Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dritan Gremi: Sfida ime e turizmit shëndetësor me standarde europiane dhe drejtësia e “kapur”

Postuar: 04/09/2018 - 07:13

 Një ide origjinale ka sjellë në Shqipëri një shifër të madhe turistësh të huaj. Bëhet fjalë për turizmin shëndetësor, që në vendin tonë u themelua nga Dritan Gremi, i cili sot drejton “Viaggiare e Sorridere”. Një histori suksesi, po aq edhe e veçantë është ajo e Gremit, që krahas prezantimit të Shqipërisë i shoqëron turistët gjatë gjithë vitit në klinikat e specializuara për të marrë shërbime mjekësore. Por si lindi idea, që sot sjell në vend qindra e mijëra të huaj? Drejtuesi i ‘Viaggiare e Sorridere’ tregon për gazetën “SOT” kalvarin e gjatë, rezultatet e punës, por edhe padrejtësitë, që ai thotë se ka hasur në vendin e tij, pasi braktisi jetën në Itali për të investuar këtu.

A mund të na tregoni si lindi iniciativa juaj?

Kur vija në Shqipëri për pushime, e shfrytëzoja kohën për të kuruar edhe dhëmbët e mi. Meqenëse pagesa për shërbimet në fjalë ishin shumë të vogla në raport me Italinë, aty më lindi ideja e turizmit dentar. Kam punuar gjithmonë në fushën e turizmit dhe isha i konsoliduar atje. Isha drejtori i Food & Beverage të një resorti luksoz me 5 yje në veri të Italisë, por dëshira për të bërë diçka timen dhe sidomos në vendin tim, më shtyu të hiqja dorë nga puna e atjeshme. Kështu, i dërgova e-mail presidentit tim dhe i thashë që rrugëtimi im mbaron këtu, pasi vendosa t’i dedikohem kësaj iniciative. Bëra një studim të tregut në Shqipëri dhe identifikova disa struktura, të cilat mund të ofronin kushtet dhe standartet për ta ofruar këtë shërbim për të huajt dhe zgjodha njërën prej tyre. Pasi studiova dhe tregun e jashtëm pashë që konkurrenca nuk ishte shumë e madhe. Mesa mbaj mend asokohe kanë qenë pesë struktura në Budapest, 3-4 në Kroaci, një në Bukuresht dhe 2-3 në Slloveni. Në Shqipëri nuk kishte asnjë. Kam krijuar vetë faqen e parë në internet duke punuar me tekstet, ashtu edhe me imazhet dhe kam hedhur në treg ofertat e para, duke i promovuar sigurisht online. Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë. Falë Zotit rezultatet e para kanë ardhur shumë shpejt, që në muajin e dytë dhe për një periudhë 3-4 vjeçare të gjitha të ardhurat injektoheshin në promocion dhe në fusha të tjera, që ky biznes i sapolindur kishte shumë nevojë. Për një kohë relativisht të gjatë jam marrë vetë me pritjen dhe përcjelljen në aeroport apo port të klientëve, asistencën e tyre në Tiranë, shërbimin e klientit në telefon dhe email dhe gjithçka që kishte të bënte me këtë biznes. Kini parasysh që asokohe jetoja në Itali dhe për çdo pacient të ri më duhej të bëja 1200 kilometra nga aty ku jetoja drejt Tiranës. Sot ky biznes numëron rreth 45 bashkëpunëtorë dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë.

Zoti Gremi, e përkthyer në gjuhën e shifrave, mund të na tregoni disa detaje për të krijuar edhe një ide rreth të interesuarve për turizmin dentar?

Vitet e fundit kemi të bëjmë me mijëra pacientë, që vijnë kryesisht nga Italia, Zvicra, Franca, Belgjika dhe Gjermania. Mesatarisht çdo pacient qëndron në Shqipëri 7-10 ditë dhe vjen të paktën dy herë për të kryer të gjitha kurat e nevojshme dentare. Kini parasysh se turizmi shëndetësor në botë gjeneron diku tek 160 miliardë euro në vit dhe vetëm italianët të cilët përbëjnë 90% të pacientëve tonë, shpenzojnë çdo vit mbi 3 miliardë euro për turizmin shëndetësor. Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave aktualisht shkojnë drejt Kroacisë, Brazilit, Turqisë dhe Marokut. Në Shqipëri vjen një grimcë shumë e vogël e këtyre të ardhurave, që në krahasim me vendet e tjera është thuajse e papërfillshme. Pra imagjinoni se çfarë peshe zë në shifra ky turizëm në botë…

Si funksionon turizmi shëndetësor? A janë pacientet të kënaqur me cilësinë?

Është një turizëm që bëhet gjatë të gjithë vitit. Pacientëve u duhet garantuar një shërbim me cilësi të lartë e bashkëkohor, sipas standarteve më të larta europiane dhe duke respektuar çdo protokoll teknik mjekësor të fushës përkatëse e me çmim të paktën 50% më të ulët se vendet e origjinës. Pacientët tek ne vijnë kryesisht për kura dentare dhe kirurgji estetike, por ky turizëm është i njohur në botë dhe për degë të tjera si mbjellja e flokëve, kardiologji, ortopedi etj. Siç e përmenda më lart, të ardhurat nga ky lloj turizmi në botë janë marramendëse dhe trendi është në rritje me rreth 60% çdo vit. Pacientët priten nga guidat në aeroport, akomodohen falas në një hotel pranë klinikës, në kohën e lirë u bëhen ture nëpër Tiranë dhe qytete të tjera. Meqenëse konkurenca është e madhe me fqinjët, kemi investuar jo vetëm në promocion por edhe në shërbime, guidat, akomodimin falas, turet etj. Fakti që biznesi ka një rritje vjetore nga 50-60% vërteton që pacientët janë mëse të kënaqur. Jo vetëm që kthehen të kënaqur në vendet e tyre nga shërbimi i marrë, por krijojnë edhe një opinion të mirë e ndryshe për Shqipërinë.

A keni hasur vështirësi në aktivitetin tuaj? Qoftë në zhvillimin e aktivitetit në raport me instancat shtetërore apo me konkurrëncën?

Sot ka shumë sipërmarrës që vijnë në vendin tonë dhe kjo është shumë pozitive, por kur unë investova, shumë pak ishin ata që kishin kurajon të vinin këtu. Unë e nisa këtë sipërmarrje me ambicjen për të sjellë një frymë europiane në vendin tim. Sot situata ka ndryshuar për mirë dhe besimi është rritur, por fatkeqësisht sistemi i kalbur i drejtësisë dhe informaliteti në tërësi vijojnë të jenë një pengesë e madhe për sipërmarrjen. Pikërisht muajt e fundit kam hasur me padrejtësitë e lojës së pandershme të konkurencës, që në bashkëpunim me segmente të “errëta” të prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ligj-zbatuese kanë tentuar të dëmtojnë këtë biznes, që priste një trajtim evropian nga një vend që pret të bëhet pjesë e BE-se, por një biznes të tillë model, me parime e standarte të larta është e vështirë ta cënosh e ta ndalësh. Jam hasur me OPGJ që refuzojnë të marrin kallëzime apo që i marrin ato të cunguara dhe duke bërë presion. Jam hasur me prokurore që kanë marrë vendime jo konform ligjit, kanë mbyllur sytë përpara fakteve, nuk kanë bërë asnjë lloj hetimi, kur gjithë ngjarjet kanë ndodhur në vende publike, mes njerëzve dhe nuk është marrë për shqyrtim asnjë kamera, asnjë dëshmitar etj. Duke parë që kjo histori me prokurorinë po bëhej e pafundme dhe absurde, në qershor 2018, iu drejtova në mënyrë institucionale ish-kryeprokurorit të Tiranës me të cilin pata një takim dhe ishte i vetmi që më ringjalli shpresën gati të vdekur për të gjetur drejtësi.

 

Së fundmi ju i jeni drejtuar edhe ‘Vettingut’… Mund të na flisni më tepër mbi këtë fakt?

Po, i jam drejtuar organit të Vettingut sepse jam i bindur që brenda një kohe të shkurtër Shqipëria do këtë një sistem drejtësie që ka merituar prej kohësh. Si mbarë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar, edhe unë po pres që procesi i vettingut të japë frytet e veta. “Viaggiare & Sorridere” ka dërguar një shkresë pranë Komisionit për gjyqtarët dhe prokurorët ku informon për rastin e subjekteve të procedurave të vettingut. Në opinionin tim, jo i gjithë sistemi i drejtësisë është i kalbur dhe ky është një lajm i mirë. Por dhe është i vërtet fakti se prokurorët e gjyqtarët kanë një pushtet të pavarur dhe duhet të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin, duke mos u influencuar nga faktorë të tjerë. Pavarësisht të gjithave jam i vendosur ti shkoj deri në fund kësaj historie për të gjetur drejtësinë që i takon, duke e kthyer historinë e biznesit të tim, në një frymëzim për sipërmarrësit e tjerë të ndershëm se drejtësia, ajo e parimeve dhe standardeve evropiane ekziston edhe në Shqipëri. Këtë luftë nuk e bëj vetëm për veten, por për të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj që duan të investojnë në këtë vend, pasi në këtë sistem të kalbur drejtësie është shumë e vështirë që dikush të besojë paratë e tij.

Çfarë mendoni se ka nevojë urgjente turizmi shqiptar?

Të paktën për 2-3 aeroporte të rinj, njëri me patjetër si alternativë loë cost e aeroportit të Rinasit, pasi ky i fundit ka monopolizuar në mënyrë të padrejtë të gjithë tregun duke imponuar çmime dhe tarifa të larta fluturimi. Përveç kësaj do ishte e udhës futja e disa kompanive të fluturimit loë cost në vendin tonë, pasi kjo gjë do bënte të mundur uljen e tarifave, rritjen e numrit të fluturimeve e lidhjeve me aeroportet ndërkombëtare. Duke ecur në rrjedhën e fjalisë së fundit, kjo gjë tek ne do ndikonte pozitivisht, pasi do ta bënte vendin tonë më kompetitiv në rajon dhe më gjerë. Përveç këtyre ka nevojë për më tepër cilësi dhe profesionalizëm. Për fat të keq Shqipërisë këto 20 vitet e fundit i kanë munguar shkollat profesionale të turizmit, pra nuk është punuar me strategji afatgjatë, duke mos kuptuar rendësinë e këtij sektori kaq strategjik për ekonominë e vendit. Mendoj se operatorët turistikë në Shqipëri duhet të ndërgjegjësohen që për të qenë kompetitivë në treg duhet dhënë një shërbim cilësor dhe për ta bërë këtë duhen profesionistë. E vetmja mënyrë e shpejtë dhe efikase që unë shoh është thithja e tyre nga jashtë qofshin shtetas të huaj apo emigrantë që kanë studiuar e jetuar jashtë. Do jetë pikërisht ky kontigjent që do edukojë dhe ngrejë profesionalisht brezat e ardhshëm. Të vazhdohet të punohet fort për të përmirësuar akoma më shumë imazhin e vendit tonë. Në këtë kuadër vetë ne kemi ndërmarrë një nismë të quajtur “Një fjalë të mirë për Shqipërinë”, që ka për qëllim promovimin e vlerave dhe arritjeve të Shqipërisë.

Cili është mesazhi juaj për institucionet shqiptare, por edhe për shtetasit e huaj që udhëtojnë drejt Shqipërisë?

Së pari, që të shkojë përpara dhe të përshpejtohet reforma e Vettingut. Vënia në fokus dhe stimulimi i zhvillimit të mëtejshëm të turizmit shëndetësor, pasi është e mundur që vetëm ky sektor të gjenerojë 10% të totalit të të ardhurave nga turizmi. Shteti duhet të dalë garant që këto sipërmarrje do e zhvillojnë aktivitetin e tyre duke respektuar konkurrencën e ndershme, rregullat e lojës, si dhe protokollet teknike mjekësore, gjë që bën të mundur ruajtjen e standarteve. Të huajve që udhëtojnë drejt Shqipërisë u themi që të vijnë pasi vendi ynë është i bukur, i sigurt, me një klimë shumë të mirë, ofron cilësi dhe çmime kompetitive. Një nismë tjetër që duhet ndërmarrë dhe sa më shpejt të jetë e mundur është rikthimi i emigrantëve; të ndalojmë largimin e trurit nga vendi dhe të rikthejmë ata që kanë ikur, duke u ngjallur shpresën, duke u siguruar që edhe vendi ynë do u ofrojë të njëjtat kushte si çdo vend tjetër i zhvilluar dhe ekonomikisht i qëndrueshëm. Duhet prekur brezi i ri, u duhet bërë të kuptojnë që Shqipëria është e bukur, e begatë, që të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë shumë mirë edhe këtu, pa aspiruar të shkojnë tjetërkund, pasi askund nuk është fushë me lule, çdo shtet ka anët e tij të errëta dhe guri i rëndë është vetëm me vendin e vet. Nëse ia dola unë, mund t’ja dalin dhe shumë të tjerë, mjafton dëshira e mirë dhe vullneti i hekurt./Intervistoi: Ardit RADA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 2. Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:56

Duke nisur nga data 1 Janar 2019, në Shqipëri do të ndalohet importi i makinave të përdorura mbi 10 vjet prodhim. Në ditën pa makina, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka prezantuar këtë projektvendim.

Postuar: 22/09/2018 - 14:15

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), z.

Postuar: 22/09/2018 - 08:33

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Postuar: 22/09/2018 - 07:41

Bankat vijojnë të shtrëngojnë kushtet e kreditimit për bizneset e mëdha.

Postuar: 21/09/2018 - 14:51

Banka e Shqipërisë ka publikuar kursin zyrtar të këmbimit për sot, 21 shtator 2018:

Postuar: 20/09/2018 - 12:06

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.