Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Autoriteti i Konkurencës nis hetimin e Bankers, kompania do të gjobitet në 10 % të xhiros vjetore nëse nuk furnizon me naftë uzinën e Ballshit

Postuar: 20/01/2019 - 08:18

Autoriteti i Konkurencës ka vendosur të detyrojë Bankers Petroleum të furnizojë me naftë rafinerinë e Ballshit, në sasi të mjaftueshme për të siguruar vijimësinë e punës. Pas një ankese të mbërritur nga kompania që shfrytëzon me qira këtë rafineri, Tosk Energji, AK ka vendosur të nisë një hetim ndaj Bankers dhe njëkohësisht të vendosë masa të përkohshme ndaj saj. Në rast se Bankers refuzon të furnizojë Tosk Energji me sasinë e nevojshme të naftës, ajo rrezikon një gjobë deri ne 10 për qind të xhiros vjetore.

Pretendimet e Tosk

Kompania Tosk pretendon se kompania Bankers ka abuzuar duke refuzuar furnizimin me naftë bruto ose duke vendosur kushte kufizuese për këtë furnizim (natyrë sasiore dhe financiare), duke sjellë si pasojë humbje të larta financiare për ankuesin, që përfshijnë edhe kosto në lidhje me rindezjen e rafinerisë së Ballshit, për shkak të fikjes së saj prej mos furnizimit të mjaftueshëm me naftë bruto. “Sasia e furnizuar aktualisht nga Bankers, rezulton të jetë totalisht e pamjaftueshme për të mundësuar ndezjen e rafinerisë së Ballshit, kjo e fundit operon vetëm në kushtet e një furnizimi linear dhe periodik gjatë një muaji. Mos furnizimi sipas grafikut të rënë dakord, depozituar nga ndërmarrja Tosk gjatë seancës dëgjimore, në sasinë e nevojshme, me lëndën e parë (si input thelbësor) nga ana e Bankers, e cila është thuajse monopol në prodhimin e naftës bruto, sjell në mënyrë të përshkallëzuar, daljen jashtë tregut të ndërmarrjes Tosk”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurencës. Referuar ankesës së Tosk, rezulton se ajo ka marrë me nën qira Rafinerinë e Përpunimit të Naftës në Ballsh dhe ka lidhur me Bankers kontratën e shitjes së naftës bruto datë 01.05.2018 për furnizime për periudhën Maj - Dhjetor 2018. Sipas Tosk, ajo është furnizuar me naftë bruto jo në plotësim të nevojave të saj jo në sasinë e duhur, çka ka sjellë fikjen 2 here të rafinerisë në një kohë shumë të shkurtër. Referuar parashtrimeve të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës, Tosk kërkoi furnizimin e menjëhershëm me naftë bruto sipas nevojave të saj. Ndërkohë, AK vlerëson se mosfurnizimi i ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet në tregun e përpunimit të naftës bruto dhe tregtimit të nënprodukteve të naftës, nga Bankers me sasinë e nevojshme të naftës, sjell kufizimin e prodhimit të nënprodukteve të naftës nga këto ndërmarrje dhe për rrjedhojë mund të kufizojë konkurrencën.

Pretendimet e Bankers

Përfaqësuesit e Bankers pretendojnë se sipas Ligjit Nr. 7746, datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, i ndryshuar (Ligji për hidrokarburet), kontraktori ka të drejtë t’u shesë i lirë blerësve më të përshtatshëm naftën bruto që ka prodhuar dhe në kontratë nuk ka të parashikuar ndonjë prioritet lidhur me blerësit. Sipas Bankers ajo gëzon të drejta të plota dhe të pakushtëzuara , konform detyrimeve kontraktore, për të tregtuar me palë të treta naftën bruto që prodhon dhe mbi të cilën gëzon pronësi, ju ka ofruar çmim të njëjtë, blerësve në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.
Konkluzionet e Autoritetit të Konkurencës

Pasi shqyrtoi të gjitha pretendimet e palëve, Autoriteti i Konkurencës konkludoi se në bazë të nenit 3 të Ligjit për hidrokarburet, të gjitha depozitimet e hidrokarbureve që ekzistojnë në gjendjen e tyre natyrore në shtresë, që shtrihen brenda juridiksionit të Shqipërisë, duke përfshirë zonat detare, janë pronë ekskluzive e shtetit shqiptar, i cili përfaqësohet nga Ministria përkatëse dhe të gjitha këto burime do të përdoren për dobinë e popullit shqiptar. Në bazë të marrëveshjes hidrokarbure të Bankers, ajo ka të drejtë të marrë, transportojë, disponojë dhe eksportojë lirshëm pjesën e tij të naftës, por nuk ka të drejtën e pronësisë ndaj hidrokarbureve në shtresë në zonën e projektit. Gjithashtu, referuar nenit 673, të Kodit Civil, përcaktohet se: “Një ndërmarrje që zë një pozitë dominuese në treg, është e detyruar të kontraktojë me cilindo që kërkon një detyrim, i cili bën pjesë në objektin e veprimtarisë”. Si përfundim, bazuar në nenin 44 të Ligjit Nr. 9121/2003, AK vlerëson se jemi përpara një rasti urgjence, pasi mosfurnizimi me sasinë e nevojshme të produktit naftë bruto nga ndërmarrja me pozitë dominuese Bankers për Tosk dhe ndërmarrjet e tjera që ushtrojnë aktivitet në tregun e përpunimit të naftës bruto, të cilat nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet në mungesë të këtij produkti, sjell ndërprerjen e aktivitetit të tyre dhe nxjerrjen nga tregu i përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të naftës. “Nxjerrja nga tregu e ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet në tregun e përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të naftës është një dëm i rëndë dhe i pariparueshëm për konkurrencën dhe ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 9 të Ligjit Nr. 9121/2003”, citohet në vendimin e AK, i cili në përfundim i kërkon Bankers që të respektojë të gjitha kontratat e lidhura me ndërmarrjen Tosk dhe të gjitha ndërmarrjet e tjera që ushtrojnë aktivitet në tregun e përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të naftës në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të kundërt, Bankers do të ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2019 - 07:48

Ditën e martë, në datën 20 gusht është afati i fundit për pagesën e dividentit.

Postuar: 17/08/2019 - 07:41

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka vendosur të ndryshojë procedurat për pagesën

Postuar: 16/08/2019 - 07:32

Banka Botërore do të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje kaosit të krijuar me pronat në Shqipër

Postuar: 15/08/2019 - 07:31

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një udhëzim, në të cilin përcaktohet qartë se çdo

Postuar: 14/08/2019 - 07:25

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëroi ditën e djeshme shkarkimin e kryetares së Byrosë

Postuar: 13/08/2019 - 14:27

Monedha e përbashkët europiane e ka rinisur sërish javën e nënçmuar përkundrejt lekut vendas.

Postuar: 13/08/2019 - 07:24

Kompanitë e udhëtimit të linjave ajrore kanë bërë batërdinë me çmimin e biletave.