Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhet dokumenti, ja si SHBA nisi sulmet ndaj Hoxhës më 1946: Njerëzit spiunohen dhe u rrëmbehen shtëpitë, kush del kundër regjimit shtypet pa mëshirë

Postuar: 14/05/2019 - 07:07

Viti 1946 shënoi një thyerje në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. Enver Hoxha nisi të bashkëpunonte me amerikanët, por ishin sovjetikët ata që e bënë të parët për vete. Gazeta publikon sot disa dokumente të DASH, ku tregohet se si në pranverën e vitit 1946 nisën sulmet ndaj Hoxhës.

Londër, 5 mars 1946

Asistent sekretari i shtetit(Dunn) për sekretarin e shtetit: Qeveria greke ka kërkuar që Këshilli i Ministrave të Jashtëm të përgatisë traktatin e paqes me Shqipërinë në konferencën pritur të paqes. Në letër ministri i Jashtëm grek fton të dërgojë përfaqësues për të qenë prezentë në diskutimet e kushteve të traktatit të paqes me Shqipërinë, dhe për të diskutuar në veçanti çështjen e Epirit të Veriut. Letra thotë se Shqipëria ka marrë pjesë aktive në luftën kundër Greqisë në solidaritet me Aksin dhe i ka shpallur luftë të gjitha shteteve që luftojnë kundër Italisë në qershor 1940. Memorandumi grek argumenton pjesëmarrjen e Shqipërisë në pushtimin e Greqisë duke thënë se aktet e saj nuk kishin asnjë ndryshim nga ato të vendeve të tjera satelite (Rumania, Bullgaria, Hungaria) deh shton se ka ende elemente armiqësie mes Greqisë e Shqipërisë prej persekutimit të elementit grek në Epirin e veriut, një provincë që sipas Greqisë padrejtësisht është ndarë prej saj pas luftës së fundit dhe i duhet rikthyer. Në diskutimin e kryetarit të përkohshëm Lord Hood me ministrin grek u pranua marrja e kërkesës greke për hartimin e kushteve të paqes mes Greqisë e Shqipërisë dhe marrjen në konsideratë të pretendimeve për Epirin e Veriut. Delegacionet amerikane e britanike nuk ishin udhëzime për këto çështje territoriale prandaj ishin dakord se nuk kishin autoritetet për ta diskutuar.

Uashington, 6 mars 1946

Kreu i çështjeve evropiane (Mattheus) për sekretarin e shtetit: Ambasada jonë në Beograd mendon se garancitë e dhëna në letrën e qeverisë jugosllave në lidhje me njohjen dhe vazhdimin e traktateve mes SHBA dhe Jugosllavisë, janë të papranueshme. Por pas një analize të detajuar vërejtëm se edhe pse gjuha e teksteve është e paqartë në disa pjesë ajo akuzon se disa detyrime të natyrës financiare janë bërë nga ish-qeveria në ekzil, të cilën e akuzon se ka ndihmuar lëvizjen Kuislinge në Jugosllavi. Mund të ketë një lidhje mes situatës me Jugosllavinë dhe asaj të përkeqësimit të trajtimit të njerëzve tanë në Shqipëri. I dërguari ynë atje Jacobs ka sinjalizuar se autoritetet atje janë të influencuar nga rezultati dhe progresi i marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, prandaj nëse ne e pranojmë përgjigjen jugosllave si të kënaqshme mund të vijnë dhe reagime të tilla nga shqiptarët.

Tiranë, 12 prill 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri(Jacobs) për sekretarin e shtetit: Asnjë informacion nuk është dukur në shtyp ose radio në lidhje me valën e re të terrorit në pjesën shqiptare të Epirit të Veriut apo arrestimet e personave të përmendur në komunikimin e 9 prillit. Nëse unë interesohem me autoritetet jam i sigurt që ato to ta mohojnë ashtu si dhe Hoxha 2 muaj më parë, kur unë u interesova për persekutimin e minoritetit grek. Siç kam treguar në disa telegrame, një valë e gjerë terrori ka përfshirë të gjithë Shqipërinë, që kur grupi komunist e hoqi tashmë maskë e tij në janar dhe nisi procesin e egër të sovjetizimit. Njerëzit mbikëqyren e spiunohen, nxirren nga shtëpitë(në Tiranë për të liruar ambientet për rusët) i sekuestrohen mallrat, dërgohen në burgje e kampe përqendrimi, shkarkohen nga postet në administratës pa dallim race apo prejardhjeje. Popullsia në jug të vendit shikon nga Greqia për shpëtim nga komunizmi. Nuk është për t’u çuditur që shtatë persona të arrestuar nuk janë grekë me origjinë, por thjesht sepse dyshohen si opozitarë të regjimit ose refuzues të tij. Duke marrë parasysh komentet e senator Pepper dhe statusin aktual të misionit tonë, nuk besojmë se është e këshillueshme ndjekja e rekomandimeve greke. Kursi më i preferueshëm për t’u ndjekur është që kur të ngrihet përsëri çështja e njohjes ne të bëjmë parakusht trajtimin e mirë të minoriteteve dhe grupeve jo-konformiste ndaj regjimit, ose t’i sugjerojmë Greqisë ta ngrejë problemin e saj në OKB, e cila është në fakt agjencia më e mirë për problemet ndërkombëtare.

