BREAKING NEWS

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që të inkriminuarit të lihen jashtë zgjedhjeve, pritet ndryshim rrënjësor në Parlament

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që
x

Ekonomia

Botohet në Fletoren Zyrtare ligji, më 23 janar nis falja e detyrimeve për pensionet e ushtarakëve, ja detajet

Botohet në Fletoren Zyrtare ligji, më 23 janar nis falja e detyrimeve

Nga 23 janari mbi 847 ish-ushtarakë mund të aplikojnë për falje të borxheve për pensionet sipas ndryshimeve të bëra në ligj. Pas miratimit nga komisionet përkatës është publikuar në Fletoren Zyrtare projektligji për faljen e detyrimeve të cilat janë krijuar nga ndryshimet e shumta në ligjin për përfitim të trajtimit të veçantë të ish-ushtarakëve. Ligji është publikuar ne datën 8 janar dhe hyn në fuqi me datë 23, çka do t’i japë zgjidhje problemit shumëvjeçar të ish-ushtarakëve, ku një pjesë e madhe i kanë çuar çështjet në gjykata. Sipas ndryshimeve edhe këto çështje do të anulohen dhe ushtarakëve do t’u falen të gjitha detyrimet e prapambetura deri në momentin që ky ligj hyn në fuqi. “Falen detyrimet e ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, bazuar në kriteret e vendimit unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr. 3, datë 24.11.2016. Shumat e detyrimeve, të përcaktuara sipas pikës 1 të këtij neni, falen sipas gjendjes së mbetur në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligj. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në dokument. Kjo do të thotë që shumë shpejt ish-ushtarakët do të kenë zero detyrime të papaguara ndaj ISSH. Pasi detyrimet u akumuluan për shkak të ndryshimeve në skemën e sigurimeve, që rrjedhimisht i nxori debitorë ushtarakët që përfitonin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. “Me ligjin nr. 9481, datë 16.02.2006 u parashikuan ndryshime në Ligjin nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Njëri qëndrim e zbatonte kufizimin për të gjithë masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Një pjesë e gjykatave mbajtën qëndrim tjetër duke shfuqizuar vendimet e ISSH për caktimin e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi duke i llogaritur pa kufizimin e përcaktuar në nenin 11 të ligjit 8087/ 1996, që përcaktonte përllogaritjen e pensionit për çdo kategori. Këto krijuan një pabarazi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ndaj kërkohet të falen detyrimet e ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të caktuara”, thuhet në dokument.

Procedurat që duhen ndjekur

Më tej në projektligj sqarohet se nuk mund të falen detyrimet e personave që kanë deklaruar se nuk janë të punësuar dhe kanë përfituar masën e plotë të pensionit të parakohshëm, por në fakt rezulton se kanë qenë të punësuar. Sakaq më tej përcaktohen hapat që duhet të ndjekë ISSH në bashkëpunim më aplikantët për të zeruar këto detyrime të prapambetura të akumuluara në llogaritë e ish-ushtarakëve. Projektligji sqaron se ISSH duhet të përllogarisë vlerën për secilin përfitues në bazë të diferencave që krijohen si pasojë e rregullave të ndryshuara në sigurime dhe t’i bëjë ato zero. Ndërsa të gjitha ato çështje që janë paraqitur në gjykatë për hetim duhet të merren mbi vete nga ISSH dhe të vërtetojë faljen e borxhit për çdo përfitues. “Nisur nga natyra sociale që kanë përfitimet për kategorinë e ish-ushtarakëve si dhe procedurave komplekse dhe të tejzgjatura gjyqësore përmes këtij projektligji propozohet falja e të gjitha detyrimeve të ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të caktuara sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, bazuar në kriteret e Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr. 3, datë 24.11.2016. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të ndjekë procedurat administrative e ligjore për tërheqjen e rekurseve nga Gjykata e Lartë dhe ankimeve pranë Gjykatës Administrative të Apelit me objekt faljen e detyrimeve për këtë”, thuhet në projektligj.