BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Ekonomia

Buxheti për të përndjekurit, ja kategoritë që do të jenë prioritet gjatë 2021, deputetët kërkojnë shtim të fondeve

Buxheti për të përndjekurit, ja kategoritë që do

Qeveria do të ketë në fokus gjatë 2021 shpërblimin e familjarëve të ish të përndjekurve politikë. Ditën e djeshme Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka diskutuar mbi disa pika kyçe të projektbuxhetit 2021. E pranishme në komision ishte ministrja e Financave, Anila Denaj, e cila ka bërë një përshkrim të përgjithshëm mbi prioritet kryesore të këtij projektbuxheti. Denaj tregoi se synimi kryesor i qeverisë është rritja ekonomike në vitin që vjen dhe ulja e borxhit publik. Por, anëtarët e komisionit u ndalën në disa pika të tjera që sipas tyre në këtë projektbuxhet u është dhënë më pak rëndësi se në vitet e shkuara dhe se nevoja që ato kanë vërtet. Një nga çështjet e cekura ishte shpërblimi i ish të përndjekurve politikë. Kështu, deputeti i opozitës Arlind Çaçani u shpreh se fondi prej 1 miliardë lekësh është i pamjaftueshëm për t’u dhënë atyre atë që meritojnë. Prandaj ai sugjeroi që qeveria të rishikojë këtë fond dhe ta rrisë vlerën e tij, pse jo deri në 3 miliardë lekë. “Përveç këtyre çështjeve të shumë diskutuara, unë dua të prek një çështje tjetër që në fakt nuk është në prioritet për 2021. Për fondin e ish- të përndjekurve mendoj që duhet dyfishuar, pasi në këtë vlerë nuk është i mjaftueshëm që të shpërblehen ashtu si e meritojnë të gjithë përfituesit”, u shpreh ai. Po për të njëjtën çështje ishte edhe reagimi i deputetit Halit Valteri. Sipas tij, përveç nevojës për një fond më të lartë qeveria duhet të mendojë për përshpejtimin procedurave të aplikimit dhe verifikimit të aplikantëve për pensionin si i përndjekur politik. Valteri tha se, duhet me patjetër që në 2021 të përfundojë zvarritja nëpër zyra e aplikantëve, që enden prej gati 30 vitesh pa marrë asnjë shpërblim. Në kuadër të përgjigjes për të dy sugjerimet e deputetëve ministrja Denaj sqaroi se për 2021 nuk mund të ketë një fond më të lartë se nga ai që është përcaktuar. Ndërsa sa i përket procesit të shpërblimit ministrja sqaroi se, procesi është ndarë në faza dhe këtë vit që vjen do të shpërblehen të gjithë familjarët e ish- të përndjekurve dhe fondi prej 1mld lekësh është vetëm për këtë kategori. “Ne vitin që shkoi kemi bërë disa ndryshime në ligjin për këtë çështje, kur prioritet ishin ish-të përndjekurit që janë akoma në jetë. Ndërsa për 2021 prioritet do të jenë familjarët e ish-të përndjekurve që kanë ndërruar jetë dhe vetëm për këtë kategori do të kemi një disbursim prej 900 mln lekësh, kur edhe fondi i vjetshëm nuk është përdorur i gjithi dhe do të jetë si shtesë për shpërblimet në vijim”, deklaroi ajo.

Si do procedohet me strehimin social

Strehimi social ishte pika e dytë më e rëndësishme që u ngrit për diskutim në komision. Sipas deputetes Eglantina Gjermeni, programi për strehimin social duhet të jetë më i qartë. Ajo i kërkoi ministres të sqarojë se në cilat kategori do fokusohet më tepër projektbuxheti për sa i përket kësaj çështje dhe si do ndahet sipas zërave fondi prej 1 mld lekësh që është vendosur për këtë program. Pasi, sipas saj, janë shtresa që do kenë gjithmonë nevojë për fokusin e qeverisë, pavarësisht në çfarë situate ndodhemi. “Dua të ndalem pak te strehimi social pasi nuk duhet lënë pas dore. Duke qenë se kjo tematikë ka disa programe dhe ju si qeveri keni akorduar 1.1 milionë dollarë , do doja të dija ky fond do i ndahet bashkive dhe më pas ata mund ta ndajnë sipas planit të tyre apo ju do i sugjeroni një plan se ku të investojnë më tepër. Pasi në vitet e shkuara nga fondi që u jepet bashkive më tepër investojnë për rrugët se sa për shërbime sociale”, u shpreh ajo. Në këtë pikë Denaj sqaroi se programi për shërbimet sociale në vitin që vjen do fokusohet tek banesat sociale dhe bonusi i qirave, ku ky i fundit do të marrë pjesën më të madhe të fondit. “Sa u përket shërbimeve sociale në projektbuxhet janë parë si prioritet; dhënia e bonusit të qirave që do të shpenzohet 1.5 miliardë lekë dhe banesat sociale për të cilat do të shpenzohet 300 milionë lekë”, deklaroi ministrja.