Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zbulohet takimi i fshehtë i agjentëve të CIA me agjentët jugosllavë më 1953 në Beograd, ja si u detajua plani për rrëzimin e Enver Hoxhës

Postuar: 08/06/2018 - 08:36

Në vitin 1953 CIA nisi një bashkëpunim me shërbimin sekret jugosllav për të rrëzuar regjimin komunist. Vetë CIA ka deklasifikuar një dokument ku tregohen detajet e një takimi të mbajtur në Beograd. Aty të dyja palët hodhën idetë për situatën në Shqipëri dhe rolin që kishte aty Bashkimi Sovjetik.

16-17 shkurt 1953

Takimi Kubark-PBERM në Beograd

Inteligjenca e SHBA dhe Jugosllavisë koordinojnë politikat e zbulimit për Shqipërinë

Më 21 nëntor 1952, me besimin se një diskutim i barabartë me jugosllavët për çështjen e Shqipëri do të ishte i leverdishëm, nisëm organizmin e tij sipas instruksioneve të selisë kryesore të kundër-inteligjencës së CIA-s, Kubark. Në fillim inteligjenca jugosllave PBERM nuk e priti mirë idenë e një takimi të tillë, por në 16 janar 1953 ata ranë dakord për një takim tre-ditor në Lubjana ose në Zagreb, ku do të merrnin pjesë nga dy përfaqësues se secilës palë të inteligjencës. Rrjedhimisht PBERM pranoi që takimi të zhvillohej në Beograd, por Kubarka se një takim dy-ditor do të mjaftonte. Duke parë rëndësinë e madhe që si Kubark dhe FPBERM i dhanë këtij takimi, ato morën të gjitha masat e mundshme që takimi të mos bëhej i njohur për agjenci të tjera të inteligjencës. Dy përfaqësuesit e Kubark hynë në Jugosllavi me trenin Orient Express të së dielës 15 shkurt 1953, dhe arritën në Beograd në mëngjesin e 16 shkurtit. Takimet e para u zhvilluan në një atmosferë pozitive në një vilë në periferi të Beogradit që ishte vënë në dispozicion enkas për takimin. Pritja për agjentët e Kubark ishte e mirë-organizuar, kishte dy kamerierë dhe një kuzhinier. Agjentët nuk u vunë nën presion të hanin apo të pinin pa dëshirën e tyre. Ne supozuam se vila do të kishte qenë e pajisur me mikrofonë prandaj tregonim kujdes kur bisedonim mes nesh dhe thoshim gjëra që mund të sillnin vetëm reagime të mira nga ana e PBERM, nëse bisedat ishin vërtet të monitoruara.

Nisja e bisedës

Sesioni i parë nisi në ora 16.30 më 16 shkurt dhe zgjati deri rreth mesnatës, me disa pushime të vogla. Në ditën e dytë u mbajtën tre sesione, një para dreke dhe dy në mbrëmje, ku përveç përfaqësuesve të zakonshëm morën pjesë dhe tre anëtarë të tjerë të panjohur të PBERM, çka u kërkua nga të dyja palët prej statusit të tyre diplomatik. Përfaqësuesit e rinj të PBERM u prezantuan me emra për të cilat Kubark nuk kishte të dhëna dhe supozohet se ishin të rremë, veçanërisht pasi dy prej tyre u prezantuan njëri si autoriteti më i lartë jugosllav në Shqipëri dhe tjetri si përfaqësues i PBERM që kishte marrë pjesë në një takim me ish-mbretin Zog. Në këtë dokument, të treve do i referohemi si “zoti B.”, “zoti C.” Dhe “zoti S.”, siç ishin dhe inicialet e tyre. Duke parë njohuritë e tyre të thella për zonën që po merrej në konsideratë, mënyrën autoritare të diskutimit dhe tendencës për të mos iu shmangur pyetjeve direkte të palës tonë, dukej se tre përfaqësuesit e PBERM ishin tejet kompetentë dhe të një niveli të lartë që e bënin takimin edhe më të vlefshëm. Diskutimet u kryen në gjuhën angleze dhe serbe. Agjenti ynë FPSAND përkthente nga anglishtja në serbisht fjalët tona për përfaqësuesit jugosllavë. Agjentët e PBERM flisnin serbisht dhe kishin përkthyesin e tyre, teksa ndërkohë agjenti ynë monitoronte përkthimin e bërë për ta. Përkthyesi jugosllav mori shumë komplimente për gjuhën e tij të rrjedhshme në anglisht. Megjithëse përkthimi ngadalësonte disi bisedën, kjo lejonte që të mbaheshin shënime të sakta për diskutimet. Sekretari i grupit tonë mbajti rreth 76 faqe shënime me shkrim të shkurtuar dore, që ne më pas i konsultuam dhe i kthyen në shkrime të kuptueshme e të sakta. Përveç materialit në shënime, raporti ynë përfshin dhe materialet e parapërgatitura që u prezantuan.

