BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Dossier

Zbardhen detajet e zgjedhjeve të 1945, ja si Enver Hoxha doli fitues me 85 për qind të votave, urrejtja që erdhi për Ahmet Zogun

Zbardhen detajet e zgjedhjeve të 1945, ja si Enver Hoxha doli fitues me 85

Ndërkombëtarët zbardhin detaje nga zhvillimet e zgjedhjeve në Shqipëri më 1945. Mediat e huaja në atë kohë kanë qenë sy e veshë në Tiranë dhe kanë pasqyruar zhvillimet në 2 dhjetor 1945 kur u shpall fitues Enver Hoxha. Po ashtu jepen detaje mbi urrejtjen që rritej ndaj Ahmet Zogut.

2 dhjetor 1945

Shqipëria voton

Shqiptarët votojnë sot për Asamblenë Kushtetuese në zgjedhjet e kufizuara vetëm për kandidatët e Enver Hoxhës me Frontin Demokratik Kombëtar. Në prag të zgjedhjeve disa liderë opozitarë kishin deklaruar se do të shpërndajnë broshura ku zgjedhjet quhen jo-demokratike, por më vonë kishin anuluar planet pasi ishin informuar se çdo veprim i tillë do të rezultonte në masakër nga komunistët. Ata nuk treguan sesi u erdhi ky informacion. Grupet opozitare thanë se broshurat akuzonin se Shqipëria po kontrollohet nga gjenerali Stalin dhe marshall Tito i Jugosllavisë dhe se të gjithë kandidatët e Frontit Demokratik janë komunistë. Hoxha dhe kabineti i tij janë kandidatë. Asambleja e re me 120 vende do të përcaktojë qeverinë e ardhshme shqiptare, formën e qeverisjes dhe metodën e zgjedhjes së kreut. Muajin e kaluar regjimi mori premtimin me kusht të njohjes ndërkombëtare nga Britania dhe SHBA, megjithë protestat e Greqisë. Të dyja ato qeveri thanë se njohja do të bazohet në mbajtjen e zgjedhjeve të lira teksa SHBA shtoi dhe kushtin e lejimit të gazetarëve amerikanë që do të mbulojnë tërësisht procesin zgjedhor dhe më pas atë të formimit të Parlamentit.

4 dhjetor 1945

85% e shqiptarëve mbështesin Enver Hoxhën

Radio-Tirana tha sot se 85 për qind e shqiptarëve që votuan të dielën mbështetën kandidatët e Frontit Demokratik të kryeministrit Enver Hoxha. Shqiptarët shkuan në zgjedhje për herë të parë në 21 vjet për të zgjedhur deputetët e Asamblesë Kushtetuese. Raportimet nga Tirana thonë se mes fituesve nuk kishte asnjë nga kandidatët e opozitës megjithëse tetëmbëdhjetë kandidatë të pavarur garuan në zonat ku Fronti Demokratik i Hoxhës nuk kishte prezantuar kandidatë.

17 janar 1945

Ushtritë në gatishmëri për debatin territorial ballkanik Shqipëri-Greqi

Dy vende të varfra ballanike, Greqia e Shqipëri po përballen në një luftë të ashpër nervash dhe diplomacie që mund të kthehet në përplasje ushtrish për çështjen e Epirit të Veriut. Zyrtarisht qeveria e Shqipërisë ka thënë se nuk do të heqë dorë nga asnjë centimetër territor pa luftë. Njoftimin e dha kryeministri i vendit Enver Hoxha duke iu referuar pretendimeve të Greqisë për jugun e Shqipërisë që ata quajnë Epiri i Veriut. Reagimi grek ishte prezantimi i pretendimeve te fuqitë e mëdha bazuar në arsye etnike, kulturore e historike. Grekët thonë se kërkojnë vetëm “drejtësi” për territorin ku ata thonë se banojnë rreth 100 000 grekë. Dy divizione të ushtrisë shqiptare prej rreth 60 000 njerëzish janë të stacionuara në jug të vendit në kufirin me Greqinë dhe dy të tjera në kufirin me Jugosllavinë, vendndodhja e të cilave u zbulua vetëm gjatë procesit të zgjedhjeve për mënyrën sesi do të votonin. Shefi i Ushtrisë Shqiptare tha se divizionet ishin atje për t’u stërvitur. Përballë këtyre forcave në Greqi janë njësitë ushtarake indiane dhe britanike gjithashtu njësitë greke janë në afërsi të kufijve bullgarë e jugosllavë. Ndërsa popullata prej 1 milion banorësh është rreth 70 për qind myslimane dhe shpenzon më shumë se gjysmën e buxhetit për ushtrinë. Në një paradë të fundit për çlirimin ata kanë prezantuar armatime të mekanizuara anti-ajrore, artileri të lehtë dhe këmbësori të lehtë të pajisur me armë automatike. Ushtarët e pajisur me uniforma të mira ishin në kontrast të thellë me partizanët e rreckosur që çliruan Tiranën një vit më parë. Një vizitor ushtarak i Aleatëve tha se njihte një pjesë të armatimeve si jugosllave dhe disa pjesë britanike. Shqipëria nuk ka aeroplanë kurse Greqia ka disa avionë të kaluar kohe, gjuajtës dhe bombardues. Akuzat dhe kundër akuzat e persekutimit të minoriteteve në të dyja vendet janë lëshuar nga gazetat e radio Athinës e Tiranës. Hoxha ka thënë kohët e fundit se “Greqia është më keq se fashistët italianë për persekutimin e shqiptarëve në Greqi”. Incidente të shumta kufitare janë raportuar dhe asnjë ditë nuk kalon në shtypin e dy vendeve pa iu referuar pretendimeve territoriale të secilës.

8 mars 1945

Fronti Demokratik shqiptar nis konkretizimin e reformimit

Shqipëria duket se është pranë rehabilitimit politik, ekonomik e shoqëror me një tendencë të theksuar drejt të majtës, por sipas deklaratave të Frontit Demokratik, me liri shtypi e feje. Fronti ishte e vetmja parti politike e lejuar të ofronte kandidatët në zgjedhje dhe programi i tij me 25 pika u mbështet nga 95 deri në 92 për qind e votuesve. Tashmë të mbështetur nga qeveria e përkohshme shqiptare, reforma më radikale e Frontit është konfiskimi i pronave për rishpërndarje, sipas Enver Hoxhës. Zyrtarët thonë se copa të mëdha tokash që më parë mbaheshin nga vetëm 10 pronarë “që kishin përfituar nën regjimin e Zogut” do të ndahen mes fshatarëve. Po aq e rëndësishme është reforma agrare, ende e paformuluar në detaje, për ekonominë e centralizuar kombëtare. Plani përfshin që autoriteti qeveritar të urdhërojë çdo industri të ndryshojë prodhimin e tij sipas nevojave kombëtare. Politikisht Shqipëria është kthyer nga monarki në republikë dhe ka nxjerrë jashtë ligjit ish-mbretin Zog. Ndjesia e përgjithshme ndaj Zogut është negative si mes masave dhe në rrethet e Frontit. Siguria sociale dhe kooperativat fshatare përbëjnë pjesën më të rëndësishme të programit. Avantazhe të tjera do të jenë sipas Frontit, e drejta e barabartë e votës për gratë, liria e fjalës, shtypit dhe fesë; fuqizimi i ushtrisë, zhvillimi i arsimit dhe kontrolli i fitimeve tregtare.

