Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Çmimet e biletave në stratosferë, 300-600 euro për të ikur nga Shqipëria, shteti hesht

Postuar: 16/08/2018 - 07:27

 Korrupsioni shtetëror vazhdon të mbajë peng normalizimin e çmimeve të udhëtimit me avion për qytetarët shqiptarë që jetojnë brenda e jashtë vendit. Shqipëria renditet si shteti me çmimet më të larta të biletave në rajon, e megjithatë shteti vijon të heshtë, duke kaluar në inekzistencë të plotë ndaj kësaj padrejtësie, me pasoja të jashtëzakonshme për qytetarët e vet, të cilët udhëtojnë disa herë në vit në shtete të ndryshme, për probleme të ndryshme. Si të mos mjaftonin çmimet e larta, pritja me orë të tëra nëpër aeroporte, vonesat e dhjetra probleme të tjera me të cilat ndeshen shqiptarët gjatë fluturimit në shtete të ndryshme, ditët e fundit është vërejtur një tjetër rritje çmimesh për biletat në aeroportin e Rinasit. Çmimet për një biletë vajtje ardhje për një nga shtetet europiane tashmë variojnë nga 300-600 euro.

Rritja e çmimeve

Për emigrantët, ardhja për pushime në gusht në Shqipëri është kthyer në një kalvar të vërtetë pritjesh pa fund në aeroporte dhe çmimesh të çmendura, si në asnjë vend tjetër të Europës. Nëse në fillim të muajit gusht për të ardhur në Shqipëri nga Italia, Anglia apo Gjermania, çmimet e biletave fluturuan në rreth 200 euro për një drejtim, për në fund të gushtit po ndodh e kundërta. Për të fluturuar nga Rinasi drejt destinacioneve të Europës çmimet janë shtrenjtuar së tepërmi, duke arritur dhe rreth 300-600 euro për një drejtim. Për të shkuar nga Tirana në Milano apo Torino në datat 24-28 gusht, bileta në një drejtim me Blue Panorama është 290 euro. Ndërsa kthimi është 50-60 euro, duke e çuar një bileta vajtje ardhje në 340-350 euro. Të njëjtat çmime janë dhe me Alba Wings. Vetëm pas javës së parë të shtatorit, biletat fillojnë e bëhen më të lira, duke zbritur në 120 euro e më pas në 50-70 euro nga Rinasi drejt Milanos apo Torinos. Nga Shkupi në Milano, në datën 24 gusht mund të shkosh në Milano me 164 euro (gati gjysmën) dhe të kthehesh me 20 euro, me Wizz Air. Për të udhëtuar nga Tirana në Romë me Alitalia në fund të gushtit, çmimet janë akoma edhe më të çmendura, minimumi 330 euro dhe në datën 25 gusht biletën e gjen 440 euro. Kthimi kushton 95 euro. Italia është destinacioni kryesor i shqiptarëve për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë aty, që vlerësohet të jenë mbi 500 mijë. Të dhënat nga Tirana International Airport bëjnë të ditur se destinacionet drejt Italisë zinin 57% të tregut total të fluturimeve në 2017-n, e pandryshuar në krahasim me vitet e mëparshme. Më pas renditen Austrian Airlines dhe Turkish Airlines, të cilat në vite kanë pasur një pjesë tregu të qëndrueshme prej 7% secila. Listën e vijojnë Adria Airways, me 4% të tregut, dhe më pas me nga 3% secila, Aegean Airlines, British Airways, Pegasus Airlines dhe Lufthansa me 2%. Operatorët e rinj, Transavia dhe Wizz Air kanë marrë përkatësisht 2% dhe 1% të tregut. Edhe për në vendet e tjera të Europës të udhëtosh nga Rinasi është shumë shtrenjtë në ditët e fundit të gushtit. Nga Tirana në Frankfurt, çmimet variojnë nga 275 euro, deri në 643 euro për të fluturuar në datën 25 gusht. Për në Londër, me Wizz Air, që është një operator low cost, bileta nga Tirana në fund të gushtit kushton vetëm një drejtim minimumi 370 euro (nga Shkupi bileta është 235 euro, ose 57% më lirë). Anasjelltas, nga Londra në Tiranë mund të gjesh biletë edhe me 55-70 euro. Burime nga Autoriteti i Aviacionit Civil pohuan se gjithmonë në sezonin e verës, çmimet e biletave janë më të shtrenjta dhe kjo është një tendencë botërore. Por këtë gusht është konstatuar një kërkesë shumë e lartë për të udhëtuar me avion përmes Rinasit, ndërkohë që nga ana tjetër kompanitë ajrore nuk po shtojnë avionë, pasi ka kosto të larta marrja e avionëve me qira, çka është shoqëruar me çmime më të shtrenjta. Fundi i gushtit përkon me kohën kur emigrantët kthehen në shtëpi, ndaj kërkesa është e lartë dhe çmimet të shtrenjta, ndryshe nga biletat nga vendet e ndryshme të Europës drejt Rinasi, ku biletat janë të lira. Tendenca e kundërt ishte në fillim të gushtit.

Tarifat e larta në Rinas pengojnë shtimin e linjave

Një tjetër faktor që ndikon në biletat e shtrenjta, sipas burimeve nga Autoriteti i Aviacionit Civil janë tarifat e larta aeroportuale të koncesionarit të Aeroportit të Rinasit, një problem që ata e kanë diskutuar edhe me ekspertë të BE-së. Tarifat e larta pengojnë shtimin e linjave dhe futjen e operatorëve low cost. P.sh., taksat që paguan Ryanair, -një prej operatorëve më të mëdhenj me kosto të ulët në Europë, për çdo pasagjer në aeroportet e tjera është 6-8 euro, ndërsa në Rinas do të duhet të paguante 40 euro. Rishikimi i kontratës së vitit 2004 është kyç, thonë burimet e Autoritetit, teksa tashmë është hapur auditi, i cili do të përcaktojë se nëse koncesionari i aeroportit e ka nxjerrë investimin, atëhere do t’u duhet të rishikojnë tarifat. Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion aeroportin e vetëm në vend, deklaroi për vitin 2017 fitime prej rreth 21 milionë eurosh, me një normë fitimi prej 47%, duke e renditur atë ndër kompanitë më fitimprurëse në vend.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2018 - 14:51

Banka e Shqipërisë ka publikuar kursin zyrtar të këmbimit për sot, 21 shtator 2018:

Postuar: 20/09/2018 - 12:06

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Postuar: 20/09/2018 - 10:00

Ministria e Financave po harton një projektligj të ri për investimet, nëpërmjet të cilit synon të

Postuar: 19/09/2018 - 11:28

Menaxhimi i integruar i mbetjeve duket të jetë një sfidë më vete për Shqipërinë pavarësisht nisma

Postuar: 19/09/2018 - 07:37

Paralajmërimi i Kuvendit, se mandati i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbaron n

Postuar: 18/09/2018 - 14:28

Banka e Shqipërisë ka publikuar kursin zyrtar të këmbimit valutor për sot, e martë 18 shtator 201