Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Çmimet e fluturimeve mbeten më të shtrenjtat në rajon dhe Europë, marrëveshja e 2016 favorizoi vetëm koncesionarin e Rinasit

Postuar: 19/05/2017 - 07:58

Shqipëria vazhdon të mbajë çmimet më të shtrenjta në rajon, për udhëtimet me avion. Nga një krahasim mes shteteve të ndryshme të rajonit për të njëjtat destinacione konstatohen çmime të ndryshme, ndër të cilat, më të lartat janë ato nga Shqipëria. Shpesh bëhet fjalë për të njëjtat kompani fluturimi, të cilat në shtetet e tjera të rajonit vërehet se aplikojnë çmime më të lira se në Shqipëri. Por në disa prej këtyre shteteve funksionojnë dhe kompanitë low-cost, të cilat ofrojnë bileta me çmime shumë herë më të lira se Shqipëria. Kjo ndodh në ditë normale, por dhe në kohë fluksi, kur rezervimet janë edhe më të mëdha në numër. Çmimi që aplikojnë kompani të tilla, të cilat në Shqipëri ende mungojnë, është vërtetë mjaft iu arsyeshëm, kur i krahason me çmimet me të cilat udhëtojnë shqiptarët. Për ta bërë sa më të saktë këtë krahasim, kemi parë çmimet më të lira të biletave që ofroheshin ditën e djeshme nga agjencia e udhëtimit /global.cheapflights.com, në një periudhë me fluks normal, jo në pik. Kështu, nëse një qytetar shqiptar do të prenotonte ditën e djeshme një udhëtim për në Berlin, me nisje nga Aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë me datë 30 maj dhe kthim nga Berlini me 29 qershor, do të gjente një biletë vajtje-ardhje Tiranë-Berlin me çmimin më të lirë 243 USD, me kompaninë ajrore Alitalia. Ndërkohë, nëse të njëjtin udhëtim qytetari do ta bënte nga Shkupi i Maqedonisë, do të kursente jo pak por rreth 180 USD. Kjo agjenci udhëtimi ofronte për datat e mësipërme një biletë udhëtimi prej 82 USD, me kompaninë low cost Wizz Air.  

Udhëtimet nga rajoni në Europë dhe SHBA

Çmimet e fluturimeve janë një problem i hershëm në vendin tonë. Megjithë premtimet e shumta nga çdo qeveri, asnjëra prej tyre nuk ka mundur t’i japë zgjidhje përfundimtare, që edhe vendi ynë të mund të jetë i krahasueshëm në mos me shtetet e tjera të BE, të paktën me vendet e rajonit. Diferenca mes çmimeve që aplikohen në vendin tonë dhe shteteve të tjera të rajonit apo Europës janë mjaft të larta. Kështu, nëse një biletë vajtje ardhje Tiranë-Paris kushton 255 USD me Austrian Airlines, e njëjta kompani ajrore e ofron këtë udhëtim nga Shkupi me 224 USD, nga Prishtina me 282 USD, nga Zagrebi me 197 USD dhe nga Beogradi me 171 USD, pra një çmim afro 50 përqind më të lirë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për udhëtimet në shtetet e tjera. Përshembull, nëse në datat e sipërpërmendura prenotojmë një udhëtim Tiranë-Londër, bileta kushton 276 USD me Austrian Airlines. Nëse të njëjtin udhëtim, në të njëjtat data dhe me të njëjtën kompani ajrore e bëjmë nga Zagrebi, çmimi i biletës kushton vetëm 201 USD, nga Sarajeva 257 USD, dhe nga Shkupi vetëm 103 USD me kompaninë low cost Wizz Air. E njëjta gjë ndodh dhe për udhëtimet jashtë kontinentit. Nëse një udhëtim Tiranë-New York kushton 667 USD me kompaninë Air Serbia, nga Shkupi shkon me afro 100 euro më pak me po të njëjtën linjë ajrore, me po aq para dhe nga Zagrebi, Podgorica dhe Beogradi.

