BREAKING NEWS

Rama spastrime në PS, përzë rreth 25 deputetë, nga Bushati e Angjeli, te Ulqini, Velaj e Shameti, Majko, Xhafaj e Kodheli jashtë zonës së sigurt, ja kush ikën e kush vjen

Rama spastrime në PS, përzë rreth 25 deputetë, nga Bushati e
x

Ekonomia

Bllokohet ligji për amnistinë fiskale, Kuvendi nuk fut në kalendarin e punimeve nismën e qeverisë

Bllokohet ligji për amnistinë fiskale, Kuvendi nuk fut në

Qeveria duket se është tërhequr përfundimisht nga ligji për amnistinë fiskale. Kuvendi ka publikuar kalendarin e punimeve për periudhën 18 janar-5 shkurt 2021 ku bie në sy mos futja e ligjit të prezantuar nga qeveria për amnistinë fiskale dhe penale. Fakti që Kuvendi ka vendosur të mos e listojë në planin e punës deri në shkurt lë të kuptohet se kritikat nga organizatat ndërkombëtare kanë dhënë efekt. Ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar ai i cili i kërkoi qeverisë shqiptare në formë të prerë që të mos vazhdojë me planin e amnistisë fiskale. FMN ka qenë kundra amnistisë që në fillim kur qeveria prezantoi skemën e saj, ndërsa në korrik e theksoi sërish zbatimin e saj. Sipas FMN, ky vendim nuk do të japë asnjë lehtësi për askënd, por do të përkeqësojë sistemin fiskal në vend dhe do rrisë nivelin e pastrimit të parave, në vend që të luftojnë korrupsionin. “Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cenonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Ajo krijon kushte për pastrimin e parave dhe godet bizneset e ndershme. Vendi ka nevojë së pari të ngrejë sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion dhe jo për t’i nxitur edhe më shumë ato”, deklaroi Fondi. Nga ana tjetër edhe BERZH nuk e përkrah nismën e qeverisë shqiptare për amnisti fiskale. Gjatë një prononcimi publik, drejtori i BERZH-it për Shqipërinë u shpreh se, qeveria duhet të përqendrohet më shumë në administrimin e taksave, si e vetmja mënyrë për të pasur një konkurrencë të ndershme në treg. Shefi i BERZH në Tiranë shpjegoi se amnistia nuk është një politikë që sjell një zhvillim të qëndrueshëm.

Ja pikat më të debatuara të amnistisë

Edhe KE i kërkoi qeverisë që të anulojë amnistinë fiskale, pasi shumë pika të saj cenojnë luftën ndaj korrupsionit dhe rrisin evazionin. Në një raport të bërë publik Komisioni Europian ka renditur pikat që, sipas tij, e bëjnë të papranueshme amnistinë fiskale për një vend si Shqipëria. Në raport evidentohet se, nuk jepet asnjë garanci që pas amnistisë fiskale, të ashtuquajturës “Viti Zero” sistemi do të sigurojë zbatimin e duhur të legjislacionit fiskal në mënyrë që praktikat e evazionit fiskal të ndalojnë. Shqipëria së pari duhet të ndërtojë një administratë tatimore profesionale, e cila do të bllokonte mundësinë për pastrim parash dhe korrupsion. Sipas KE, me zbatimin e amnistisë Shqipëria rrezikon të humbasë investimet nga bizneset e huaja, të cilët kanë shprehur pasigurinë nga ky ligj. Bizneset vendase dhe të huaja kanë shprehur shqetësimin e tyre për konkurrencën e padrejtë nga ata që kanë ruajtur pasuritë e tyre jashtë sistemit deri më tani.

Ja çfarë përmban amnistia fiskale

Amnistia fiskale e qeverisë do të falë efektet ligjore të fshehjes së tyre për të gjitha pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme të individëve apo kompanive, që do të bëjnë deklarimin vullnetar të tyre. Sipas draftit të zbardhur të Ministrisë së Financave, pasuritë brenda apo jashtë vendit që do të mund të deklarohen përfshijnë pronat, paratë, arin, gurët e çmuar, veprat e artit e deri te monedhat dixhitale dhe letrat me vlerë. Për të nxitur këtë proces, subjektet përfituese do të tatohen me 5% të shumës totale të deklaruar nëse e bëjnë aplikimin brenda katër muajve të parë të hyrjes në fuqi të ligjit. Më pas, kjo shkallë tatimi rritet në 7% për katër muajt e dytë dhe në 10% për katër muajt e tretë. Po ashtu, do të ndërpritet çdo proces gjyqësor apo gjobat dhe kamatat e lidhura me këto pasuri.