BREAKING NEWS

Rama nuk pranon formulën e 5 qershorit, del pro listave të hapura dhe vulos divorcin me SHBA pas kërkesës së Yuri Kim për rrotacion politik

Rama nuk pranon formulën e 5 qershorit, del pro listave të hapura dhe
x

Ekonomia

BERZH jep alarmin: Shqipëria do të ketë rënien më të fortë ekonomike në rajon, ja ku duhet pasur kujdes

BERZH jep alarmin: Shqipëria do të ketë rënien më

I gjithë rajoni është dëmtuar ekonomikisht për shkak të masave kufizuese të ndërmarra për frenimin e koronavirusit, por Shqipëria do të ketë pasoja më të rënda. Pak javë më parë Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim paralajmëroi tkurrje ekonomike deri në 9% për vendin tonë dhe krizë të thelluar veçanërisht në sektorin e turizmit, që ende nuk ka nisur normalisht. Sakaq lidhur me këto parashikime pesimiste ka folur së fundmi Matteo Colangeli, Drejtori i zyrës së BERZH në Tiranë. Sipas tij, janë shumë faktorë që e bëjnë Shqipërinë më të dobët përballë kësaj fatkeqësie natyrore, ndërsa theksoi si më kryesoret lidhjet e forta tregtare me Italinë, rënien e ndjeshme të sektorit të turizmit dhe tkurrjen e remitancave. “Shqipëria rezulton të jetë veçanërisht e ndikuar për shkak të një kombinimi të pafavorshëm të disa faktorëve. Së pari, rëndësia e konsiderueshme e turizmit në ekonominë e tij mund të presim që kufizimet e udhëtimit të përkthehen në një numër të reduktuar të vizitorëve të huaj dhe të ardhurave nga turizmi në vitin 2020. Së dyti, lidhjet e ngushta tregtare me Italinë ndikojnë në reduktimin e aktivitetit në sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, siç është industria “fason”. Së treti, konsumi i brendshëm mund të tkurret më shumë se në vendet e tjera, si rezultat i punësimit informal, i cili është veçanërisht i prekshëm gjatë një krize, si dhe nga rëndësia ende e lartë e dërgesave të emigrantëve”, tregoi ai. Ndërsa shtoi se, Shqipëria hyri në këtë krizë pas tërmetit të nëntorit të kaluar, me një ekonomi e cila kishte filluar tashmë të ngadalësohej.

Vlerësimi për paketat financiare

Më tej Colangeli i vlerësoi masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike, por nga ana tjetër ai theksoi se rezultati në vendin tonë nuk mund të jetë aq pozitiv sa vendet në rajon. Sipas tij paketat e ndihmës në Shqipëri kanë më pak efekt ndihmues për shkak se edhe vlera e tyre ka qenë më e ulët, sepse borxhi publik në Shqipëri është më i lartë dhe politikat e institucionet përgjegjëse në Shqipëri nuk janë të përgatitura për këtë situatë. “Masat e miratuara në Shqipëri kanë qenë kryesisht të ngjashme me ato në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që ndryshon midis vendeve është sasia e burimeve të vendosura në dispozicion dhe efikasiteti në zbatimin e paketave të shpallura. Pasi borxhi publik është më i lartë dhe likuiditeti i ulët me të cilin po përballej Shqipëria në fillim të krizës nuk ka ndihmuar. Administrata publike nuk kishte aftësitë për të shndërruar shpejt vendimet e marra në rezultate të prekshme për njerëzit dhe bizneset në një situatë krize”, theksoi ai. Sakaq Colangeli vuri theksin të mosbashkëpunimi mes shtetit dhe biznesit.

Këshillat për rimëkëmbje

Në një analizë të përgjithshme Matteo Colangeli foli për rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare në 2021. Sipas tij mund të vijë një rritje 12% e PBB, vetëm nëse nuk do të ketë një valë tjetër pandemie dhe qeveria do të marrë hapat e duhura për ringritje ekonomike. Në këtë pikë ai sugjeroi mbështetje për biznesin e vogël dhe reduktim të papunësisë. “Parashikimet tona janë për një rikuperim të shpejtë në 2021, me një rritje prej 12% të Produktit të Brendshëm Bruto, që në thelb do të mund të tejkalojë edhe humbjet e këtij viti. Kriza po godet sipërmarrësit, veçanërisht të vegjlit dhe ata që punojnë në ekonominë informale. Mendoj se do të jetë e rëndësishme të krijohen kushtet për një model më gjithëpërfshirës të zhvillimit ekonomik”, tha ai. Më tej ai këshilloi qeverinë shqiptare që të përmbahet në tre pika bazë që do të ndihmojnë në rimëkëmbjen si: bashkëpunim me biznesin, luftën ndaj korrupsionit dhe ndërtimin e politikave efektive për përthithje investimesh. “Në veçanti, mendoj se krijimi i një administrate publike miqësore ndaj biznesit, luftimi i korrupsionit dhe krijimi i një sistemi gjyqësor të besueshëm duhet të jenë prioritetet, me qëllimin përfundimtar të krijimit të një terreni të sigurt për kompanitë e huaja, që ato të investojnë me besim dhe që sipërmarrësit e vegjël shqiptarë të rriten dhe të formalizohen”, theksoi ai.