Kontrata monopol

Koncesionari i Rinasit, Tirana International Airport, i cili mori ekskluzivitetin e aeroportit “Nënë Tereza” për 20 vite, është favorizuar që në nisje të aktivitetit të tij në Shqipëri, e duket se do të vijojë të favorizohet deri ditën kur të largohet nga ky vend. Koncesioni që u ofron qytetarëve shqiptarë shërbimin më të shtrenjtë në rajon prej të paktën 13 vitesh ka parë të ndërrohen disa qeveri, por që asnjëra prej tyre nuk i ka hapur telashe, pavarësisht se ka funksionuar si monopol dhe e ka shfrytëzuar tej çdo limiti këtë mundësi pa përmbushur kontratën në mjaft detyrime të saj. E njëjta linjë favorizimi ndaj kësaj kompanie koncesionare vazhdon edhe sot. Me 1 Prill të vitit të kaluar, ish ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, ajo e Ekonomisë, Milva Ekonomi si dhe ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA, Rolf Castro-Vasquez, shpallën në një konferencë për mediat, heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve nga aeroporti i Rinasit. Në bazë të marrëveshjes mes palëve, aeroporti i Rinasit heq dorë pjesërisht nga të drejtat e fluturimeve ekskluzive në këmbim të zgjatjes së kontratës. Sipas marrëveshjes, e cila duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë që të marrë fuqi ligjore, kompania Tirana International Airport fiton dy vjet shtesë në kontratën aktuale dhe lejon qeverinë shqiptare që të hapë për fluturime ndërkombëtare Aeroportin e Kukësit ndërsa kontrata do të zgjatet më tej në rast se Shqipëria vendos të hapë një aeroport tjetër përveç Kukësit. Qeveria ka shprehur më herët dëshirën për të zhvilluar për transport civil ish aeroportin ushtarak të Vlorës. Sipas amendimit të kontratës me TIA, koncesioni i Rinasit do të zgjatet me 0.5 vite për çdo vit operimi shtesë të një aeroporti të mundshëm në Vlorë. Kontrata aktuale ka filluar të zbatohet në 23 prill 2005 dhe skadon në prill 2025. Me propozimin aktual ajo shtohet automatikisht deri në vitin 2027. Por ndërsa Ministria e Transporteve nuk ka bërë transparencë mbi mënyrën se si u arrit marrëveshja, Autoriteti i Konkurrencës publikoi një vendim ku në mënyrë eksplicite kërkohej që formula e propozuar për marrëveshje të mos pranohej. Sipas këshillës së Autoritetit të Konkurrencës, kontrata e koncesionit mund të zgjatej vetën e lidhur me pjesën e tregut që aeroportet e reja i marrin Rinasit, gjë që do të thotë se nëse Kukësi dështon së zhvilluari si aeroport alternativ, kontrata e koncesionit të Rinasit nuk ka arsye të zgjatet.

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/05/2017 - 11:55

“Ky djalë është për t’u marrë shembull, pasi kreu studimet e larta në një prej univesriteteve më prestigjoze të Italisë dhe Evropës, siç është ‘La Sapienza’ dhe u kthye në fshatin e tij për të zgjeruar bisnesin e nisur nga i ati, nga një punishte e thjeshtë, nga një baxho e vogël, n

Postuar: 21/05/2017 - 13:34

Në qytetin e Lushnjes është zhvilluar panairi i agrobiznesit i cili ka mbledhur shumë vizitorë që kanë shijuar produktet bio të zonës së Myzeqesë.

Postuar: 21/05/2017 - 08:06

Banka e Shqipërisë duket se është përfshirë në një skandal kohët e fundit.

Postuar: 20/05/2017 - 09:40

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj.

Postuar: 20/05/2017 - 09:28

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj.

Postuar: 20/05/2017 - 08:16

Agjencia e Trajtimit të Pronës ka përfunduar procesin e shqyrtimit të disa kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe deri më tani përf

Postuar: 20/05/2017 - 08:15

Hyn në fuqi vendimi i qeverisë që përcakton rregullat që duhet të ndiqen nga afro 5 mijë naftëtarë, të cilët do të kërkojnë të pajisen me statusin e shumëpritur prej vitesh.