Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Banka Botërore publikon raportin për Shqipërinë, kërkon transparencë për koncesionet, ul parashikimin për rritjen ekonomike

Postuar: 09/10/2019 - 07:59

Banka Botërore kërkon të bëhet kujdes me koncesionet. Përfaqësuesit e saj në Shqipëri kanë publikuar raportin ekonomik të vjeshtës, duke treguar pritshmëritë e tyre. Sipas përfaqësueses së BB në Shqipëri, Hilda Shijakut, një nga shkaqet kryesore të dobësimit të ekonomisë për vitin 2019 në vend është ulja e prodhimit të energjisë nga pakësimi i reshjeve, por edhe përfundimi i investimeve të mëdha. Rrezik për stabilitetin ekonomik në vend vijojnë të mbeten projektet PPP. Sipas raportit, ekonomia e këtij viti nuk do të ketë një rritje më të madhe se 2.9%, ndërsa në dy vitet e ardhshme do të ketë një përmirësim të vogël, por pa arritur në nivelin e 4%. “Deficiti tregtar në energji është shkaktari kryesor i kontributit negativ të deficitit tregtar, por edhe rritja e importeve ka dhënë një ndikim të të njëjtit kah”, tha Hilda Shijaku. Gjithashtu BB i ka tërhequr vëmendje Shqipërisë në lidhje me projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP), sipas raportit vitin e fundit janë shtuar rreziqet nga PPP-të. Në raport thuhet se Banka Botërore po harton një raport për PPP-të, ku po analizohen kostot dhe performanca e kontratave. Banka rekomandon që të ketë shumë përfshirje të qeverisë në instrumentet PPP. Referuar kësaj çështje, përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Maryam Salim, bëri thirrje për më shumë transparencë me projektet PPP. “Transparenca në aspektin financiar, përfitimet që vijnë prej tyre dhe a janë përshtatur me nevojat e vendit. Ndërsa përsa i përket thirrjes ndaj bankave për mos financimin e projekteve PPP ato janë institucione që vendosin vetë pas analizave që bëjnë. E rëndësishme është transparenca dhe monitorimi i efekteve dhe këtë duhet ta ketë parasysh çdo ekonomi”, tha Shijaku. Më tej Banka Botërore i ka tërhequr vëmendje Shqipërisë në lidhje më borxhin publik, që sipas të dhënave konsiderohet tepër i lartë. “Ulja e borxhit publik vijon të mbetet një objektiv, por ritmi i konsolidimit fiskal gjatë 2019 ka qenë më i ngadaltë. Ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe nevoja për të shlyer detyrimet e prapambetura të TVSh kanë sjellë një rënie në të ardhura si % e GDP-së”, thuhet në raport. Banka Botërore ka bërë thirrje ndër të tjera për vijimin e reformave strukturore, konsolidimin fiskal dhe rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike. Ndërkohë nga të dhënat e INSTAT konstatohet se inflacioni ka pësuar rënie gjatë shtatorit duke kapur vlerën 1.3% nga 2.1%, sipas BB kjo tregon rënie të konsumit.

Banka Botërore i jep shpresë Shqipërisë

Sipas BB edhe pse parashikohet një ulje e rritjes ekonomike, tregu i punës vijon të përmirësohet. Banka ka dhënë një dritë jeshile se ekonomia do të rimëkëmbet në afatin e mesëm, i mbështetur nga kërkesa e brendshme, për të arritur në rreth 3.5%. Rënia e nivelit të papunësisë prej 11.5 për qind në qershor 2019 është një tregues pozitiv për përmisimin ekonomik në vend. “Vendet e reja të punës u krijuan në sektorin e shërbimeve dhe në bujqësi. Në fund të tremujorit të dytë, shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës u rrit me 1,24% nga viti në vit. Në tremujorin e dytë, papunësia arriti një nivel të ri të ulët historik prej 11,5% dhe pagat reale u rritën mesatarisht me 3,4%”, thuhet në raport. Ndërsa informaliteti është cilësuar si një dobësi strukturore, ndaj Banka Botërore ka vlerësuar përmisimin në zbatimin e ligjit të fiskalizimit. Sipas bankës janë rritur edhe rreziqet nga ndërmarrjet shtetërore, për shkak të krijimit të detyrimeve të reja. Ndërsa zhvillimet demografike në vend sipas raportit akoma nuk shihen si problematike dhe nuk kanë ndonjë ndikim në ekonomi. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, Shqipëria ka ende forca pune e kapacitete të lira. Por, për Bankën Botërore këto nuk përcjellin ndikim pozitiv në parashikimet afatgjata.

Esmeralda Hida

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 08:13

Hedhja e kontributeve shoqërore është një çështje që ka shkaktuar alarm në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Postuar: 12/10/2019 - 07:57

Qeveria ka ulur numrin e dokumenteve që duhet të paraqesin ushtarakët, policët, zjarrfikësit apo

Postuar: 11/10/2019 - 07:54

Masa e pensionit suplementar për policët dhe ushtarët do të shkojë deri në 50 për qind.

Postuar: 10/10/2019 - 07:24

Qeveria ka çuar në Parlament aktin normativ për ndryshime në buxhet.

Postuar: 08/10/2019 - 07:26

Nuk kanë fund skandalet e Spitalit Amerikan sa i takon koncesionit të hemodializës.

Postuar: 06/10/2019 - 07:50

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka kërkuar bizneseve që të pajisen me llogari bankare brend

Postuar: 05/10/2019 - 08:47

Të gjitha monedhat kryesore që qarkullojnë në vendin tonë janë në rënie.