Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbardhet takimi mes Hysni Kapos dhe Mao Ce Dun më 1962, ja porositë që lideri kinez i dërgonte Hoxhës për të sulmuar Hrushovin

Postuar: 09/03/2018 - 09:14

Më 1962 Kina u rreshtua hapur krah Shqipërisë dhe po ashtu nisi sulmet ndaj Bashkimit Sovjetik. Gazeta publikon një bisedë të zhvilluar mes një delegacioni shqiptar në Kinë të drejtuar nga Hysni Kapo, të cilët u pritën nga lideri kinez, Mao Ce Dun.

29 qershor 1962, Wuhan, Kinë

Biseda e delegacionit të PPSH me udhëheqësin Mao Ce Dun. Delegacioni i partisë shqiptare takohet me udhëheqësin kinez Mao Ce Dun, ku dy palët shprehin kundërshtimin e politikave të destalinizmit në Bashkimin Sovjetik. Delegatët shqiptarë konfirmojnë gjithsesi besimin te partia e madhe sovjetike, me gjithë veprimet e Hrushovit. Kryetari Mao Ce Dun priti delegacionin tonë në qytetin e Wuhan. Ai doli deri jashtë për të pritur delegacionin tonë dhe na shoqëroi në dhomën e ndenjes. Kryetari pyeti Hysni Kapon si e kishim kaluar gjatë qëndrimit tonë në Republikën e Kinës.

Hysni Kapo u përgjigj: Së pari dua të shpreh gëzimin tonë për mundësinë që po na jepni me këtë takim. Ne e vlerësojmë shumë sakrificën që po kurseni kohën tuaj të çmuar për të na pritur. Falënderojmë nga zemra partinë kineze dhe veçanërisht ju për shansin që po na jepni. Kur u nisëm nga Shqipëria komiteti ynë qendror dhe personalisht shoku Enver Hoxha na kërkoi të sillnim te ju përshëndetjet më të përzemërta të partisë dhe të popullit tonë, për popullin mik e vëlla të Kinës, për partinë tuaj të lavdishme dhe ju personalisht.

Mao Ce Dun: Faleminderit shumë. Në të njëjtën kohë duhet të jemi ne që duhet t’ju falënderojmë pasi ju jeni pararoja, po jetoni në kushte të vështira dhe po mbroni me luftë marksizëm-leninizmin. Kjo është më me vlerë se gjithçka tjetër, ju nuk ratë në goditjen e shkopit si të tjerët.

Hysni Kapo: Ne nuk u dorëzuam sepse kemi miq të mirë e besnikë. Jemi krenarë që jemi të lidhur me ju në një miqësi të madhe e vëllazërore dhe që në përpjekjen tonë kemi pranë partinë e lavdishme të Kinës, me ju në krye shoku Mao Ce Dun, si një njeri i dashur jo vetëm për popullin kinez por për të gjithë proletariatin botëror.

Mao Ce Dun: E gjithë bota ju mbështet në përpjekjen tuaj, të gjithë revolucionarët. Të gjithë janë në anën tuaj përveç imperialistëve, revizionistëve dhe borgjezisë reaksionare. Është shumë domethënëse që vendi juaj është njohur edhe nga Kuba, pikërisht pas kongresit të 22-të të BRSS. Kuba nuk vendosi marrëdhëniet me ju para, por pas kongresit, kur e patë veten në një pozitë shumë të vështirë, kur nuk mund të mbështeteshit te Bashkimi Sovjetik për shumë gjëra. Prandaj unë them se kjo është një shenjë shumë domethënëse. Aktualisht me gjithë faktin se udhëheqja e shumë partive qëndron në anën e revizionistëve, situata mes tyre ndryshon vazhdimisht. Fakti që sot imperialistët shfrytëzojnë shumë popuj të shtypur është në realitet objektiv. Dy të tretat e njerëzimit janë nën zgjedhën e imperializmit dhe kapitalizmit. Por a do të thotë kjo se këta popuj nuk do të luftojnë për revolucionin? Ne mendojmë se ata do të humbasin dëshirën për të luftuar vetëm kur të mos jenë më në zgjedhën e imperialistëve dhe reaksionarëve të vendeve të ndryshme. Ky fakt është i dukshëm për të gjithë, ne nuk gënjejmë kur themi se imperialistët dhe reaksionarët po shtypin këta popujt, dhe se së shpejti ata do të nisin revolucionin kundër tyre. Do të jetë shumë e vështirë që revizionistët të vazhdojnë sundimin e tyre pasi ne e shikojmë që ata nuk janë të qetë dhe janë të tmerruar nga Stalini, edhe pse ai ka vdekur disa vjet më parë. Revizionistët janë gjithashtu të tmerruar nga Shqipëria. Qëndrimi që ata po mbajnë ndaj jush mund të shpjegohet vetëm në këtë mënyrë. Ndryshe përse ju përjashtuan nga kongresi i 22-të sovjetik dhe ju sulmojnë publikisht? Ata nuk ju ftuan në kongres dhe ju sulmuan në mungesë, një lëvizje kjo ndalohet nga deklarata e përbashkët e Moskës. Edhe nëse supozojmë se Shqipëria ka gabuar, atëherë duhet të ishte thirrur një takim i partive komuniste për të diskutuar çështjen. Por në fakt Hrushovi ka frikë nga një takim i tillë. Ai pretendon me veten e tij se ju keni gabuar, dhe këtë e bën në emër të partisë. Burimi i kësaj sjelljeje është kongresi i 20-të sovjetik ku ai i shpalli luftë Stalinit, por ne e dimë se lufta e Hrushovit kundër Stalinit është një luftë kundër marksizëm-leninizmit dhe kjo është esenca e të gjithë aktivitetit të revizionistëve. Revizionizmi është një lëvizje që erdhi në pushtet në disa vende pas vdekjes së Stalinit. Ne nuk e kuptuam menjëherë këtë, por gradualisht u kuptua edhe nga partia juaj në të njëjtën mënyrë. Pas vdekjes së Stalinit revizionistët morën hapa të matura. Duke parë aktivitetin e tyre ne e kuptuam se cilët ishin ata në të vërtetë. Pas vdekjes së Stalinit ata përjashtuan Molotov dhe miqtë e tij dhe vazhduan spastrimet e atyre që nuk ishin palë me ta. Në nivelet larta spastrimi arriti në masën 50 për qind kurse në bazë më në shumë se 70 për qind, dhe në këtë mënyrë ata arritën ndryshimin e madh. Në fillim ne nuk i parashikuam pasojat që do të vinin nga fryma e zhvillimit të kongresit të 20-të sovjetik. Por më pas u mbajtën kongresi i 21-të dhe i 22-të dhe çështja arriti deri në heqjen e monumentit të Stalinit nga mauzoleumi dhe djegia e tij. Ne e dimë mirë se Nikita Hrushov nuk i ka frikë njerëzit e vdekur, ai ka frikë vetëm të gjallët. A është e mundur që Hrushovi pas heqjes së Stalinit dhe djegies së tij të ketë krijuar ditë më të mira për veten. Si mendoni ju?

Hysni Kapo: Kur ne mbështetemi në mësimet e marksizëm-leninizmit të lavdishëm, e dimë se çfarëdo lëvizje që të bëjë, nuk do të sjellë ditë të mira për Hrushovin.

Mao Ce Dun: Kjo është e vërtetë. Ai duket se ka marrë shumë djaj nga të gjitha anët. Shqipëria në të kaluarën nuk njihej si qendra e vëmendjes së botës, më pas ajo u njoh si një nga 12 vendet socialiste. Por tani, pas kongresit të 22-të Shqipëria është bërë qendra e vëmendjes së politikës botërore, apo jo? Ky fenomen është vënë re dhe në vendin tuaj. Pas kongresit të 22-të shtypi i tyre ishte i mbushur me sulme ndaj Shqipërisë, ndërsa ne publikonim fjalimet e partisë suaj. Shumica e vendeve kishin në vëmendje fjalimin e shokut Enver Hoxha më 7 nëntor 1961. Ne e publikuam fjalimin pa bërë komente apo qartësime, por të gjithë ata që e lexuan e cilësuan si korrekt. (I drejtohet ambasadorit shqiptar në Kinë) Kur keni ardhur në vendin tonë shoku Malile?

Malile: Në fund të korrikut të vitit të kaluar.

Mao Ce Dun: A jemi takuar bashkë më parë?

Malile: Po, jemi takuar kur pritët delegacionin ekonomik shqiptar në janar.

Mao Ce Dun: Prandaj nuk ju njoh mirë. Ndoshta ju kam takuar vetëm një herë më parë. Po shokët e tjerë të delegacionit, a i kam takuar më parë?

Hysni Kapo prezanton shokët e tjerë të delegacionit: Jo, shokët e tjerë vijnë për herë të parë në republikën e Kinës.

