Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhen letërkëmbimet, ja si Enver Hoxha sulmonte amerikanët më 1946, shtyu me 2 ditë Kongresin për të përgatitur akuzat ndaj SHBA

Postuar: 22/05/2019 - 07:07

Dalin në dritë të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë instalimit të regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga DASH tregohet se si Hoxha nisi të sulmojë amerikanët. Po ashtu tregohet dhe një letër e tij për Departamentin Amerikan të Shtetit.

Tirana, 19 tetor 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Henderson) për sekretarin e shtetit: Në një fjalim publik Hoxha tha se nuk e kuptonte se çfarë bën në Shqipëri misioni ynë duke nënkuptuar se ka kryer punën e tij dhe nuk ka arsye për të mbetur në vend. Në bisedimet formale dy ditë më parë ministri i Jashtëm tha se nuk dinte mendimin e Hoxhës për çështjen para se ta shprehte publikisht. I vetmi interpretim që la të kuptonte ishte se Hoxha po përgatitej të kërkonte dërgimin e një misioni shqiptar në SHBA, të ngjashëm me atë amerikan këtu. Por përveç kësaj ka prova të tjera se qeveria shqiptare po përpiqet me çdo kusht të sigurojë njohjen nga SHBA dhe fjalimi emocional i Hoxhës në kongresin e të rinjve ishte manifestimi më i fundit i përçmimit ndaj misionit tonë, OKB dhe Konferencës së Parisit, të motivuara këto nga vonesa në njohjen e regjimit nga SHBA. Dy janë faktorët kryesorë në rritjen e presionit vendas për mungesën e njohjes; përçmimi natyral i regjimit prej trajtimit në Konferencën e Parisit dhe përdorimi i vetos anglo-amerikane kundër reparacioneve nga Italia dhe por dëgjesës së pretendimeve greke. Ngjarjet që çuan në fjalimin e kongresit të të rinjve:

(1) 7 tetor, në hapjen e konferencës së Frontit Demokratik, Hoxha shpalli linjën e zakonshme komuniste për Ballkanin dhe atë ndërkombëtare duke i dedikuar afro 10 minuta çështjes së traktateve me SHBA; arsyetimi i tij është aq i shtrembër sa u përpoqëm më kot të sqaronim çështjet e përfshira.

 (2) Më 9 tetor gjatë kësaj vizite, Jacobs i përmendi se e kishte kryer misionin e tij kur kishte rekomanduar për Departamentin dhënien e njohjes për Shqipërinë. Para kësaj ai tha e tashmë unë do të jem në krye të misionit gjatë mungesës së tij. Pas vizitës, Jacobs inatosej me veten që nuk kishte ngritur çështjet kryesore ai ajo e vizave për shqiptarët dhe më kërkoi të shkruaj në raportin tim për nevojën e veprimit.

 (3) Pas kërkesës së Jacobs më 12 tetor, unë bëra një tentativë të fundit për të thyer ngërçin e vizave duke i shkruar Hoxhës për vështirësitë e qytetarëve amerikanë që mund të humbnin qytetarinë nëse nuk lejoheshin të largoheshin nga Shqipëria. Unë sugjerova që ai të instruktonte autoritetet për lejimin e dhënies së lejeve për këta qytetarë dhe për të prishur përshtypjen negative të krijuar thashë se SHBA ka besim në qëllimet e mira të tij për të gjetur një bazë të pranueshme dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe marrjen e të drejtave për qytetarët shqiptaro-amerikanë”.

 (4) 16 tetor- Hoxha shtyu për dy ditë hapjen e kongresit të të rinjve me qëllim të kishte kohë të përgatiste fjalimin për çështjen e statusit të misionit amerikan. Siç kishim dyshuar, ai u konsultua me Jugosllavinë dhe rusët, dhe kjo të bën të besosh se dhe lëvizja aktuale është një testim se deri ku ne do të arrijmë për të mbrojtur qëndrimin tonë. Rusët e jugosllavët do të preferonin që ne të mos kishim përfaqësi këtu ose që të kishim një përfaqësim thjesht formal, ndërsa përfaqësuesit dhe këshilltarët e tyre të komandojnë vendin, siç janë duke bërë.

