BREAKING NEWS

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar se të prekur me koronavirus, ja 3 qytetet me numrin më të madh të infektimeve

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar
x

Ekonomia

89 për qind e pensionistëve të pakënaqur me skemën e pensioneve, kërkohet rritja e vlerës së përfituar

89 për qind e pensionistëve të pakënaqur me skemën e

Pensionistët në të gjithë vendin nuk janë të kënaqur me pensionet që marrin. Pavarësisht ndryshimeve që janë bërë vitet e fundit për indeksimin e pensioneve rritja e vlerës ka qenë pothuajse e papërfillshme. Po t’i shtojmë këtu faktin se gjithmonë e më shumë skema e pensioneve po shkon drejt kolapsit vërejmë se pensionistët në vend po marrin shumë pak para. Këtë tregon dhe një anketë e publikuar së fundmi nga dy ekonomistë të njohur të vendit, Selami Xhepa dhe Ardian Civici. Sipas të dhënave të anketës, mbi 89% e pensionistëve shprehen se pensioni që marrin aktualisht nuk iu del as për të bërë shpenzimet bazë, si ilaçet apo ushqimet. “Studimi vërejti se mbi 90% e pensioneve janë ndjeshëm më të ulëta se paga minimale dhe minimumi jetik. Ky shqetësim dëshmohet edhe nga anketa e zhvilluar, sipas së cilës 89% e të anketuarve mbi moshën 60 vjeç pohuan se “pensioni është i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat bazë”, 8% janë “disi dakord”, dhe vetëm 4% e tyre mendojnë se pensionet janë të mjaftueshme për plotësimin e nevojave bazë”, thuhet në studimin e publikuar. Për këtë problematikë, e cila prek kategorinë e popullsisë që ka më shumë nevojë për mbështetje financiare, autorët e studimit mendojnë se përmirësimi i kësaj situate lidhet ngushtë me një angazhim më të madh të shtetit në reformimin e skemës së pensioneve. Sipas tyre, gjendja mund të shohë përmirësim vetëm nëse fillon uljen e informalitetit në pagesën e kontributeve shoqërore dhe shtimin e financimeve nga buxheti i shtetit për buxhetin e ISSH-së.

Kërkohet rritja e pensioneve

Sigurisht që grupi i cili u shpreh i pakënaqur për pensionet, të cilat janë më shumë se gjysma e të gjithë pensionistëve në vend, kanë paraqitur kërkesën për rritje pensioni. Ata janë shprehur se e kanë të pamundur të përfshihen në skemat e pensioneve private dhe se pensioni suplementar do të ishte gjithashtu i ulët, madje as nuk i afrohet nivelit të pagës minimale në vend. Prandaj si opsion të vetëm ata sugjerojnë përmirësimin e skemës së pensioneve dhe indeksimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur. “Në vlerësimin e tyre për sa i përket pyetjes nëse “individi duhet të marrë më shumë përgjegjësi individuale për moshën e pensionit, duke investuar dhe duke zbatuar skema të ndryshme investimi privat”, rreth 70% e tyre kanë reaguar duke u shprehur se nuk janë “aspak dakord” ose janë “disi dakord”, ndërsa vetëm 30% e tyre janë “dakord” dhe “shumë dakord” që të përfshihen në skema alternative, si pensionet suplementare dhe pensionet private”, thuhet në dokument.

Sugjerimet e ekonomistëve

Në fund të raportit të publikuar dy ekonomistët kanë dhënë edhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e skemës së ekonomistëve. Skema e pensioneve në Shqipëri ndodhet aktualisht nën një presion negativ të dyfishtë nga plakja e popullsisë, çka nënkupton shtimin e numrit të personave që përfitojnë pension dhe pakësimin e kontribuuesve në skemën e sigurimeve sociale. Kësaj i shtohet edhe informaliteti i lartë në tregun e punës, që nënkupton faktin se ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish, të cilët, duke mos deklaruar punësimin, nuk kontribuojnë në skemën e sigurimeve sociale. Në këto kushte ekonomistët sugjerojnë që qeveria të punojë më së shumti në eliminimin e informalitetit në punë për të rritur numrin e kontribuuesve në skemën e pensionit. Kështu ISSH nuk do gjendet përballë vështirësive për të paguar në vlera më të larta pensionistët në vende. Sipas të dhënave të publikuara, në Shqipëri përfitojnë pensione 621 mijë pensionistë dhe paguajnë kontribute 752 mijë kontribuues. Norma e varësisë së sistemit është 1.22, që do të thotë se 122 kontribuues mbulojnë 100 pensionistë. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet janë të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet për përfitime dhe, si rrjedhojë, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit.