Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Ekonomia

Entet publike abuzojnë me fondet, nuk shpenzojnë për zërat e përcaktuar në ligj, shkeljet më të shumta në koncesionet rrugore

Entet publike abuzojnë me fondet, nuk shpenzojnë për zërat e

Entet publike vazhdojnë të abuzojnë me fondet, pasi po përdorin paratë për investime të panevojshme. Gjatë vitit 2019 shoqëri të rëndësishme audituese kanë nxjerrë konkluzionin se institucionet publike shpërdorojnë fondet dhe derdhin investimet në çështje aspak produktive. Së fundmi edhe Drejtoria e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar në Ministrinë e Financave ka vërejtur shkelje të rënda në përdorimin e fondeve publike për investime, sidomos nga bashkitë gjatë vitit 2019, por që kanë vijuar në të njëjtat rryma edhe gjatë 2020-ës. Kështu në raportin e publikuar nga MFE tregohet se, më së shumti vërehen boshllëqe në lidhje me përdorimin e investimeve kapitale, që janë dhe zëri më produktiv i shpenzimeve buxhetore. Sipas projektit, fondet nga ky zë po keqpërdoren nga institucionet, pasi janë duke shkuar në destinacione të tjera nga ato që janë miratuar në ligjin vjetor të buxhetit të shtetit. Konkretisht thuhet se institucionet publike nuk kanë realizuar pritshmëritë e përcaktuar në ligj për investimet kapitale, pasi shumat e përcaktuara për këtë zë janë shfrytëzuar për zëra të tjerë të papërfshirë në projekt. “Pasi kontrolleve, auditorët e qeverisë dolëm me konkluzionin se Treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin nga plani i realizimit i shpenzimeve kapitale në një vit, kundrejt shpenzimeve kapitale totale të planifikuara me ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend. Për vitin 2019, ky tregues është vlerësuar mesatarisht me 0.65 pikë (16.3%), nga 4 pikë të mundshme, duke shfaqur një performancë jo të kënaqshme të njësive publike, duke qenë se paraqet një nivel të konsiderueshëm devijimi nga fondet e planifikuar”, thuhet në raport. Institucionet publike nuk kanë dhënë performancë negative vetëm në pritshmëritë brenda vitit, por edhe në krahasim me një vit më parë shfaqen në nivele tepër negative dhe abuzuese. Sipas audituesve, nga të gjitha grupet e njësive të qeverisjes së përgjithshme të marra në analizë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë devijimin më të lartë, në krahasim me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura. Ndërsa vërehet një rritje e abuzimeve gjatë kohës së pandemisë dhe rihapjes së ekonomisë, kur përdorimi i fondeve ka kaluar nivelin fillestar, por në përdorim të devijuar.

Në 2020 abuzime me koncesionet rrugore

Ndër të tjera në raport specifikohet se vjedhjet e fondeve dhe përdorimi për interesa jo publike kanë vijuar edhe për vitin 2020. Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave institucionet publike kanë përdorur për 4 mujorin e parë fonde të përcaktuara për projektet në vijimësi të vitit, ndërsa paratë për 4 mujorin i kanë nxjerrë nga linja e përcaktuar në ligj dhe kanë shtuar borxhin e detyrimeve të prapambetura. Këto lloj problematikash janë hasur më së shumti në projektet rrugore të planifikuara me koncesione, ku manipulime në vlera dhe afate mund të bëhen më lehtë. “Për shumë nga projektet e financuara në 4-mujorin e për nuk ishin programuar fonde, ndërsa projektet e programuara për financim kanë konsumuar një pjesë të madhe të fondeve vjetore, ndryshe sa ka ndodhur vitet e tjera kur në 4-mujorin e parë shpenzimet për investime shfaqin dobësi. Për ato njësi, të cilat paraqesin një performancë shumë të ulët të realizimit të këtij treguesi, evidentohet se shkaqet kryesore janë të lidhura kryesisht me problematikat dhe vonesat që ndodhin gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit, sidomos në projektet rrugore me koncesione. Mirëpo entet publike e kanë thyer ligjin e buxhetit, duke mos i çuar fondet publike në definicionin që ka përcaktuar ligji”, thuhet në raport. Në këtë çështje audituesit pranë ministrisë kanë përcaktuar shembuj konkretë ku janë kryer abuzime nga entet në projektet me koncesione. Disa raste të përmendura për abuzim në 4 mujorin e parë të 2020 janë ai i aksit Kardhiq-Delvinë, Rruga e Kombit dhe dy Bypasse, për të cilët shpenzimet janë rritur me 2,5% nga se ishte parashikuar në projektin fillestar. Pra shpenzimet për to nuk janë ndërprerë pavarësisht vështirësive ekonomike që po has vendi ynë. “Rruga Kardhiq-Delvinë, Bypass i Fierit, ai i Tepelenës, bashkë me koncesionet e Rrugës së Arbrit dhe Rrugës së Kombit ishin projektet më të financuara gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, bashkë me disa projekte të tjera të infrastrukturës, pavarësisht se pandemia Covid-19 kushtëzoi rëndë ecurinë e treguesve buxhetorë, si në të ardhura dhe shpenzime. Gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, shpenzimet për investime ishin 16 miliardë lekë, me një rritje 2,4% në raport me faktin e periudhës”, thuhet në projekt.