BREAKING NEWS

Përballet për herë të parë me zërat kritikë ndaj tij, zbulohen 2 lëvizjet e rëndësishme të Lulzim Bashës ditën e sotme

Përballet për herë të parë me zërat kritikë
x

Ekonomia

FMN dhe BB kërkojnë të bëhet kujdes në periudhën post-Covid, sytë nga vaksinimi për kthimin e stabilitetit ekonomik

FMN dhe BB kërkojnë të bëhet kujdes në periudhën

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të jenë me të kujdesshëm në periudhën post-covid mbi ecurinë e ekonomisë. Ditën e djeshme Banka e Shqipërisë ka qenë pjesë e një takimi me BB dhe FMN, ku u diskutua ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë pandemisë dhe masat që duhet të merren për të nisur rikuperimin ekonomik. BB dhe FMN kanë qenë të dyja në të njëjtin mendim se, qeveria shqiptare bashkë me Bankën Qendrore duhet të tregohen dhe më të kujdesshme në këtë periudhë pas izolimit dhe muajve të mbërthyer nga pandemia. Sipas këtyre dy institucioneve ndërkombëtare, aktorët kryesorë në vend duhet të krijojnë politika të cilat mbajnë të qëndrueshme stabilitetin ekonomik në vend dhe nxisin rritjen ekonomike. “Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore shtuan se politikëbërësit duhet t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë periudhës së tranzicionit të post pandemisë, duke i përshtatur politikat e tyre makroekonomike në mënyrë që të sigurohet dhe garantohet stabiliteti makroekonomik, qëndrueshmëria dhe rimëkëmbja graduale e ekonomisë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Banka e Shqipërisë. Sakaq, BB dhe FMN e kanë vlerësuar punën e autoriteteve deri më tani dhe ndërsa ka vlerësuar efektin e tyre pozitiv, kanë kërkuar që të vazhdohet me aplikimin e tyre. Konkretisht, BB dhe FMN kërkuan që qeveria shqiptare të përmirësojë në vijim ndërthurjen mes politikave fiskale dhe monetare, pasi të dyja janë të rëndësishme për të mos rritur borxhin publik dhe mbajtur të qëndrueshme gjendjen financiare të ekonomisë. “U vlerësua gjithashtu kontributi i dhënë nga autoritetet shqiptare për menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi, veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për rifillimin e rimëkëmbjes ekonomike, prandaj ata kërkuan që të bëhet kujdes për nxitjen e ndërthurjes së mirë mes këtyre politikave kyçe”, thuhet në njoftim.

Vaksinimi shpresë për rikuperim

Gjatë takimit BB, FMN dhe BSH kanë vlerësuar njëzëri se vaksinimi masiv i popullsisë është shpresë se shumë shpejt ekonomia do të marrë veten. Gjatë diskutimeve, gurvenatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se me ritmin që po ecën Shqipëria në procesin e vaksinimit, pritet që brenda këtij viti ne t’i kthehemi normalitetit, madje gjasat janë që masat të jenë më të pakta gjatë sezonit të verës. Sipas tij, reduktimi i masave është i nevojshëm sepse çdo gjë varet nga efektet e pandemisë. “Progresi i vaksinimit të popullsisë jep shpresë për rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021. Këto zhvillime rritin gjasat e rikuperimit gradual, por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Sidoqoftë, përllogaritjet e parashikimeve makroekonomike janë të varura veçanërisht nga kohëzgjatja e pandemisë”, deklaroi Sejko. Guvernatori u shpreh se, që nga fillimi i pandemisë sektori bankar ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar. Ai shtoi se aktualisht sistemi paraqitet me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti. Rritja e kreditimit ka vazhduar, duke ndihmuar kështu me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe mbështetur vijimin e investimeve, ndërkohë që cilësia e portofolit ka vijuar të jetë e qëndrueshme, ku raporti i kredive me probleme është aktualisht në nivelin 8.15%. Fluksi pozitiv i kreditimit të ekonomisë ka qenë thelbësor në zbutjen dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit. Si sektori publik dhe ai privat kanë ruajtur aksesin në tregjet financiare ndërkombëtare.