Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhen diskutimet, ja si Moska tentoi të përdorte Greqinë kundër Shqipërisë, aleatët e Enver Hoxhës akuza të forta Nikita Hrushovit

Postuar: 13/03/2018 - 09:08

Shqipëria, Kina dhe Koreja e Veriut, pas vitit 1961 u rreshtuan hapur kundër politikave të Bashkimit Sovjetik. Në një dokument që publikon gazeta, tregohen përshtypjet e një vizite që një delegacion shqiptar zhvilloi në Korenë e Veriut. Aty tregohet se si Moska përdorte fqinjët kundër Shqipërisë, ndërsa dhe zyrtarët e Koresë së Veriut nuk kursenin sulmet ndaj Nikita Hrushovit.

 

Shtator 1964

Raport i vizitës së delegacionit shqiptar në Korenë e Veriut, dhe i takimit me zyrtarët koreano-veriorë, ku diskutohen gabimet e politikës ekonomike të Hrushovit dhe bujqësia në Korenë e Veriut. Më 10 gusht delegacioni ynë u nis për në Korenë e Veriut dhe mbërriti atje më 17 gusht. Në ndalesat tona në Budapest, Moskë e Pekin ne u pritëm nga të ngarkuarit me punë dhe funksionarë të ambasadave. Të gjithë zyrtarët e ambasadave me të cilët u takuan shprehën gëzimin e tyre për vizitën tonë dhe dashurinë për popullin shqiptar dhe udhëheqësin Enver Hoxha, si dhe vlerësimin për përpjekjen tonë kundër imperializimit dhe revizionizmit. Shokët e ambasadës koreane në Budapest dhe në Moskë organizuan një darkë për ne. Shokët e ambasadave koreane në vendet ku ndaluam dhe në veçanti ambasadori korean në Moskë dhe ambasadori në Pekin pyetën për shëndetin e shokut Hoxha dhe të tjerëve të udhëheqjes. Ne folëm gjatë me të gjithë funksionarët për aktivitetet e revizionistëve dhe në veçanti për grupin e Hrushovit. Në përgjithësi ata shprehën opinionin për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër revizionistëve. Gjatë darkës që organizuan për ne shokët e ambasadës së Moskës, ne folëm për vështirësitë ekonomike dhe mungesën e mallrave ushqimore në Moskë dhe në Bashkimin Sovjetik në përgjithësi. Ambasada koreane në Pekin pagoi biletat tonë të avionit nga Pekini në Penian, megjithëse duhet të kishim paguar vetë. Më 17 gusht 1964 ne arritëm në Kore dhe qëndruam aty deri më 5 shtator. Gjatë qëndrimit tonë shokët koreanë u kujdesën për rehatinë tonë dhe ishin gjithmonë të gatshëm të na shoqëronin kudo që kishin dëshirë ose na sugjeronin të shkonim. Gjatë kohës së vizitës ne shoqëroheshim nga një instruktor i punëve të jashtme të Komitetit Qendror, i cili fliste shqip dhe bënte gjithashtu punën e përkthyesit. Në disa nga objektet që vizituam u shoqëruam nga krerët e partisë koreane. Ata na thoshin herë pas herë se kishin marrë udhëzime të posaçme nga udhëheqja për të treguar kujdes të madh për ne, duke na thënë: “Me ju shokë shqiptare, ne nuk kemi asgjë të fshehtë, siç mund të kishim për të tjerët”.