Tirana, 29 tetor 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Henderson) për sekretarin e shtetit: Komunikata e transmetuar mund të ketë interpretim të dyfishtë interpretation pasi teksti thotë se nuk ka pasur kërkesa zyrtare nga persona me qytetari amerikane apo me dokumente që e provojnë këtë. Ajo deklaron qartë se nëse bëhen kërkesa të tilla nga persona të caktuar statusi tyre do të rregullohet pas vendosjes së marrëdhënie. Deklaratat kryesore të komunikatës mohojnë faktet pasi të paktën 30 qytetarë shqiptaro-amerikanë kanë aplikuar për leje largimi ose qëndrimi nga policia e Korçës ose në ministrinë e brendshme në Tiranë. Në Korçë atyre u janë refuzuar lejet e largimit dhe pasaportat e tyre amerikane janë mbajtur nga policia, e cila thotë se do të jepen kur të jepet dhe leja e daljes. Çdo person i tillë që ka një letërnjoftim të vlefshëm shqiptar ka dhënë si shtetësi “shqiptar”. Ata që kanë aplikuar në ministrinë e Brendshme në Tiranë janë refuzuar lejet e daljes me shpjegime të vakëta ose pa shpjegime fare. Këto fakte, të cilat unë ia përmenda Hoxhës në letrën e 12 dhe 19 tetorit, përgënjeshtrojnë komunikimin e tij. Nuk dëshiroj të kontaktoj përsëri me qeverinë për këtë subjekt pa instruksione të sakta nga Departamenti, të cilat i pres me padurim. Komunikata i përgjigjet pjesërisht akuzave të SHBA se Shqipëria po diskriminon ndaj qytetarëve amerikanë me lejet e daljes (kam dëgjuar në një transmetim të BBC që denonconte rastet si “punë skllavërore” në një letër për Jugosllavi) kështu Hoxha vendos të injorojë letrën dhe argumentet duke u përgjigjur tërthorazi me komunikatën. Regjimi është duke bërë një tjetër hap për të detyruar njohjen nga SHBA.

Uashington, 2 nëntor 1946

Sekretari i shtetit për përfaqësuesin në Shqipëri (Henderson): Pas studimit të kujdesshëm të situatës departamenti ka vendosur për tërheqjen e menjëhershme të misionit amerikan nga Shqipëria, prandaj udhëzoheni t’i jepni kryeministrit Hoxha letrën e mëposhtme informale: “Prej ardhjes në Tiranë më 8 maj 1945 për mbikëqyrjen e kushteve në Shqipëri në lidhje me çështjen e njohjes së regjimit nga SHBA, misioni amerikan është përpjekur të gjejë mirëkuptim për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes qeverive të Shqipërisë dhe SHBA. Por megjithë angazhimin e SHBA dhe në mungesë të një përgjigjeje nga qeveria e Shqipërisë për ofertën e njohjes së bërë në nëntor 1945, misioni nuk ka arritur të kryejë funksionet për të cilat u dërgua fillimisht në Shqipëri. Në këto rrethana qeveria ime ruan ndjenjat e ngrohta miqësore për popullin shqiptar por nuk beson se ka më arsye që misioni të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri, prandaj misioni amerikan po tërhiqet”. Mund të vazhdoni menjëherë me përgatitjet për mbylljen e misionit. Udhëzimet administrative do të vijojnë në një telegram veçmas. Departamenti do të bëjë njoftimin për shtyp pas raportit tuaj për kalimin e letrës te autoritetet shqiptare.

