BREAKING NEWS

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet nënkryetari që do të ketë kompetencat e kryetarit, ja kush emërohet

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet
x

Ekonomia

BB nxjerr projeksionet, Shqipëria ulje ekonomike me 5 për qind këtë vit, por vitin që vjen do të ketë rritje deri në 8.8 për qind

BB nxjerr projeksionet, Shqipëria ulje ekonomike me 5 për qind

Zbardhen të dhënat më të fundit të publikuara nga Banka Botërore për ekonominë shqiptare. Më raportin e publikuar nga BB paraqiten projeksionet në lidhje me ekonominë globale për situatën pas pandemisë. Në të dhënat për Shqipërinë, BB tregon se këtë vit vendi ynë do të përballet me rënie ekonomike të përmasave 5%. Madje deri më tani parashikimi i BB për ekonominë shqiptare këtë vit është shumë më pozitiv se sa ai i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që flet për një rënie në 9% apo ai FMN që parashikonte rënien deri në 7%. “Shqipëria pritet të ketë recesion të ndjeshëm, por projeksioni është i njëjtë me atë të Prillit, kur parashikohej gjithashtu një rënie në 5%. Të dhënat e projeksionit mbeten të pandryshueshme për ekonominë shqiptare edhe pse efektet e Covid-19 në ekonominë e gjatë këtyre dy muajve janë bërë edhe më të prekshme”, thuhet në raport. Gjithsesi projeksionet e BB duken mjaft pozitive për sa i përket ecurisë ekonomike në vitet në vazhdim. Në raport banka flet për rije gati 9% për vitin e ardhshëm në Shqipëri. Edhe ky projeksion ka treguar rritje në krahasim me të dhënat e raportit të mëparshëm, ku parashikimet flisnin për një rritje vetëm 6,6%. Gjithsesi krahasuar me vendet fqinje Shqipëria do të pësojë recesion më të thellë ekonomik. “Pritet rritje e ekonomisë në masën 8.8% vitin e ardhshëm, nga 6.6% që vlerësonte raporti paraardhës. Kjo rritje gjatë 2021-it sinjalizon një rimëkëmbje të ndjeshëm të ekonomisë dhe kthim në situatën përpara pandemisë, në harkun e një viti. Krahasuar me rajonin, Shqipëria projektohet të ketë rënien më të madhe ekonomike këtë vit, pas Malit të Zi, si pasojë e peshës së madhe të turizmit”, theksohet në raport.

Problemet mes bankave dhe bizneseve

Ndër të tjera Banka Botërore thekson në raportin e saj se, pandemia do vazhdojë të sjellë shumë risqe ekonomike në vendet e prekura. Sipas BB, këto rreziqe kanë më shumë ndikim në tregjet në zhvillim si Ballkani Perëndimor, sistemi financiar i të cilit është më pak i përgatitur për goditjet e fatkeqësisë natyrore. Konkretisht sistemi financiar në Shqipëri do të hasë probleme në marrëdhënien bankë-klient, kryesisht me ndërmarrjet private, që BB këshillon qeverinë shqiptare t’i krijojë terren mbështetës. Por me sa duket pikërisht kjo çështje shfaq më shumë risqe, kjo për shkak se reduktimi i konsumit dhe i kërkesës për para do të dobësojë bankat dhe rrjedhimisht këto të fundit do të shtrëngojnë kreditimin për bizneset. Luhatjet në tregun e këmbimit valutor gjithashtu pritet të kenë efekte negative në banka në Shqipëri, të cilat së fundmi po përballen edhe me mosbesimin nga investitorët. “Ndikimi i një krize në sektorin financiar varet nga aftësia e sektorit për të zbutur katër rreziqe: reduktimi i investitorëve të kombinuara me pasigurinë e shtuar mund të shtojnë kostot e financimit për të dy tregjet ndërkombëtare dhe vendore si për qeveritë ashtu edhe për sektorin privat. Rreziku i likuiditetit: Luhatshmëria e tregut ka nxitur tashmë kërkesën për likuiditet. Për më tepër, ndërprerjet e fluksit të parave në firmat e prekura dhe zhvendosja e kërkesës publike për para mund të forcojë kushtet e financimit dhe të likuiditetit për bankat, dhe në fund të fundit të ndikojë në kreditimin e sektorit privat. Rritja e kërkesës për instrumente Forex veçanërisht mund të shkaktojë një likuiditet serioz”, sqaron BB. Nga ana tjetër banka vlerëson punën e BSH për rritjen e kreditimit. Lidhur me këtë pikë në raport thuhet se, në Shqipëri, ndërsa kërkesa është përmirësuar gradualisht, kredia është rritur ndjeshëm duke arritur në 6 për qind në vitin 2019. Megjithë përparimin e përgjithshëm në thellimin e tregjeve të kredive në Ballkanin Perëndimor, kredia e brendshme për sektorin privat vazhdon të mbetet mjaft larg niveleve të BE-së. Madje nuk dihet nëse kreditimi do të ecë në këto linja pasi, edhe pse huatë e këqija kanë qenë në rënie në të gjitha vendet, zbehja e perspektivave ekonomike pritet të ndikojë negativisht në cilësinë e aktiveve dhe të pengojë bankat nga huadhënia.