BREAKING NEWS

Të shtëna me armë në Durrës, dalin detajet e para

Të shtëna me armë në Durrës, dalin detajet e para
x

Ekonomia

Banka Botërore jep alarmin: 44 për qind e shqiptarëve do të zhyten në varfëri, masat kufizuese kanë dëmtuar rëndë ekonominë

Banka Botërore jep alarmin: 44 për qind e shqiptarëve do të

Banka Botërore ka ngritur alarmin mbi pasojat e pandemisë në Shqipëri. Për gati 3 muaj shumë biznese qëndruan të mbyllur edhe efekti në ekonomi pritet të jetë shumë i lartë. Banka Botërore ka përditësuar të dhënat për Ballkanin dhe sipas parashikimeve 44% e shqiptarëve mund të preken nga varfëria. Madje në raportin e fundit të publikuar nga BB tregohet se, niveli i varfërisë në Shqipëri do të rritet në nivelin e 8 viteve më parë dhe në rastin më të keq mund të thellohet në krizën e vitit 2005, ku niveli i papunësisë dhe si rrjedhojë i varfërisë ka qenë tepër i lartë. “Kriza e shkaktuar nga COVID-19 dhe masat kufizuese pritet të përmbysin arritjet e fundit në drejtim të reduktimit të varfërisë në Shqipëri. Sipas simulimeve të kryera për këtë shënim vlerësohet se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 pp, duke shkuar në rreth 40 për qind në skenarin e parë dhe 44 për qind në skenarin e dytë. Kështu pra, sipas skenarit më optimist, varfëria do të arrinte në nivelin e vitit 2012 dhe, sipas skenarit më pesimist, ajo do të ishte e barabartë me nivelin e vitit 2005”, shprehet Banka Botërore. Sipas analizës së BB, shkak i varfërisë bëhet mbyllja e sektorëve që lidheshin me tregtinë apo që tërhiqnin të ardhura nga jashtë, duke përfshirë këtu edhe emigrantët, për shkak se lëvizjet kanë qenë të kufizuara edhe përtej kufijve, gjë e cila ka tkurrur ndjeshëm eksportin. Ndërsa për kategorinë e emigrantëve varfëria do të rritet për shkak se në këtë periudhë janë reduktuar ndjeshëm remitancat, të cilat për një pjesë të familjeve shqiptare janë të ardhurat e vetme. “Në mars, Shqipëria vendosi të mbyllë hotelet, teatrot dhe aktivitetet e tregtimit të artikujve jo-jetik si dhe kufizoi lëvizjen e njerëzve si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Shumë sektorë të industrisë, përfshirë tekstilet, minierat, qendrat telefonike dhe ndërtimi, u detyruan të zvogëlojnë veprimtarinë për shkak të zbatimit të masave për distancim social, por edhe për shkak të rënies së kërkesës si rezultat i kolapsit të porosive për eksport. Ka gjasa që edhe emigrantët shqiptarë të preken nga kjo krizë globale, e cila çon në reduktim të të ardhurave e për rrjedhojë edhe të remitancave”, theksohet në raport.

Niveli i lartë i papunësisë në rajon

Referuar të dhënave të raportit të Bankës Botërore papunësia do të rritet ndjeshëm edhe në javët në vijim kryesisht nga sektori i shërbimeve në të gjithë rajonin. Për sa i përket Shqipërisë analiza tregon që popullsia në qytete ka numrin më të madh të punonjësve në sektorin shërbime dhe si rrjedhojë një pjesë e konsiderueshme do të mbeten të papunë ose do t’u pakësohen të ardhurat, duke qenë se ky është sektori më i goditur. “Meqenëse shumica e njerëzve që punojnë në bujqësi janë tashmë të varfër, dhe simulimi nuk supozon ulje të të ardhurave në bujqësi, rritja e varfërisë do të vijë kryesisht si rezultat i njerëzve në qytete, të cilët punojnë në sektorin e shërbimeve dhe pritet të humbasin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre”, shkruan BB. E njëjta situatë parashikohet edhe në Kosovë, edhe atje më të prekurit do të jenë punonjësit sezonalë dhe ai sektori i ndërtimit, më së shumti në zonat urbane. “Një numër i shumë i madh individësh pritet të humbasin vendin e punës, veçanërisht ata me kontrata me afat të caktuar, punëtorët sezonalë dhe të punësuarit në sektorin informal. Kosova ka një sektor të madh ndërtimi, i cili është veçanërisht i ndjeshëm pasi përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave për shtresat e varfra dhe të cenueshme në zonat urbane. Vetëm 6 për qind e punëtorëve në sektorët më të prekur ishin të varfër para pandemisë, por norma vlerësohet të shkojë deri në 13 për qind në skenarin 2. Të ardhurat mesatare të familjeve do të uleshin nga 5 deri në 10 për qind, më shumë në kuintilet më të larta sepse pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre totale vijnë nga sektorët më të prekur nga kriza”, shkruan BB për Kosovën. I njëjti parashikim jepet për Malin e ZI dhe Serbinë, për të cilët flitet se ndihmat sociale nuk mund të shmangin uljen e të ardhurave të popullsisë sidomos në qytete.