Sesioni i parë i bisedës

Sesioni i parë u hap nga përfaqësuesi i Kubark ... i cili shprehu gëzimin për mundësinë e diskutimit të çështjeve të Shqipërisë, ku të dyja palët mund të kenë rezultate të leverdishme. Ai vlerësoi pritjen e ngrohtë dhe tha më tej se para nisjes së diskutimeve, përfaqësuesit e Kubark duan të sigurohen që dy palët të bien dakord mbi disa parime bazë të zhvillimit të takimit. Këto parime ishin: bisedimet të kryhen vetëm në nivel agjencish inteligjence, njohuri për takimin mund të kalohet te qeveritë respektive por jo te qeveri të tjera apo agjenci qeveritare të tjera, dhe çdo marrëveshje që mund të arrihet në konferencë të ketë nevojë për miratim nga drejtoritë kryesore të agjencive të inteligjencës. Ai tha më tej se dy agjencitë kanë interes të përbashkët në Shqipëri për disa arsye, mes të cilave mund të jenë:

a.       Shqipëria nën qeverinë aktuale është kthyer në një postë të Bashkimit Sovjetik që shërben si bazë e aktiviteteve armiqësore kundër vendeve të lira dhe miqësore, të cilat së bashku me SHBA po përpiqen të krijojnë një front të bashkuar kundër agresionit sovjetik dhe të satelitëve të tij.

b.      Në një pozitë të tillë gjeografike dhe politike, çdo ndryshim i gjendjes aktuale në Shqipëri mund të komplikojë marrëdhëniet mes fqinjëve të saj.

c.       SHBA dhe Jugosllavia janë të dyja të interesuara dhe të shqetësuara për viktimat e imperializmit sovjetik; Kubark u shpreh dakord me deklaratën e fundit të Titos që cilëson se Shqipëria duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.

d.      Kubark dhe PBERM e dinë se dhe shërbime të tjera inteligjence janë përfshirë në aktivitete në lidhje me Shqipërinë

Me tej pala jonë u shpreh se shpresonte që takimi të çojë në lidhjen e një marrëdhënieje të ngushtë mes dy agjencive, me përfitime të ndërsjellta, me qëllim kuptimin më të saktë të situatës komplekse brenda Shqipërisë, përcaktimin e zonave të interesit reciprok. Përmirësimi i lidhjeve pritet të sjellë gjithashtu këmbim efektiv informacioni dhe rrjedhimisht koordinim të përpjekjeve për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Në këtë pikë përfaqësuesi ynë propozoi rishikimin e axhendës që të dy palët të ishin sa më të qarta

Vlerësimi i situatës në Shqipëri nga Kubark

Në Shqipëri ka pakënaqësi të gjerë në publik me regjimin aktual, por kontrolli i ashpër dhe masat brutale të shtypjes nga policia shtetërore të bazuara në sistemin e gjerë të informatorëve, kanë rezultuar të suksesshme në parandalimin e zhvillimit të lëvizjeve të organizuara ose të fuqishme aq sa për tentuar marrjen e kontrollit. Gjatë vitit të kaluar rezistenca është shtuar dhe në vend qarkullojnë zhurma për rrëzimin e pushtetit. Humbja e besimit në projektet afatgjata të regjimit komunist është rritur, bashkë me pasigurinë personale brenda rretheve qeveritare. Kjo gjendje psikologjike nxitet nga vetë konflikti i brendshëm mes Hoxhës e Shehut, që është një fakt i pranuar gjerësisht nga masat dhe sjell pasojat e tij në të gjithë shtresat e administratës qeveritare, duke dobësuar strukturën e qeverisë dhe organizmin e partisë. Gjithashtu pakënaqësia është e përhapur mes forcave të ushtrisë, të cilat kanë një besnikëri ndaj regjimit, në rastin më të mirë të përgjysmuar. Edhe mes radhëve të Sigurimit, që konsiderohet si organi më besnik i pushtetit, ka elementë të njohur të gatshëm për të punuar për rrëzimin e pushtetit të Hoxhës. Megjithë faktin se Shqipëria është një barrë ekonomike dhe një post ushtarak i pambrojtshëm, nuk ka dyshim se BRSS kërkon ta ruajë atë si anëtare të bllokut të saj, për arsye strategjike, politike dhe psikologjike. Duket se është e sigurt se pa ndihmën e vazhdueshme ekonomike sovjetike dhe mbështetjen politike e ushtarake, regjimi i Hoxhës do të binte shpejt. Në këtë drejtim ka disa sinjalizime se Bashkimi Sovjetike nuk është i gatshëm të shkojë deri në fund për të mbajtur Shqipërinë me ndihma, veçanërisht nëse kjo do të sillte kërcënime për një luftë të tretë botërore në të ardhmen e afërt. Aktualisht asnjë grup brenda apo jashtë Shqipërisë nuk është aq i fuqishëm për të pretenduar mbështetje nga shumica e shqiptarëve dhe në të ardhmen e afërt nuk pritet të dalë asnjë grup i tillë. Vendi ka një zhvillim politik primitiv dhe shqiptarët tradicionalisht i janë bindur drejtimit lokal fisnor. Prandaj enti ynë i Komitetit Shqipëria e Lirë përfaqëson një organizatë të vetme të partive më të madha jo-komuniste shqiptare, që mund të jetë me rëndësi thelbësore për diskutimet e të ardhmes së Shqipërisë. Aktualisht situata në Shqipëri është e tillë që as mund të injorohet dhe as mund të ndahet nga interesat legjitime të vendeve fqinje si Jugosllavia, Greqia e Italia. Si rezultat i këtyre provave, ne deklaruam se besojmë se BRSS do të tentojë ta mbajë Shqipërinë si satelit për sa më gjatë që është e mundur. Moska do të vazhdojë mbështetjen e saj ekonomike për të realizuar këtë qëllim, si dhe për evituar provokimin e një lifte të tretë botërore. Në konkluzion ne themi se me mbështetjen aktuale sovjetike regjimi në Shqipëri ka fuqi të mjaftueshme të sigurojë mbijetesën, dhe opozicioni ndaj regjimit nuk mund të sigurojë suksesin e një revolucion të brendshëm spontan.

Pyetjet e agjentëve

Pas prezantimit të llogaritjeve të mësipërme, zyrtarët e PBERM bënë disa pyetje, si më poshtë:

Zoti B: Ju keni studiuar pikat e dobëta të regjimit në SHqipëri, cilat mendoni se janë pikat e tij të forta?

Zoti C: Në rast se Bashkimi Sovjetik ndërpret ndihmat për regjimin e Hoxhës, si do të vinte shembja e tij? (përgjigja u shty për më vonë gjatë konferencës)

Zoti S: Sa i fortë është opozicioni në Shqipëri? (Kësaj pyetjeje përfaqësuesit tanë iu përgjigjën duke thënë se rreth 85 për qind e popullatës kundërshtojnë regjimin aktual, por ata janë të paorganizuar dhe janë vetëm të aftë të kryejnë akte sporadike rezistence, kjo për arsye të sistemit të fuqishëm të informatorëve dhe për arsye të situatës së rëndë ekonomike që detyron popullsinë të fokusojë të gjitha përpjekjet për të qëndruar gjallë.)

Zoti C: Si mund të përmbyset regjimi i Hoxhës pa rezistencë të organizuar? (Përgjigja e kësaj pyetjeje ishte thjesht negative).

Zoti S: Nëse një përqindje kaq e lartë e popullatës janë në opozicion ndaj regjimit, përse të gjithë të parashutuari janë kapur? (Ne u përgjigjën se disa nga të parashutuari janë kapur por nuk mund të pranojmë se janë kapur të gjithë.)

Zoti C: Sipas vlerësimeve tuaja të përgjithshme, rezistenca është rritur në 1952, përse mendoni se ka ndodhur? (Përgjigja jonë ishte se llogaritja është bazuar në rritjen e tendencës së njerëzve në qeveri për të dyshuar, dhe në rritjen e vullnetit të njerëzve për të ndihmuar agjentët apo për akte sporadike rezistence)

Zoti S: A besoni se partitë përbërëse të Komitetit Shqipëria e Lirë, të cilat të gjitha janë formuar që prej Luftës së Dytë Botërore, kanë ende mbështetës të tyre në Shqipëri? (ne iu përgjigjëm kësaj pyetjeje në mënyrë pozitive, duke thënë se të gjitha partitë e përfaqësuara në Komitetin Shqipëria e Lirë janë formuar pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa partia Balli Kombëtar është formuar para Partisë së Punës).

Vlerësimi i situatës në Shqipëri nga PBERM

Në një pikë të bisedës zoti S. Prezantoi një ekspoze të gjerë mbi situatën në Shqipëri, e cila zgjati nga ora 17.30 deri rreth orës 20.00. Në komentet e hapjes ai tha se përfaqësuesit jugosllavë e konsiderojnë takimin shumë serioz prandaj janë përgatitur gjerësisht për të dhe shpresojnë që të arrihen konkluzione të sakta. Vlerësimi i PBERM jepet në paragrafët e mëposhtëm. Për arsye të vendosjes së saj fizike Shqipëria dhe të minoritetit shqiptar në Jugosllavi, ne jugosllavët jemi në pozitë më të mirë të studiojmë dhe të njohim këtë popull. Në Shqipëri mbizotëron një sistem shoqëror primitiv patriarkal. Partia komuniste shqiptare dhe ajo jugosllave kanë pasur lidhje të ngushta dhe kjo duhet të konsiderohet faktor në çështjet e popullit shqiptar. Jugosllavia zotëron informacion dhe njohje jo vetëm të zyrtarëve të lartë të partisë shqiptare por të të gjitha shkallëve të hierarkisë. Njohja jugosllave e situatës shqiptare nuk vjen nga raportimet që dalin jashtë Shqipërisë, por prej viteve të tëra bashkëpunimi, dhe kjo na lejon të kuptojmë fenomenet individuale brenda partisë komuniste shqiptare. Prandaj mendësia jugosllave drejt Shqipërisë bazohet në këto faktorë. Fakti që shumë jugosllavë kanë luftuar në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore, na jep njohuri të imtësishme mbi terrenin dhe kushtet lokale, prandaj jugosllavët nuk kanë nevojë të mbështeten në informacionet e refugjatëve nga Shqipëria. Në këtë mënyrë informacioni ynë është i çliruar nga tendencat dhe anësitë që vijnë nga grupe të emigruarish dhe individësh. Ky faktor duhet mbajtur parasysh në lidhje me pozitën e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë. Nëse ne e marrim në konsideratë situatën shqiptare veçmas nga ajo e satelitëve të tjerë, do të bënim gabim, pasi në shumë aspekte Shqipëria është e ngjashme me to. Prezantimi i PBERM do të paraqitet në dy pjesë, së pari me pikat e dobëta të regjimit komunist shqiptar dhe më pas me pikat e forta. Në llogaritjet tona ne do i referohemi regjmi të Enver Hoxhës, edhe pse mendojmë se Mehmet Shehu është po aq i rëndësishëm.

Pikat e dobëta regjimit Hoxha

Pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë janë të lidhura ngushtë me Jugosllavinë, nga e cila Shqipëria nuk është kërcënuar kurrë. Shqiptarët janë shumë krenarë dhe të ndjeshëm sa i përket pavarësisë së tyre, pasi e gjithë historia e tyre është një përpjekje rezistence. Për ta pavarësia kombëtare vjen e para ndërsa pavarësia ekonomike është dytësore, siç ishte në rastin e pushtimit të Italisë, megjithëse ajo kishte ngritur nivelin e jetesës në vend me investimet e saj. Jugosllavia gjithmonë ka dëshiruar miqësinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, ashtu siç ka mbajtur politika miqësie me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, përkundër politikave kolonialiste të ndjekura nga fuqitë e mëdha. Si provë e miqësisë së Jugosllavisë ndaj Shqipërisë mund të citohet ndihma e dhënë nga Jugosllavia kundër dominimit turk, azili i dhënë për ish-mbretin Zog në Jugosllavi dhe asistenca politike e ekonomike e dhënë në vitet pas Luftës II Botërore. Çdo fuqi që ka pasur interesa pushtuese në Shqipëri ka tentuar fillimisht të prishë marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë dhe është përpjekur ta izolojë atë, siç ka bërë Italia dhe aktualisht Rusia. Një situatë e ngjashme po zhvillohet aktualisht dhe në Bullgari. Pas vendosjes së pavarësisë së Shqipërisë, Jugosllavia ishte i vetmi vend fqinj i saj që nuk u përpoq ta kontrollonte. Jugosllavia nuk është përpjekur të kontrollojë asnjë nga fqinjët e saj, dhe kjo politikë ka lënë përshtypje të madhe të populli shqiptar dhe te besimi i tyre, si mes komunistëve dhe anti-komunistëve. Provë për këtë është dhe nisja e vrullshme e aktivitetit të grupeve anti-komunsite të emigracionit, vetëm pas prishjes mes Jugosllavisë e Shqipërisë në 1948. Miqësia me Jugosllavinë konsiderohet nga shqiptarët si një garanci për lirinë e tyre. Konkluzioni ynë është se dobësia e regjimit të Hoxhës është një rezultat direkt i prishjes së vazhdimësisë së miqësisë me Jugosllavinë, ashtu siç ne mendojmë dhe për çështjen e Bullgarisë.

