BREAKING NEWS

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen paralajmërimet në takimet me deputetët e krerët e bashkive, ja ministrat që pritet të lëvizin

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen
x

Ekonomia

Furtunë në të gjitha inspektoratet e vendit, futen në testim inspektorët shtetërorë e vendorë, ja procedurat e plota

Furtunë në të gjitha inspektoratet e vendit, futen në testim

Inspektorët shtetërorë dhe qendrorë në vend duket se do të futen në testim. Kryeinspektori Shkëlqim Hajdari ka nxjerrë një udhëzim mbi mënyrën se si do të bëhet përzgjedhja e inspektorëve. Ndërsa shtohet se janë të detyruar të zbatojnë këtë urdhër të gjithë inspektorët shtetërorë, vendorë, si dhe të strukturave përgjegjëse, sipas fushave të inspektimit. Sakaq në dokument zbardhet dhe përmbajtja e testit. Referuar të dhënave bëhet me dije se pyetjet janë hartuar në bazë të legjislacionit dhe një pjesë e tyre i referohen ligjit për inspektim, ndërsa pjesa tjetër rreth ligjit sektorial. “Përgjigja e saktë vlerësohet 5 pikë dhe përgjigjja e gabuar 0 pikë. Rregullat e pyetjeve me alternativa: a) çdo pyetje ka të paktën 3 alternativa; b) çdo pyetje ka vetëm një përgjigje të saktë; c) nuk ka pyetje që mund të përgjigjen me po edhe jo. Nëse inspektori rrethon më shumë se një alternativë vlerësohet me 0 pikë. Pyetjet e testit me shkrim hartohen sipas grupit të pyetjeve të përgjithshme mbilegjislacionit, si dhe pyetje lidhur me fushën përkatëse të inspektimit. Testi përmban 50 pikë për pyetje nga ligji për inspektimin dhe aktet nënligjore, 50 pikë për pyetje nga ligji sektorial”, theksohet në dokument.

Ja kush kalon dhe e drejta për ankimim

Më tej në rregullore sqarohet forma e provimit të testimit dhe kriteri i kalueshmërisë. Konkretisht theksohet se, provimi për testimin e inspektorëve zhvillohet vetëm me shkrim. Data dhe kohëzgjatja e provimeve caktohen nga KVFP-ja. Ndërsa bëhet me dije se Inspektori që kryen testimin nuk e kalon nëse merr vlerësimin “jo kënaqshëm”. Sakaq në Nenin 10 sqarohet se kush ka të drejtë të japë provimin, duke theksuar se bëhen përjashtime për ato raste kur inspektori nuk është paraqitur për arsye të forta të deklaruara pranë grupit që kryen provimin. “Të drejtën për të dhënë testimin fillestar dhe periodik e kanë vetëm inspektorët, që kanë përfunduar trajnimin e detyrueshëm përkatës para zhvillimit të testimit. Të drejtën për të dhënë testimin fillestar dhe periodik të radhës e kanë edhe ata që nuk kanë marrë pjesë për shkaqe të arsyeshme”, theksohet në dokument. Sipas këtij urdhri të publikuar në Fletoren Zyrtare, Inspektori do të pajiset me certifikatën e testimit, në rastet kur e kalon testimin, e cila lëshohet nga inspektori i përgjithshëm. Ndërsa theksohet se, certifikata është e vlefshme deri në testimin e radhës. Sakaq njoftohet se çdo inspektor, që i nënshtrohet testimit, ka të drejtën e ankimimit për procedurën dhe rezultatin e testit. Ankesa i drejtohet Komisionit Ad-Hoc të shqyrtimit të ankesave, brenda 5 ditëve nga marrja e rezultatit. Komisioni Ad-Hoc shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje brenda 30 ditëve nga marrja e ankesës. Vendimi i Komisionit të shqyrtimit të ankesave është përfundimtar.

Procedurat e vlerësimit të testeve

Sipas këtij urdhri, KVFP-ja shpall skemën e vlerësimit të testit para fillimit të testimit, duke afishuar pikët për secilën pyetje, si dhe raportin bazë. Ndërkaq dokumenti tregon procedurat hap pas hapi që ndiqen për vlerësimin e testeve, duke bërë të qartë rregullat që duhet të kenë parasysh vlerësuesit. “Vlerësimi i përgjigjeve të inspektorit bëhet me pikë. Çdo anëtar i KVT-së nënshkruan testin që vlerëson dhe mban përgjegjësi për vlerësimin që bën. Para fillimit të vlerësimit të testimit, KVFP-ja orientohet për vlerësimin e njëllojtë të testeve, sipas skemës përkatëse të vlerësimit. Vlerësimi i testit bëhet në mjedise të përshtatshme dhe të sigurta, të përcaktuara nga Inspektorati Qendror. Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të pavarur nga anëtarët e vlerësimit. Vlerësuesit nuk mund të bëjnë shënime në test. Vlerësimet me pikë për çdo pyetje të testit pasqyrohet në formularët përkatës”, sqarohet në dokument. Urdhri bën të qartë që, në rastet kur midis vlerësuesve ka mospërputhje vlerësimi, vlerësohet nga kryetari i KVT-së, i cili nënshkruan në tabelën e vlerësimit. Për vlerësimin përfundimtar, pikët për çdo kërkesë/pyetje të testit, pasqyrohen në tabelën përmbledhëse dhe nga të gjithë anëtarët e KVT-së.