 27 mars 1945

“Dy Titot” e Stalinit rrëzojnë mbretërit nga froni në Ballkan

Në kënetat jugperëndimore të perandorisë sovjetike dy Tito po udhëheqin të vetëm; Josip Broz në Jugosllavi dhe Enver Hoxha në Shqipëri. Megjithëse karakteret e tyre ndryshojnë shumë, ngritja e tyre në pushtet ka ardhur në linja shumë të ngjashme dhe tanimë janë aleatë të ngushtë dhe mund të trajtohen si një i vetëm. Tito është i vetmi punëtor krahu nga kukullat e Stalinit, bir i një fshatari kroat, i lindur në Zagreb në 1892. Ai ishte punëtor metali kur u bë nga organizatorët e parë të sindikatave jugosllave të punës. Kaloi disa vjet në Moskë duke mësuar fenë marksiste, disa vite të tjera në burg dhe më pas tentoi të zbatojë në shtëpi atë që kishte mësuar. Tito arriti maksimumin e pushtetit të tij kur asambleja jugosllave më 29 nëntor 1945 rrëzoi formalisht nga froni mbretin Peter dhe e shpalli vendin Republikë Federale. Më 3 shkurt 1946 Asanmbleja i tha fuqi të pakufizuara Titos si komandant i Forcave të Armatosura në një post të ngjashëm me atë që Stalini ka sot në Rusi. Më pak dihet për udhëheqësin shqiptar Enver Hoxha, që është si “vëllai i vogël” i Titos, i cili u ngrit në pushtet me drejtimin e luftës partizane kundër pushtuesve gjermanë. Hoxha është më i gjati dhe më i rëndi i kukullave lindore të Stalinit, por dhe më i pashmi. Vishet me uniformë sovjetike ushtarake dhe mban gjashtë yje në jakë. Ashtu si Groza dhe Tildi, Hoxha mban një kufi të kontestuar me Greqinë e cila tashmë pretendon Epirin e Veriut nga Shqipëria. Ai vetë ka lindur në një nga qendrat e jugut të Epirit të Veriut, në Gjirokastër dhe babai i tij punonte në një fabrikë pambuku. Pas diplomimit në shkollën e mesme në Korçë, Hoxha fitoi një bursë për të studiuar në Francë të cilën nuk arriti ta përfundonte pasi mbaruan fondet. Shërbeu për disa vjet si sekretar i Ambasadës Shqiptare në Bruksel dhe komanda e mirë e gjuhës franceze e dallonte kur u kthye në Shqipëri. Në 1937 ai nisi punë si mësues në shkollën e mesme të Korçës ku kishte mësuar vetë. Ndërsa në kohën e lirë ai punonte me bashkë-atdhetarë të tjerë për rrëzimin e mbretit tiran Zog. Por atë që Hoxha dhe shokët e tij nuk kishin fuqi të bënin e bëri Musolini kur pushtoi Shqipërinë dhe përzuri Zogun në 1939. Italianët hoqën nga puna Hoxhën, i cili u kthye më tej në udhëheqës i lëvizjes së rezistencës. Si mbulim për aktivitetin e tij anti-fashist Hoxha përdorte një dyqan në Tiranë, ku shiste duhan dhe vaj ulliri. Asnjë nga klientët e tij italianë nuk dyshonte se dyqanxhiu i ri e i sjellshëm ishte shefi sekret i njësiteve guerile që punonin të fshehur në male. Në fund të verës 1942 vetë Hoxha u detyrua të dilte në ilegalitet dhe më 16 shtator në Konferencën e Pezës u zgjodh kryetar i Lëvizjes Anti-fashiste. Më pas për dy vjet partizanët e tij luftuan ashpër pushtuesit përkrah partizanëve të Titos. Më 17 nëntor 1944 kryeqyteti, Tirana ra në duar e malësorëve të Hoxhës, pas një beteje që i kushtoi gjermanëve e italianëve më shumë se 1000 të vrarë. Disa ditë më pas e gjithë Shqipëria ishte spastruar nga pushtuesit, thuajse pa ndihmë nga forcat aleate. Më 2 dhjetor Hoxha parakaloi si triumfator në kryeqytet dhe u vendos në ish-pallatin e mbretit Zog, që ishte bërë shoshë nga plumbat. Regjimi i ri nuk ishte demokratik sipas standardeve evropiane dhe SHBA priti shumë para se të jepte njohjen. Hoxha thoshte se nuk ishte komunist, por e rrethoi veten me një kabinet me shumicë komunistësh. Si parakusht për njohjen, fuqitë e mëdha kërkuan zgjedhje të lira, të cilat u mbajtën më 2 dhjetor me stil jugosllav e bullgar e thuajse në të njëjtën kohë. Në zgjedhje opozita abstenoi pasi kjo ishte gjëja më e sigurtë për të bërë dhe Fronti Demokratik i Hoxhës mori 82 vende në Asamblenë Kushtetuese. Më 11 janar 1946 Asambleja shkarkoi mbretin Zog dhe shpalli vendin Republikë Popullore sipas modelit jugosllav. Hoxha u tërhoq nga posti i kreut të qeverisë së përkohshme dhe u bë kryeministër. Megjithëse vendi ishte njohur nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara vendi ka ende shumë për të bërë për t’iu afruar konceptit tonë të demokracisë. Por sigurisht ata kanë dhe Rusinë dhe satelitët e saj.

3 dhjetor 1954

Mbreti Zog i bashkohet mbretërorëve të papunë

Një tjetër ish-mbret i është bashkuar numrit në rritje të monarkëve tashmë të papunë, nëse rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri është siç parashikohet, drejt suksesit të komunistëve të Enver Hoxhës, duke lënë ish-mbretin Zog refugjat në Angli. Kur nisi Lufta II Botërore në Ballkan pesë mbretër sundonin aty në Greqi, Jugosllavi, Bullgari, Rumani e Shqipëri. Tanimë vetëm njeri është kthyer në fronin e tij, mbreti Mihal në Rumani, i cili ka shfrytëzuar ligjet dhe ka refuzuar të privohet nga trashëgimia e tij. Nuk dihet se sa do të rezistojë Mihali ndaj stuhisë së kuqe që po përfshin mbretërinë e tij. Sigurisht në rastin e mbretit George të Greqisë edhe asgjë nuk është qartësuar, por do të ishte vërtet një mrekulli nëse ai thirret në fron nga ekzili në Angli. Po bëhen tashmë 21 vjet që kur Ahmet Zogu me shpatë në brez zhduku mbetjet e shoqërisë feudale mesjetare duke larguar me luftë nga pushteti Fan Nolin dhe pas dy vjetësh u shpall mbret duke ndryshuar Kushtetutën. Tashmë Zogu, Geogi i Greqisë dhe Peteri i Jugosllavisë kanë azil këtu në Angli dhe meqë ra fjala në të njëjtin hotel.