BREAKING NEWS

Mblidhet Kuvendi, deputetët kërkojnë interpelancë URGJENTE me kryeministrin Rama, ja çfarë është e paralajmëruar të ndodhë sot

Mblidhet Kuvendi, deputetët kërkojnë interpelancë URGJENTE
x

Ekonomia

BB dhe FMN jo shumë optimiste për rritjen e ekonomisë gjatë 2021, kërkohet kujdes me fondet dhe borxhin

BB dhe FMN jo shumë optimiste për rritjen e ekonomisë gjatë

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk janë shumë optimiste sa i përket ecurisë ekonomike të vendit tonë gjatë 2021. Sipas BB, nëse pandemia vjen drejt shuarjes gjatë këtij viti, ekonomia shqiptare mund të shënojë rritje deri në 5.1%, por nëse pandemia vazhdon ende, pasojat do të jenë shumë të rënda. Maryam Salim, menaxherja e zyrës së BB në Shqipëri, deklaroi në një intervistë për “Monitor” se, zgjatja e efekteve të Covid-19 nuk do ta lejojë ekonominë të rritet me shumë se 2.9%. Sakaq, ajo vuri në dukje se do ishte mirë që marrja e vaksinës për popullsinë të mos vonojë më shumë, por të aplikohet para sezonit të verës. “Projeksioni bazë ka një pasiguri e madhe në lidhje me frenimin e pandemisë, kohën e nevojshme për shpërndarjen e vaksinës, por edhe shpejtësinë e rimëkëmbjes së Bashkimit Europian dhe partnerëve të tjerë tregtarë. Në një skenar pesimist, duke supozuar një rritje më të shpejtë të rasteve të reja me COVID-19 që zgjat deri në gjysmën e dytë të 2021 në shumë vende, dhe një vonesë e vaksinimit me dy deri në katër tremujorë, do të kishte me siguri një rënie të fortë të besimit. Sipas këtij skenari, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 2.6 pikë përqindje më pak se në skenarin bazë. Sipas këtij skenari, rritja nuk do të ishte më e lartë se 2.5%”, deklaroi ajo. Ndërkaq, ajo kërkoi që në këta muaj qeveria të fokusohet në ndërmarrjet e vogla, duke iu krijuar një klimë më të mirë biznesi dhe konkurrence. “Goditjet që erdhën nga pandemia dobësuan ndjeshëm ndërmarrjet e vogla, për shkak të më pak amortizatorëve dhe aksesit më të ulët te burimet e financimit. Ne do të prisnim që sektorët e prekur të rikuperohen shpejt, pasi pandemia globale të vihet nën kontroll. Sidoqoftë, është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet masave që përmirësojnë produktivitetin dhe qasjen e tyre në financa, në mënyrë që ato të rriten dhe të jenë më konkurruese. Mjedisi i biznesit shqiptar dhe politikat e qeverisë duhet të jenë në mbështetje të kompanive të reja dhe inovative, që do t’i sigurojnë ekonomisë dinamizmin dhe diversitetin aq të nevojshëm”, theksoi ajo.

Duhet një plan rezervë

Nga ana tjetër edhe shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, nuk ka dhënë ndonjë parashikim fort optimist për vendin tonë. Madje ajo ka shprehur shqetësimin që qeveria nuk ka prezantuar një plan rezervë për buxhetin 2021. Sipas saj, pandemia vazhdon të ofrojë pasiguri dhe një plan rezervë duhet më patjetër, ku të ketë si fokus turizmin, përthithjen e investimeve të huaja dhe eksportin. “Një pandemi më e ashpër do të dëmtojë më tej perspektivën ekonomike të Shqipërisë, përmes turizmit më të dobët, dërgesave të emigrantëve, kërkesës së jashtme dhe Investimeve të Huaja Direkte, si dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Është e rëndësishme që të kemi plane rezervë në rast se do të materializohet një skenar më pak i favorshëm. Një avantazh është se në vitin 2021, bota është e përgatitur më mirë për t’u përballur me pandeminë dhe ka progres në zhvillimin e vaksinave”, deklaroi ajo. Më tej ajo e vuri theksin te borxhi, duke e cilësuar si një nga pikat kryesore që duhet të ketë si synim qeveria. Sipas saj, ndihmat e shtetit për bizneset ishin më të vogla se vendet e tjera dhe po e dëmtojnë më shumë sistemin e të ardhurave, ndaj ajo kërkoi që këto vendime të jenë afatshkurtra për të reduktuar deficitin buxhetor. “Duke pasur parasysh borxhin e lartë publik dhe përmasat e vogla të qeverisë, paketat mbështetëse të Shqipërisë janë më të vogla se mesatarja e vendeve në zhvillim dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ne u kemi rekomanduar autoriteteve të vazhdojnë pa vonesa të mëtejshme me miratimin e një Strategjie të shëndoshë të të Ardhurave Afatmesme, që do t’i mundësonte Shqipërisë të mbledhë të ardhura, ndërkohë që e çon borxhin në një trajektore rënëse”, u shpreh ajo.