Mao Ce Dun: Si janë me shëndet shoku Hoxha dhe shoku Shehu?

Hysni Kapo: Ata janë shumë mirë, faleminderit. Kemi marrë letrën e partisë tuaj shoku Mao Ce Dun për ftesën e delegacionit në Kinë, dhe dëshira e shokut Hoxha ishte të vinte vetë, por një udhëtim të tillë në kushtet e krijuara rreth nesh, ishte e vështirë të realizohej. Ne e konsideruam ftesën tuaj si shumë të rëndësishme. Shoku Hoxha na instruktoi që në bisedimet me partinë tuaj të shprehim çdo gjë që mendon partia jonë. Ishte një kënaqësi e madhe që në bisedimet me delegacionin e partisë suaj të kryesuar nga Deng Ciao Ping, kishim pikëpamje të përbashkëta dhe unitet për çështjet kryesore që shqetësojnë partitë tona. Ne u larguam nga Pekin me përshtypjen se bisedimet mes dy palëve ishin me vlerë dhe me interes. Në të njëjtën kohë ne informuan partinë tonë mbi mendimet dhe këshillat e këtyre bisedimeve.

Mao Ce Dun: Shumë mirë, ka mjaft kohë për të menduar. Ne nuk kemi frikë nga asgjë për sa kohë meni në dorë të vërtetën. Ne jemi të bindur se e vërteta është në dorën tonë. Ne e dinim këtë që prej takimit të 81 partive komuniste në Moskë. Edhe pse ishin në minorancë e vërteta ishte në dorën tonë. Që prej kohërave të lashta e vërteta ka qenë në dorën e pakicës. Marksi dhe Engelsi në fillim ishin vetëm. Ata ishin vetën dy njerëz, por idetë e tyre u përhapën shpejt. As Leninzimi nuk ishte shumicë në fillim të viteve 1900. Kur u mbajt kongresi i 2-të i social-demokratëve rusë në Angli, Lenini fitoi me vështirësi shumicën, por pas kongresit ai përsëri mbeti në minorancë deri në kohën e revolucionit të 1917 kur situata ndryshoi përsëri dhe sovjetikët e Shën Petersburg siguruan 50 për qind. Revizionistët si Hrushov po e demaskojnë veten me aktivitetet e tyre. Puna e Hrushov i bën të lumtur imperialistët dhe jo popujt e vendeve socialiste, përfshi këtu dhe sovjetikët. Mendoj se shumica e sovjetikëve janë të pakënaqur me aktivitetin e grupit të Krushov dhe me luftën e tyre ndaj figurës së Stalinit. Populli i Bashkimit Sovjetik është gjithashtu i pakënaqur me luftën e Hrushovit ndaj Shqipërisë dhe Kinës. Kjo pakënaqësi po shtohet vazhdimisht. Edhe në Kinë, partia jonë u formua në 1921 dhe fillimisht kishte mbështetjen e pak njerëzve. Në kongresin e saj të parë kishte vetëm 12 delegatë të cilët përfaqësonin disa dhjetra anëtarë, 57 njerëz në total. Deklarata e këtij kongresi nuk tërhoqi shumë vëmendje por faktet e tregojnë se gradualisht njerëzit e kuptuan linjën e partisë dhe e absorbuan marksizmin. Populli ynë ka pasur dy tipe mësuesish; nga njëra anë ishin Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini, ndërsa në krahun tjetër qëndrojnë imperialistët e ndryshëm dhe Çang Kai Shi. Sikur këta mësuesit e dytë të mos ekzistonin, ndërgjegjja revolucionare e popullit tonë nuk do të kishte lindur dhe ata nuk do të kishin mundur kurrë të kuptonin marksizmin. Ndoshta e njëjta gjë ka ndodhur edhe në vendin tuaj; në fillim vetëm pak njerëz besonin te marksizmi, por me shtypjen ndaj popullit të armiqve, ata nisën të kuptojnë dhe gradualisht u qartësua besimi te kursi marksist. Aktualisht mësuesit të tipit të dytë janë imperialistët dhe reaksionarët e vendeve të ndryshme. Në njëfarë mënyre, revizionistët janë për ne mësuesi i tipi të dytë. Në përpjekjen kundër revizionistëve, njerëzit nuk ishin të qartë për shumë çështje. Revizionistët modernë po luajnë të njëjtin rol si revizionistët e vjetër, siç ishin Bernstein dhe Kautski në Gjermani, apo Plekanov në Rusi. Revizionistët e vjetër ishin ata që sollën idenë e transferimit paqësor drejt socializmit, pra pa revolucion. Kështu që teoria e tranzicionit paqësor drejt socializmit nuk është diçka e re, është një teori e vjetër. Marksistët e vërtetë të asaj kohë kishin shumë gjëra për të bërë, por u detyruan të luftojnë edhe kundër revizionizmit. Në këto kushte lindën leninizmi, partia bolshevike dhe partitë komuniste në vende të ndryshme të botës dhe Internacionalja e Tretë, të cilat thelluan revolucionin. Nga një vend i vetëm socialist që ekzistonte para Luftës së Dytë Botërore, që ishte Bashkimi Sovjetik, u bënë 12 vende. Me përjashtim të Mongolisë, 10 vendet e tjera socialiste lindën vetëm pas Luftës II Botërore. Kjo është dialektika e historisë,në botë gjithçka ka ndrydhur dhe do të vazhdojë të ndryshojë. Ja ku jam duke folur për dialektikën materialiste. Ndërsa Hrushovi nuk do të arrijë kurrë të ndryshojë Marksistët dhe t’i kthejë në revizionistë.

