjenerata e vjetër na la të dobët dhe primitivë. Duke vizituar kombinatin tuaj mendoja sesi mund të bëjmë më shumë progres me ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera socialiste. Sigurisht që njerëzit tanë jetojnë në standarde të ulëta jetese, por megjithatë ne mund të avancojmë për të arritur nivelin e vendeve të zhvilluara. Tani kemi shumë shanse për këtë dhe popujt tanë janë të gatshëm të ndjekin këtë kurs. Në të kaluarën bujqësia e Koresë ishte primitive, por brenda një kohe të shkurtër ajo u bë një vend bujqësor-industrial dhe brenda 4-5 vjetëve do të jemi një vend i zhvilluar industrial. Tani të gjitha vendet socialiste po ndjekin të njëjtin kurs, të nisur nga partitë tona. Gjatë vizitës në kombinat dëgjuam se efikasiteti i punës prej vitit të shkuar është rritur me 15%. Kjo tregon se ritmi i zhvillimit në Shqipëri është shumë i madh. Në 1956 ndodhi një kundër-revolucion në Hungari, por megjithatë në Shqipëri nuk pati asnjë tronditje, edhe pse kufizohet me vende kapitaliste si Jugosllavia. Shoku Hrushov ka thënë se Shqipëria është një strofkë e fortë në mbrojtjen e kampit socialist. Kjo do të thotë se Shqipëria është e fortë dhe qëndron në timonin e mbrojtjes së kampit tonë, dhe të paqes në Ballkan. Në partinë tonë në 1956 pati një konspiracion për ta shkatërruar nga brenda. Por falë vigjilencës së partisë komplotistët u zbuluan dhe u eliminuan. Situata në vendin tonë është e qëndrueshme. Sot nuk është e rëndësishme nëse një vend është i vogël apo i madh, por nëse mban një qëndrim të shëndetshëm ose jo. Megjithë faktin se popujt tanë janë të vegjël, forca e tyre është e madhe, prandaj propozoj një dolli për forcimin e mëtejshëm të kampit socialist.

Hoxha: Në Kore nuk dyshoj se ka shumë ndryshime që kur kam qenë herën e fundit në 1956, qoftë në sektorin industrial, apo në bujqësi dhe fusha të tjera.

Çu Jong-geon: Po, ka shumë ndryshime.

Hoxha:Ne vazhdojmë të lexojmë në shtyp se shumë fabrika janë ndërtuar, kooperativa të reja bujqësore dhe projekte të mëdha ujitjeje e tharje tokash. Ju e keni kompletuar kolektivizimin e bujqësisë falë forcës së madhe të popullit dhe partisë suaj. Shoku Hrushov ka thënë se dhe situata ndërkombëtare po zhvillohet në favorin tonë, ndërsa kundërshtarët tanë imperialistë po dobësohen. Kemi arritur shpresën më të madhe të njerëzimit, atë të evitimit të luftërave dhe merita për këtë i takon Bashkimit Sovjetik. Si mund të mos e adhurojnë popujt e botës Bashkimin Sovjetik që mundohet të eliminojë luftërat mes popujve dhe të dobësojë ato forca që shkaktojnë luftërat, të cilat janë kapitalizmi dhe imperializmi? Kjo po bëhet e mundur vetëm falë Bashkimit Sovjetik dhe kampit të fuqishëm që ai drejton.

Çu Jong-Geon:Nëse vazhdojmë edhe dhjetë vjet ose më shumë pa luftëra, ato mund të evitohen përgjithmonë.

Hoxha:Imperialistët, veçanërisht kapitalistët që na rrethojnë, nuk e kishin menduar asnjëherë se Shqipëria e vogël, të cilën në të kaluarën e përdornin si kusur për pazaret e tyre ose e sulmonin sipas dëshirës, tani është e paprekshme si një kështjellë. Të dëshmojmë tani këtë kohë kur Shqipëria nuk mund të preket, ashtu si dhe Koreja, apo çdo vend tjetër socialist. Për tre vjet më radhë imperialistët si SHBA, Britania, Franca e madje dhe turqit që janë fqinjët tanë kanë sulmuar vazhdimisht Korenë Popullore, por morën goditjen e fuqishme nga populli heroik korean. Popujt e vendeve socialiste nuk do t’i harrojnë kurrë sakrificat e popullit të lavdishëm të Koresë dhe ushtrisë së saj. Ne e kemi parë me sytë tanë sa qyteteve e fshatrave u janë shkatërruar nga lufta dhe sesi ato u rindërtuan edhe më të bukura nga më parë. Kjo u bë e mundur me forcën e madhe të popullit dhe partisë, dhe me besimin e patundur në Marksizëm-Leninizmin. Kur ne vizituam Korenë u takuam me shumë nëna që kishin humbur djemtë dhe vajzat e tyre në luftën gjakatare të armiqve imperialistë, por ata qëndruan të fortë si shkëmb graniti. Populli ynë ka dëgjuar për këto histori dhe i ka ndjerë në zemër tragjeditë e luftës së çlirimit.

Çu Jong-Geon:I kam parë vetë ndjenjat luftuese të popullit shqiptar.

Hoxha:Për këtë çështje, ndjenjat e popullit shqiptar janë të ngjashme me ato të popullit tuaj, vetëm gjuha na ndryshon.

Çu Jong-Geon:Është e vërtetë, popujt tanë kanë shumë ngjashmëri.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 52

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2018 - 07:10

Shumë shqiptarë që u arratisën drejt Jugosllavisë gjatë regjimit komunist u rekrutuan nga agjencia e inteligjencës Jugosllave.

Postuar: 14/08/2018 - 11:01

Historia e familjes së Abaz Kupi është një nga më të rrallat e persekutimit.

Postuar: 14/08/2018 - 07:05

CIA ka dhënë detaje mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Postuar: 12/08/2018 - 10:59

Zogu I, është ndoshta sundimtari më pak i njohur europian i shekullit XX, dhe pothuajse me siguri

Postuar: 11/08/2018 - 07:10

 Tensionimi i marrëdhënieve me Kinën më 1977 solli spastrime në radhët e PPSH.

Postuar: 10/08/2018 - 07:14

CIA ka treguar detaje nga prishja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës.