BREAKING NEWS

Zbardhen të tjera detaje të forta/ Publikohen fotot dhe emrat e atentatorëve të biznesmenit Dhima. Përdornin uniforma dhe ID të RENEAS dhe lëviznin lirisht në vend

Zbardhen të tjera detaje të forta/ Publikohen fotot dhe emrat e
x

Ekonomia

Anketa e Bankës së Shqipërisë, 70 për qind e bizneseve pësuan humbje për shkak të izolimit, ja sektorët më të prekur

Anketa e Bankës së Shqipërisë, 70 për qind e bizneseve

Pandemia solli humbje të mëdha për të gjithë bizneset në vend. Në një anketë të publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë tregohet se, si biznesi i vogël edhe ai i madh ka pësuar humbje të mëdha në gjashtë muajt e parë të 2020. Kjo tregon që bizneset kanë tkurrur aktivitetin që para pandemisë, si pasojë e tërmetit në 2019, por izolimi nga koronavirusi i dha goditjen më të fortë. Kështu BSH tregon përmes të dhënave të anketës se, të gjitha bizneset kanë raportuar rënie të shitjeve dhe fitimeve me gati 70% në 6 mujorin e parë të këtij viti. Sakaq, anketimi i bërë nga BSH përkon me periudhën e pandemisë dhe në ata muaj vërehet se bizneset në tregun e industrisë dhe tregtisë kanë regjistruar humbjet më të mëdha, me 37% për 6 muaj. “Për bizneset e mëdha, rënia e shitjeve ishte -64% dhe e fitimeve me -62% në 6 mujorin e parë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bizneset e mesme shënuan një tkurrje të shitjeve dhe fitimeve përkatësisht me 76.6 dhe 71%. Pandemia Covid- 19 i ka vënë në vështirësi më së shumti bizneset e vogla, me të ardhurat që u tkurrën me 72% dhe fitimet me 70%. Nga 1300 bizneset e anketuara në gjashtëmujorin e parë 2020, rreth 37% e ndërmarrjeve i përkasin sektorit të industrisë, rreth 29% sektorit të shërbimeve, rreth 15% sektorit të ndërtimit dhe rreth 19% sektorit të tregtisë”, thuhet në raport. Banka e Shqipërisë në anketat periodike të gjendjes financiare të bizneseve ka gjetur se biznesi i vogël ka ndjekur trajektore rënëse në 4 vitet e fundit. Gjithsesi përqindja më e lartë e tkurrjes së fitimeve ka qenë këtë vit, për shkak të pandemisë, madje një rënie me 50% më shumë krahasuar me vitet e shkuara. “Biznesi i vogël ka raportuar rënie të rezultatit financiar në mënyrë sistematike që nga viti 2016 deri në vitin 2020 . Në 6-mujorin e parë 2016, bizneset e vogla raportuan rënie të fitimeve me 28% në raport me 6 muajt paraardhës, teksa shihet së rënia me ritme dyshifrore ka vijuar për të gjithë periudhën derisa në gjashtëmujorin e parë 2020, për shkak të efekteve negative të pandemisë fitimet e biznesit të vogël shënuan rënie me 70% në raport me 6-mujorin e dytë të vitit 2019”, analizon BSH.

Ja sektorët më të dëmtuar

Në këtë raport BB tregon se humbje pësuan të tre kategoritë e bizneseve dhe në të gjithë sektorët që ato operojnë. Gjithsesi rënie më të thellë regjistruan bizneset e vogla të cilët ushtrojnë aktivitetin në sektorin e turizmit dhe tregtisë. Ndërsa për bizneset e mëdha humbja më e madhe ka qenë në sektorin e industrisë me mbi 40%. Gjithsesi sektori më i dëmtuar rezulton të jetë industria, pasi në të gjitha kategoritë regjistron humbje mbi 26%. “Në grupin e ndërmarrjeve të vogla, peshën kryesore e zënë ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve rreth 44%, ndjekur nga sektori i tregtisë rreth 24%. Nga ana tjetër, në grupin e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha, peshën më të lartë e kanë ndërmarrjet e sektorit të industrisë përkatësisht prej rreth 41% dhe 42% dhe ato të sektorit të shërbimeve respektivisht 23% dhe 26%. Për ndërmarrjet të cilat raportojnë humbje, të tre grupet e ndërmarrjeve raportojnë balanca negative për nivelin e shitjeve, rezultatin financiar dhe zgjerimin e veprimtarisë apo rritjen e investimeve gjatë 6-mujorit të parë 2020. Këto balanca janë thelluar ndjeshëm lidhur me shitjet dhe rezultatin financiar”, thuhet në raport. Nga ana tjetër përgjigjet e anketës tregojnë se, pritshmëritë e ndërmarrjeve me humbje janë pozitive për gjashtëmujorin pasues lidhur me nivelin e ardhshëm të shitjeve, rezultatin financiar dhe me zgjerimin e veprimtarisë për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve. Këto pritshmëri janë më optimiste në lidhje me zgjerimin e veprimtarisë për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve, si edhe lidhur me rezultatin financiar të ardhshëm për ndërmarrjet e mëdha.