Dobësitë

Dobësia e dytë e regjimit Hoxha vjen nga pushtimi sovjetik në Shqipëri. Sovjetikët kanë kapur të gjithë strukturën ekonomike, shoqërore, politike e ushtarake të vendit, dhe kjo e fundit duhet theksuar më shumë. Gjëja e parë që ata bënë në Shqipëri është të zgjidhnin llogaritë me elementët patriotikë, duke likuiduar zyrtarë të lartë të partisë dhe qeverisë. Viktimat e këtij aktiviteti ishin mbrojtësit kryesorë të pavarësisë shqiptare të cilët përbënin pengesat kryesore për nënshtrimin e plotë të vendit nga BRSS. Ai provë për këtë ne përmendim faktin se Enver Hoxha është i vetmi anëtar i mbijetuar i komitetit të parë të partisë komuniste të Shqipërisë. Por ne besojmë se udhëheqësi i vërtetë i vendit është Mehmet Shehu, i cili ka vesimin e plotë të sovjetikëve dhe ka nën kontroll postet kyçe të partisë, qeverisë dhe ushtrisë. Ai ka kryer spastrime të gjera të të gjithë agjencive shtetërore. Kjo ngritje e Shehut është një taktikë sovjetike që nuk është parë vetëm në Shqipëri por në të gjitha vendet satelite me të preferuarit e Moskës ose me krijimin e klikave rivale në pushtet për të krijuar njëfarë balancimi të fuqisë. Në këtë mënyrë ata mund t’i bëjnë shantazh njërit grup apo tjetrit për të ruajtur vetë kontrollin e plotë. Në mënyrë të ngjashme, dhe në Bullgari ka pasur një lëvizje kombëtare çlirimtare dhe aty u formuan dy grupime kryesore. Njëri ishte lëvizja çlirimtare dhe tjetri Bashkimi Sovjetik. I vetmi i mbi jetuar i rezistencës ishte Anton Jugov, i cili ishte pritur të likuidohej, por tani po ringrihet për t’u përdorur si kundërpeshë ndaj Çervenkov. Situata të ngjashme janë krijuar gjithashtu në Hungari, Sllovaki e Poloni. Kjo është taktikë standarde sovjetike që ruan përplasjet me qëllim forcimin e kontrollit. Në këtë mënyrë për të gjitha gabimet fajësohen individët që janë në proces likuidimi.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/06/2018 - 07:16

CIA jep detaje mbi operacionet që ajo nisi në Shqipëri me qëllim rrëzimin e regjimit komunist. Më 1952 nisi një operacion për infiltrimin e agjentëve dhe ai rezultoi i suksesshëm.

Postuar: 19/06/2018 - 07:15

Në vitin 1951 regjimi komunist nisi të blindonte kufijtë e Shqipërisë për të ndaluar arratisjen e

Postuar: 17/06/2018 - 07:15

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 15/06/2018 - 07:26

CIA zbardh emrat e 33 agjentëve të saj dhe jugosllavë të vrarë më 1951 nga regjimi komunist shqip

Postuar: 14/06/2018 - 07:18

CIA dhe shërbimi sekret Jugosllav më 1953 detajuan planin e bashkëpunimit mes tyre për të rrëzuar

Postuar: 13/06/2018 - 08:17

Dalin në dritë të tjera detaje nga takimi mes agjentëve jugosllavë dhe atyre të CIA më 1953 për r