BREAKING NEWS

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po shpëtojnë politikanët nga burgu, Rama-Basha promovojnë vetëm besnikët, LSI parti familjare

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po
x

Ekonomia

Banka e Shqipërisë: Izolimi gjatë pandemisë ka shkundur ekonominë, janë mbyllur mbi 17 mijë vende pune në 2 javë

Banka e Shqipërisë: Izolimi gjatë pandemisë ka shkundur

Masat izoluese i kanë dhënë goditje të forta ekonomisë. Ashtu siç u paralajmërua në fillim të pandemisë nga Banka Botërore dhe FMN ekonomia shqiptare pësoi një tkurrje të thellë në ketë fillim viti. Këto parashikime i ka konfirmuar dje edhe Banka e Shqipërisë. Përmes një prononcimi për mediat, Guvernatori i Bankës, Gent Sejko, deklaroi se në 3 muajt e parë ekonomia është tkurrur me 2, 25%, por kulmi i përkeqësimit është regjistruar në 3 mujorin e dytë, ku rritja nivelit të shpenzimeve dhe mbyllja e aktiviteteve ka tkurrur shumë të ardhurat e arkës së shtetit në 3 muaj. “Covid-19 ka ushtruar goditje të gjithanshme mbi ekonominë shqiptare. Analiza e informacionit të disponuar tregon se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë tremujorit të dytë. Këto pasoja vijojnë të jenë ende të pranishme. Reduktimi i kërkesës së brendshme e të huaj dhe kufizimi i aktiviteteve prodhuese e shërbyese në vend, kanë sjellë rënie të prodhimit, rritje të papunësisë, dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare. Ekonomia shqiptare u tkurr me 2.52% në tremujorin e parë të këtij viti, duke pasqyruar rënien e eksportit dhe të investimeve. Të ardhurat buxhetore u tkurrën me 30% në tremujor duke reflektuar rënie të konsumit”, deklaroi ai. Situata është përkeqësuar më tej në tremujorin e dytë të vitit, kur bizneset në pjesën më të madhe të kohës kanë qenë të mbyllur. Kjo gjendje solli rritje të papunësisë, ku vetëm në dy javë kanë humbur vendin e punës 17 mijë qytetarë. Por jo vetëm kaq, pandemia ka penguar Shqipërinë që të përmirësojë pikat e rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare, si përthithja e investimeve të huaja. Ndryshe nga pritshmëritë edhe investimet u tkurrën në këtë periudhë. “Të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4%. Goditja është forcuar më tej. Eksportet e mallrave u tkurrën me 33% gjatë dy muajve të parë të këtij tremujori, në përgjigje të rënies së kërkesës së huaj dhe të pengesave në qarkullim. Po ashtu, importet u reduktuan me rreth 30%, duke sinjalizuar ngadalësimin e shpejtë të konsumit dhe të investimeve në vend”, deklaroi Sejko.

Planet për rimëkëmbje në 2021

Nga ana tjetër Sejko tregoi se pritshmëritë e BSH janë për një përmirësim të ekonomisë në vitin 2021. Sipas tij pasojat e shkatërrimit nga izolimi do të vazhdojnë të ndihen në ekonomi dhe për pjesën tjetër të 2020. Ndërsa rimëkëmbja e vërtetë do të fillojë në pjesën e dytë të 2021, pasi në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të jetë e vështirë të ketë përmirësim të dukshëm. “Inflacioni është rritur, të ardhurat e bizneseve janë reduktuar dhe kjo bën që ekonomia shqiptare pritet që të pësojë rënie më 2021. Aktiviteti ekonomik do të ngadalësohet në tremujorin e dytë dhe t’i kthehet rritjes më 2021. Konkretisht në gjysmën e dytë të vitit 2021 do të ketë një stabilizim të ekonomisë. Politikat që kemi marrë kanë zbutur krizën. Është rritur borxhi publik”, theksoi Guvernatori. Sakaq Sejko tregoi se planet e bankës varen shumë edhe nga kohëzgjatja e pandemisë. Sipas tij BSH në bashkëpunim me qeverinë do të vazhdojë të mbështesë dhe bizneset dhe të krijojë vende të reja pune, por realizimi i këtyre planeve do të mundësohet nëse nuk do të kemi valë të dytë të pandemisë dhe tregu do t’i kthehet normalitetit. “Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Kursi i këmbimit vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Kreditë me probleme kanë rënë. Borxhi publik, një kompromis i pranueshëm. Kredia në biznese është shtuar. Politikat sociale janë stimul për ekonominë. Politika monetare do të vijojë të jetë lehtësuese. Por, rikthimi i një vale të dytë të pandemisë do të rriste problemet”, tha ai.