Tirana, 7 nëntor 1946
Përfaqësuesi në Shqipëri (Henderson) për sekretarin e shtetit: Ky është teksti i letrës që mora sot nga Hoxha në përgjigje të letrës time të 5 nëntorit: “Kam nderin t’ju njoftoj se mora letrën tuaj të 5 nëntorit 1946 ku ju deklaroni: ‘Nuk ka arsye të mëtejshme që misioni ynë të mbetet në Shqipëri, prandaj misioni amerikan po tërhiqet’. Më shumë se 18 muaj më parë qeveria amerikane dërgoi kërkesën e saj për lejimin e dërgimit të misionit të saj të drejtuar nga zoti Jacobs, i cili do t’i raportonte qeverisë amerikane për kushtet në Shqipëri, në lidhje me dhënien e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA. Misioni amerikan u prit më së miri dhe iu dhanë të gjitha mundësitë për të lehtësuar qëllimet e tij. Për 18 muaj me radhë Misioni ka lëvizur lirisht (se promenade {shëtitur}) në të katër cepat e Shqipërisë pa asnjë pengesë në punën e tij për njohjen e kushteve dhe regjimit. Por megjithë këtë fakt natyra e misionit amerikan ishte e kufizuar dhe puna e tij ishte kompletuar që në dërgimin e letrës së qeverisë së SHBA më 12 nëntor 1945. Misioni amerikan vazhdoi të qëndronte në Shqipëri dhe atij iu lejuan të gjitha hyrje- daljet e personelit të tij. Qeveria jonë me bujarinë më të madhe u dha amerikanëve mundësinë për të vëzhguar kushtet dhe zhvillimet në Shqipëri si për shembull zgjedhjet në 1945 dhe zhvillime të tjera. Komisionari Jacobs më ka shprehur shumë herë entuziazmin e tij për punën konstruktive që po kryhet në vendin tonë, për mënyrat heroike të popullit shqiptar, për demokracinë tonë të stabilizuar dhe për ndjenjat e larta të paqes dhe bujarisë së popullit shqiptar dhe qeverisë së tij. Misioni amerikan ka shprehur shumë herë mbështetjen në raportet e tyre në lidhje me njohjen e qeverisë sonë dhe vetë kreu i tij ka shprehur habi me kushtet e vendosura më vonë nga qeveria e SHBA për dhënien e njohjes. Vetë zoti Jacobs më tha kur u kthye nga Uashington tha se vendosja e kushteve kishte qenë një surprizë për të dhe ishte shtuar momentin e fundit nga teknikët e Departamentit të shtetit. Jacobs tha se kushti ishte pranimi nga ne i disa traktateve që kishin ekzistuar më herët mes dy qeverive. Por kushtet nuk ishin thjesht teknike siç e paraqiti çështjen Jacobs pasi rezultatet demonstrojnë se ishin çështje parimore dhe qeveria e SHBA i përdori ato si një pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Me keqardhje edhe ne vërejtëm gjithashtu se gjatë kësaj periudhe çështja e traktateve ishte përdorur si një argument me të cilin qeveria amerikane kundërshtonte të gjitha kërkesat tona legjitime në fushën ndërkombëtare, për të cilat ne kemi luftuar me gjak e sakrifica. Por ashtu siç ishte parimore për amerikanët çështja e traktateve edhe Shqipëria mbron të drejtën e saj në arenën ndërkombëtare për interesin e popullit të saj. Qeveria jonë nga ana e saj është përpjekur gjithmonë të gjejë zgjidhjen e kësaj çështjeve që pengonte vendosjen e marrëdhënieve mes dy popujve tanë, të cilët i lidh një miqësi e ngushtë si në të kaluarën dhe gjatë luftës së fundit.

Populli shqiptar ka simpati të madhe për popullin amerikan dhe i vjen shumë keq që po krijohen pretekste të tilla për të penguar zhvillimin e miqësisë. Gjatë gjithë periudhës së negociatave për traktatet, misioni amerikan në Tiranë nuk tregoi interes në riparimin e diferencave por e përdori këtë kohë për të krijuar të tjera vështirësi në arritjen e rezultateve të kënaqshme. Faktikisht Departamenti Amerikan i shtetit ka bërë herë pas herë deklarata të rreme dhe alarmuese në komunikimet e tij në lidhje me trajtimin e misionit në Shqipëri nga autoritetet vendase. Provë për vullnetin e Shqipërisë në zgjidhjen e çështjeve në mënyrë miqësore dhe pa kërcënime ndaj interesave të dy vendeve, është letra jonë e dërguar më 13 gusht të këtij viti, ku ne pranojmë të njohim të gjitha traktatet e brendshme [multilaterale?] që ekzistonin mes Shqipërisë dhe SHBA, si dhe dy ose tre traktate bilaterale të cilat pranuan t’i diskutojmë menjëherë pas ardhjes së ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri. Ky ishte një tolerim i madh që ne bëmë për hir të miqësisë që na lidh me popullin amerikan nga rrethanat e historisë dhe frymës anti-fashiste.

Kushtet e reja na kanë detyruar që ne të ekzaminojmë traktatet e mëparshme të vendit tonë me shtetet e tjera. Populli shqiptar luftoi dhe fitoi lirinë e pavarësinë, prandaj ka të drejtë të korrigjojë gabimet e të kaluarës dhe veprimet që ishin bërë në shkelje të hapur të të interesave vitale të tij. Populli i madh demokratik amerikan do të ishte i pari që do të porvonte pikëpamjen tonë të drejtë. Por për fat të keq, Departamenti dhe misioni i tij në Tiranë nuk denjuan as t’i përgjigjeshin letrës tonë ku prezantohej një bazë e shëndetshme për zgjidhjen e çështjes dhe vendosjes së marrëdhënieve. Në rrethanat aktuale dhe para heshtjes së plotë që ne gjetëm ndaj propozimeve miqësore të shprehura në letrën e 13 gushtit, ne besojmë se Departamenti amerikan i shtetit nuk e merr me seriozitetin e duhur çështjen e vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë dhe vazhdimin e forcimin e lidhjes miqësore mes dy popujve tanë. Populli shqiptar dhe qeveria e tyre kanë besim se populli amerikan do të vazhdojë të ruajë miqësinë dhe do të kërkojë miqësisht të theksojë bazat e saj që u nënvlerësuan nga shumë persona nga Departamenti Amerikën i Shtetit dhe të misionit në Tiranë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit