BREAKING NEWS

Ja ministrat që pritet të shkarkohen në vjeshtë, Majko e Lleshaj më të rrezikuarit, sondazhet fundosin shumicën e anëtarëve të kabinetit

Ja ministrat që pritet të shkarkohen në vjeshtë, Majko e
x

Ekonomia

Deficiti buxhetor arrin 310 mln euro për 6-mujorin e parë, bien të ardhurat dhe rriten shpenzimet

Deficiti buxhetor arrin 310 mln euro për 6-mujorin e parë, bien

Buxheti i shtetit po shkundet fuqishëm nga pandemia. Parametrat e buxhetit 2020 jo vetëm kanë dalë jashtë kornizave të parashikimeve fillestare, por dhe po rrënohen shumë më tepër në krahasim me vitin 2019. Kjo për shkak se përmasat e deficiti buxhetor po ndjekin rritje të shpejtë në 6 muajt e parë të 2020. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 6 mujorin e parë niveli i deficit buxhetor shkoi në 310 milionë euro, duke shënuar përqindjen më të lartë në 6 vitet e fundit. "Në gjashtëmujorin e parë, deficiti buxhetor është zgjeruar me 1015% në raport me një vit më parë. Treguesi në vlerë regjistrohet -38,4 miliardë lekë nga -3,4 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në aktin e tretë normativ për ndryshimin e buxhetit 2020, qeveria zgjeroi hapësirën për financimin e deficitit buxhetor, duke e çuar në -133 miliardë lekë nga -68 miliardë që ishte në aktin e dytë normativ dhe -38 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar 2020", thuhet në raportin e MFE. Nga ana tjetër ministria tregon se akoma nuk është shfrytëzuar ende e gjithë hapësira e programuar, pasi në këta 6 muaj vetëm 28% e planit është realizuar. Kjo do të thotë së mbeten për t'u shfrytëzuar edhe 752 milionë euro, në kohën kur të ardhurat priten të bien në 300 milionë euro për pjesën e dytë të vitit, çka do të thellojë më tej deficitin. Të mos flasim pastaj për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura apo boshllëqeve të tjera të lëna nga viti paraardhës. Por ecuria e 6-mujorit të parë tregon për një shfrytëzim të ulët të hapësirës, ku shihet të jetë përdorur vetëm 28% e planit vjetor. Për pjesën e mbetur, qeveria mund të shfrytëzojë edhe 94 miliardë lekë ose rreth 72% të hapësirës. Në çdo rast, qeveria mund të shpenzojë nëpërmjet borxhit të ri edhe 752 milionë euro, ndërkohë të ardhurat në gjashtëmujorin e dytë pritet të jenë me rënie rreth 300 milionë euro, sipas përllogaritjeve në aktin e tretë normativ. Financat pohojnë se kjo rritje e deficitit buxhetor pritet të akomodojë në fund të vitit edhe detyrimet e prapambetura që janë krijuar edhe para se të ndodhë pandemia.

Disbalancat mes të ardhurave dhe shpenzimeve

Deficiti publik njohu rritje të shpejtë në këtë gjashtë mujor për shkak të disabalancave të krijuara mes nivelit të shpenzimeve nga qeveria dhe të ardhurave të grumbulluara në arkën e shtetit. Sakaq bëhet me dije se në 6 muaj shpenzimet kanë shënuar 1,7% rritje ndërsa të ardhurat kanë rënë shumëfish, duke bërë që deficiti të jetë edhe më i lartë se investimet kapitale në këtë pjesë të parë të vitit, ndërkohë që qeveria priste të kundërtën. "Të ardhurat kanë shënuar rënie vjetore me 14% në gjysmën e parë të vitit, si rrjedhojë e efekteve negative të pandemisë dhe shpenzimet janë rritur me 1.7%, teksa qeveria ka rritur pagesat për mbështetjen e bizneseve. Këto statistika po ecin në përpjesëtim të zhdrejtë me rregullin e të dhënave fiskale ku deficiti buxhetor duhet të ishte më i ulët se investimet kapitale. Në gjashtëmujor, investimet kapitale ishin 28 miliardë lekë, ndërsa deficiti i periudhës ishte -38,4 miliardë lekë", tregojnë të dhënat e ministrisë. Ndërkaq qeveria parashikon që stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1, 272, 563 milionë lekë ose 10.3 miliardë euro, në fund të vitit 2020, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit. Ndërsa në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të rishikuar, borxhi publik pritet që të arrijë në një nivel rekord prej 80%, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e borxhit publik dhe PBB-së së rishikuar nga Ministria e Financave. Kjo do të thotë që Shqipëria do vazhdojë të ketë një rritje të borxhit publik më të lartë se në vendet e rajonit, të cilat kishin hapësira fiskale në dispozicion për të përballuar pasojat e pandemisë.