BREAKING NEWS

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si është situata: Mbyllja e vendit do të...

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si
x

Ekonomia

Banka e Shqipërisë skeptike për buxhetin ri, borxhi dhe PPP shihen problematikë, shpenzimet s’duhet të jenë më të larta se huamarrja

Banka e Shqipërisë skeptike për buxhetin ri, borxhi dhe PPP

Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të bëjë kujdes me realizmin e buxhetit për 2021. Banka e Shqipërisë ishte dje e pranishme në Komisionin e Ekonomisë kur ka dhënë opinion e saj mbi projektbuxhetin e vitit 2021. Ndërsa shprehur vlerësimin e saj për synimet pozitive të këtij plani, Banka ka shprehur disa rezerva që nëse neglizhohen mund të sjellin probleme të parikuperueshme në ekonomi. Së pari, zëvendësguvernatorja e BSH, Luljeta Minxhozi u ndal tek borxhi publik, të cilin e quajti një nga elementët që rrezikon më tepër rritjen ekonomike. Sipas saj, përpjekja e qeverisë për ta ulur në 78% borxhin publik është për t’u versuar gjithsesi nuk është e mjaftueshme. Minxhozi theksoi se për të pasur një rritje ekonomike në hapat e parashikuara duhet të ulet më tepër borxhi publik, madje ajo sugjeroi që në 2021 ulja e borxhit të jetë objektiv prioritar dhe të vihet nën kontroll. Në të kundërt, sipas saj, do ta kemi shumë të vështirë të rikuperojmë ekonominë, apo më keq akoma të përballojmë një mbyllje të dytë. “Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021. Në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë. Përballja me krizën e fundit ilustroi plotësisht rëndësinë që ka një nivel i ulët apo nën kontroll i borxhit publik. Prandaj sugjerojmë që, reduktimi i borxhit publik duhet të jetë një objektiv primar i politikës tonë fiskale, si një instrument për uljen e kostove të financimit të sektorit publik dhe privat si dhe si një instrument garancie mbi ruajtjen e hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të ardhshme”, u shpreh ajo. Sipas Minxhozit, borxhi mund të mbahet nën kontroll vetëm nëse qeveria do të tregohet e kujdesshme me nivelin e shpenzimeve. Sipas saj, vlera që është përcaktuar në buxhet për investimet publike dhe ato private është shumë i lartë për situatën në të cilën ndodhemi, prandaj kërkon që ata të përdoren në bazë të të ardhurave që do të mblidhen. “Risqet që vazhdojnë të jenë prezente nga pandemia dhe rrjedhimisht do vënë në vështirësi grumbullimin e të ardhurave. Prandaj duhet kujdes me shpenzimet. Banka sugjeron që në asnjë moment niveli i investimeve të mos e kalojë nivelin e huamarrjes, për të mbajtur në ulje deficitin buxhetor që është një nga treguesit kryesorë të rritjes ekonomike”, theksoi ajo.

Duhet kujdes me PPP

Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë shikon si nevojë emergjente vënien nën kontroll të koncesioneve. Zonja Minxhozi i kërkoi dje qeverisë që të përcaktojë një tavan për vlerën e kontratave koncensionare për të mos kaluar në abuzime në këtë kohë pandemie. Sipas saj, në PPP e reja që pritet të fillojnë në 2021 qeveria duhet të selektojë se cilat nuk kanë vlera të larta dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Gjithashtu ajo sugjeroi që vlera e kontratave të përcaktohet në atë nivel që nuk cenon likuiditetin e PBB-së. “Projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize që mundëson vendosjen e prioriteteve lidhur me investimet publike. Përdorimi masiv i kontratave të partneritetit publik-privat për financimin e investimeve të reja ka sjellë rritje të shpejtë të shpenzimeve buxhetore për pagesën e tyre dhe për vitin e ardhshëm kjo faturë parashikohet të arrijë në rreth 2.5% të shpenzimeve buxhetore totale. Banka e Shqipërisë i sugjeron qeverisë të vendosë një kufi të sipërm lidhur me vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit”, theksoi Minxhozi. Këtu ajo i bëri thirrje qeverisë që gjatë kësaj kohë të shtojë kontrollin dhe monitorimin ndaj PPP, për të shmangur kështu shpenzimet e panevojshme që do të dëmtonin buxhetin. Më tej Minxhozi tregoi se BSH ka plan për ndërhyrje të shpejtë në rast të një mbyllje të dytë, por sigurisht nuk do të jenë në përmasat e paketave dhe lehtësirave që u dhanë herën e parë.