Athinë, 18 prill 1946

Përfaqësuesi në Greqi(Rankin) për sekretarin e shtetit: Kërkoj vëmendjen eDepartamentit për një raport të atasheut ushtarak të kësaj ambasade mbi kufijtë veriorë të Greqisë ku jepen disa propozime për ndryshime të cilat do të formojnë bazën e pretendimeve greke në konferencën e paqes. Vërejtja jonë është se sido që të ndryshohen këta kufij ata nuk do të kenë mundësi të mira mbrojtjeje nga agresorë të fuqishëm, sidomos me forcat aktuale të këtij vendi ose dhe me ndihmën e huaj që mund të mbledhë nga aleatët. Edhe fushata greko-italiane nuk bënte përjashtim nga kjo, pasi Greqia u pushtua për gati tre javë kur Aksi zhvendosi forcat në këtë zonë. Prandaj kufiri verior i Greqisë ka një rëndësi strategjike dhe ne shpresojmë që zgjidhja e OKB të parandalojë konflikte të tilla. Duhet marrë parasysh se mbajtja e një ushtrie moderne prej 50,000 njerëzish nuk mund të përballohet nga burimet financiare greke, sa do të kërkohej në fakt për mbrojtjen e këtij kufiri. Një tjetër pikë shumë e rëndësishme është se për momentin nuk mund të kërkojmë ndryshime të konsiderueshme të kufijve në kurriz të Bullgarisë ose Jugosllavisë, përveç rastit të një ndryshimi të mendësisë së Bashkimit Sovjetik, që për momentin nuk ka shanse. Ndërsa kufiri greko-shqiptar i përket një tjetër kategorie, nëse kemi parasysh çështjet historike, etnike, gjeografike e morale që Departamenti i njeh mirë. Megjithëse këto argumentojnë për ndryshim të kufirit në favor të Greqisë kjo mund të sjellë një nënvlerësim të pasojave politike edhe pse pretendimi grek nuk është i paarsyeshëm. Ndjesia në Greqi për marrjen e Epirit të Veriut është e fortë por jo universale. Grekët besojnë se kanë bërë aq shumë gjatë luftës sa që duhet të kompensohen në Konferencën e Paqes. Nëse nuk jepet një vendim i favorshëm grekët do të shtojnë përçmimin ndaj fuqive të mëdha, që mund të çojë në forcimin e mëtejshëm të së majtës pro-sovjetike greke, e cila ka pretendimet e saj alternative për Trakën lindore në Bullgari. Edhe nëse ne refuzojmë të trajtojmë çështjen e Epirit të Veriut kjo mund të jetë e sikletshme për Aleatët për të njëjtat arsye si në rastin e kufijve bullgarë e jugosllavë. Çështja është e sikletshme nga pikëpamja e fuqive aleate pasi Bullgaria e Jugosllavia kërkojnë të ruajnë një shtet shqiptar të pavarur dhe reduktimi i mëtejshëm i vendit të vogël do ta bënte të pamundur qëndrimin si ent i veçuar. Gjeografikisht kufijtë shqiptarë janë të përshtatshëm si të tjerët në rajon por ende ka një minoritetet të konsiderueshëm grek në jug të tij (megjithë përpjekjet shqiptare për ta reduktuar shpërndarë apo absorbuar) dhe është gjithashtu çështja nëse Shqipëria mund të ekzistojë si shtet i pavarur duke parë masën e saj të vogël, mungesën e burimeve dhe prapambetjen e madhe. Prandaj ka argumente të forta për të mos lënë minoritetet në dorë të një shumice primitive siç mund të jetë në Shqipëri. Përveç mundësisë së dhënies së qytetit të Korçës që është më afër Greqisë ujk ka një kufi tjetër natyral me perëndimin dhe veriun, që në rast të lëvizjes së kufijve nuk do t’i jepte Greqisë gjysmën e Shqipërisë. Linja e paraqitur në fuqinë nga liqeni i Ohrit drejt brigjeve jugore në Vlorë siç sugjerohet nga ushtria greke, do të sillte një situatë shumë artificiale. SHBA është zotuar të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, por vendi mund të humbasë sovranitetin e tij prej kapjes së komunistëve. Shqipëria ka arsye morale për pavarësinë e saj po aq sa dhe Maqedonia, dhe ndoshta aq sa Mali i Zi, por në fakt nuk ka perspektivë që një vend kaq i vogël e i prapambetur të qëndrojë me këmbët e veta. Prandaj si rezultat i iniciativës së Rusisë ose Jugosllavisë, Shqipëria do të kërkojë të federohet në “unionin” sllav, gjë që do të detyrojë SHBA të rikonsiderojë çështjen shqiptare. Një ndarje e vendit do të transformonte shumicën aktuale myslimane në një shtet të plotë, çka mund të kishte efekte të padëshirueshme. Shqipëria lindi në 1912 jo nga konsiderata për popullin e saj por për të parandaluar që Serbia të kishte një dalje në detin Adriatik. Për qendrën e Shqipërisë nuk kanë pretendime as Greqia as Jugosllavia por në rast të ndarjes së Shqipërisë kjo nuk do të ishte arsye për t’i dhënë fqinjëve zona të banuara nga myslimanët. Pretendimet e gjeneralit grek arrijnë në maksimumi deri në lumin Shkumbin, plus një cep në veri të tij pranë kufirit shqiptaro-jugosllav. Gjenerali grek duhet se nuk i ka dhënë rëndësi faktit se kufiri natyral mes jugut dhe veriut të Shqipërisë gjendet disa kilometra në veri të lumit. Edhe vetë lumi nuk është i madh dhe as ndonjë barrierë mbrojtëse ose kufi ekonomik. Kjo vijë ujore duket se është ndarja më logjike mes jugut dhe veriut të Shqipërisë dhe nuk do të kishte nevojë për ndryshime në kufirin aktual mes Greqisë deh Jugosllavisë. Duhet të jetë e mundur të gjejmë një zgjidhje për problemin e bezdisshëm shqiptaro-grek, e cila të kënaqë të gjitha kombet e përfshira, po ashtu dhe rusët.

Ne do të bëjmë përpjekje por edhe nëse nuk gjendet një zgjidhje ne do ta kryejnë procedurën të tillë që e gjithë përgjegjësia të bjerë në ndërhyrjet dhe mos-tolerimet e sovjetikëve.

 

Tiranë, 20 prill 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për sekretarin e shtetit: Ambasadori francez Picot është i zhgënjyer nga statusi i tij këtu dhe do të kthehet në Paris për disa javë për të mos u kthyer më, nëse Britania e SHBA nuk e njohin regjimin. Ne për momentin nuk kemi rreziqe të menjëhershme sa për të mbyllur zyrën. Meqenëse nuk kam marrë asnjë përgjigje nga Hoxha supozoj se qeveria nuk ka ndryshuar mendim mbi traktatet dhe marrëveshjet mes dy vendeve. Përveç kësaj çështjeje, nuk duket e dëshirueshme njohja e regjimit pa garanci specifike për imunitetin dhe të drejtat e përfaqësuesve diplomatikë sipas zakoneve ndërkombëtare, shërbimin e korrierëve dhe komunikimet telegrafike. Përfaqësuesit tanë gjithashtu duhet të lejohen të punësojnë shqiptarë pa ndërhyrje si dhe të lejohet në Shqipëri bashkëshortja e Rudolph Marinschak. Ka gjithashtu çështje të tjera që Departamenti duhet të diskutojë para dhënies së njohjes, siç është fakti që regjimi ka dalë hapur si sistem një-partiak që shtyp pa mëshirë opozicionin, prandaj nevojiten garanci që grupet jo-partiake të kenë liritë e fjalës dhe të shtypit. Së dyti duke parë përhapjen e gjerë të sovjetikëve dhe kufizimet e shumta që janë vendosur mbi ne, duhet të kërkojmë barazi administrative dhe liri të barabarta. Së treti duke parë mbikëqyrjen e anëtarëve të misionit tonë dhe të personave që na vizitojnë, kërkohen garanci për të krijuar marrëdhënie normale me shqiptarët pa u bërë subjekt i mbikëqyrjes së policisë. Më në fund deklarojmë se në bashkëpunimin tonë me Britanikët dhe BRSS nuk ishte parashikuar asnjëherë që në lidhje me Shqipërinë sovjetikët të zbarkojnë dhe praktikisht të marrin kontrollin e vendit.

Siç është sugjeruar më parë, disa ankesa pa publicitet duhen bërë për këtë te Moska pasi nëse ka ish-vende të pushtuara me të cilat duhet të bashkëpunojmë bashkarisht sipas Deklaratës së Krimesë, kjo është Shqipëria.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 08:23

Pretendimet territoriale nga Greqia nuk janë aktuale. Prej shumë vitesh Athina ka kërkuar që të marrë jugun e Shqipërisë dhe tentativat e saj janë dhjetravjeçare.

Postuar: 25/05/2019 - 07:10

 Zbardhen të tjera detaje mbi zhvillimet politike gjatë regjimit komunist.

Postuar: 22/05/2019 - 07:07

Dalin në dritë të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë instalimit të regjimit komunist.

Postuar: 19/05/2019 - 07:47

Italia ka shkaktuar mbi 3 miliardë franga ari dëme gjatë pushtimit në Shqipëri.

Postuar: 18/05/2019 - 07:25

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipëri gjatë vitit 1946.