Detajet e vizitës

Gjatë 18 ditëve të qëndrimit tonë në Kore, në 10 rajonet dhe qytetet që vizituam, në shkuam në 10 ndërmarrje industriale, 3 kooperativa bujqësore, 2 rezervuare të mëdha me kapacitet ujitjeje prej 50 000 hektarë, 2 stacione pompash ujitjeje, 7 qendra të ndryshme kulturore-historike dhe në shkollë bujqësore. Ne biseduam gjithashtu me krye-inxhinierin e komitetit rajonal bujqësor të Sukcheon. Në të gjitha rajonet dhe qytetet që vizituam u pritëm për darkë nga kryetarët e partive (ose zëvendësit e tyre kur nuk gjendeshin në qytet) të rajoneve ose provincave. Në ndërmarrjet e prodhimit ne u shoqëruam nga drejtuesit partiakë dhe u pritën nga krerët e qendrave prodhuese. Në të gjitha vizitat zyrtarët kanë shprehur respekt të ngrohtë dhe dashuri për popullin tonë dhe udhëheqësin Hoxha. Ata thoshin vazhdimisht se janë të lumtur dhe krenarë që kanë një mik të tillë të fortë e të vendosur si Shqipëria dhe partia e saj. Gjatë bisedimeve ata shprehën admirim për përpjekjen tonë dhe kushtet e vështira në të cilat populli e partia jonë po luftojnë kundër imperializimit, revizionizmit dhe veçanërisht grupit të Hrushovit. Në ditën e mbërritjes në Penian u pritëm në aeroport nga drejtori i aparatit të komitetit qendror dhe nga zv/drejtori i propagandës. Në ditën e nisjes u shoqëruam në stacionin e trenit nga drejtori i çështjeve të jashtme dhe dy anëtarë të komitetit qendror të punëve të jashtme.

Takimi me Park Gum Çol

Më 3 shtator 1964 u pritëm nga shoku Park Gum Çol së bashku me zv. drejtorin e punëve të jashtme Kim Hesun. Pasi na pyeti për shëndetin e udhëheqësit Hoxha, shoku Park Gum Çol tha: “Ne e kuptojmë mirë përpjekjen e partisë dhe popullit shqiptar kundër imperializmit dhe revizionizmit. Situata ndërkombëtare është shumë komplekse prandaj në këtë fazë është i rëndësishëm shëndeti i anëtarëve të lartë të udhëheqjes. Duhet pasur kujdes për shëndetin e udhëheqësve për arsye të rolit të tyre në situatën komplekse që është krijuar. Unë kam qenë në vendin tuaj gjatë kongresit të 4-t të partisë shqiptare dhe pata përshtypjet më të mira të përpjekjeve të partisë suaj për çlirimin dhe ndërtimin e socializmit. Unë e pashë me sytë e mi unitetin që ekziston mes popullit dhe udhëheqësit Enver Hoxha, ashtu si dhe përpjekjet e revizionistëve si Barak apo Andropov për të mbjellë përçarje dhe për të bërë komplote kundër udhëheqjes suaj. Ata dërguan kreun e delegacionit mongol për të më ftuar të merrja pjesë në një takim në ambasadën e Çekosllovakisë, për çështjen e delegatit të Greqisë, por në fakt me qëllim që t’i bashkohesha protestës së tyre. Unë menjëherë e kundërshtova dhe i thashë se ata nuk duhet të bënin këto gjëra në një kohë që ne kishim ardhur për të celebruar kongresin e partisë suaj. Delegati grek i dërgoi një letër delegacionit tonë dhe atij vietnamez, por e dërguam atë në drejtorinë e çështjeve të jashtme dhe nuk iu përgjigjëm kurrë. Gjatë kongresit ju luftuat shumë mirë kundër revizionistëve dhe aktiviteteve sovjetike e çeke. Përpjekja kundër revizionizmit është e vështirë por Partia Komuniste e Kinës, ju dhe parti të tjera marksiste keni luftuar me vendosmëri dhe keni demaskuar grupin e Hrushovit. Unë u takova me shokun Hoxha dhe folëm për aktivitetet përçarëse të ambasadorit Ivanov në Kore. Kur isha në Shqipëri desha të takohesha vetë me ambasadorin Ivanov për t’i thënë ca fjalë por nuk ia pashë fytyrën askund”. Më tej ai foli për ndërtimin e socializmit në Kore: “Partia koreane po ndërton socializmin duke u mbështetur në forcat e brendshme, dhe kjo përshtatet me linjën marksiste-leniniste dhe internacionalizimin proletar, në kundërshtim me ekonominë kombëtare të mbyllur të predikuar nga Krushovi. Ai gjithmonë ka kundërshtuar kursin e partisë sonë duke pretenduar se nuk është në interesin tonë. Ai ka kundërshtuar gjithashtu zhvillimin e industrisë së rëndë si metalurgjia dhe prodhimi i makinerive të rënda si traktorët dhe automjetet. Ai kërkon që vendi ynë të jetë vetëm një bazë për të furnizuar me lëndë të parë Bashkimin Sovjetik dhe të jetë treg për produktet e tyre të industrisë. Por falë kursit korrekt dhe politikave të partisë sonë ne kemi arritur suksese në këto fusha dhe kemi ecur përpara. Fillimisht krijimi i këshillit ekonomik ndërkombëtar në 1949 kishte qëllime të mira, por kur Hrushovi erdhi në fuqi ai ndryshoi dhe u kthye në një mjet të BRSS për të uzurpuar ekonomitë e vendeve aleate socialiste. E tillë ishte dhe përpjekja për të krijuar zonat ekonomike ndër-qeveritare si ajo e Danubit. Nga njëra anë Hrushovi flet për nevojën ekonomike të mposhtjes së kapitalizmit ndërsa nga ana tjetër pengon zhvillimin ekonomik të vendeve të tjera socialiste. Ai kërkon që garën ekonomike ta kryesojë vetëm vetë, por ka gjithashtu kontradikta mes teorisë dhe praktikës. Politika e ndërtimit të ekonomisë bazuar në forcat e brendshme është e nevojshme për ne edhe për faktin se vendi ynë është ndarë në dy pjesë nga imperializmi amerikan e japonez. Përpjekja që ne po kryejmë nuk i shërben vetëm interesave të atdheut por gjithashtu interesave të kampit ndërkombëtar socialist, ashtu si dhe përpjekja e popullit vietnamez që i shërben të gjithë socializmit. Të gjitha vendet që luftojnë kundër imperializmit i shërbejnë përpjekjes socialiste. Në lidhje me çështjen e Vietnamit, qeveria sovjetike ka kërkuar që ajo të vijë para Kombeve të Bashkuara. Kjo është e padrejtë dhe dëmtuese. Kina, Koreja e Vietnami janë një front i përbashkët kundër imperializmit dhe në rast agresioni ne do të luftojmë me të gjitha forcat. Imperializmi amerikan është i dobët dhe nuk mund të luftojë një luftë në këtë zonë,p asi forca e tij u vu në provë dhe dështoi në Kore. Mësimi që i dhanë së fundmi vietnamezët imperialistëve është diçka e mirë për ne, por duke marrë parasysh fatin se ata mund të nisin një luftë, ne po marrim të gjitha masat duke forcuar mbrojtjen. Ne do të shtojmë investimet e parashikuara në planin 7-vjeçar dhe to do të forcojmë mbrojtjen dhe ushtrinë. Në përpjekjen kundër revizionizmit Kina, Koreja, Vietnami, Indonezia dhe arti të tjera të shëndosha të Azisë kanë arritur suksese të rëndësishme. Përpjekja juaj me shokun Hoxhë në krye është akoma më e vështirë prej rrethimit gjeografik nga imperializmi dhe revizionizmi, dhe kjo na bën t’ju admirojmë edhe më shumë. Ne jemi të sigurt se do të mundim përgjithmonë revizionistët dhe do të ruajmë pastërtinë e marksizëm-leninizmit. Në lidhje me thirrjen e shpejtë të Hrushovit për një takim të partive socialiste, ne jemi përgjigjur me një letër. Hrushovi kërkon të shtrëngojë lakun rreth fytit të tij. Për takimin ka kundërshtime edhe nga vetë revizionistët, si për shembull nga Partia Komuniste italiane dhe të tjerë, të cilët janë me ne. Unë kam kujtime të bukura nga takimi me shokun Enver Hoxha, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Spiro Koleka, Rita Marko e të tjerë. Pata një bisedë të gjatë me shokun Hysni Kapo në aeroport kur po largoheshim”. Në fund të bisedës ai shprehu kënaqësinë e vizitës dhe na falënderoi për informacionet mbi vendin tonë. Duke iu përgjigjur komentit tonë se kishim mësuar shumë nga ato që kishim parë në Kore, ai tha: “Ju mësoni nga ne dhe ne mësojmë nga ju”. Ky takim zgjati një orë e gjysmë.

 Disa çështje të partisë dhe organizimit civil e ushtarak në Kore

Në ndërmarrjet që vizituam rreth 30 % e forcës punëtore ishin anëtarë të partisë. Për shembull në fabrikën e tekstileve ku punonin rreth 10 000 vetë, kishte 2600 anëtarë të partisë, 45 funksionarë të partisë, 9 njerëz të bashkimeve profesionale, 3 të organizatave të rinjve dhe 1 i organizatës së grave. Në fabrikën e tekstileve të mëndafshta punonin 5100 njerëz nga të cilët rreth 1500 ishin anëtarë të partisë, 16 funksionarë të partisë, 6 njerëz të bashkimeve profesionale, 5 të organizatës së të rinjve dhe 1 në organizatën e grave. Në kombinatin metalurgji ku punonin rreth 17.000 njerëz kishte rreth 6000 anëtarë të partisë, 70 funksionarë të partisë, 8 njerëz të bashkimeve profesionale, 7 të organizatave të të rinjve dhe 1 organizatës së grave. Në kooperativat bujqësore rreth 20-25 për qind e punonjësve ishin anëtarë të partisë. Në çdo kooperativë kishte një funksionar të partisë kurse organizatat e masave nuk kishin funksionarë të mirëfilltë. Në organizatat bazë të partisë të ndërmarrjeve e kooperativave kishte 3 zv/ kryetarë që kujdeseshin për punët organizative, për agjitacion propagandën dhe për punën vullnetare apo ushtarake. Në komitetet rajonale të partisë një zv. kryetar kujdesej për punët ushtarake (gatishmërinë dhe përgatitjen ushtarake të civilëve jashtë shërbimit ushtarak). Të gjithë civilët në fshatra dhe në ndërmarrje organizohen në njësi ushtarake. Zakonisht kooperativat bujqësore krijojnë njësi këmbësorie, sipas kapaciteteve të tyre, kurse ndërmarrjet ekonomike krijojnë njësi më të specializuara. Në rastet kur qyteti ka punonjës shtesë pas njësive me armë të specializuara, atëherë ata krijojnë njësi këmbësorie. Njësitë ushtarake të civilëve komandohet drejtpërdrejt nga komitetet e partive. Komandantët e këtyre njësive koordinojnë planet me komandantët ushtarakë sa herë që ka stërvitje të gjera ose transferime nga zonat civile.

Sistemi partiak në kooperativa

Në kooperativat bujqësore kryetari i këshilli popullor është dhe kryetar i kooperativës pasi kjo lehtëson koordinimin e aktivitetit ekonomik të kooperativës me çështjet e tjera, si për shembull çështjet e shëndetit arsimit etj. Në dhjetor 1961 në Sukchon u krijua komiteti i menaxhimit të bujqësisë, me propozim të shokut kryeministër. Në mbyllje të kolektivizimit, komiteti ekzekutiv nuk menaxhonte dot bujqësinë në fushat e teknologjisë, organizimit etj. Rajoni i SukChon kishte qen një nga më të prapambeturit dhe udhëheqësi Kim Il Sung e kishte vizituar disa herë personalisht. Seksioni bujqësor nuk po menaxhonte dot ujitjen, çështjet e makinerive etj, prandaj komiteti i posaçëm nisi punë në fillim të 1962. Në vitin 1963 efiçenca e prodhimit në këtë rajon ishte rritur rreth 4.5 herë në krahasim me vitin 1945 dhe kjo ishte një arritje e madhe. Çdo familje fshatare mori afërsisht 4 ton oriz në vit. Në komitetin bujqësor kishte specialistët më të mirë për drithin, çiftëzimin e kafshëve, prodhimin e frutave, perimeve etj. Kooperativat caktonin çdo vit një buxhet të veçantë për familjet që kishin humbur anëtarë në luftë, për familjet e revolucionarëve të vjetër ose të invalidëve. Fëmijët në kopshtet e kooperativës visheshin dhe ushqeheshin falas. Prej kopshtit deri në fund të shkollimit të tyre shteti kishte një program të veçantë për ndihmat ndaj fëmijëve, si për shembull një ose dy palë rroba në vit, një ose dy palë këpucë, një pallto. Personeli i kopshteve merrte pagë ditore nga kooperativa ndërsa të shkollave paguheshin nga shteti. Në kooperativa plani i prodhimit ishte 4 kuintalë oriz në ditë. Tepricat e anëtarëve të kooperativave i shiteshin shtetit dhe nuk lejohen të shiten në tregun e lirë. Sipas një vendimi të partisë në fillim të 1964, ndërtimi i kooperativave bujqësore behet falas nga shteti bashke me objektet e tjera shtesë si depot, kopshtet, institucionet kulturore dhe shtëpitë e punonjësve. Për shembull në kooperativën e Lipsik u ndërtuan dhe 60 shtëpi, në Lamangchili 42 shtëpi. Për mirëmbajtjen e shtëpive punojnë falas punonjësit e posaçëm të kooperativës. Rrugët kombëtare që lidhin kooperativat mirëmbahen prej tyre dhe gjithashtu u mbillen pemë anash. Kooperativat nuk kanë toka të posaçme për prodhimin e ushqimit të kafshëve, por pas vjeljes së orizit ato mbjellin tokën me drithëra dytësore të cilat i korrin para kohe, kur janë ende të gjelbra. Ato përdorin gjithashtu kashtën e orizit ose të misrit për të shtuar ushqimin e kafshëve. Mes pemëve frutore ata mbjellin kunguj dhe gjithashtu shfrytësojnë çdo tokë të mundshme për të mbjellë si brigjet e lumejve, taraca frutore, etj. edhe kalliri i pastruar i misrit përdoret në ushqimin e kafshëve, kryesisht të derrave. Konsiderohet si detyrë e të gjithë anëtarëve të familjes që në kohën e lirë të shkojnë në fusha ose taraca për të mbjellë ose punuar. Në vjeshtë fshatarqëve u jepet pak tokë orizi për të mbjellë jonxhë, ku të kullosin kafshët e tyre në pranverë para nisjes së mbjelljes së orizit.

Prodhimi i orizit

Orizi mbillet në ujë, sipas eksperiencës së kooperativës së Llipsik. Pas korrjes së orizit nis menjëherë puna për përgatitjen e tyre për pranverë. Nga janari deri në mars fushave u hidhet fertilizues organik. Në pranverë toka punohet dy herë. Para mbjelljes toka ujitet me ujë të bollshëm. më pas ajo punohet në dy rreshta dhe më pas mbillet me kërcej orizi. Në tokat e pasura përdoret një kërcell kurse në më të varfrat mbillen tre kërcej. Rreshtat e kërcejve janë 18 cm larg dhe 10 cm larg njëri-tjetri.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 24

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/06/2018 - 07:40

Amerikanët përdorën të gjitha teknikat e mundshme për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Në disa dokumente të deklasifikuara nga CIA, tregohet e si një agjent i saj pati një bisedë me ish-Mbretin Zog.

Postuar: 23/06/2018 - 07:18

CIA ka zbardhur identitetet e agjentëve të saj që u dërguan në Shqipëri për të rrëzuar regjimin k

Postuar: 22/06/2018 - 07:10

Në vitin 1953 Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin shumë të qartë mbi atë se çfarë kërkonin

Postuar: 21/06/2018 - 07:25

CIA pretendonte se mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ka pasur gjithmonë përplasje.

Postuar: 20/06/2018 - 07:16

CIA jep detaje mbi operacionet që ajo nisi në Shqipëri me qëllim rrëzimin e regjimit komunist.

Postuar: 19/06/2018 - 07:15

Në vitin 1951 regjimi komunist nisi të blindonte kufijtë e Shqipërisë për të ndaluar arratisjen e

Postuar: 17/06/2018 - 07:15

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.