BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Ekonomia

Abuzime me çmimet e maskave, alkoolit dhe dezinfektantëve, Autoriteti i Konkurrencës gjobit 24 depo farmaceutike

Abuzime me çmimet e maskave, alkoolit dhe dezinfektantëve,

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur dje 24 depo farmaceutike për shkelje të konkurrencës në treg. Nga marsi i këtij viti AK nisi hetimet paraprake mbi disa kompani të cilat dyshoheshin se abuzonin me çmimet e produkteve aq shumë të kërkuara në këtë periudhë si, maska, dezinfektantë dhe alkool. Sakaq, pas kaq muajsh monitorim Konkurrenca del në përfundimin se, 24 prej kompanive farmaceutike nuk kanë zbatuar masat dhe rregullat e përkohshme të vendosura nga ky institucion në muajin mars. “Në mbledhjen e tij të datës 15.10.2020, shqyrtoi çështjen me:Vendosje gjobe dhe dhënien e disa detyrimeve ndaj ndërmarrjeve në tregun e shitjes me shumicë të materialeve paramjekësore, për mos zbatimin e masës së përkohshme. Pasi, nga analiza e sjelljes së ndërmarrjeve gjatë periudhës shkurt-maj 2020 në tregun e tregtimit me shumicë të materialeve maska, alkool dhe dezinfektantë, konstatohet se ato kanë vazhduar të rrisin në mënyrë të pajustifikuar çmimet, duke mos zbatuar masat e përkohshme të Autoritetit”, thuhet në vendimin e AK. Në këtë vendim Konkurrenca sqaron se, 14 kompani janë gjobitur me nga 1 milion lekë, duke qenë se kanë abuzuar me çmimet e produkteve mjekësore, ndërsa 10 depo të tjera farmaceutike janë gjobitur me 2 milionë lekë duke qenë se në të njëjtën kohë kanë shkelur dhe detyrimin për t’u treguar transparentë, pasi që nga marsi AK u kishte kërkuar të raportojë llojin e shitjeve të bëra dhe xhirot ditore. Kështu për të 24 depot Konkurrenca ka vendosur në total 34 milionë lekë gjobë. “Sipas të dhënave të administruara, konstatohet se sipas analizës së sjelljes së ndërmarrjeve në tregun përkatës, masa nuk është zbatuar nga 14 prej kompanive u gjobitën njëkohësisht edhe për mosdhënien e informacionit të kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës. Secila prej kompanive, që refuzoi zbatimin e masave të përkohshme, u gjobit me nga 1 milion lekë, me total 14 milionë lekë. Gjobitjen e ndërmarrjeve për moszbatim të masës së përkohshme sipas VKK nr. 685, datë 18.03.2020 “Për marrjen e masës së përkohshme për vendosjen e konkurrencës në tregun e shitjes me shumicë dhe me pakicë të materialeve paramjekësore” dhe mos dhënies së informacionit. Gjithashtu 10 kompanitë njëkohësisht refuzuan dhënien e informacioni u gjobitën me 2 milionë lekë. me total 20 milionë lekë. Vlera totale e gjobave të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës ishte 34 milionë lekë”, përcakton vendimi.

AK ultimatum kompanive farmaceutike

Skandalet e këtyre depove farmaceutike në këtë periudhë pandemie nuk janë lënë me kaq nga Konkurrenca. Në përfundim të hetimit paraprak, Autoriteti vendosi gjithashtu detyrimin që të 24 ndërmarrjet nën hetim të mos bëjnë marrëveshje dhe praktika të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg. Gjithashtu në mënyrë kategorike këto kompani e kanë të ndaluar të vendosin çmimin për produktet paramjekësore si dhe të shfaqin pengesa në furnizimin e tregut. “Ndërmarrjeve iu ndalohet shprehimisht të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; të ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; të kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave”, theksohet në vendim. Sakaq në përfundim Autoriteti vendosi të vazhdojë më tej monitorimet dhe do të hap hetimin e thelluar në tregun në fjalë, hetim që do të përfshijë periudhën 1 nëntor 2019-1 shtator 2020.