Hysni Kapo: Ajo që thatë është korrekte, vetëm të pavendosurit bëhen revizionistë, ata që nuk janë marksistë të vërtetë.

Mao Ce Dun: Po, jetojmë në një kohë kur të tjerët na urrejnë. Po mallkohemi si nga imperialistët dhe krahu i Çang Kai Shi. Më vonë me ta u bashkuan dhe (kryeministri indian Javaharlal) Nehru dhe (presidenti jugosllav Josip) Tito. Jemi mësuar të mallkohemi nga armiqtë. Veprimet dashakeqe të armiqve si presioni politik apo ndërprerja e marrëdhënieve, nuk na frikësojnë.

Hysni Kapo: Është e vërtetë. As sharjet dhe as presioni i tyre nuk na frikëson. Ashtu siç thatë ju ata do të vazhdojnë me aktivitetet e tyre, por me këtë kanë bërë vetëm që emri i partisë sonë të dëgjohet në të gjithë botën.

Mao Ce Dun: Është e vërtetë.

Hysni Kapo: Ju e dini se popullata jonë është e vogël, për shumë shekuj populli ynë ka jetuar nën zgjedhën e të huajve, por ata nuk janë përulur kurrë para tyre. Të vetmit miq të popullit shqiptar kanë qenë pushka dhe malet,dhe në fakte dhe malet ishin atëherë pronë e pronarëve feudalë dhe të fisnikëve të pasur. Gjithsesi tani partia po i drejton ata në kursin e duhur bashkë me miqtë e saj si populli kinez dhe partia legjendare kineze, popujt e tjerë socialiste dhe partinë sovjetike. Partia jonë shoku Mao Ce Dun, megjithë sulmet e Hrushovit dhe partive të tjera socialiste që ndjekin, nuk e ka identifikuar kurrë Hrushovin me vetë popullin sovjetik dhe komunistët sovjetikë. Partia dhe populli sovjetik janë edukuar me Leninin, dhe ashtu siç thatë ju, do të vijë një kohë kur revizionistët të përfundojnë aty ku përfunduan pararendësit e tyre. Kjo është çka na mëson historia. Në lidhje me atë që ju thatë për të mos iu trembur takimeve, dua të them se partia jonë, ashtu si partia juaj, e njihte situatën kur u mbajt takimi i Moskës në 1960. Ne e dinim se do të ishim në minorancë dhe megjithatë shkuam në këtë takim dhe folën e luftuam aty bashkë me partinë tuaj.

Mao Ce Dun: E njëjta gjë ndodhi dhe në konferencën e Bukureshtit në qershor 1960.

Hysni Kapo: Aty ishim edhe më shumë në minorancë.

Mao Ce Dung: Aty na sulmuan hapur dhe ne nuk ishim të përgatitur. Por nejse, dua t’ju ftoj për darkë, a janë të gjithë shokët shqiptarë këtu?

Hysni Kapo: Faleminderit shumë. Ne ju thamë se kemi pasur një përshtypje shumë të mirë nga bisedimet me delegacionin tuaj, por më lejoni të ngre një çështje, pasi për atë që dua t’ju flas jemi disi të shqetësuar. E kam fjalën për problemet ekonomike që kemi diskutuar së fundmi në skamin me shokët kinezë në Pekin. I kemi shprehur pikëpamjet tona shokëve në Pekin prandaj nuk dua të hyj në shumë detaje. Dua vetëm t’ju kërkoj që çështja që na u prezantua të mund të rishikohet edhe një herë, pasi nëse ndodh ajo që na u ofrua, do të krijohen kushte shumë të vështira për ne. Sigurisht që ne do të luftojmë për të rezistuar dhe tejkaluar vështirësitë, por duke parë situatën me të cilën përballet vendi ynë, mendoj se çështjet duhet të rishiten edhe një herë. Ne e kuptojmë situatën tuaj, për të cilën na informuan shokët në Pekin, e pamë edhe në vendin tuaj që ju po na flisni me zemër në dorë. E pamë atmosferën miqësore me të cilën shokët kinezë biseduan me ne. Por çështjet ekonomike na shqetësojnë shumë, këtë desha t’ju them. Ju duhet të jeni të bindur se partia jonë si gjithmonë do të luftojë për unitetin rritjen e dashurisë për popullin dhe partinë kineze. Shokët në Tiranë mezi presin të informohen për bisedimet me ju. Ne i thamë shokut Deng Ciao Ping dhe shokut Liu Shaoqi, se sapo të jepet mundësia presim delegacionin e partisë së Kinës në Tiranë, dhe ju sigurojmë se do të priten me gëzim të madh nga populli dhe partia jonë.

Mao Ce Dun: Shumë mirë, kjo është një gjë e mirë. Mbi çështjet ekonomike që përmendët, unë nuk jam i informuar në detaje pasi nuk i kam lexuar materialet. Kur të kthehem në Pekin do të flas me shokët e partisë.

Hysni Kapo: Këto që ju thamë ju shoku Mao Ce Dun ia thamë dhe shokëve të partisë në Pekin, ata na dëgjuan me vëmendje por thjeshte deshëm që t’ua themi edhe juve. (Pas bisedimeve shoku Mao Ce Dun bëri foto me delegacionin shqiptar dhe i ftoi ata për darkë me të. Darka u zhvillua në një atmosferë miqësore. Gjatë darkës biseda miqësore e delegacionit tonë me shokun Mao Ce Dun vazhdoi. Mao CeDung theksoi se duhet të rrisim vigjilencën ndaj revizionistëve në mënyrë që të jemi të përgatitur për surprizat).

Mao CeDung: Për ne, fakti që Hrushovi ngriti çështjen e kultit të individit për Stalinin, ishte vërtet një surprizë. Ai lexoi një raport mbi përpjekjen kundër kultit të individit, bazuar në një rezolutë të shkurtër të pranuar mbi çështjen. E gjithë kjo ndodhi pas përfundimit të programit të përditshëm të kongresit të 20-të sovjetik dhe pas zgjedhjes së komitetit qendror dhe Hrushovit si sekretari parë. Vetëm më vonë ai informoi delegacionet partive motra. Delegacioni i partisë sonë u informua nga vetë Hrushovi. Ai u përpoq të na bindte për gabimet e rënda që paska kryer Stalini. Ata thonë se është një provokim që portretet Stalinit qëndrojnë ende varur në mure. Po, në vendin tonë, në sheshin Tienanmen, dy herë në vit, më 1 tetor dhe 1 maj, portreti i Stalinit varet përkrah atyre të Merksit, Engelsit e Leninit. Asnjë prej tyre nuk është gjallë, por njerëzit i duan atje, nëse ne nuk varim portretet Stalinit populli do të na kritikojë.

 Hysni Kapo: E njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri. Ju keni të drejtë shoku Mao Ce Dun kur thoni që populli dhe partia janë si një tru i vetëm me një zemër të vetme.

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 14

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/06/2018 - 07:15

Në vitin 1951 regjimi komunist nisi të blindonte kufijtë e Shqipërisë për të ndaluar arratisjen e shqiptarëve.

Postuar: 17/06/2018 - 07:15

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 15/06/2018 - 07:26

CIA zbardh emrat e 33 agjentëve të saj dhe jugosllavë të vrarë më 1951 nga regjimi komunist shqip

Postuar: 14/06/2018 - 07:18

CIA dhe shërbimi sekret Jugosllav më 1953 detajuan planin e bashkëpunimit mes tyre për të rrëzuar

Postuar: 13/06/2018 - 08:17

Dalin në dritë të tjera detaje nga takimi mes agjentëve jugosllavë dhe atyre të CIA më 1953 për r

Postuar: 12/06/2018 - 07:11

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Jugosllavia synonin të përdornin shqiptarët në emigracion për