Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Biznesi i Kosovës akuza autoriteteve shqiptare për tregtinë e lirë: Shqipëria, e dyta pas Serbisë për tarifat dhe burokracitë në dogana

Postuar: 22/05/2019 - 07:22

Bizneset kosovare ankohen për tarifat dhe burokracitë në doganat shqiptare. Gjatë forumit ekonomik 'Sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri' u theksua se Shqipëria renditet pas Serbisë për tarifat dhe burokracitë në doganë. Ky problem u pranua edhe nga zyrtarët e lartë shqiptarë, të cilët premtuan të kenë si objektiv zgjidhjen e problemit. Kosova vazhdon të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare, madje në katër muajt ekspertët u rritën me 52 për qind. Por klima e bashkëpunimit nuk shoqërohet me heqjen e pengesave burokratike. Për përmirësimin e situatës u organizua dhe një takim ditën e djeshme mes grupeve të punës. Ishte drejtori ekzekutiv i forumit mbarë-shqiptar Astrit Panxha, ai që deklaroi se Shqipëria renditet pas Serbisë për barrierat në tregti. Sipas tij, ndër këto pengesa bëjnë pjesë dhe skanimi si dhe tarifat doganore. “Vendi i dytë ku kemi më së shumti sfida është Shqipëria. 23% e të anketuarve kanë treguar që problemin e dytë për eksport e kanë Shqipërinë”, pohoi Panxha, sipas të cilit, marrëdhëniet ekonomike Shqipëri- Kosovë janë në rritje, por përfitimet më të mëdha të rritjes i ka pasur Shqipëria. Ai shtoi më tej se Kosova i ka lënë tregjet e hapura me Shqipërinë, ndërkohë që bizneset e Kosovës hasen me një sërë pengesash jo tarifore. Ndër këto pengesa u përmendën zbatimi i normës më të lartë të akcizës, për produkte të prodhuara nga plastika në krahasim me normën e akcizës së aplikueshme për produktet e njëjta të prodhuara në Shqipëri. Tjetër problem është mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga dogana në Shqipëri, çka bën që bizneset e Kosovës të paguajnë më shumë TVSh në doganë, duke mos qenë konkurrues me çmimet. Mungesa e harmonizimit të legjislacioneve ka qenë një problem i kahershëm i ngritur nga bizneset e të dy vendeve, së bashku me mosnjohjen e dokumenteve dhe procedurave respektivë që mbahen nga agjencitë doganore në dy kahet e kufirit (psh nga autoritetet sanitare dhe fitosanitare). Bizneset e Kosovës paguajnë dhe 20 euro për çdo ngarkesë fitosanitare për mallrat që destinacion kanë Kosovën, dhe që në Shqipëri kalojnë vetëm tranzit.

 Jaka: Mbledhjet e qeverive, asnjë rezultat

Për kreun e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, mbledhjet e të dyja qeverive, asaj të Shqipërisë me atë të Kosovës nuk kanë sjellë asgjë konkrete. Jaka tha se janë bërë 6 mbledhje qeverish Shqipëri- Kosovë, por problematikat në bashkëpunim janë prezente dhe gjithashtu bizneset nuk janë të mirinformuar për potencialet dhe problematikat mes dy vendeve. “A jemi në rrugën e duhur apo jemi në kuadër të organizimit të mbledhjeve, të bërjes së deklaratave dhe asgjë më shumë përtej ekraneve të mediave apo edhe tryezave që mblidhen”, deklaroi Jaka.

Limaj: Shqipëria, më shumë barriera

Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha se koha për spektakle ka mbaruar. Edhe ai pranoi se nuk ka pasur rezultate nga mbledhjet mes dy qeverive. “Kemi vërejtur burokraci në punën e grupeve për marrëveshjet”, tha ai, duke shtuar se bizneset nga Kosova kanë problem skanimin dhe taksën në kufi.

“Tarifa e skanimit duhet të jetë vetëm për Shqipërinë, është absurde të aplikohet për Kosovën”, shtoi Limaj. “Për 5 lloje produktesh duhet paguar nga 22 euro, kjo është haraç”, u shpreh Limaj ndërsa pranoi se edhe taksa e parkimit në Kosovë është absurde, por u tregua i gatshëm për të hequr dhe pengesën e fundit me Shqipërinë.

Denaj: Lehtësimi i tregtisë, objektivi ynë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha objektivi është te thjeshtimi i burokracive dhe procedurave mes dy vendeve. “Por kemi akoma rrugë për të bërë. Një sistem i informatik i ri do të shmangë shumë procedura në dogana”, pohoi Denaj, duke premtuar se do të negociojnë me kompaninë e skanerit për tarifën e skanimit për sipërmarrjet e Kosovës. “E mendojmë që nuk është i pamundur. Kërkesat e Kosovës për procedurat doganore, skanerin, taksën e rrugës janë të negociueshme”, vijoi ministrja Denaj. Ajo shtoi se duhet të harmonizojmë rregullat për investimet e huaja direkte, pasi mund të bëhemi më konkurrues se Serbia, sepse kemi popullsi më të re dhe kosto më të lira pune.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/06/2019 - 07:21

Gjashtë banka të nivelit të dytë në vendin tonë rezultojnë me nivel të lartë rreziku në pastrimin e parave.

Postuar: 22/06/2019 - 07:23

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përfunduar dje procesin e shqyrtimit administrativ të disa apl

Postuar: 21/06/2019 - 07:31

Misioni i Bankës Botërore ofron asistencë për të mbuluar dështimin e guvernatorit Gent Sejko në k

Postuar: 20/06/2019 - 07:34

 Në vijim të rubrikës “Tatimet Këshillojnë”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Postuar: 18/06/2019 - 14:10

Në bregdet, apo në qendrat e qyteteve kryesore është vështirë që të mos gjesh turistë, që vitet e